Mendime
Enver Bytyçi: Pse sulmohet Vjosa Osmani në stilin serb të Baton Haxhiut?
E premte, 17.04.2020, 10:35 AM
Pse sulmohet Vjosa Osmani në stilin serb të Baton Haxhiut?
Nga
Enver Bytyçi
Koalicioni
qeverisës midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes u arrit me
shumë vështirësi. Prej 6 tetorit u deshën katër muaj për t’u marrë vesh e për
të ndërtuar një qeveri me kundërshtarë të thekshëm. Ndodhi kjo jo për shkak të
diferencave në programin politik të të dy subjekteve politike, për çka ishte
hamendësuar se do të ishte pengesa më e madhe. Zvarritja u shfaq për shkak të
posteve, për shkak të intrigave, kurtheve dhe shtyrjes me bërryla për të
mbijetuar në politikë. Konflikti midis dy grupimeve, grupimit të të rinjve, të
cilët nuk patën e nuk kanë problem e shqetësim mbijetesën në politikë dhe
grupimit të disa ish-funksionarëve shtetërorë në Prishtinë e në komuna, të
cilët u nisën nga principi i ruajtjes së benefiteve të pushtetit, megjithatë
nuk pushoi.
Vjosa
Osmani u bë pika e referimit të sulmeve të grupimit të dytë. Vetë marrëveshja e
bashkëqeverisjes midis LDK-së dhe VV, grupi negociator i LDK-së, përbërja e
kabinetit e gjithçka tjetër u manipulua, formulua dhe ndërtua në mënyrë të
tillë që pas pak kohësh të sfidohej ajo që disa e konsiderojnë si më të
shpërfillurën, më të mënjanuarën, e përbuzurën në këtë proces, Vjosa Osmani.
Shumë
prej nesh që kemi ndjekur zhvillimet kemi parashikuar faktin se grupi
konservator dhe bashkëpunues i LDK-së me klanin e PRONTO-s kishte për qëllim jo
krijimin e një qeverie funksionale, por krijimin e kushteve për ta eliminuar
Vjosa Osmanin nga funksionet drejtuese në LDK. Kjo për arsye se ata shihen si
uzurpatorë të kësaj partie të themeluar nga lideri historik i Kosovës, Ibrahim
Rugova. Ky parashikim po rezulton i saktë, nëse vemë re se si ushtria mediatike
dhe rrjeteve sociale e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës janë hedh në sulm kundër
kryetares së parlamentit të Kosovës.
Më
i spikaturi ndër ta mbetet bashibozuku Baton Haxhiu, i cili kishte marrë
mundimin që në gazetën e Berat Buzhalës ta konsideronte drejtimin e seancës së
kaluar të parlamentit nga ana e zonjës Vjosa si “mohim të demokracisë 20
vjeçare” në Kosovë! Ndërkaq kur Kadri Veseli u tregonte organet gjenitale
kolegeve të tij deputete, ky Batoni e merrte atë në mbrojtje!
Eshtë
kohë e epidemisë së antimoralit ndër shqiptarët! Nuk është vetëm virusi i
Corona-19, por më i rrezikshëm është virusi i mizës së kalit, virus i cili e
shoqëron shoqërinë shqiptare prej se e mbajmë mend.
Baton
Haxhiu, i revoltuar në kulm pse Vjosa Osmani ia ndërpreu fjalën një deputeti, i
cili fliste për procedurë, sulmonte me top obuz kryetaren e parlamentit të
vendit të tij. Por nuk sulmoi, përkundrazi sajoi skenare dhe regji të një pas
njëshme në ndihmë të politikave të Serbisë, të mbështetura nga Hashim Thaçi dhe
Edi Rama për ndarjen e Kosovës?! Sikur të qëndronte indiferent në rastin e
kufijve, ai do të ndoshta do të mund të mirëkuptohej për “shqetësimin” e tij
për demokracinë parlamentare në Kosovë.
Por
jo vetëm Batoni. Me qindra portale ekrane dhe rrjete tjera janë vënë në sulm
kundër Vjosa Osmanit për ta paraqit atë si kundërshtare dhe “armike” e LDK-së.
Duhet pranuar se Vjosa ka reaguar kundër politikave të Isa Mustafës. Dhe Isa
nuk mundi ta mënjanojë. Ai e dinte se nëse do ta mënjanonte atë, Lidhja
Demokratike do të ishte në vendin e tretë e ndoshta të katërt në piramidën
elektorale. Megjithatë kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, është
shprehur të mërkurën e shkuar se “LDK i fiton zgjedhjet e përgjithshme edhe pa
Vjosa Osmanin”! Më saktë, thoshte se nëse zonja Osmani nuk do ishte në listën e
LDK-së, kjo parti do të kishte marrë më shumë vota. Edhe Arbeni e di se kjo
deklaratë është e pasaktë dhe një gënjeshtër e madhe. Por mesa duket atij ia
kishin dhënë këtë detyrë për ta kërcënuar nënkryetaren e partisë së tij. Nëse
LDK është e sigurt se fiton zgjedhjet parlamentare pa Vjosën, së paku duhet të
jetë e sinqertë dhe ta sfidojë Albin Kurtin duke pranuar zgjedhjet e reja të
parakohshme.
Kisha
menduar se kurthet politike të propagandës së LDK-së, të projektuar në modelin
e Beogradit dhe Hashim Thaçit, nuk do të zinin vend aty. Por ja që bashkëpunimi
me presidentin e vendit nuk mënjanojnë edhe përdorimin e metodave serbe të
Baton Haxhiut, vetëm e vetëm për të goditur njeriun më të votuar në këtë parti,
Vjosa Osmani.
Shumëkush
shkruan e thotë se Vjosa u votua aq shumë, sepse i përket Lidhjes Demokratike.
Po pse nuk votohet dikush tjetër në këtë parti kësisoj?! Vota është besim
politik, por edhe besim moral dhe etik! Vjosa Osmani i plotëson të tri këto
kritere për ta besuar qytetarët e Kosovës!