Mendime
Eshref Ymeri: Në vijim të analizës së Profesor Mehdi Hysenit
E merkure, 29.04.2020, 03:12 PM
Në vijim të analizës së Profesor Mehdi Hysenit, akademik
Nga Prof.
Dr. Eshref Ymeri
Në faqen e
internetit të gazetës “Bota Sot” dhe në portalin “Albaniapress”,
respektivisht të datës 28 dhe 29 prill, ishte botuar analiza e Prof.dr. Mehdi
Hysenit, akademik, me titull “As “haxhia” e as “popi” mbi gjakun e
UÇK-së dhe mbi të drejtën ndërkombëtare!”.
E lexova me shumë
kënaqësi këtë analizë dhe e përshëndes përzemërsisht Profesorin e nderuar, i
cili, si një specialist i talentuar i së drejtës ndërkombëtare, ka argumentuar
bukur mirë se krimet kundër njerëzimit nuk amnistohen kurrë. Prandaj edhe ka
cituar ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara
Kofi Anan:
“... nuk ka amnistim për krimet e gjenocidit, për krimet e luftës e
as për krimet kundër njerëzimit”.
Veç kësaj, ai
shkruan:
“... deri më sot, asnjë popull në botë nuk ka falur dhe nuk ka amnistuar
krimet e gjenocidit, as krimet e luftës e as krimet kundër njerëzimit, qoftë të
kryera në kohë lufte apo në kohë paqeje. Prandaj, as populli shqiptar nuk
do t’i amnistojë krimet e gjenocidit serb në Kosovë (1989-1999)”.
Ka shumë të drejtë i
nderuari Profesor Mehdiu. Populli shqiptar nuk i fal krimet e gjenocidit serb
në Kosovë. Por i gjori popull nuk ka mundësi të ngrejë padi në Gjykatën Ndërkombëtare
të Drejtësisë. Një padi të tillë duhet ta ngrejë qeveria, në bashkëpunim me
juristët dhe me specialistët e së drejtës ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës, që
prej 17 shkurtit të vitit 2008 dhe deri tani, nuk e ka ngritur një padi të
tillë. Qeverinë e re të Albin Kurtit, e cila në programin e saj parashikonte
ngritjen e padisë kundër krimeve të Serbisë, shumica e deputetëve të Kuvendit
të Kosovës, pra, garda e politikës së vjetër, mbështetëse e fuqishme e Hashim
Thaçit, “ambasadorit” të Beogradit në Prishtinë, “e falënderoi” menjëherë me
organizimin e mocionit të mosbesimit të 25 marsit.
Atë mocion, garda e
politikës së vjetër e organizoi, sepse ajo ndjek me besnikëri praktikën e Enver
Hoxhës për faljen e krimeve kundër njerëzimit. Populli shqiptar ishte i
vendosur për ndëshkimin e masakrave të shtetit grek kundë popullsisë së
pafajshme të Çamërisë dhe për ndëshkimin e shtetit jugosllav për masakrën e
Tivarit. Por Enver Hoxha, si mercenar besnik i grekosllavizmit, nuk e shtroi
absolutisht çështjen për ngritjen e padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të
Drejtësisë kundër Greqisë dhe kundër Jugosllavisë, të shoqëruar me kërkesën për
kompensimin me mjete financiare të të gjitha atyre masakrave. Pra, Shqipëria është i vetmi shtet në Evropë
që nuk ka ngritur padi për krimet e luftës. Kosova, gjithashtu, nën shembullin
e Shqipërisë, është i dyti shtet në Evropë që nuk ka ngritur padi për krimet e
luftës, sepse në krye të saj, gjatë këtyre 17 vjetëve që kanë kaluar pas
shpalljes së pavarësisë, ka pasur në udhëheqje gardën mercenare në shërbim të
Serbisë, gardë që ka pasur dhe vazhdon të ketë në krye Hashim Thaçin, njeriun
që varet kokë e këmbë nga Beogradi, siç ka deklaruar publikisht Aleksandër
Vuçiçi.
Thelbin e analizës
së Profesor Mehdiut e përbën qëndrimi i tij i prerë kundër Baton Haxhiut, i
cili ka shtruar kërkesën për amnistimin e krimeve të shtetit serb në Kosovë
gjatë viteve të luftës. Prandaj ai shpërthen kundër një kërkese të tillë:
“... ai nuk do të kishte bërë një kërkesë të gabueshme, të turpshme,
johumane, joligjore dhe tërësisht të papranueshme, që institucionet përkatëse
shtetërore t’i “amnistojnë krimet e luftës pushtuese serbe” në Kosovë”.
Por duhet të kemi
parasysh se Baton Haxhiu nuk është njeri dokushdo. Ai është këshilltar me shumë
peshë i kryeministrit Rama, i cili e kishte marrë me vete deri në Moskë për t’u
takuar me Lavrovin. Normalisht, kur flasin këshilltarët e një shefi të madh, me
siguri që fjala e tyre ka kaluar fillimisht nga kabineti i shefit në fjalë.
Vetvetiu del përfundimi se kryeministri Rama, duke ndjekur piketat e vendosura
nga Enver Hoxha për kalimin në heshtje të plotë të masakrës së shtetit grek
kundër Çamërisë dhe të masakrës së shtetit jugosllav në Tivar, i përmbahet
pikëpamjes për amnistimin e krimeve të shtetit serb në Kosovë.