Mendime
Ndue Dedaj: Kur të fillojmë prapë të ecim
E enjte, 09.04.2020, 11:06 AM
KUR TË FILLOJMË PRAPË TË ECIM
Nga
Ndue Dedaj
Sot
është 9 prill, një muaj nga dita kur në vendin tonë filloi beteja me
coronavirusin. Nuk e dimë dhe sa do të zgjasë e kur do të nisim të ecim
përsëri, pas dy, apo tri javësh, veçse kurdo që të ndodhë, hapat tanë do të
jenë ndryshe nga më parë, më të matur e më të mençur. Do ta ndalim disi
turravrapin që kemi marrë në shekullin e ri të teknologjisë digjitale, për të
bërë disa llogari më “tokësore” me jetën, punën, të ardhmen, që nisin, mbase,
me një shishe të vogël me lëng larës për të fërkuar duart, herë pas here, kudo
që të jemi, pa thënë se krejt mirë në çantën tonë të përditshme mund të jetë
dhe një maskë e një palë dorëza plastike, që në një rrethanë të krijuar mund
t’i përdorim pa na ardhur turp, në tren, në treg, në plazh, ku krijohen më
shumë grumbuj njerëzish. Gjasët janë që edhe ca muaj të rrojmë me fantazmën e
pandemisë.
Kur
të fillojmë prapë të ecim, nuk mund të themi se do të jetë si ai fëmija që hedh
hapat e parë, por diçka nga fillimi i ecjes së njeriut do të ketë pas daljes
nga karantina. Për shumë kohë nuk do të mund ta kthejmë kohën prapa, pasi të
shuarit e shumtë nga pandemia në gjithë botën janë ende mes mesh pa u
shndërruar në kujtime. Bashkë me lutjen tonë për shpirtërat e tyre, do të
meditojmë se çfarë na duhet të bëjmë dhe çfarë jo. Do të ishte gabim të
mendohej se gjerat do të jenë fiks si përpara. Askush nuk ka në dorë sot ndonjë
paketë rregullash se si duhet të sillemi, por pak nga pak ajo do të vijë duke u
sendërtuar, bile si një strategji, pikë së pari, “antivirus”.
Kur
të fillojmë të ecim përsëri, ai distancimi fizik nuk është se do të zhduket të
nesërmen që do të dalim në “liri”. Jo, por, gjithsesi, klubet nuk do të jenë si
më parë, plot e përplot me njerëz, me orë të tëra pa lëvizur. As restorantet.
As stadiumet. As shëtitoret. As tregjet e pazaret. As auditoret. As promovimet.
As protestat. As ceremonitë e ndryshme familjare, ku nisemi për të vënë
vetullat e mund të nxjerrim sytë, siç ka ndodhur këto kohë në Shkodër. Doemos
që të gjitha gjerat njerëzore do të jenë sërish, por të “ridimensionuara”, ku
të parat që do ta pësojnë do të jenë dallditë masive si për festë. Do të jemi
një komunitet më qytetar, reflektues, i distancuar nga “hobi” ynë ballkanik i
“bashkëjetesës” kolektive, dëshmi e së cilës janë xhirot e panevojshme lart e
poshtë bulevardeve, loja e dominove e të moshuarve në çdo lulishte, qendrimet e
kota në grupe të të rinjve etj. Sociologët me siguri do të gjejnë të tjera
forma për të na mbajtur të “lidhur” si komunitet.
Kur
të fillojmë të ecim prapë, e para gjë ku do të punojë fort mendja e njeriut
(gjë që tashmë ka filluar) do të jetë jo vetëm shpikja e vaksinës kundër këtij
virusi vrastar, me emrin Covid 19. Kush tha se ky është i fundit virus që do të
na “vizitojë”, duke na lënduar? Me siguri njerëzimi, përmes institucioneve
mjekësore dhe shtetërore, nuk do të kujtohet për respiratorët kur ata të duhen
për të përballuar emergjencat. Normalisht do ta ndalet “fluturimi” i të
fuqishmëve drejt luksit marramendës, armëve bërthamore, kozmosit, duke krijuar
së pari garancitë e jetës në maratonën e njeriut drejt globalizmit. Themeluesi
i Twitterit, Jack Dorsey, ka planifikuar të dhurojë një miliardë dollarë (një e
treta e pasurisë së tij) për të luftuar coronaviruesin, këtë sëmundje të
shekullit. Shtetet do të mendojnë për paqen më fort se për luftërat. “Armiku”
nuk qenka as Ushingtoni, as Moska, por një virus i shndërruar në murtajë.
Kur
të nisim prapë të ecim, kemi për të qenë më të ndergjegjshëm për higjienën
vetjake, familjare e komunitare, do t’i “lajmë duart” sërish disa herë në ditë,
por kësaj here pa na e thënë Kryeministri, doktorat dhe televizionet, do t’i
spërkasim rregullisht me helme kundër bacileve mjediset ku rrimë, ajri dhe
koshat e plehrave në qytetet tona do të jenë më pak të ndotura. Deri tash ata
që kërkojnë më shumë dizinfektues janë veterinerët për dhitë dhe vreshtarët për
hardhitë. Mbetet për t’u parë, pas kësaj, nëse kurba do të ndryshojë për kah
“rriçnat” dhe “vrugu”, që rrezikojnë njerëzit. Kultura shëndetësore do të zërë
më shumë vend në institucionet shkollore, si teori dhe praktikë.
Kur
të fillojmë sërish të ecim, do të na duhet t’i japim një kuptim të ri gjithë
përmbajtjes së jetës sonë, familjare e sociale, marrëdhënieve të biznesit,
punëve publike etj. A do të vazhdojmë ta shkatërrojmë mjedisin si deri dje,
duke ndërtuar hidrocentrale në çdo grykë mali ku ka një përrua, kur tashmë e
dimë se natyra “hakmerret”. Politikat e zhvillimit dhe sipërmarrjet do të
orientohen nga vlerat e jetës, pasi ardhka një ditë që nuk hykan në punë paratë
për vete e familjarët e tu, nuk u “blika” dot spitali, shëndeti dhe se ka vetëm
një mundësi: t’i shërbejmë komunitetit pa hile, pasi qenkemi të rrezikuar të
gjithë njëlloj, si të pasur, si të varfër.
Kur
prapë të fillojmë të ecim, ka gjasë që të kemi një mendim tjetër për Shqipërinë,
nuk qenka më pak e jetueshme në kushte krizash globale se dhe vendet më të
zhvilluara. Prandaj do të ketë më pak ikje e më shumë ardhje të emigrantëve, si
dhe një kthim të natyrshëm drejt fshatit, jo për të ndryshuar trendin e
zhvillimit urban, por për një gërshëtim të jetesës mes qytetit dhe fshatit.
Janë të shumtë ata që i janë kthyer shtëpisë në fshat gjatë karantinës, atje ku
humbet kuptimi i kësaj fjale. Do të vemi atje atje për turizëm, nostalgji,
ekzotikë, por dhe kur ta dojë rasti për t’u mbrojtur më mirë, siç ishte ky. Nuk
ka një aleat më të fortë se mali në përballimin e së keqes, sido që ajo ta ketë
emrin. U kthyem dhe në 97-n, për një muaj, por kësaj here kthimi, besojmë, do
të jetë ndryshe, me punë e investime për fshatin, pasi ai nuk është më vetëm i
atyre që kanë mbetur aty, por dhe yni që kemi ikur.
Kur
të fillojmë të ecim përsëri, solidariteti që u tregua këto muaj, që nga tërmeti
i 26 nëntorit të vitit të kaluar dhe më pas gjatë pranverës së coronavirusit,
nuk ka për të qenë më me fushata. Qeveria, bashkitë dhe aktorët e tjerë që kanë
rol në këtë mes do të ishte e denjë t’ua ndryshonin njëherë e mirë jetën
nevojëtarëve, duke i futur nëpër shtëpi e punësuar, që të mos të mbetemi sa
herë të ketë ngjarje të rënda duke iu shkuar me çanta ushqimesh në derë. Ky do
të ishte “partneriteti publik-privat” më i dobishëm dhe më human pas dy
goditjeve të njëpasnjëshme.
Kur
të fillojmë prapë të ecim, politika, mediat dhe jeta publike në tëresi, them se
ka me qenë tjetër. Politikanët në pushtet ose jo do të duhet të prekin realisht
njeriun në përditshmërinë e tij, kudo ku ai rron, dhe për faktin se u pa që një
anomali e “vogël” në Has, në Kir apo në Roskovec rrezikon dhe qendrat më të
mëdha urbane. Studiot televizive, gazetat, portalet do të hapen për
specialistët e fushave të ndryshme shumë më tepër se deri më sot, duke mos
qëndruar gjithnjë “peng” i të njëjtëve personazhe mediatike. Vetëm pesë muaj më
parë “zbuluam” inxhinieren dhe profesoreshën e “tërmeteve” Luljeta Bozo, tash
një të shenjtëruar si doktor Pëllumb Pipero dhe kolegët e tij. Mjafton prania
mediatike e elitës së mjekëve të Tiranës, po dhe atyre të Durrësit, Lezhës e të
tjerë, për të kuptuar se sa të nevojshëm i ka komunikimi publik profesionistët
e vërtetë. Të tillë kemi për çdo fushë. Nuk duhet të presim të ndodhë ndonjë
“gjëmë” tjetër, fjala vjen, recesion në ekonomi, që emisionet televizive të na
mbushën me ekonomistët më të mirë të vendit. Puna është t’i dëgjojmë përpara se
të bëhej vonë.
Është
kaq e thjeshtë, gjithmonë nga pësimet nxirren mësime.
Të
rinj shtegtarë në Malin e Munellës