Mendime
Alfred Papuçiu: COVID-19 dhe Talasemia
E diele, 05.04.2020, 11:31 AM
COVID-19 dhe Talasemia
Nga
Alfred Papuçiu*
Rrugët
janë bllokuar si pasojë e koronavirusit dhe Arditi e ka shumë të vështirë që të
drejtohet nga Lushnja, në drejtim të kryeqytetit për të marrë gjak. Sëmundjen,
Talaseminë e shikon si faktor pengues për shumë aktivitete që mund të bëjë një
person i shëndetshëm. Arditi ka një apel :”Njerëzit të dhurojnë sa më shumë
gjak, pasi gjaku nuk është një medikament që përftohet në fabrikë, por burimi
kryesor është dhurimi”.
Siç
kanë nevojë për oksigjen ata që janë prekur nga Covid-19 dhe talasemikët kane
nevojë jetike për gjak. Të mos marrësh sasinë e gjakut që kërkon organizmi i
një pacienti me talasemi ka pasoja të rënda shëndetësore.
Tek
njerëzit vazhdon akoma problem dhurimi, kështu nevojat nuk mund të plotësohen.
Në qendrat tona vazhdimisht ndihet mungesa e gjakut. Ka raste që pacientët
vijnë edhe ikin pa marrë transfuzion sepse nuk ka. Vazhdimisht ka ndihmuar Banka Kombëtare e Gjakut në
Tiranë, por jo mjaftueshëm. Kështu, një thirrje e madhe për të dhuruar gjak u
bëhet njerëzve të shëndetshëm dhe spitaleve të tjera të përgjigjen për të
sëmurët e tyre.
Në
Shqipëri sot kemi 600 fëmijë talasemikë që kanë nevojë jetike për transfuzion
të rruazave të kuqe, një herë në 10 ose 15 ditë, pasi në të kundërt jeta e tyre
vihet në rrezik. Për të garantuar sasinë e nevojshmë të gjakut, Kryqi i Kuq
Shqiptar ka vite që bën fushata sensibilizuese për të ndërgjegjësuar qytetarët,
por pavarësisht kësaj, Shqipëria regjistron numrin më të ulët të dhuruesve në
Europë. Në total numërohen 7 mijë dhurues në vit që mbulojnë 25 përqind të
nevojave për gjak që kanë fëmijët talasemikë.
Talasemia
është një grup sëmundjesh të trashëguara të gjakut që ndikojnë në prodhimin e
hemoglobinës (proteina përgjegjëse për transportimin e oksigjenit). Ajo
karakterizohet nga një defekt në prodhimin e hemoglobinës. Si kujtesë,
hemoglobina është një proteinë e madhe që gjendet në rruazat e kuqe të gjakut
(qelizat e kuqe) roli i së cilës është të sigurojë transportimin e dixoygene
nga sistemi i frymëmarrjes, në pjesën tjetër të trupit. Kur mungesa e hemoglobinës
është shumë e madhe, nevojiten transfuzione të rregullta të gjakut. Ato
konsistojnë në injektimin e personit të interesuar me gjak ose qeliza të kuqe
të gjakut, të marra nga një donator, për të mbajtur një nivel të pranueshëm të
qelizave të kuqe të gjakut në gjak. Hemoglobina është një proteinë thelbësore
për jetën.Talasemia është një çrregullim gjenetik i trashëguar. Nuk ka masë
parandaluese. Si të gjitha sëmundjet gjenetike, beta-talasemia nuk është
ngjitëse. Beta-talasemia prek kryesisht njerëzit nga rreth Mesdheut (Korsikë,
Itali, Sardenjë, Siçili, Shqipëri, Greqi, Qipro, Afrika e Veriut), nga Lindja e
Mesme, Azia (Kina, India, Vietnami, Tajlanda) dhe Afrika e zezë. Si rezultat I
migrimeve talasemia është e përhapur edhe në SHBA dhe Kanada. Ndikon tek gratë
po aq sa burrat.
Sidoqoftë,
testet gjenetike mund të zbulojnë bartës të shëndetshëm (njerëz që kanë një ose
më shumë gene të ndryshuar, por që nuk janë të sëmurë). Një çift i shëndetshëm
transportues duhet të informohet për rrezikun e lindjes së një fëmije me
talasemi. Në disa raste, ky rrezik mund të vlerësohet nga një gjeneticien.
Diagnoza prenatale gjithashtu mund të konsiderohet në kushte të caktuara. Ajo
duhet të diskutohet me mjekun.
Të
gjithë ne kujtojmë me përmallim ata femijë, adoleshentë dhe madhorë që ditën të
përballojnë sëmundjen e Talasemisë vite të tëra në vende të ndryshme të botës.
Shembulli i tyre dhe hapat që jane bërë vitet e fundit për diagnostikimin dhe
mjekimin e kësaj sëmundjeje gjenetike na japin shpresa se në një ditë të afërt
do të arrihet të gjendet një kurë edhe për talasemikët. Si anëtar bashkëpunëtor
i Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF) dhe si shqiptar uroj që të gjithë
ne në Shqipëri dhe në diasporë të kujtojmë fjalët e shënjtores sonë Nënë
Tereza, e cila me modestinë e saj jepte gjithmonë një mesazh human: "Ajo
që bëj unë është një pikë uji në oqean. Por, nëse kjo pikë uji nuk do të ishte
atje, uji do të mungonte". Silueta e saj ngjyrë blu e hapur dhe e bardhë
njihej kudo në botë dhe fjalët e saj shpesh jepen si postulatë që krijojnë
shpresa për të ardhmen e atyre që vuajnë, që kanë një sëmundje kronike, atyre
që nuk kanë shumë të ardhura, por që shpresojne për një të ardhme më të mirë.
Beta
Talasemia është një nga sëmundjet gjenetike më e përhapur në botë. Organizata
Ndërkombëtare e Shëndetësisë vlerëson se çdo vit lindin më tepër se 100 000
fëmijë, të prekur nga kjo sëmundje në gjendjen homozigote, në mungesë të
mjekimit. Prandaj, në një të ardhme të afërt, mendohet të arrihet një terapi sa
më e thjeshtë që të jetë e mundur, efikase dhe e zbatueshme për të gjithë. Në
Korsikë midis 3 deri 6 për qind e popullsisë janë talasemikë, ndërsa në vende
të tjera arrin edhe 10 deri 20 për qind të popullsisë. Para disa kohe isha në
një konferencë ndërkombëtare lidhur me talaseminë, dhe pashë me sytë e mi mbi
900 talasemikë nga e gjithë bota, vocërrakë, adoleshentë, talasemikë burra dhe
gra, të martuar dhe me fëmijë, gjë që nuk mund të konceptohej 30 vite më parë,
kur talasemia ishte akoma një sëmundje vdekjeprurëse, ndërsa aktualisht ajo
është një sëmundje kronike, që kurohet mirë, me transfuzione dhe eliminues të
hekurit (që fatkeqësisht, si pasojë e genit defektoz, hekuri grumbullohet në
trupin e njeriut).
Në
Shqipëri, në bazë të disa studimeve të pjeshme të bëra vite më parë nga
departamenti i Pediatrisë janë gjetur rreth 7.1 për qind e popullsisë si
portatorë të Mikrocitemisë, genit të Talasemisë. Termi Talasemia vjen nga
greqishtja (thalassa ("det") and -emia ("gjak") dhe tregon
se është një sëmundje karakteristike për zonat bregdetare, tipike për pellgun e
Detit Mesdhe, por edhe më tej. Në Shqipëri ka rreth 300,000 bartës të
Hemoglobinopative (duhet të jenë më
shumë, për faktin se vazhdimisht zbulohen raste të reja dhe duke ekzaminuar dhe
pjesëtarë të tjerë të familjes që nuk kanë shqetësimë, zbulohen dhe shumë të
tjerë). Shpërndarja e bartësve është heterogjene dhe frekuenca më e lartë
takohet në zonat e Ultësirës Perendimore: Fieri, Lushnja, Vlora, Saranda,
Berati, Kavaja, Durrësi, Shijaku, por dhe në Korçë, Tiranë, Dibër. Qindra
qytetarë të Tiranës dhe te Shqipërise i janë përgjigjur thirrjes së Kryqit të
Kuq Shqiptar , për të dhuruar gjak për mbi 600 fëmijët shqiptarë me
hemoglobinopati, ku perfshihen talasemia major, drepanocitoza,
talaso/drepanocitoza. Janë tre qendra ekzistuese ku bëhet transfuzioni i masës
eritrocitare, e përgatitur për çdo pacient, sipas grupit dhe strukturës se tij,
me filtër leukocitar. Aleanca për dhurimin e gjakut, nën kujdesin e veçantë të
Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta lindi si nevojë për të
sensibilizuar e ndërgjegjësuar shoqërinë tonë për nevojën e dhurimit vullnetar
të gjakut, për të ngritur solidaritetin për të dhuruar gjak për ata që kanë
nevojë e sidomos pacientët talasemikë e për të nxitur vullnetarizmin, sepse dhurimi
vullnetar i gjakut mbetet ende një sfidë për ne.
“Një
falënderim të veçantë kam sot për popullin e Kavajës, për kryetarin e Bashkisë
dhe stafin e tij që iu përgjigjën apelit për të dhuruar gjak në këto ditë kur
kërkesa për gjak është mjaft e domosdoshme, sidomos nga fëmijët, të cilët
vuajnë nga talasemia. Por edhe nga të gjithë të tjerët, që kanë nevojë në
mënyrë periodike për gjak”, u shpreh ditët e fundit Presidenti, Ilir Meta.
“Solidarizimi me kauzën e dhurimit të gjakut është mjaft e rëndësishme, sidomos
në këto ditë të vështira, kur kërkesat janë edhe më të mëdha, për shkak të
vështirësive të krijuara nga kufizimet që ekzistojnë në lëvizjen e qytetarëve
për shkak të pandemisë. Ndaj edhe ky kontribut që jep sot komuniteti dhe
Bashkia e Kavajës, është jashtëzakonisht i çmuar.”
Gjithkush
duhet të ketë parasysh se tashmë po punohet shumë në disa drejtime: Puna
kërkimore është përqëndruar sidomos në gjetjen e indeve që mund të rrisin
prodhimin e hemoglobinës në rruazat e kuqe; Të gjenden ilaçe të reja, sidomos
ato që mund të jenë më efikase dhe që merren nga goja; Transplantimi i palcës së kockës apo i
qelizave bazë; Terapia gjenike për të
zëvëndësuar genet e Talasemisë me gene normale. Mesazhet lidhur me mjekimin
klinik të talasemisë janë të shumta dhe premtuese. Shkencëtarët punojnë në këtë
drejtim, por realizimet e tyre do të varen edhe nga pranimi i një mjekimi
klinik të përshtatshëm nga ana e vetë pacientëve talasemikë, për të arritur
pastaj tek mundësia e një kurimi më të efektshëm.
Nuk
mund të le pa përmendur punën e përkushtuar të hematologëve shqiptarë,
laborantëve, personelit mjekësor në përgjithësi, që kanë përballuar dhe u kanë
dhënë zgjidhje bashkëkohore problemeve që lidhen me diagnostikimin dhe mjekimin
e talasemisë. Nuk mund të rrijmë pa kujtuar me respekt të veçantë Profesor
Selaudin Bekteshin. Për dekada të tëra ka drejtuar, fillimisht shërbimin e
pediatrisë në spitalin e Tiranës. Ishte profesor Selaudin Bekteshi që themeloi
hematologjinë në vendin tonë, ishte ai që gjithë jetën kuroi mijra fëmijë që
sot janë rritur e jetojnë, apo kanë krijuar familje; ishte ai që futi në rrugën
e hematologjisë, mjekun e shquar , Profesor Enis Boletini që ka qënë nga të
parët që përdori diagnozën prenatale. Janë bërë hapa edhe nga Ministria e
Shëndetesisë në Shqipëri, si dhe nga mjekët tanë të talentuar hematologë, dhe
të fushave të tjera që merren me talasemikët, jo vetem te brezit te kaluar të
profesor Selaudin Bekteshi, të ndjerët prof. Enis Boletini, dr Afërdita Gusho,
prof. Aleko Vesho, por edhe prof. Anila Godo, prof. Eleni Anastasi, dr. Albert
Zhuzhuni, Prof. Genc Sulçebe, prof. Pali Xhumari, dr. Vangjelo Grillo (megjithese ishte në
Spitalin e Femijëve në një pavijon tjetër dhe jo të hematologjise), zonja Dhoni
Adhami, laborante, e urtë dhe tepër e aftë për profesionin e saj, që ndiqte
