Kulturë
Lekë Mrijaj: Pjetër Nikolla - Lidhje etnologjike Mirditë, Kurbin dhe Lugu i Drinit
E diele, 15.12.2019, 05:00 PM
Recension rreth librit “Lidhje etnologjike Mirditë, Kurbin dhe Lugu i Drinit (Kosovë) të studiuesit Pjetër Nikolla
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Ky
libër i autorit Pjeter Nikolla, studiues dhe krijues letrar i cili ka botuar
mbi 20 e sa libra të zharneve të ndryshme në prozë e në poezi, shkrimtar dhe
publicist i njohur, i kushtohet gjenealogjisë dhe etimologjisë të ngjarjeve
madhore historike, të Mirditës, Kurbinit dhe Lugut të Drinit Kosovë. Ndërmarrja
e këtij studimi dëshmon prirjen dhe përkushtimin e tij për t'u marrë me
fenomene tejet të rëndësishme historike dhe etnokulturore që i bashkon dhe i
vëllazëron njerëzit. Ky libër është strukturuar në disa kapituj përmbajtësor që
ruajnë një kronologji ngjarjesh historike, të lidhjes etnologjike të tre
krahinave, një fenomen i pa studiuar e hulumtuar nga studiuesit e historianët
tanë.
Autori
Pjetër Nikolla, është ndër të rrallët studiues e historian, i cili arrin të
zgjedhë tema me subjekte me peshë dhe me vlera të pakrahasueshme. Kështu ka
zgjedhur e shkruar librat me subjekte: ”Mirdita dhe Identiteti kombëtar” (i
përkthyer anglisht), librin: “Trojet e Dardanëve”, (i përkthyer anglisht),
“Lidhja Gjenealogjike Kosovë-Mirditë”, “E vërteta e mitologjisë Pellazgo-ilire”
(pjesa e I dhe II), etj. dhe tani, librin me subjekt, “Lidhja Etnologjike,
Mirditë, Kurbin dhe Lugu i Drinit Kosovë”. Kjo tregon thellësinë e mendimit të
autorit për të përzgjedhur subjekte të arrira shkencore, duke vizionuar dijet
me lustrim anatomik, nisur nga kreativiteti si produkt i shënuar nga
imagjinata! Drita Pelingu, aktore, që është Ikona e teatrit dhe kinemasë
shqiptare shkruan: “Aktori nuk ka ç’të bëjë në një film pa skenarë të mirë.
“Kështu nuk mund të arrihen vepra të mëdha të shkruara, pa një subjekt të
gjetur mirë. Sa më i zgjedhur subjekti, aq më hapësirë ka autori për të
ndërtuar një vepër me të vërtetë të dobishme e madhore. Këtu është veçantia e
këtij libri, këtu janë vlerat e jashtëzakonshme dhe tejet të dobishme që
nëpërmjet këtij libri bëhet e njohur lidhja e gjakut që i bashkon njerëzit, dhe
ndërlidh ndihmën e bashkëpunimin reciprok, vëllazëror dhe miqësor që është
vlerë e shtuar njerëzore. Duke ndjerë thellë vlerat shumëdimensionale të këtij
libri dhe ndërtimin studimor në mënyrë shkencore, të vërtetuara me referime nga
studiues dhe historian, albanolog tanë dhe të huaj, bazuar edhe në gjetjet
arkeologjike dhe në mendimin shkencor të historianëve në Shqipëri e në Kosovë, arrimë
në konkluzionin se, libri i autorit Pjeter Nikolla është një monument i vlerave
historike dhe etnkokulturore të lidhjes së gjakut e vëllazërive në trojet tona
shqiptare. Ky libër është i ndarë në tre kapituj: Lidhje vlerash dhe gjaku të
Mirditës, Kurbinit dhe të Lugut të Drinit Kosovë.
