Mendime
Hilmi Saraçi: Karakteristikat, roli fetar , njerëzor dhe kombëtar i Tarikatit Melami
E merkure, 29.04.2020, 11:43 AM
Karakteristikat, roli fetar , njerëzor dhe kombëtar i Tarikatit Melami
(Kohë më parë Qeveria e Kosovës duke bërë
fjalë për Bashkësitë fetare në Kosovë ,përvec të tjerave vendosi që Bashkësisë
fetare në Kosovë t’i shtohet edhe Baskësia e Tarikateve e cila numëron
dymbëdhetë tarikate të ndryshme.. Me këtë rast , në këtë shkrim paraqita disa
karakteristika për tarikatet, respektivisht për tarikatin e melamive…)
Nga Hilmi
Saraçi
Tarikati melami që praktikon ziqërinë (përkujtim të zëshëm) e ka zgjedhur
mënyrën e edukimit të un-it të tyre . Gjatë këtij edukimi muridi (ihfani) duhet
të betohet para zotit xh.u. për këto gjera : të mos rrejë, të mos përgojojë dhe
shpifë, të mos flasë kundër askujt, të falë namazin në kohë , të kompenzojë
namazet që nuk i ka falë, të agjirojë , të pranojë vetminë, të flejë, të flasë
dhe të hajë pak dhe të vazhdojë me stërvitjen”…. (Dr. Selçuk
Erauydin:“Tesavvufi dhe tarikatet)
Fjala “tarik” përmendet në kuran dhe ka kuptimin të “yllit që shënddrit
natën e errtë” . Fjala “tarik” është përdorur edhe me domethenie të “rrugës të
zotit që vërteton atë para tij, që e udhëzon në të vërtetën dhe në rrugën e
drejtë” (Ahkav, 46/30). Në terminologjinë e tesavvufit “tarikat” do të thotë:
rruga e cila shpie të allahu xh.sh. Sheriati është më i përgjithshëm, kurse
tarikati është më special. Tarikati pra është një disciplinë, respektivisht
është një instucion i cili ka për qellim sendertimin e ushtrimeve për arritjen
në esencen e fesë nëpërmjet respektimit të themeleve të sheriatit … (Shih Dr.Selcuk
Erauydin “ Tesavvufi dhe tarikatet”)
Melamitë janë të lidhur ngusht me dashurinë ndaj atdheut,
përkushtimin dhe afrinë me Allahun xh.sh.
Idhëtarët e tarikatit melami para se të shkojnë në ziçer, orvaten që prej
zemre ta largojnë çdo gjë që ka lidhje me këtë botë dhe të përgatiten për
ziçer… Muridi kur vjen në teqe përshëndetet me të pranishmit. Prej muridit
kërkohet që të jetë modest dhe të përshendes secilin posaqërisht. Pas kësaj
muridi thellohet në “koncentrim shpirtror” dhe me plotë dëshirë pret rrezatimin
e dashurisë dhe të dhuntisë hyjnore . Ai me tërë qenien e tij i kushtohet
përkujtimit të Allahut xh.sh. dhe largohet prej çdo gjëje të kësaj bote . Pas
ziçërit bëhet dua . Sipas traditës së tarikatit melami secili qendron në vendin
e vet dhe njëri prej muridëve që ka zë të bukur lexon disa ajete prej Kur’anit
famëlartë. Pastaj lexohen rrëfime në lidhje me Pejgamberët dhe evlijatë dhe
atdhetarët. Në këto tubime nuk bëhet fjalë për çështjet e kësaj bote,por
atdhedashurinë e komentojnë - e kanë në zemer. Të gjitha bisedat janë të
lidhura me dashurinë , përkushtimin dhe afrimin me Zotin. Pas kryerjes së
ziçrit secili kthehet në punën e vet. Por ata edhe gjatë punëve të tjera
mundohen që zemrën ta mbajnë të lidhur për Allahun xh.sh. Në momentin kur në
zemrën e tyre dëperton diçka më lidhje me këtë botë, melamiu e ndërpren punën
dhe vrapon pranë njërit prej shokëve të vet. Idhtarët e tarikatit melami e duan
njëri tjetrin për hirë të Allahut xh. sh. dhe gjatë tërë jetës orvatën që të
fitojnë pëlqimin e tij. Udhërrefyesit janë tepër modest dhe asnjëherë nuk
tregojnë kryelartësi. Çështjet e veta nuk i diskutojnë me askend që nuk është
prej këtij tarikati , bile edhe me zonjat e veta nuk bisedojnë për këto.
Muridët e këtij tarikati (melami) nuk kanë veshje të posaçme, nuk bëjnë ziçer
si tarikatet tjera . Rëndësi të posaçme i kushtojnë farzeve dhe syneteve, kurse
qerameteve nuk i kushtojnë rëndësi. Mundohen që të marrin pjesë në tubime të
ndryshme dhe e përkujtojnë Allahun xh.sh. me zemër…(Shih Dr.Selcuk Erauydin
“ Tesavvufi dhe tarikatet”)
Melamitë janë të organizuar, human dhe shumë të
kujdesshëm për njëri tjetrin
Melamitë janë shumë të organizuar për çdo lami që parashtrohet para tyre .
