Kerko: a
Lekë Mrijaj: Zef Oroshi - Log Kuvendi në trinomin fe-atdhe-përparim
E diele, 22.12.2019, 02:42 PM
RECENSION I LIBRIT "LOG KUVENDI NË TRINOMIN FE-ATDHE-PERPARIM" TË MONS. DR. ZEF OROSHI
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Mons.dr. Zef Oroshi, ishte
një klerik, katekist e teolog i kishës apostolike, erudit karizmatik e atdhetar
i shquar i kulturës dhe i shqiptarizmit. Njëkohësisht ishte edhe themeluesi i
parë i kishës katolike shqiptare “Zoja e Kshillit t'Mirë”, sot “Zoja e
Shkodrës”, 361 West Hartsdale Avenue, Hartsdale, New York, 10530, gjë që në atë
kohë edhe vetë gazeta prestigjioze “New York Times”, mons. dr. Zef Oroshin e
konsideronin si një ndër pionierët e bashkimit të shqiptarëve pa dallim feje.
Pikërisht është shkrimtari ynë nga New Yorku, z. Tomë Mrijaj, hulumtues dhe
studiues i mirënjohur, i cili, sapo ka hedhur në libraritë shqiptare botimin me
radhë të tij të sponsorizuar financiarisht i cili është një botim me një zhanër
tjetër të veçantë (shkrime të përmbledhura e të përzgjedhura që janë shkrime të
karakterit historik, gjuhësor e kulturor) e që titullohet: "LOG KUVENDI NË
TRINOMIN FE-ATDHE-PERPARIM" në autorësi të të përndritshmit, mons. dr. Zef
Oroshi-(New York, 2019). Libri në fjalë
u botua në Jubileun e 50-vjetorit të meshës së parë në SHBA të mons. dr. Zef
Oroshit (1969-2019). U shtyp në shtypshkronjën "Volaj" Shkodër.
Andaj ju studiues e lexues
të dashur të librit, nëse po mendonit për një alternativë që do ju begatonte
shpirtin tuaj të mrekullueshme dhe të tjerat pas saj, në dorë tashmë e keni
librin përzgjedhës e përmbledhor të shkrimtarit e studiuesit Mrijaj, i cili
është një libër dedikuar mikut e kumbarës së familjës së tij shumdekadëshe,
prelatit për Fe, Atdhe e Përparim, mons. dr. Zef Oroshit, i cili ishte një
kryemisionar i kishës apostolike të diasporës shqiptare n? Nju Jork t? SHBA-s?. Ai, në fund të viteve '70-ta për herë të parë e përktheu të Katër Ungjijt
dhe Punët e Apostujve në dialektin gegë. Një një formë të përmbledhur e me
shënimet dhe materialet më të rëndësishme jetësore të tij është ravijëzuar
profili jetësor, misionarik dhe letrar i mons. dr. Zef Oroshit , që me emrin e
tij po i bën nder jo vetëm kishës apostolike por edhe letërsisë sonë shqipe dhe
kombit tonë përgjithësisht.
Ky libër me autor mons dr.
Zef Oroshi, prej 370 faqesh, që në hyrje të librit, (faqe 9-10) dy fjalë për të
i flet - shkruan edhe biografi i tij, studiuesi e sponsorizuesi finaciar i
librit nga Nju Jorku, z. Tomë Mrijaj, i cili veç fjalës së mons. dr. Zef Oroshit
të thënë në predikimin e Krishtlindjes
të 24 dhjetorit 1969 në Nju Jork, u shpreh: “Mirëse u ka prue Zoti në shtepinë
tuej. Kjo sot asht nji shkëndi e vogël, por që do bahet nji flakë e madhe nji
ditë në Atdhe. Sot të dashtun bashkatdhetarë, falenderja e mirënjohja mâ e
thella u siellet të gjith bashkatdhetarëvet shqiptarë padallim, jo prej njajë,
dy, tri a pesë krahinash të Shqipnisë, por prej “Tivarit në Monastir - Prej
Preveze në Kaçanik”, prej të gjitha vendevet ku flitet gjuha e ambël shqipe, që
aq vllaznisht na kanë dhanë zemër, ndihmue e përkrahë, dhe kam shpresë e deri
diku jam i sigurtë se kanë me vijue me na ndihmue dhe në t’ardhëshmen, pse
rruga e flijimevet asht ende e gjatë per ne per ta përmbyllë këte nisme me
randësi kombtare. Gëzonju prá, o vllazen e motra shqiptare, pse çerdhen tonë me
i sherbye Zotit e në të njajten kohë Atdheut të dashtun e të largët, e kemi
krijue me flijime tona të shkelqyeshme. Ai Zot që na ka krijue, nuk na ka
harrue, e u thaft e djathta e jonë, në qoftë se në jeten tonë, Atë osè Atdheun
që na lindi do ta harrojmë.” Z. Mrijaj, në vazhdim të fjalës së tij thotë se
botës shqiptare ky libër i vjen, me rastin 50-vjetorit të meshës së parë në
SHBA (1969-2019) të mons. Zef Oroshit, meshë e cila ishte mbajt natën e Kërshëndellave,
pikërisht me 24 dhjetor 1969 që do të thotë se ky libër në tërësi botohët si
përkujtim i veprës madhore të këtij prelati gjithëperfshirës me vlera
shumdimensionale i cili që nga vitet 1958-1978 bëri shumë analiza studimore të
fushave të ndryshme të figurave të shquara kombëtare duke filluar nga mesjeta
si: Gjergj Kastriotin, imz. Fan S. Noli, don Ndre Mjedën, patër Gjergj Fishtën,
prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, si dhe edhe Nënë Terezën e shumë e
shumë portrete të tjera të natyrës fetare, kombëtare e kulturore.
Njëkohësisht me një fjalë
tjetër hyrëse është prezantuar edhe nga dom Pjetër Popaj, meshtar i kishës
katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York, ai i cili veç
tjerash potencon duke thënë: “ Po shkruaj në mënyrë modeste disa rreshta
kujtimesh për mons. Zef Oroshin gjë që në këtë parathënie është e pamundur t’i
përfshij të gjitha e nuk mund t’i konceptoj të tëra aktivitetet e tija të
bujshme sepse kjo figurë madhore fetare e kombëtare, kishte njohuri filozofike
shkencore, gjë qe vlen të thuhet se në
fillimviti 1970, ka perkthyer librat e Shënjt Biblik-Katër Ungjijt dhe Punët e
Apostujve libra të perkthyera prej gjuhëve të huaja, duke filluar prej
greqishtes së vjetër për dialektin gegë. Madje dom Pjetri, në në vazhdim të
parathënies së këtij librit thotë se: Vet ai-personalisht ishte seminarist e
student për meshtar i mons. Zefit, i cili edhe ka qenë veshari kryesor gjatë
shugurimit të tij meshtarak…
Ndërsa Don Anton Kçira,
figura më e pastër e ndërlidhjes sonë fetare e kombëtare, ishte ai i cili dha
një mendim-vlerësim të spikatur pozitiv për vëllaun e tij misionar, e kombëtar,
mons. Dr. Zef Oroshin, duke thënë se ai personalisht qysh si një meshtari i ri
ka pasë fatin ta njoh edhe për së afermi dhe se vertetë ruan kujtime shumë të
mira për mons. Zefin, i cili siq thotë dom Antoni, ai ishte një personalitet
mendjemprehtë dhe që mbetet i paharruar si një ndër figurat më të çmuara të
krenarisë sonë kombëtare e mërgatë. Dom Antoni veprimtarinë e mons. Dr. Zefit e
përshkruan në disa etapa: Vitet e para në seminar, studimet meshtarake
teologjike e filozofike, meshtar i ri në vreshtën e Zotit, braktisja e
famullisë, rezistenca antikomuniste dhe dalja e mons. dr. Zefit në mal, vitet e
vështira të mërgatës dhe historia e tij e lavdishme e meshtarit patriot në
vendet e ndryshme të botës dhe SHBA. Madje dom Antoni i përshkruan fjalët e
mons. Zefit, për të cilin thotë se gjatë arratisjes së tij nga Shqipëria dhe ardhjes së tij në Kosovë nga ana e
ipeshkvit Shkup-Prizren, imz. Çekada, i kishte ofruar mons. Zefit të shërbej si
meshtar në famullinë e Zllakuqanit të Klinës , por për shkak të rrethanave që
ishin përndjekjës dhe pasigurisë së tij, ai nuk e kishte pranuar propozimin e
imz. Çekadës, sepse mendjen e kishte të migroj dhe të veproj lirshëm në
rrafshin fetar, kombëtar, njerëzor e kulturor në botën e lirë perëndimore, i
cili përmes Kosovës migroj në Itali dhe tutje në SHBA., duke zhvilluar një
veprimtari të pastërt gjithëpërfshirëse kombëtare…. Kumtesën e plotë të dom Antonit mund ta gjeni në faqen
19-23, të librit: "LOG KUVENDI NË TRINOMIN FE-ATDHE-PERPARIM".
Para hyrjes në kapitullin e
parë vazhdon edhe një shkrim tjetër i shkruar nga mons dr. Zef Oroshi, “Si e
njofta Fan Nolin?” (faqe 31-36), që janë kujtime të përjetuara, për
bashkëkohësin dhe mikun e tij të ngushtë karizmatik i cili siç shkruan në vepër: “…ishte takimi i
tij shumë i përzemërt me imz. Nolin, takim i cili ngjau, vetëm në shtatorin e
vitit 1961.” Ai vazhdon duke thënë: “Kur erdha së parit n’Amerikë, ndejta rreth
tetë muaj në Boston, Mass., nën drejtimin e Kardinalit Richard Cushing,
Arqipeshkvi i atij qyteti, që njihej edhe si kryeqyteti i Shqiptarvet
t’Amerikës. Gjatë kësaj kohe bana disa hapa fillestarë për t’organizue diçka
fetarisht për katholikë shqiptarë, që kishin ardhë ma të vonit në këte vend dhe
nuk e kishin kurrkund nji çerdhe të vetën.” mons. dr. Oroshi, pohonte me
mburrje se Imzot Dr. Fan Stilian Noli, ishte një patriot i vërtetë shqiptar.
Gjatë takimeve të shpeshta ekumenike dy prelatët bashkatdhetarë kishin shfaqur
idenë e afrimit të Kishës Shqiptare Ortodokse me Kishës Katolike Shqiptare.
Asokohe, kardinali i Boston-it Mass., i ndjeri Richard Cushing, e kishte pritur
mirë këtë ide dhe kishte marrë përsipër ndërmjetësimin për ribashkimin e kishave
tona etj...
Në librin "LOG KUVENDI
NË TRINOMIN FE-ATDHE-PERPARIM" në autorësi të të përndritshmit, mons. dr.
Zef Oroshi, jeta dhe aktiviteti I tij misionarik, letrar e kombëtar shtjellohen
në tre kapitujt si më poshtë:
Kreu i
parë: Artikujt e mons.dr. Zef Oroshit në Shëjzat 1957-1974, dhe plejada 1978
(tetë prezentime nga faqe 38-87),
Kreu i
dytë: Artikuj të shkruara në revistën “Jeta Katholike Shqiptare të mons. dr.
Zef Oroshit dhe të tjerët rreth aktivitetit të tij dhe kishës katolike gjatë
vitëve 1966-1978, (Shtatdhjetë prezentime nga faqe 92-311),
Kreu i
tretë: Përfshijnë artikujt e studiuesve e analistëve të mirënjohur shqiptar si
dhe ilustrime të fotografive të ndryshme (tetë prezentime nga studiues të
ndryshëm nga faqe 322-365).
Të tre kapitujt janë të
konceptuar mjeshtërisht me një stil të shkëlqyer me titujt përkatës të këtyre
ndarjeve, përjashto kapitullin e tretë, ku përveç kumtesave të tjera të
studiuesve dedikuar mons. dr. Zef Oroshit, është i ilustruar edhe një album
fotografik me mons. Zef Oroshin dhe miqtë e tij shumë të çmuar. Për t’i dhënë
të pranishmëve një pasqyrë kronologjike të shtjellimit e kumtesave e
hulumtimeve në këtë libër studimor po jap një përmbajtje të shkurtër të temave të cilat përzgjedhësi i shkrimeve të
librit të mons.dr. Zef Oroshit, i ka
parashtruar nëpër kapitujt e përmendur. Në kapitullin e tretë dhe të fundit
gjejmë artikujt të studiuesve e analistëve të mirënjohur shqiptar si dhe
ilustrime të fotografive të ndryshme ku z. Mrijaj si perzgjedhës i materialeve
shkrimore ka shfrytëzuar edhe burime të shumta të tjera alternative faktike
hulumtuese e studimore, të cilat janë pasqyruar shumë bukur në faqet e këtij
libri, duke i renditur mrekullikisht shkrimet e referuesve të mirënjohur me
renome shkencore e kombëtare si të z. Mergim Korçës, znj/sha Leonora Laçit, z.
Frank Shkrelit, z. Tonin Mirakajt, z. Klajd Kapinovës, prof. dr. Stefan
Capalikut, z. Mark Shkrelit si dhe shkrimin në faqe 334-335, “Si u internua
familja e mons. Zef Oroshit pas arratisjes së tij” (shkrim i shkëputur nga
libri:”Saga e Dhimbjës” Fatbardha Mulleti-Saraçi) si dhe një fotoalbum
përmbledhës fotografik.
Dhe fare në fund, po e
potencoj se libri: "LOG KUVENDI NË TRINOMIN FE-ATDHE-PERPARIM" në autorësi të të përndritshmit, mons. dr.
Zef Oroshi do të ishte e pamundur që të botohej, po mos të ishte shpirtmirësia
dhe vullneti i mirë gjithëpërfshirës i studiuesit Mrijaj, si dhe bashkëpunimi i
tij miqësor e korrekt që pati miqtë e tij të kishës apostolike në Amerikë si
dhe me bashkolegët e tij të tjerë intelektual, studiues mbarshqiptarë.
E kemi thënë edhe me sipër
se libri në fjalë, i drejtohet një rrethi shumë të gjerë lexuesish,
studiuesish, hulumtuesish klerikëve të kishës apostolike dhe klerikëve të
komuniteteve tjera (islame dhe ortodokëse shqiptare) si dhe shekullarëve me
(dhe pa) përgatitje të veçantë intelektuale, shkencore, gjuhësore. Atje ata do
ta gjëjnë dhe njohin jo vetëm jetën dhe veprimtarinë e këtij personaliteti
karizmatik siq është mons. dr. Zef Oroshi, por edhe rrjedhën tjetër të
eruditëve shqiptar. Ndaj ky portret do
të mbetet model ideal perjetësije për të ndjekur nga brezat e rinj të
shkencëtarëve tanë të natyrave të ndryshme, të cilët do të mësojnë rrjedhimisht
biografin jetësore dhe aktivitetin e
gjithmbarshëm mons.dr. Zef Oroshit.