Mendime
Gjekë Gjonaj: Malësia në karantinë u shndërrua në një yll solidariteti njerëzor
E shtune, 18.04.2020, 03:54 PM
Malësia në karantinë u shndërrua në një yll solidariteti njerëzor
Nga Gjekë
Gjonaj
Nuk është aspak e lehtë të qëndrosh në izolim të
plotë, siç qëndruan qytetarët e Malësisë 21 ditë radhazi. Përkundrazi, është
tepër e vështirë të kalosh orë të tëra në një hapësirë të vogël, i mbyllur
brenda mureve të shtëpisë, pa e ditur se si do të jetë dita që vjen. Këtë herë
nuk kishin zgjidhje tjetër fatlume për
të mbrojtur shëndetin e tyre, të familjarëve dhe të tjerëve, pas thirrjes që u
bëri bashkëqytetarëve të vet, kryetari z. Nik Gjeloshaj, natën e 23 marsit
2020, që të gjithë, i madh e i vogël, gra e fëmijë, pleq e plaka të
mbyllen në shtëpitë e veta, për shkak se
atë ditë Instituti për Shëndetin Publik i Malit të Zi kishte regjistruar
15 persona nga kjo trevë të prekur me
një virus të padukshëm e të panjohur më parë, të quajtur Covid-19.
Lajmi ishte i menjëhershëm, i nevojshëm, i
detyrueshëm, i duhur e shpëtimtar, sado i trishtueshëm. “Kjo situatë duhet të
merret me seriozitet të plotë . Ne të gjithë duhet të ndalojmë përhapjen e
këtij virusi dhe këtë mund ta bëjmë vetëm së bashku, jo vetëm për të mbrojtur
veten, por për të mbrojtur edhe familjarët, edhe të moshuarit, edhe miqtë, edhe
të afërmit që duam. Ju lutem rrini në shtëpitë tuaja, asnjë lëvizje jashtë!
Ndihmoni bluzat e bardha! Frikë jo, kujdes po! Malësia ka mbijetuar luftëra,
sëmundje dhe fatkeqësi të ndryshme gjatë historisë së saj, por jam i bindur se edhe kësaj herë do t’ ia
dalim!” Këto ishin fjalët e njeriut të parë të Malësisë drejtuar
bashkëqytetarëve të vet nga studioja e dritares së tyre të preferuar informative
- Televizionit lokal “Boin”.
Nga ky moment jetën normale edhe në Malësi e
ndërpreu “dhunshëm” një armik që e shihnim të parrezikshëm, sepse ishte mijëra
kilometra larg nesh. Por, ky armik i shtriu këmbët edhe në Malësi, duke e bërë
atë pjesë të fenomenit global, që pritet të sjellë ndryshime në perceptimin mbi
jetën dhe funksionimin e marrëdhënieve sociale dhe ekonomike në botë. Kështu
pandemia e pamëshirshme e koronavirusit futi në karantinë mijëra qytetarë të
Malësisë me qëllim që, siç pohuan atë mbrëmje mjekët specialistë të
epidemiologjisë dhe autoritetet qeveritare, të frenohen rastet e konfirmuara
dhe të shpëtohen jetët e njerëzve.
Liria e lëvizjes së qytetarëve të kësaj treve u
kufizua dhe përditshmëria e tyre u njëjtësua me atë të njerëzve të Wuhanit në
Kinë dhe disa të tjerëve të cilët kishin javë që rrinin të mbyllur nga frika se
emrat e tyre mund të gjendeshin në listën e të prekurve, të shëruarve apo edhe
të vdekurve nga virusi i pamëshirshëm.
Qytetarët e Malësisë deri më sot “të keqen” e
kanë pas të njohur. Dinin nga të ruheshin. Sot, sfilitja më e madhe është
pikërisht të identifikosh rrezikun. Ai është kudo, por s’e dallon lehtë. E
gjithë Malësia e kuptoi se nuk është një luftë si luftërat tradicionale, ku
vihet në pah tërësia e virtyteve njerëzore që lidhet me trimërinë, guximin, me
pasionin për lirinë deri në vetë sakrifikim. Por, është një luftë me një armik
të padukshëm, fare të padukshëm, që hyn në trupin tonë dhe në trupin e njerëzve
tanë më të dashur, duke kërcënuar shëndetin dhe jetën e atyre. Ajo, duke mos
pasur zgjidhje tjetër dhe duke e kuptuar se nëse gjithçka do t’ia linin në
dorën e tij katastrofa do të ishte e
sigurt, u tregua e ndërgjegjshme, e
disiplinuar, e kulturuar në këtë situatë tepër të vështirë të papërjetuar
ndonjëherë më parë.
Pavarësisht se ky armik që nuk dihet se si duhet
luftuar, i aftë të shkaktojë vuajtje të
tmerrshme, i cili e bëri botën të heshtë dhe të gjunjëzohet, ndërsa Malësinë e
futi në karantinë, ka sjellë edhe efekte pozitive. I gjithë pushteti vendor –
komuna, në bashkëpunim me pushtetin qendror, natën e parë u organizua dhe u
mobilizua për t’u gjetur pranë qytetarëve të Malësisë dhe për t’i ndihmuar ata
në ato çaste të vështira të krijuara nga ky armik përbindësh, i cili deri më
tani mori më se 150. 000 jetë njerëzish të të gjitha grup-moshave dhe
profesioneve, duke mos njohur shtet, komb, kombësi, fe, racë, të varfër apo të
pasur. Ky armik nuk pyet as nga vjen, as kush je, as çfarë historie ke dhe as
ku je. Të godet!
Në ato ditë të para vetëmohuese ishin pikërisht
të rinjtë vullnetarë të Malësisë, të cilët
menjëherë u vunë në aksion 24 orë për t’u ndihmuar bashkëqytetarëve të
vet për çdo nevojë që kishin. Ata (vullnetarët), në organizim të Komunës së
Tuzit, me gjithë forcën e humanitetit të tyre ofruan ndihmën e pakursyer për
bashkëqytetarët e vet të mbyllur, duke shpërndarë në çdo familje të Malësisë
ushqime dhe ilaçe, madje edhe në ditët me
dëborë në zonat më të thella të saj. Ky shembull unik i solidaritetit në
gjithë këtë vështirësi bëri bujë dhe lëshoi një dritë të përtejme përpara
opinionit vendas dhe të huaj.
Po aq i shpejtë ishte edhe uniteti, humanizmi
dhe solidariteti njerëzor i mërgimtarëve të Malësisë në Amerika, Evropë dhe
kontinente të tjera. Si gjithmonë deri më sot, vëllezërit tanë në mërgim dhe
shoqatat e tyre, edhe pse të prekur nga i njëjti virus i mallkuar, dërguan ndihma të shumta financiare për të ndihmuar
vëllezërit dhe familjarët e vet në nevojë në luftën e përbashkët kundër
koronavirusit. Nga ana tjetër, nuk munguan as donacionet nga kompani dhe
individë vendas, të cilët me shembullin e tyre treguan se humanizmi dhe
solidariteti njerëzor janë në themel të vlerave tona, me të cilat krenohemi
kudo në botë. Sot si kurrë më parë nderojmë dhe vlerësojmë sakrificat e mjekëve
dhe infermierëve tanë që përballen çdo orë me rrezikun dhe sfidat e vështira të
shpëtimit të jetëve nga pandemia e COVID-19.
Shfaqja e pandemisë së koronavirusit në Malësi
dëshmoi se qytetarët e kësaj treve shqiptare janë njerëz humanë, njerëzorë e
fisnikë. Populli i saj, edhe në këtë sprovë
të re në luftë me këtë virus të rrezikshëm, sikurse edhe në të kaluarën
e hershme shekullore, tregoi se ka zemër të gjerë dhe të madhe, e cila i zë të
gjithë. Ata rikthyen në Malësi virtytet më të vlefshme të saj. Në këto ditë të
errëta që po kalon e gjithë bota, Malësia u shndërrua në një yll që po ndriçon
me humanizëm e solidaritet njerëzor. Ky shpirt i madh i humanitetit të
shqiptarit ka marrë përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare. I treguam botës se
jemi komb i Nënë Terezës, e cila me veprimtarinë e vet do të na shërbejë si
shembull frymëzimi se si njerëzit e zakonshëm,
me shumë dashuri, mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme për njerëzit që
kanë nevojë për ndihmë e solidaritet. Nuk ka thënë kot populli ynë i mençur:
“Ku ka kënë, ka me kënë”.