Mendime
Eshref Ymeri: Pak fjalë për një Ese interesante
E premte, 17.04.2020, 05:07 PM
Pak fjalë për një Ese interesante
Nga Prof.
Dr. Eshref Ymeri
Ditën e djeshme, intelektuali Nue Oroshi kishte botuar në internet Esenë me
titull “Marshi i filluar, kokat e bllokuara dhe lëvozhga e qëruar”. Kjo është një Ese bukur interesante, kushtuar
trurit të politikanëve shqiptarë, të cilin ai e ka trajtuar si një intelektual
me brumosje atdhetarie. Zotëria Nue Oroshi, si një intelektual me vizion
perëndimor, rekomandon me shumë të drejtë se “duhet të punojnë intelektualët dhe ekspertët më të
mirë shqiptarë në trojet etnike shqiptare dhe nga diaspora atdhetare që në krye
të politikës të vijë një elitë e re e politikanëve, të cilët e kanë të kaluar çështjen
e kokave të bllokuara si dhe të levozhgës së qëruar, por me një vullnet të
çeliktë dhe me një diapazon të gjerë të diturive do ta bëjnë drejtimin e
shteteve dhe bashkimin e kombit shqiptar, në një shtet të vetëm,
duke ndjekur një rrugë dhe drejtuar kombin shqiptar aty ku
e ka vendin, aty ku dielli lind në perëndim”.
Jam i bindur
plotësisht që populli shqiptar është mjaft i dëshiruar që të ketë në krye
pikërisht politikanë të të tillë formati intelektual, siç rekomandon zotëria i
nderuar Nue Oroshi. Por kam tri shqetësime që më bëjnë të dyshoj nëse do të
jetë e mundur që të vijnë në krye politikanë të tillë.
Së pari, siç e kam theksuar shpeshherë në portale të ndryshme, shqiptarët vuajnë nga
përçarja tragjike, të cilën e kanë gjenetike, që nga lashtësia
pellazgoiliriane. Kjo përçarje vihet re edhe në radhët shqiptarëve të Diasporës
në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çka e pati ngritur si shqetësim
shtatëdhjetë vjet më parë bashkëkohësi i Fan Nolit, zotëria Kosta Çekrezi, në
librin me titull “Plani i tretë i
copëtimit të Shqipërisë”, të botuar në Vashington
në vitin 1951. Dëshminë e kësaj përçarjeje e jep sot Federata Mbarëshqiptare “Vatra”.
Pra, përçarja ka
qenë dhe mbetet një virus varrmihës në radhët e shqiptarëve, e cila ka qenë
arsyeja kryesore e copëtimit të trojeve tona etnike, sepse shovinizmi
evropianoperëndimor, nën presionin e shovinizmit rusomadh, armikut të betuar të
kombit shqiptar, e ka njohur mirë natyrën përçarëse që na ka karakterizuar brez
pas brezi. Prandaj Ismail Qemali deklaronte:
‘... Evropa ... na konsideron si disa fise sudaneze, të paaftë për t’u
qeverisur” (Citohet sipas: “Ismail Qemali më 1913: Evropa na konsideron të
paaftë për të qeverisur”. Faqja e
internetit “Bota Sot”. 02 maj 2019).
Së dyti, shqiptarët, tradicionalisht, kanë mbajtur një qëndrim servil ndaj të
huajve. Prandaj nga radhët e tyre vazhdimisht kanë dalë politikanë mercenarë që
u kanë shërbyer të huajve, duke nëpërkëmbur tragjikisht interesat tona
kombëtare. Kësisoj, shqiptarët, duke e zhvendosur te të huajt gravitacionin e
mikpritjes dhe të nderimit deri në servilizëm me aromë tradhtie, gjatë shekujve
kanë pasë krijuar një boshllëk të ndjeshëm për ngjizjen e unitetit brenda
vetvetes, çka ka krijuar truall për përçarjen tragjike që i ka karakterizuar me
kalimin e shekujve. Ky nderim i të
huajve deri në servilizëm revoltues, ka pasë qenë shkaku vendimtar i qëndrimit
shpërfillës që politikanët shqiptarë kanë mbajtur ndaj popullit të vet. Kjo
është arsyeja kryesore që ardhacakët sllavë, të dyndur nga stepat ruse
drejt Gadishullit të Ilirisë, popullin
rrënjës shqiptar e robëruan dhe e masakruan në mënyrat më barbare.
Së treti, politikanët shqiptarë janë të etur për vetëpasurim, deri në pangopësi.
Pikërisht etja për vetëpasurim i bën politikanët shqiptarë të rrinë të
mbërthyer pas kolltukut të pushtetit deri në marrëzi. Sepse politika në trojet
shqiptare, sipas mendësisë së tyre të mykur, është biznesi më fitimprurës, i
cili të bën që “sot ta ngrysësh ditën pa bukë, por të nesërmen të krekosesh në
kolltuk”. Pasionin e papërmbajtur për të qëndruar përjetësisht në pushtet,
atyre ua nguliti sidomos sundimi komunist gati gjysmëshekullor. Shembullin më
të shëmtuar për të qëndruar sa më gjatë në pushtet, e dhanë politikanët
komunistë të shtetit amë, me kriminelin Enver Hoxha në krye. Lexuesit e nderuar
le të kujtojnë për një çast Bllokun kriminal në Tiranën e Re, i cili ishte
shndërruar në një shportë karavidhesh. Të strukur brenda asaj vatre
kriminelësh, nën mbrojtjen e bajonetave të Gardës së Republikës, ata bënin një
jetë luksoze, ndërkohë që populli i gjorë përtej caqeve të asaj shporte
karavidhesh, jetonte në varfëri ekstreme.
Pajtohem plotësisht
me intelektualin e nderuar Nue Oroshi se qoftë në trojet etnike, qoftë në
Diasporë, ka mjaft intelektualë me vizion perëndimor që mund të vihen në krye
të politikës në hapësirën Tiranë-Prishtinë-Shkup-Ulqin. Por intelektualë të
tillë, me dinjitet të lartë kombëtar, qëndrojnë jashtë radhëve të partive
politike, të cilat janë në krye të veprimtarisë përçarëse në radhët e kombit
shqiptar. Fakti që në hapësirën e lartpërmendur janë të regjistruara në gjykata
92 parti politike, dëshmon më së miri se përçarja ndërshqiptare vazhdon të ketë
përmasa tragjike deri në ditët tona. Prandaj lind pyetja: kush mund t’i ftojë dhe
si mund të vihen në krye të politikës intelektualë të tillë, të cilët janë të
papranueshëm për natyrën përçarëse të partive politike?
Edhe sikur
intelektualë të tillë, me vizion perëndimor, siç rekomandon zotëria Nue Oroshi,
të ishte e mundur që, “me ndihmën e magjisë”, të vijnë në krye të politikës, do
të ishte më se e domosdoshme që në Kushtetutë të bëhej një shtojcë, sipas së
cilës, në krye të vendit apo në drejtim të një partie politike, nuk mund të
qëndrojë askush, e shumta, më tepër se dy mandate.
Jam i bindur që
pyetja e mësipërme mbetet pa përgjigje.
Sinsinati, Ohajo
17 prill 2020