Mendime
Florim Zeqa: Përballja e parë LVV-PLAN!
E hene, 13.04.2020, 12:22 PM
Përballja e parë LVV-PLAN!
Shkruan:
Florim Zeqa
Kur
e gjithë bota është në luftë me "Coronavirus"-in, politikanët e
papërgjegjshëm kosovarë bëjnë luftë njëri me tjetrin për pushtet. E filluan me
mocionin për rrëzimin e qeverisë, tani po vazhdojnë betejën e re politike në
kuvend në rrethana të jashtëzakonshme, gjë e cila nuk ndodhë në asnjë vend të
botës.
Sikurse
seanca e parë e jashtëzakonshme e ditës së merkurë e 25 marsit 2020, me
kërkesën e LDK-së, në rrethana të jashtëzakonshme që rezultoi me rrëzimin e
qeverisë legjitime, edhe seanca e nesërme e jashtëzakonshme, ditë e martë, 14
prill 2020 me kërkesën e PDK-së, kinse për miratimin e një pako emergjente
financiare, do të shkaktojë turbulenca të reja politike në Kuvend.
Sikurse
njëra, ashtu edhe tjetra janë seanca të orkestruara që për qëllim të fundit
kanë luftën politike për pushtet e jo interesin e qytetarëve.
Për
dallim nga seanca e parë e jashtëzakonshme në kohë pandemie, kur u shkarkua
qeveria, në të cilën deputetët e PDK-së qendruan të heshtur gjatë realizimit të planit të tyre 100 % përmes
LDK-së, në seancën e nesërme të jashtëzakonshme, përseri në kohë pandemie, do
të jenë të koordinuara mes tyre LDK-ja dhe PDK-ja, ku si zakonisht më të
zëshmit në diskutimet e tyre kundër qeverisë në detyrë të Albin Kurtit do të
jenë këta të fundit, të ndihmuar nga AAK dhe NISMA.
"Testi
demokratik" i fushatës në kuvend
Është
e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë në seancën e nesërme e
Kuvendit, për shkak se aq të paparashikueshëm janë bërë politikanët kosovarë,
saqë nuk ju besohet më për asgjë!
Seanca
do të jetë një "test demokratik" i fillimit të fushatës elektorale në
Kuvendin e Kosovës dhe jo vetëm. Në këtë seancë do të maten impulset e
deputetëve dhe analizohet mundësia e grupimeve të reja parlamentare për
formimin e qeverisë së re në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
Për
më tepër se kaq, seanca e nesërme e kuvendit, përveqse do të shënojë fillimin e fushatës elektorale në parlament,
do të jetë kjo edhe përballja e parë mes
LVV-së PLAN-it në kuvend.
PLAN
apo LAN, si do që të jetë varianti final, po vërtetohet se futja e NISMA-s në
kuvend ishte plan, përderisa qeveria e re e dalë nga kjo përbërje do të jetë
nën tutelën e plotë të Hashim Thaçit dhe ndërkombëtarëve deri në nënshkrimin e
marrëveshjes me Serbinë.
Variantet e zgjedhjes së
qeverisë së re
Pas
shkarkimit të 'qeverisë së shpresës', ekzistojnë dy variante të formimit të
qeverisë së re. Sikurse në variantin e parë, nëse Lëvizja Vetëvendosje si parti
e parë në zgjedhjet e 6 tetorit, propozon mandatarin e ri dhe provon ta bëjë
shumicën në kuvend, ashtu edhe në variantin e dytë, kur mandati do t'i kalohet
partisë dytë të dalë në zgjedhjet e 6 tetorit, në këtë rast LDK-së, me
marrëveshje të kësaj të fundit me partitë e PAN-it, do ta kemi një qeveri
kalimtare me një afatë të shkurtër qeverisës.
Kjo
qeveri kalimtare e PLAN-it do ta ketë një dhe vetëm një mision politik,
përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi, respektivisht nënshkrimin e marrëveshjes
politike e cila është në "Stand By" tani e një kohë të gjatë në
kancelaritë e larta perëndimore.
Rregullat parlamentare,
kushtëzojnë vullnetin për zgjedhje
Shteti
i Kosovës nuk është monarki, por është Republikë Parlamentare dhe se duhen
respektuar rregullat parlamentare, gjegjësisht vulneti i shumicës së deputetëve
në Kuvend.
Organizimi
politik i vendit tonë, si Republikë Parlamentare që jemi, e bën që populli i
Kosovës nuk mund të zgjedh drejtëpërdrejt kryeministin, presidentin dhe as
kryeparlamentin por vetëm përbërjen e Parlamentit të Kosovës.
Pra,
përbërja e Parlamentit si produkt i votës së qytetarëve, vendosë për zgjedhjen
e drejtuesve të tri institucioneve më të larta në vendn tonë.
Për
të mos u lëshuar më thellë aktet kushtetuese, janë tri raste kur shkohet në
zgjedhje të reja parlamentare; dështimi në zgjedhjen e presidentit, dështimi në
zgjedhjen e qeverisë dhe (vet) shpërbërja e kuvendit.
Si
rezultat i mos marrëveshjeve për tejkalimin e krizës institucionale pas
rrëzimit të qeverisë, do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ai i cili i
determinon zhvillimet e mëtutjeshme politike rreth formimit të qeverisë apo
shkuarjes në zgjedhje të reja pas tejkalimit të "Covid-19"-it.
Edhe
në rast të dështimit të zgjedhjes së qeverisë së re në Kuvendin e Kosovës,
vendi nuk mund të shkojë menjëherë në zgjedhje për shkak të situatës së krijuar
nga "Covid-19", prandaj është i domosdoshëm kompromisi politik për
zgjedhjen e një qeverie kalimtare, si do të quhet ajo "teknike" apo
"politike", derisa të krijohen kushte për (vet) shpërbërjen e
parlamnetit, gjegjësisht organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare.