E merkure, 09.10.2024, 07:25 AM (GMT+1)

Mendime

Enver Bytyçi: Ndaleni Hashim Thaçin!

E marte, 21.04.2020, 10:11 AM


Ndaleni Hashim Thaçin të mos e çojë Kosovën në përplasje dhe konflikt!

Nga Enver Bytyçi

Kur Martti Ahtisaari përmbylli në maj 2007 projektin e tij për pavarësinë “e mbikëqyrur” të Kosovës, shumë shqiptarë e patën kritikuar ashpër. Edhe aso kohe punoja nga Gjermania për gazetën “Bota sot” dhe në këtë gazetë shkrova komentin “Pavarësia po i ha bijtë e saj”, sepse G7 e radhës në Gjermani vendosi të krijojë një treshe tjetër për të vijuar edhe njëherë bisedimet Prishtinë-Beograd për statusin e Kosovës. Shkurt, me nismën e Moskës kërkohej një zgjidhje kompromisi, madje edhe me temë diskutimi ndryshimin e kufijve, nëse i referohemi një deklarate të njërit anëtar të trojkës, Wolfgang Ishinger.

Në ato ditë të vështira merrja në mbrojtje projektin e Ahtisaarit, për çka kam shkruar dhe botuar edhe një libër “Rikthimi i Martti Ahtisaarit”, pavarësisht qëndrimeve të njohura që kam në mbrojtje të së drejtës dhe të të vërtetës. Projekti ju jep të drejta ekstra serbëve në Kosovë, të drejta të cilat nuk i ka asnjë pakicë në botë. Megjithatë mbështetja ime bazohej në faktin se Kosovës nuk i vjen e keqja nga liritë qytetare. Pra ai projekt u jepte të drejta serbëve në Kosovë, por ndalonte ndarjen e Kosovës si dhe krijimin e instrumenteve që e federalizojnë atë, edhe pse rekomandonte krijimin e tri komunave të reja. Më vonë Thaçi krijoi edhe tri të tjera jashtë pakos së Ahtisaarit! Nuk e di pse!

Por që këtu filloi dhunimi i përcaktimeve të dokumentit të tij.

Pak ditë më pas, më 10 qershor 2007, Presidenti Amerikan, Georg W. Bush, nga kryeministria e Tiranës deklaroi se “Mjaft është mjaft, Kosova duhet të jetë e pavarur”, duke reaguar kështu kundër vendimit që ia imponuan dy ditë më parë në Samitin e G7-ës për vijimin e bisedimeve. Dhe me avokatinë presidentit Bush Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008 bazuar në projektin e Martti Ahtisaarit, depozituar në OKB një muaj para shpalljes së pavarësisë.

Pavarësinë e shpalli Hashim Thaçi, megjithëse president i vendit ishte Prof. Fatmir Sejdiu. Ishte kjo një nga arsyet pse Thaçi i ishte gëzuar ikjes në amshim të presidentit Rugova. Ai donte të dukej si Ismail Qemali, si themeluesi i shtetit të Kosovës, kur vërtetësisht këtë shtet e kishte themeluar më 24 maj 1992 i madhi dhe i pazëvendësueshmi, Dr. Rugova dhe e kishte definuar ndërhyrja e NATO-s në Kosovë.

Periudha e mëvonshme dëshmoi se vetëm gjaku i të rënëve qëndron në themelet e këtij shteti. Ai që vetëlavdrohet si themelues i shtetit pse lexoi deklaratën e pavarësisë, pra Hashim Thaçi, pasi i mashtroi shqiptarët, ka heq dorë nga pavarësia, nga integriteti territorial dhe sovraniteti i vendit. Ai është shndërruar nga lexues i asaj deklarate në artikulues i interesave serbe në Kosovë.

Meqenëse në misionin e tij ka has në pengesa, presidenti i Kosovës ka vendosur që ta çojë vendin në një konflikt të ri. Në kundërshtim me kushtetutën ai po kërkon të mandatojë një lider partie servil ndaj tij si kryeministër. Ndërkaq është i njohur fakti se kur kushtetuta dhunohet, atëherë shteti shndërrohet në regjim dhe jo në qeverisje. Regjimet më pas shkelin mbi vullnetin e qytetarëve, e dhunojnë atë dhe marrin vendime, të cilat u kushtojnë edhe brezave që vijnë.

Për këto arsye logjika politike lejon që regjimet të përballohen me të njëjtat mjete që ato përdorin kundër vullnetit qytetar. Kjo do të thotë se nëse presidenti i Kosovës dhunon kushtetutën me qëllim që ta shkatërrojë Republikën e Kosovës dhe shtetësinë e saj formuluar në dokumentin “Ahtisaari”, atëherë ai duhet të përballet me guximin qytetar për ta kundërshtuar atë me çdo mjet.

Por Thaçi shpreson se duke ia dhënë Isa Mustafës postin e kryeministrit, kreu i ri i ekzekutivit do t’i kërkojë presidentit të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, me qëllim që me “ligje lufte” të ndalojë qytetarët e Kosovës të përballen me regjimin e tij. Historia ka provuar se kjo nuk funksionon. Kur qeveria shqiptare shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në fillim të vitit 1997, pikërisht në atë moment zemërimi qytetar në Vlorë e në Shqipërinë e Jugut çoi deri në hapjen e depove të armatimit dhe qelive të burgjeve.

Ndaj në këto momente nuk mbetet tjetër, veçse t’i bëhet thirrje Hashim Thaçit të mos luajë me Kosovën dhe qytetarët e saj. Nëse gjendet ndonjë e çmendur që bën tatuazh Thaçin, kjo nuk është arsye që presidenti i vendit të bëjë rolin e të çmendurit! Ndërsa Isa Mustafa duhet të heqë dorë nga loja politike e tij anti-Kosovë. Dhe nëse ai dëshiron të qëndrojë jashtë konfliktit, së paku duhet të dijë dhe kuptojë se qytetarët kanë mandatar në LDK Vjosa Osmanin për kryeministre. Çdo zgjidhje tjetër do ta ulte LDK-në dhe kreun saj në vlerën e një sholle këpucësh!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora