Mendime
Bahri Brisku: Kryezinjtë e Gjakovës, për çështje kombëtare, nga aristokratë të pasur para lufte, katandisën në proletarë të varfër pas lufte
E marte, 28.04.2020, 01:01 PM
Kryezinjtë e Gjakovës, për çështje kombëtare, nga aristokratë të pasur para lufte, katandisën në proletarë të varfër pas lufte
Shkruan:
Prof. Dr. Bahri Brisku
Gjyqtari
i Gjykatës Ushtarake të Komandës së Beogradit Petar Brajeviq Gjura-gjeneral
armate dhe hero i popujve të Jugosllavisë i cili e ka gjykuar rastin penal
kundër Gani Beg Kryeziut për veprën penale kundër popullit dhe shtetit në
intervistën e dt.15.05.1986 dhënë të përditshmes “NOVOSTI”-deklaron: “Edhe
fëmijët e vegjël të Gjakovës e dinë se kush kanë qenë dhe kush janë tani
pjesëtarët e familjes Kryeziu!”
Kjo
fjali e avokatit të vetëqeverisjes shoqërore të Gjakovës, e thënë së fundmi, pa
kurrfarë komenti, flet mjaftë për pozitën e paraluftës të kësaj familje e cila
ka qenë në lidhje farefisnore me shtëpinë mbretërore shqiptare të Zogut.
Kryezinjtë
e Gjakovës – thotë avokati- në vitet e tridhjeta kanë poseduar në Gjakovë në
mes tjerash, edhe centralin elektrik dhe për atë kohë mullirin më modernë.
Natyrisht,
kjo nuk është e tëra. Ata kanë poseduar me mija hektar tokë të punueshme të
krasit të parë, kanë pasur pyje, livadhe etj. Përveç shtëpive dhe lokaleve në
Gjakovë ata kanë ndërtuar dhe blerë shtëpia edhe në vise tjera gjatë Mbretërisë
Jugosllave.
Pak
para luftës kryezinjtë kanë blerë në qendër të Beogradit, në pjesën më elitare
të qytetit një ndërtesë madhështore me dy banesa tetë dhomshe.
Përkundër
kësaj pasurie që posedonte kjo familje para luftës ata, brez pas brezi, ishin
dhe mbetën kundërshtarët më të mëdhenj të shtetit Jugosllav, të cilin e luftuan
me armë në dorë, duke bashkë- punuar edhe me okupatorin nazi-fashist me qëllime
separatiste.
Kreu
i familjes Riza Beg Kryeziu me gruan e pare Hajrije hanëmen nga Dera e
Mahmutbegollëve të Pejës,e cila vdiq, ka pasur dy djem:Ali beun-Deputet në Parlamentin
turk dhe Murad(Rada) beun ndërsa me gruan e dytë Gjylshah hanëmen,që ishte nga
Dera e Osman Beut nga Gjakova,Riza Beu kishte edhe katër djem tjerë: Hysen
(Ceno)beun, Hasan beun, Gani beun dhe Said beun.
Me
fillimin e luftës së dytë botërore,familja Kryeziu,pa ekuivokë orientohet për
bashkëpunim me okupatorin dhe separatistët vendor. Të gjithë ata vihen në ballë
të njësiteve balliste të ashtuquajtur “kapuç bardhëve”, të cilët kanë
terrorizuar me qindra familje serbe, malazeze por edhe shqiptare me orientim
pro Jugosllav.
Për
krime, më i njohuri në mes tyre padyshim ka qenë Gani Kryeziu i cili e ka
mbështetur pa rezervë okupatorin duke bashkëpunuar me ta,qysh në fund të
prillit, pas kapitullimit të Mbretërisë Jugosllave, ashtu që me vullnetarët e tij,
ua ka marr armët dhe pajisjet tjera ushtarëve Jugosllav të cilët nuk kanë
dashur që ti dorëzohen italianëve. Pjesën dërmuese të tyre i kanë vrarë me
procedurë të shkurtë, duke u mbështetur plotësisht në mbrojtjen e okupatorit.
Duke
bashkëpunuar politikisht me gjermanët,Gani bej Kryeziu,në mënyrë sistematike ka
shkatërruar unitetin e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare në territorin e Dukagjinit.
Në
fillim të vitit 1944 Gani bej Kryeziu, në marrëveshje me gjermanët dhe fuqitë
reaksionare nga Shqipëria ka organizuar të ashtuquajturin Fronti Kombëtar për
luftë kundër ushtrisë nacional-çlirimtare të Jugosllavisë.
Në
të njëjtë kohë Gani bej Kryeziu ka arritur që në rrethana zyrtarisht të
pasqaruara të merr komandën e një njësiti të ushtrisë tonë Nacional-Çlirimtare
dhe sulmon papritmas xeheroren “Zogaj”- dhe me të tërhequr nga luftimet
njësitin e tij, (respektivisht njësinë e UNÇJ) me të cilën komandonte, pa e
informuar shtabin operativ. Për këtë
arsye operacioni ka dështuar, duke lënë kot të vdekur më se 30 luftëtar.
Dënim i butë për krime
të rënda
Kjo
ka qenë më se e mjaftueshme që Gani bej Kryeziu, menjëherë pas lufte të
akuzohet për tradhti ndaj shtetit Jugosllav dhe të gjykohet para Gjykatës
ushtarake të komandës së qytetit të Beogradit si armik i popullit.
Me
aktgjykimin nr.188/45 dt.27.10.1945 është shpallur fajtor dhe dënuar me burgim
në kohëzgjatje prej pesë viteve, me humbjen e të gjitha drejtave politike dhe
civile në kohëzgjatje prej dy vitesh dhe me konfiskimin e tërësishme të
pasurisë personale dhe familjare përveç pasurisë nga neni 6, pika 1 e Ligjit
për Konfiskimin e Pasurisë (që ka të bëjë me sendet më elementare për jetës të
dënuarit).
Gani
Kryeziu, për veprat të cilat i ka krye gjatë luftës nacionalçlirimtare, ka qenë
dashtë të dënohet me vdekje, - ishte kategorik gjenerali Petar Brajeviq, anëtar
i Këshillit të Federatës Jugosllave, njëri nga tre gjyqtarët e trupit gjykues,
që e kanë gjykuar rastin e tij për krime lufte.
Pas
instalimit të sistemit komunist jugosllav dhe kur Kosova humb çdo identitet
kombëtar,vëllezërit e Gani Kryeziut,Hasani dhe Said Kryeziu,me dt.18.01.1946 me
aktgjykimin e Gjykatës Popullore të Rrethit të Gjakovës shpallën armiq të
popullit dhe kriminel lufte dhe familjes Kryeziu u konfiskohet e tërë pasuria
familjare dhe personale.
Hasan
Kryeziu, masakrohet me 23 luftëtar të tij në fshatin Hereq të Gjakovës ndërsa
Said Kryeziu, për t’iu shmangur drejtësisë së “popullit”, me ndihmën e aleatëve
Anglo-amerikan arrin të ikë nga
Shqipëria, që atë kohë ishte aleate e fortë e Jugosllavisë dhe të vendoset,së
pari,në Itali ku punon si analist politik në Radion”Zëri Amerikës”.
Pas
shkëputjes së Jugosllavisë nga tabori komunist të prirë nga Rusia Staliniste,Shtetet
e Bashkuara të Amerikës e afrojnë Jugosllavinë afër veti, Said Kryeziu largohet
nga Italia dhe së bashku me Mid-hat Frashërin, Abaz Kupin, Zef Palin dhe Nuçi
Koten në Pariz me dt.26.08.1949 shpallin formimin e Komitetit Kombëtar
”Shqipëria e Lirë” i cili pranohet si qeveri në egzil nga aleatet Anglo
Amerikan.
Pas
vdekjes së dyshimtë të Mid-hat Frashërit, Said Kryeziu vazhdon aktivitetin anti
jugosllav dhe antikomunist duke qenë në ballë të organizatave nacionaliste pan
shqiptare.