fëmijet talasemikë në Pediatrinë e Tiranës, e shumë të tjerë. Tanimë ka edhe
mjekë që i përkasin brezit te ri që janë formuar tek ne ose jashtë shtetit. Të
më falin ata mjekë të përkushtuar që për mungesë vendi, nuk i përmend dot të
gjithë, por ata gëzojnë respektin e pacientëve dhe prindërve te tyre. Kujtoj
edhe të gjithë ata miq e dashamirës të shëndetësisë shqiptare, që sëbashku
kishin bërë të mundur ardhjen e centrifugës së parë nga Gjermania, në ato vitet
80-të…Shpreh mirënjohjen e thellë për ata shqiptarë që kanë dhe kanë pasur
shpirtin human, jo si « qoftëlargët » që pengonin dhe pengojnë ecjen e
shoqërisë përpara, e deri diku edhe të shkencës, kulturës dhe teknikës
shqiptare. Flas me admirim për Shoqatën e Luftës kundër Talasemisë në Shqipëri
dhe ish kryetarin e saj, të ndjerin zotin Musa Zenelaj, që bëjnë shumë, bashkë
me mjekët shqiptarë për t’u dhënë buzëqeshje dhe shpresa për të ardhmen, atyre
mijra fëmijëve të mirë, të urtë shqiptarë që jo për faj të prindërve, por për
arsye gjenetike, kanë trashëguar sëmundjen e Talasemisë. Kësaj sëmundjeje që
nëse në vitet 80-të ishte vdekjeprurëse, tanimë me krijimin e kushteve për
transfuzione të rregullta, me një terapi për eliminimin e hekurit, si dhe me
parandalimin e problemeve kardiake, hepatike, diabetit dhe komplikacioneve
endokrinologjike, është kthyer në një sëmundje që kurohet mirë, jetëgjatësia e
të prekurve nga kjo sëmundje është rritur dhe në bazë të të dhënave shkencore,
mendohet që pas pak vitesh, të arrihet një kurë. Pra idealja do të jetë terapia
gjenike, shpresa më e madhe e këtij shekulli jo vetëm për këtë sëmundje që prek
sidomos zonat mesdhetare, por edhe zona të tjera në botë.
Në
shënimet e mija kam shënuar edhe fjalët e zotit Panos Englezios, President i
Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF), i cili më shkruante pak kohë më
parë: “Jemi shumë të kënaqur kur lexojmë se Ministria Shqiptare e Shëndetësisë,
profesionistët e shëndetësisë që merren me mjekimin e pacientëve me talasemi
dhe Shoqata kombëtare e Luftës kundër Talasemisë, po punojnë tani ngushtë për
të vendosur vlerësime të mëtejshme lidhur me protokollet e parandalimit për
Talaseminë në Shqipëri”. Zoti Panos Englezios, nje biznesmen i suksesshëm, i
respektuar, që megjithëse para disa vitesh humbi djalin e tij, Zhorzh
(Georges), vetëm 27 vjeç, vazhdon luftën e tij kundër talasemisë, duke ndihmuar
me përvojen e tij, por edhe duke organizuar konferenca ndërkombëtare në vende
të ndryshme të botës. Në një mesazh të fundit drejtuar edhe talasemikëve,
personelit shëndetësor, përfshirë dhe shqiptarë, Panos Englezos ndër të tjera shprehet: “Vetëm
duke punuar sëbashku, duke qënë partnerë në përpjekje, ne mund të arrijmë
qëllimin e përbashkët: cilësinë më të mire të mundëshme të kujdesit për çdo
pacient me talasemi, kudo që të ndodhet dhe të jetojë ai në botë”.
Federata
Ndërkombëtare e Talasemisë që e ka selinë në Nikozi të Qipros bën një punë të
lavdërueshme lidhur me diagnostikimin dhe përhapjen e të rejave për Talaseminë
që ato të shkojnë jo vetëm në qendrat kryesore të mjekimit por edhe në fshatra
e vende ku nuk ka akoma qendra të specializuara. Në këtë Federatë bëjnë pjesë
91 vende me shoqatat e tyre të Talasemisë, shkencëtarë dhe anëtarë individualë,
mjekë nga Europa e në botë, duke përfshirë edhe nga Shqipëria. Ajo organizon
seminare dhe ka një program të gjerë edukimi mjekësor që fillon nga konsultat
gjenetike dhe diagnoza prenatale që mund t’u japin familjeve njoftime të plota
mjekësore për t’i ndihmuar që t’i kenë fëmijët në shëndet të plotë. Gjithashtu
ajo jep herë pas here njoftime të vlefshme lidhur me trajtimin klinik të
përshtatshëm për Talaseminë, në të gjitha format e saj. Ekspertë të saj kanë
qënë në Shqipëri. Në shqip janë botuar disa libra të saj, ndër të tjera edhe
libri “Mbi Talaseminë,” i shkruar nga drejtoresha e TIF, Dr. Androulla Eleftheriou, i cili
është një udhërrëfyes i çmuar për pacientët talasemikë, si dhe për personelin
mjekësor. Në këto organizma me prestigj, si TIF dhe « Cooley’s Anemia
Foundation » me staf te kufizuar, ka
vullnetarë të shumtë, shkencëtare dhe anëtarë individualë, mjekë në SHBA,
Kanada, Europë dhe në botë, duke përfshirë edhe nga Shqipëria. Ato organizojnë
seminare dhe kanë një program të gjërë edukimi mjekësor që fillon nga konsultat
gjenetike dhe diagnoza prenatale që mund t'u japin familjeve njoftime të plota
mjekësore për t'i ndihmuar që t'i kenë femijët në shëndet të plotë.
Pas
Konferencës së Limasolit, në Qipro me titull : « Përparime në diagnostikimin
dhe trajtimin e Talasemisë », organizuar nga TIF, janë organizuar disa
konferenca ndërkombëtare për Talaseminë, në Dubai, Singapur, Nju Deli të
Indisë, SHBA, Antalia, Athinë etj. Kushdo qe ka ndjekur keto 30 vitet e fundit
ecurinë në mjekimin e talasemisë vëren me bindje se e ardhmja do jete shumë më
e mirë. Kalimi nga trajtimi fillestar në atë bashkëkohor: transfuzione ose
hipertransfuzione, shoqëruar me eliminues të hekurit, Desferal, Ferriprox dhe
Exjade dhe Jadenu të Novartis, multinacionale farmaceutike, me bazë në Bazel të
Zvicrës, do të krijojë mundësinë e realizimit me sukses të transplantimeve të
palcës së kockës, realizimit të terapisë me anën e kordonit ombelikal, si dhe
terapive të tjera bashkëkohore. Mund t’u përmënd ish kampionin botëror të
tenisit, amerikanin Peter Sampras, i cili ka talaseminë, por ka edhe një ecuri
të shkëlqyer të jetës së tij. Kam lexuar shumë artikuj për të, të një njeriu
fisnik dhe plot me kurajo. Një shembull i gjallë për ata që vuajnë nga kjo
sëmundje gjenetike, por që ndjekin një jetë normale, në sajë të mjekimit efikas.
Para
disa kohe pata fatin, siç mund ta kishte edhe ndonjë bashkëatdhetar i imi, të
takoj drejtoreshën kombëtare të "Cooley's Anemia Foundation" në Nju
Jork. Ajo më theksoi: « Kërkimet për terapinë gjenike po vazhdojnë me hapa të
shpejta në SHBA, si mundësi për arritjen e një kure për sëmundje të
shumta”."Te drejtosh sëmundjen vetjake, kjo gjë mësohet", më shprehet
profesori zviceran, Jean-Philippe Assal. Ai vazhdon: "Duhet mësuar
pacienti që vuan nga një sëmundje kronike që të drejtojë sëmundjen e vet, të
ndihmohet që të jetojë sa më mirë, duke e patur atë ». Si krijues në Europë i
të parës njësi të mjekimit dhe mësimit për diabetin, ai pastaj u bë pionier i
arsimit terapeutik. Drejtor i një qendre bashkëpunimi të OMS-it, ai jep
ndihmesën e tij me përvojën e madhe, dhe i Fondacionit "Fondation
Recherche et Formation pour l'Enseignement du Malade" në Gjenevë. Një i
sëmurë që di të drejtojë mjekimin e vet shmang komplikimet, përmirëson cilësinë
e jetës së vet dhe ka kënaqësinë të jetë më pak i varur nga mjekët, duke e
ditur se e ka sëmundjen. Federata
Ndërkombëtare e Talasemisë është shumë e interesuar per gjetjen e rrugëve sa më
efikase për të ndihmuar edhe Shqipërine lidhur me diagnostimin e sëmundjes tek
pacientët e mundshëm dhe për mjekimin klinik sa më bashkëkohor, jo vetëm në
zonat e qytetit, por kudo ku kjo sëmundje e shekullit shfaqet, në format e saj
minore apo majore.
Diaspora
shqiptare, si edhe një fondacion prestigjioz kanë filluar hapat e tyre për të
ndihmuar futjen e teknikës bashkëkohore edhe në ato zona të Shqipërisë, ku
akoma nuk janë mjetet e domosdoshme për depistimin e sëmundjes, si edhe të
mjekimit klinik të përshtatshëm për fëmijët dhe të rriturit. Hapat e reja që
janë bërë në luftën kundër kësaj sëmundjeje gjenetike që janë transmetuar edhe
kohët e fundit edhe në Shqipëri, nëpërmjet shkëmbimeve të frytshme me TIF, me
Italinë, Greqinë, Francën, Turqinë, Qipron dhe vende të tjera të Europës, por
edhe gjetiu, me pjesëmarrjen në seminare, kurse formuese, të mjekëve tanë të
përkushtuar hematologë, por edhe kardiologë, endokrinologë, apo edhe të
personelit tonë kurues në përgjithësi, qe lidhen me këtë sëmundje, kanë bërë që
të na nxisin të ndërmarrin edhe ne në diaspore, një nismë modeste: një projekt
për talasemiket, sidomos në zonat e fshatit në Jug dhe Shqipërinë e Mesme, si
dhe ta zgjerojmë edhe në Kosovë e vise. Dr. Androulla Eleftheriou më ka
theksuar se Federata Ndërkombëtare e Talasemisë është e interesuar të përfshijë
një kapitull lidhur me pacientët me hemoglobinopati kronike, si Talasemia, në
librin « Shpresa për të ardhmen » që po përgatis me ndihmesën e madhe të
profesorëve të shquar botërorë, Jean-Philippe Assal (Zvicër) ; Alan Cohen dhe
Xhejms Humbert (SHBA) ; Bernadette Modell (Angli) ; Robert Girot (Francë) ;
Fotis Beris (Zvicër) e shumë të tjerë që më kanë dhënë mendimet e tyre të
vyera, lidhur me mjekimin klinik të Talasemisë dhe hapat e realizuara gjatë
këtyre viteve të fundit. Me këtë rast, nëpërmjet gazetës, do të dëshiroja të
sillja një mesazh human : Le te shpresojmë se edhe biznesmenët shqiptarë, si
edhe qytetarët në Shqipëri dhe diasporë, do të japin ndihmesën e tyre për
Shoqatën e Talasemikëve, për Fondacionin e Fëmijëve Shqiptarë . Çdo ndihmë
qoftë edhe modeste e bashkëatdhetarëve tanë, kudo që janë, me të holla, me pajisje,
me mundesi të ndryshme për talasemikët në Shqipëri, do të mirëpritej nga ana e
tyre.
*Anëtar Bashkëpunëtor i Federatës Ndërkombëtare të
Talasemisë (TIF)
Bashkëpunëtor i "Fondation Recherche et Formation pour
l'Enseignement du Malade" në Gjenevë