Ata janë human , atdhetar dhe shumë të kujdesshëm për njëri tjetrin. Kur
ndonjëri prej tyre ka vështirësira gjatë jetës, nuk ka mundësi që të mbajë
familjen, është i sëmurë ose për shkaqe të tjera, melamit menjëherë angazhohen,
e ndihmojnë me çka kanë mundësi dhe nuk e lënë të hjek keq. Në këtë drejtim
shquhen shumë aksione humanitare ndaj njerëzve nevojtar. Ka mjaftuar që kjo
çështje humanitare të shtrohet para “ihvanëve”dhe mënjëherë të rrjedhë ndihma
dhe përkrahja e duhur . Teqja ( lokali afër teçës) ku tubohen “ihvanët” është
mjaft i rregulluar. Përveq lokalit të gjerë për ziqer janë të ndërtuara edhe
disa lokale të tjera (fjala është për teqën në Suhadoll, afër Mitrovicës).
Njëra prej tyre sherben për përgatitjen e ushqimit dhe për shtruarjen e sofrave
për ngrënjë. Ushqimi që përgatisin është mjaft i nivelit të lartë, zakonisht
gjellrat përgatiten me mish dhe hallvja kanë vendin e dalluar për ngrënje . Ata
e kanë të ndaluar pirjen e duhanit dhe pirjen e alkoholit. Pjesëmarja e tyre,
zakonisht, caktohet të enjteve dhe të dielave…
Për të gjitha këto është njeri i caktuar që me kohë dhe kujdes të veçantë
organizon dhe i përgatië . Melamitë kanë të zgjedhur edhe “kontabilistin” që
mbledh parat dhe kujdeset për vendin ku duhet të hargjohen dhe si të hargjohen
mjetet që dispunojnë . Në afërsi të teçes është edhe bujtina me jorgana dhe
shtroja të tjera , për të gjithë ata që për shkak të largësisë nuk kanë mundësi
të shkojnë në shtëpitë e tyre, pas ceromonisë fetare ( fjala është sidomos për
teçen e melamive në Suhadoll (Mitrovicë). Gjatë luftës çlirimtare më 1998- 1999
këto teçe (tyrbe) të melamive ( tyrbja e shejh Jonuz Jonuzit, e shejh Vesel
Mikullovcit dhe e shejh Hafuz Halil Mrypës) u dëmtuan dhe u shkatrruan nga
forcat kriminale policore, paramilitare serbe. Pas luftës melamitë me një
organizim tradicional i rindërtojnë teçet duke i zgjeruar dhe begatuar edhe me
disa pjesë të veçanta arkitektonike që e zbukurojnë dhe i japin pamje të bukur
natyrës dhe ambijentit për rreth tyre. Është knaqësi të vizitoshë teçet e Haxhi
Jonus Jonuzit, teçen e Haxhi Vesel Mikollovcit dhe teçen e Hafuz Halil
Mrypës në Suhadoll në afërsi të
Mitrovocës…
Melamitë gjithmonë kanë qenë dhe janë patriotë të mëdhenj. Ata krahas
çështjes fetare nëpër tubimet e tyre kanë shtruar edhe çështje tjera , sidomos
kombetare. Shumë të burgosur politik shqiptarë nga UDB-a serbe kanë pasur
përkrahjen morale dhe materjale nga melamitë. Vlen të përmendet, Mustafë
Venhari, arsimtar i njohur nga Vushtrria i cili me veprimtarinë e tij
patriotike ka dhënë kontribut të madh për çlirimin dhe afirmimin kombëtar. Si
arsimtar nuk është pajtuar me qarqet reakcionare, shoveniste dhe pushtuese
serbe, prandaj ishte i përcjellur nga organet e sigurimit serb kudo që punonte
dhe vepronte . Më vonë ishte i kyqur direkt në organizatën ilegale për çlirimin
e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë . Për këtë arsye ishte burgosur disa herë
dhe denuar me disa vjet burg…
Gjatë kësaj kohe të qendrimit në burg familja e tij kishte mbetur pa
kujdesin e të zotit të shtëpisë , në kushte të vështira për të jetuar. Melamitë
kur kishin kuptuar gjendjen e vështirë të familjes së Mustafës, në tubimin e
tyre kishin vendosur që për familjen e tij tani e tutje deri sa të dalë nga
burgu Mustafa të përkujdesen ata. Kur një ditë gruaja e tij kishte shkuar për
ta vizituar në burg, në Mitrovicë të Sremit (Vojvodinë) Mustafën , i kishte
treguar se mos të bëhet merak për fëmijtë dhe familjen se tani e tutje
përkujdesjen për familjen e tyre e kanë marrë melamitë . ..
Pas mbajtjes së denimit, Mustafa ishte përpjekur që të punësohet përseri,
por organet e sigurimit serb (UDB-a) nuk e lejonin të ushtrojë detyrën e
arsimtarit, e penzionojnë para kohe. Mustafa tani ishte mishëruar me zemer dhe
shpirt në tarikatin melami dhe në këtë drejtim kontributi i tij ka qenë i madh.
Fjala e tij para “ihfanëve” në teqe gjatë ceromonive fetare është përcjell me
interes të veçantë… Kur kishte ndrruar jetë , kishte lënë amanet që të varroset
në varret e melamive në Suhadoll (Mitrovicë) ku me nderime të mëdha fetare dhe
kombëtare ishte përciell amaneti i tij për në banesën e fundit…
( Pjesë nga libri im monografik :
“ Hamit Losh Saraci atdhetar dhe fetar i shquar”)