E merkure, 11.12.2024, 03:26 PM (GMT)

Mendime

Eshref Ymeri: I pushkatuar nga krimineli me damkë Enver Hoxha

E marte, 14.04.2020, 12:46 PM


I pushkatuar nga krimineli me damkë Enver Hoxha

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

Në Portalin “Fjala e Lirë” të ditës së sotme lexova analizën e zotërisë Luan Çipi, me titull “I pushkatuar nga komunistët shqiptarë”.

Këtë analizë ai ia kushton jetës dhe veprimtarisë së politikanit, publicistit dhe nacionalistit të shquar Bari Omari, njërit nga përfaqësuesit emblematikë të inteligjencies shqiptare. Në analizën e vet, zotëria Luan Çipi, me mjaft realizëm, ka hedhur dritë mbi shumë aspekte të jetës së Bahri Omarit që prej shpalljes së pavarësisë dhe deri ditën e arrestimit me urdhër të kriminelit Enver Hoxha. Ai shkruan:

“Ishte muaji prill i vitit 1945, kur Gjyqi Special me prokuror po gjirokastritin (ish toger të Zogut) Bedri Spahiu dhe kryetar (teneqexhiun fillorist) Koçi Xoxe, e dënoi me vdekje bujarin e ditur, Bahri Iljaz Omarin…”.

Bedri Spahiu dhe Koçi Xoxe, në të vërtetë, nuk ishin ata që vendosën për pushkatimin e nacionalistit Bari Omari, ata ishin zbatuesit e një vendimi të prerë që kishte marrë krimineli Enver Hoxha për pushkatimin e tij. Sepse Bari Omari ishte njëri nga përfaqësuesit e nderuar të intelektualëve shqiptarë, të pajisur me një kulturë të gjerë perëndimore dhe që, sipas strategjisë antikombëtare që krimineli Enver Hoxha kishte hartuar, në bashkëpunim të ngushtë me armikun e betuar të kombit shqiptar - shovinizmin serbosllav -, ata duhej të shfaroseshin tërësisht nëpërmjet farsave gjyqësore, në prani të një mileti të përzgjedhur dhe të rrasur nëpër salla gjykatash për ovacione dhe duartrokitje çmendurake.

Para atyre intelektualëve të shquar, kriminelin Enver Hoxha e bluante përbrenda kompleksi i inferioritetit, sepse vetë shkoi në Perëndimin evropian gjoja për të marrë kulturë perëndimore, por atje nuk frekuentoi asnjë orë mësimi dhe nuk dha asnjë provim, duke mbetur gjysmak në formimin e vet. Pikërisht ai kompleks inferioriteti ishte arsyeja kryesore e shfarosjes së liceistëve të mirënjohur të Liceut të Korës pas përfundimit të studimeve në universitete të njohura perëndimore dhe kthimit të tyre në atdhe.

Përfaqësuesit e shquar të nacionalizmit shqiptar ishin halë në sy për Titon dhe për shovinizmin serbosllav dhe, sipas porosive të prera që kriminelit Enver Hoxha i vinin nga Beogradi, ata duhej të shfaroseshin përmes pushkatimeve, burgosjeve dhe internimeve. Pjesë e strategjisë serbosllave të kryeargatit të Beogradit Enver Hoxha, ishte edhe zhdukja e intelektualëve të shquar të katolicizmit, e kësaj vatre me emër të madh të nacionalizmit shqiptar, vatër kjo që kishte nxjerrë nga gjiri i vet të Madhin Gjergj Fishta dhe shumë e shumë të tjerë, të cilët, në kujtimet e veta, të botuara në portale të ndryshme, i nderon me raste përvjetorësh intelektuali i njohur shkodran në diasporën shqiptare në Australi Federik Radovani.

Ja një fakt mjaft domethënës:

“20 shkurt 1946... Kallxon nji zojë e cila, asokohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë, me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue:

“E mbytëm Patër Anton Harapin e me të kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..”.

Simbas rrëfimit të grues, ambasadori, diplomat i vjetër pan-serbian, i paska pasë përgjegjë:

“Po, po! Po keni ende gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet, - vazhdoi ai, - si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!””.