Në
kapitullin e parë, “Mirdita Krenari Shqiptare”, për të realizuar e zbardhur
gjithçka i është dashur autorit t’i shkelë e të shtegtojë të gjitha fshatrat e
Mirditës për të zbuluar gjenealogjinë e mirditorëve që janë fisi i famshëm i
Pirustëve, i cili që para erës së re njihet për guxim, trimëri e mos nënshtrim
ndaj romakëve, ishin të fundit Ilirian që i rezistuan romakëve deri në shek. IX
të erës sonë, nën udhëheqjen e prijësit të tyre Bato i Disidiatëve. Autori pasqyron
në këtë libër vlerësimet e jashtëzakonshme të personaliteteve të larta të
kulturës shqiptare siç janë: Lidhje etnologjike Mirditë, Kurbin dhe Lugu i
Drinit (Kosovë) shkrimtari i madh Ismail Kadare, Prof, Dr. Lisien Bashkurti,
Dr, Moikom Zeqo, Prof. Dr. Jorgo Bulo, Ernest Koliqi, Abati i Mirditës, Pjetër
Zarishti, i madhi poet, At Gjergj Fishta etj. Mbishkrimi epigrafik i gjetur në
Gëziq të Mirditës tregon se Dhimitri i Arbërit ndërtoi një katedrale të madhe
që e la si trashëgim e që në atë mbishkrim thuhet se ishte Komb i Denjë, thënie
kjo e një rëndësie të jashtëzakonshme! Në vazhdim të këtij kapitulli, autori ka
argumentuar prejardhjen e pirustëve të cilët janë dardan dhe mirditor, me
referime, duke filluar nga Ptolemeu, gjeograf i njohur i shek II-të, që i
vendos Pirustët në lindje të Durrësit, e që i përket territoreve të Kurbinit,
Lezhës, Mirditës, një pjesë e Matit, vazhdon në Kukës dhe deri në Gjakovë. Ky
është edhe sot territor i njohur i Pirustëve. Shtjellohen gjithashtu lëvizjet e
banorëve të Mirditës, për një jetë më të mirë, nga Mirdita në Lezhë, në Kurbin,
në Rrafshin e Dukagjinit e veçanërisht në Lugun e Drinit në Kosovë.
Në
kapitullin e dytë të librit “Popullsia e Kurbini, pasardhëse e fisit të
Pirustëve” që sipas të dhënave studimore autori prezanton etimologjinë e
popullatës dhe historikun e Kurbinit, ku pjesa më e madhe e popullsisë së
Kurbinit janë pasardhës të fisit të pirustëve, ashtu sikurse, Mirdita. Treva e
Kurbinit është e banuar që në Lashtësi e që quhej Misia, më vonë u quajt Kurbin.
Evidentimi i shumë Kalave të kësaj krahine, si Kalaja e Sebastes me qytetin e
Divasve, Kalaja e fshehtë të Skënderbeut, Kalaja e Pervizit në Skuraj, e cila
quhet edhe kalaja e Skënderbeut dhe Kalaja e Kokë Malçit në Skuraj, ndërtimi i
tyre tregon përpjekjet e popullsisë së Kurbinit për tu mbrojtur nga pushtimet e
huaja e veçanërisht nga pushtimi osman. Këtu pasqyrohen vlerat etnologjike dhe
etnokulturore, të kësaj krahine, fiset e familjet më në zë të Kurbinit dhe
përbërjen e popullsisë me të ardhur nga Mirdiata.
Në
kapitullin e tretë, “Lugu i Drinit në Kosovë, zë një hapësirë të konsiderueshme
në vepër, që do të thotë se autori ia kushton të kaluarës historike dhe
autoktonisë e popullatës së Rrafshit të Dukagjinit, kryesisht ajo e Klinës e
Gjakovës e shumë fshatrave dhe lokaliteteve të këtyre vendbanimeve. Aty janë
trajtuar karakteristikat pozitive në këtë trevë të luftës së popullsisë kundër
pushtuesve romakë, turq, sërbo-malazez etj, popullsi e cila ruajti pastër
traditat, gjuhën, folklorin dhe etnografinë shqiptare, sfidoi asimilimin nga
serbët, islamizimin nga turqit dhe mbijetoi krenar në trojet e veta
shumëshekullore. Sllavët dhe otomanët autori i paraqet si pushtues të egër dhe
shumëshekullor të këtyre trevave, të cilët kanë dhunuar, vrarë dhe persekutuar
popullsinë, duke e dëbuar nga tokat e veta, dhe duke kolonizuar serbë e malazez
për ti asimiluar, për të zhdukur gjuhën, besimin dhe traditat shqiptare. Autori
në këtë libër jep disa të dhëna historike të trevës së Rrafshit të Dukagjinit,
pasqyron disa fakte dhe dëshmi rreth Lidhjes shqiptare të Prizrenit, më 1878,
formimin e Qeverisë së përkohshme shqiptare në Prizren më 1881, Lidhjen e Pejës
më 1899 etj. U intensifikuan përjekjet për arsim e dituri, të cilat prezantohen
në mënyrë të denjë si akte me rëndësi për historiografinë shqiptare, për
lidhjen dhe vëllazërimin e banorëve të një gjaku, të ndarë me kufij nga
shovinistët serbë. Prezantohet gjithashtu një studim etimologjik për 22 fshatra
dhe 15 familje më në zë të Lugut të Drinit që kanë lidhje gjenealogjike me
vëllezërit e tyre të një gjaku në Mirditë, ardhjet e tyre nga Mirdita, ruajtjen
e mbiemrave dhe lidhjet me vendorigjinën e tyre.
Ky
studim nxjerrë në pah të argumentuar me shifra konkrete: periudhën më të zezë,
(pas pushtimit osman dhe islamizimit të popullsisë) për Kosovën, që ishte
kolonizimi serbo-malazez midis dy luftërave botërore, për dëbimin me një plan
racist terrori të popullsisë nga tokat e veta dhe asimilimin e saj! Nga ana
tjetër dalin me shifra konkrete rikthimi masiv i dyfishuar i popullsisë në
tokat e veta dhe largimi i serbëve e malazezëve i dyfishuar në kohën e sundimit
të qeverisjes së Titos, duke evituar ndikimin negativ europian të vazhdimit për
të coptuar dhe aneksuar tokat shqiptare fqinjëve shovinistë! Në Lugun e Drinit,
pothuajse të gjitha fshatrat që gravitojnë në këtë krahinë, si Krusheva e
Vogël, Krusheva e Madhe, Zllakuqani, Radulloci, Ranoci, Leskoci, Budisalci,
Stupa, Jagoda dhe fshatra të tjerë janë të populluar kryesisht me popullatë të
“ardhur” nga Mirdita dhe sot këtë krahinë e kanë shndërruar në një “Mirditë në
miniaturë”, Mirdita e dytë. Autori librin e përmbyll me arritjen e frymës së
lirisë në këtë trevë dhe në Kosovë dhe perspektivën e kësaj popullsie pas shumë
shekujsh vuajtje dhe përpjekje për mbijetesë.
Në
fund mund të konstatojmë se ky libër kushtimisht plotëson pjesë të rëndësishme
të historisë që ka munguar deri me sot dhe hap shtigje të reja në lidhjen e
bashkimin e trojeve etnike shqiptare. Fotot japin interes dhe i shtojnë
bukurinë librit. Autorit Pjetër Nikolla i urojmë suksese të mëtejme në
vazhdimësi të punës së tij në fushën e historisë dhe të krijimtarisë letrare.
Vlerat
shumëdimensionale të këtij libri meritojnë vëmendje të posaçme dhe mbështetje
nga institucionet kulturore shtetërore të Kosovës dhe të Shqipërisë, është me
vlera që të përkthehet edhe në gjuhë të huaja. Ky libër mjaft i çmueshëm
shpresojmë se do të mirëpritet nga lexuesit, jo vetëm të dy anëve të kufirit,
por edhe në gjithë hapësirat tona mbarë shqiptare.