Këtë fragment zotëria Federik Radovani e ka shkëputur nga artikulli i autorit Atë Daniel Gjeçaj Atë Gjon Shllaku, Martir i Fesë dhe i Atdheut”. Ky artikull përfshihet në librin me tetë autorë, me titull: “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”. Shtypshkronja “Atë Gj. Fishta”. Tiranë 1993. f. 36).

Në analizën e vet, zotëria Luan Çipi citon një deklaratë të Bari Omarit, e cila është mjaft mbresëlënëse për lexuesit me brumosje nacionaliste:

“Një Shqipëri e coptuar, pa zëmrën e saj Çamërinë dhe Janinën, pa kryen e saj Kosovën e Jakovën, s’mundet të ketë jetë të gjatë midis fqinjëve të saj lakmues”.

Këtë deklaratë mjaft emocionuese shovinizmi kriminal serbosllav dhe argati i tij i regjur Enver Hoxha a mund t’ia falnin Bari Omarit? Kurrën e kurrës. Sepse një deklaratë e till vinte në kundërshtim të hapët me politikën kolonialiste të shovinizmit serbosllav jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj Shqipërisë, të cilën kryeargati i tij Enver Hoxha kërkonte ta shndërronte në republikë të shtatë të Jugosllavisë titiste. Prandaj ky kryeargat  i Beogradit, në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të Partisë më 15 dhjetor të vitit 1947, ka deklaruar shprehimisht:

“…Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin de fakto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur  dhe  aq më pak të ndërtojë socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavinë…”.

Lidhur me rolin e kriminelit Enver Hoxha në pushkatimin e Bari Omarit, zotëria Luan Çipi shkruan:

Këtu mendoj se ndikoi dhe lidhja familjare me Enver Hoxhën, i cili vuri pandehmën e shpikur se, ndërhyrja për t’i shpëtuar jetën të kunatit, ishte “kurth ndaj tij për ta denigruar politikisht”!

Ajo pandehmë ishte me të vërtetë e shpikur, se kunatin-kriminel të Bari Omarit kush mund të guxonte ta denigronte publikisht? Sigurisht që askush, sepse që prej konferencës së Labinotit të marsit të vitit 1943, kur emisarët e Beogradit Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi e vendosën kryeargatin e tyre në krye të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxha u shndërrua në të vetmin person me imunitet të paprekshëm në Shqipëri, derisa ndërroi jetë më 11 prill 1985. Urrejtja e kriminelit Enver Hoxha ndaj nacionalistit Bari Omarit, u manifestua pa mëshirë edhe ndaj bashkëshortes së këtij të fundit, motrës së kriminelit, të gjorës Fahrije Omari, të cilën e kujtoj me keqardhje gjatë kohës kur isha student në vitet ’60, kur ajo, me një peshore të vogël, dilte në krye Rrugës së Barrikadave, duke i ftuar kalimtarët e rastit të peshoheshin, në mënyrë që të fitonte ndonjë lek për të nxjerrë kafshatën e gojës. Vetëm një kriminel me damkë mund të sillej në atë mënyrë ndaj motrës së vet. Natyrën e tij prej krimineli me damkë e kanë zbuluar Agim Musta dhe Mexhit Kokalari në veprën me titull “Kush ishte Enver Hoxha” (Shtëpia Botuese “Apollonia”, 1996). Po ashtu, historiani i njohur Vasfi Baruti e ka çmitizuar përfundimisht atë kriminel në dy veprat e veta me titull “Enver Hoxha në optikë të re” (Shtëpia Botuese “UEGEN”. Tiranë, 2013) dhe “Enver Hoxha (Gjysma tjetër e Hënës)” (Instituti i Studimit te? Krimeve dhe Pasojave te? Komunizmit. Tiranë, 2017). Ndërkohë, përkthyesja dhe shkrimtarja e shquar Mira Meksi, në romanin me titull “Diktatori në kryq” (Shtëpia Botuese “Onufri”. Tiranë, 2019), kriminelin Enver Hoxha e ka çmitizuar artistikisht.

Kur njihet me përmbajtjen e këtyre veprave, lexuesi gjakftohtë dhe objektiv vjen në përfundimin logjik se krimineli Enver Hoxha përfaqëson faqen më të zezë në historinë e kombit shqiptar.

Sinsinati, Ohajo

13 prill 2020



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora