Kulturë
Albert Habazaj: Albert Zholi - Anita Bitri, një meteor në qiellin e këngës shqiptare
E diele, 15.12.2019, 11:05 AM
PROFILI METEORIK I ARTISTES ANITA BITRI NË MONOGRAFINË E SHKRIMTARIT ALBERT ZHOLI
Albert
Zholi, si bletë punëtore në kosheren e Letrave shqipe
Nga
Msc. Albert HABAZAJ*
Në
vetëm 36 vjet jetë fizike artistja e shquar Anita Bitri e shkroi vrullshëm të
pranvertë, me dinjitet njerëzor dhe artistik emrin e saj në historinë e muzikës
shqiptare dhe fluturoi e fluturon si ëngjëll mirësie me zë hyjnor e shpirt të
trëndafiltë hapësirave të kaltra ndëryjore, mbështjellur me tis të bardhë
paharrimi.
15
vjet pas ikjes së saj absolutisht të pamerituar nga fatkeqësia me përmasa
tragjike, imazhin e vlonjates së pavdekshme Anita Skënder Bitri, me
rrënjë në Vranishtin e Labërisë me histori, këngë të trëndelinta lirike e valle
madhërisht epike dhe me degë në Qytetin e Trëndafilave, Përmetin e traditës së gjatë kulturore, letrare dhe
muzikore të nivelit kombëtar na e sjell në këtë monografi të tipologjisë
kushtim shkrimtari, publicisti e gazetari i njohur shqiptar me rrënjë Labërie,
kolegu, gati bashkëmoshatari dhe adashi im Albert Zoto Zholi. Nuk është e
nevojshme t’ju paraqes autorin Albert Zholi, sepse emri i tij është i
mbarënjohur në fushën e letërsisë dhe artit shqiptar dhe kërkon vëmendje dhe
seriozitet në përditësimin bibliografik, aq më pak të Anita Bitrin, sepse
virtuoziteti i zërit dhe shpirtit, tërë qenia e saj në muzikë dhe humanizmin
altruist si një amazonë e pashoqe labe, vlonjate, shqiptare, europiane,
globale, ndërplanetare na kujton ëndrrat e çdo pranvere, zanat në përralla…
Përurimi
i librit “Anita Bitri, një meteor në qiellin e këngës shqiptare” me
autor Albert Zholin në Teatrin “Petro Marko” të Vlorës është një ngjarje e
veçantë që do të shënohet në historinë e kulturës së qytetit, sepse pikërisht,
këtu, në Tempullin e Kulturës vlonjate, ku Anita Bitri shkëlqeu në vitin 1987,
qysh kur qe maturante, vetëm 18 vjeç, sepse e arriti stekën e lartë, aq të
ëndërruar, të kërkuar, të zilishme dhe të admirueshme për kohën të këngëtares
profesioniste të Teatrit të Estradës së Vlorës. Ky përurim ka vlera dhe le
mbresa të pashlyeshme edhe tek ne, artdashësit dhe qytetarët e Vlorës, sespe na
duket sikur Albert Zholi na e ka prurë të gjallë në këtë libër, që për mendimin
tim është nga më të mirët, më të arrirët, ndoshta dhe më të vështirët e këtij
autori, që ka përvojën e derisotme të 22 librave të botuar, 298 të redaktuar
dhe gati unikal në gazetarinë shqiptare si autor i mbi 3800 intervistave, të
cilat përbëjnë shkollë më vete.
Kemi
në dorë një libër të pritur me kohë, të mirëpritur me shumë dëshirë e respekt,
një libër i merituar në formë e në përmbajtje, i shkruar me dashuri e nivel të
lartë nga një shkrimtar i dëgjuar shqiptar si Albert Zholi për një artiste të
njohur shqiptare, si e paharrimta Anita Bitri, e madhe në mirësinë e saj,
fatkeqe me përfundimin fatal të jetës në kub (nëna, vetë dhe e bija)…
Duke
folur edhe me gjuhën e shkencës së bibliotekonomisë, ngaqë ky libër së shpejti
do të regjistrohet në Bibliotekën Kombëtare, libri “Anita Bitri, një meteor
në qiellin e këngës shqiptare” është studim i gjerë e i hollësishëm
shkencor, studim monografik që trajton dy disiplina të shkencave humane:
muzikën me nënndarjet e saj, si çështje/ temë e veçantë, të cilës i është
përkushtuar kantautorja Anita Bitri me ndihmesën e çmuar, të cilën autori e
trajton në mënyrë të hollësishme, që merr karakterin e një monografie dhe
përbën një monografi të mirëfilltë, më shumë se kronikë letrare në klasifikim.
Ky libër vjen dhe si realizim i nivelit më të lartë në fushën shkencore
të diturisë e dijes siç është biografia e personave të shquar shqiptarë,
realizuar për figurën e njohur të kulturës së re artistike Anita Bitri sipas
standardeve nga autori i angazhuar dhe ndershmërisht i perfeksionuar Albert
Zholi. Duke respekuar përcaktuesit e formës, në rrafshin e indeksimit
bibliografik, kjo monografi na vjen si harmonizim korrekt i burimeve letrare,
kronikave, ditareve, intervistave, kujtimeve, paraqitjes biografike të
dritërores meteorike, Anitës sonë, 36 vjeçares së përjetshme, që rendi e rendi
nëpër botë dhe i tha qytetërimit: është Shqipëria është “lule në mes shoqeve”
dhe me muzikë, se ka qenë me Tefta Tashko Koçon e Vaçe Zelën, është me mua e
Aurelën, do të vijojë si stafetë shpirti e arti sa të jetë mosha e kësaj toke.
Vërtet
në këtë vepër vendin kryesor e zë veprimtaria e artistes Anita Bitri në fushën
e muzikologjisë dhe natyrshëm, pa i nënvleftësuar, të dhënat biografike dalin
në plan të dytë, por libri atje nis tek gjenetika, në vitin 1925, kur mes
maleve të lartë të Vetëtimave lindi babai i Anitës, xha Skënderi, një lab tipik
vranshtnjot, djalë idealist, partizan lirie, njeri korrekt, shok besnik, burrë
serioz buzëqeshjekursyer, qytetar model, prind shembullor, ushtarak i
kompletuar dhe i përkushtuar si ai. Libri vijon rezonueshëm në linjë me Hazbie
Ndreçanin, të bijën e Rauf Ndreçanit, përmetarit aq të pasionuar pas muzikës,
që u bë plotmëria e familjes qytetare dhe intelektuale të Skënder Bitrit.
Pikërisht, Vranishti dhe Përmeti janë gjeneza e dinjiteti i talentit të Anitës
sonë, Amazonës së muzikës së re shqiptare në këto hapësira dhe anembanë nëpër
botë. Në ditë me diell e furtunë, në rrjedhat e kohës, Skënderi me të shoqen
nuk u ulën, por udhëtuan denjësisht. U lindi Lulëzimi, u iki një Arben dhe një
Anitë dhe ata përsëri bënë një Arben dhe një Anitë tjetër: Anitën, që shndriti
si meteor e i la gjurmët e yllta qysh herët dhe këtë Arben, që vërtet nuk është
Kostandini i legjendës për Doruntinën, por është vëllai që përmbush një amanet
të merituar përjetësimi në këtë libër të shkëlqyer të Albert Zholit, vlerat
letrare e humane të të cilit lartësohen dukshëm sot. Tek sjell në kujtesë familjen
e Skënder Bitrit, më vjen para syve imazhi i dorës, që po ta mbledhësh bëhet
grusht, po ta hapësh bëhen yje… Ja Anita jonë… por që shkëlqeu shumë, por nuk u
zhduk dhe nuk zhduket asnjëherë, sepse ajo rron në zemrat tona, në kujtesën
tonë, me ndjenjat e dëlira dhe shpirtin e gjerë, me këngët e saj, që ende i
pëlqejmë dhe i duam aq shumë. Edhe pse ka ikur, Anita është. Me këngët e
saj ajo jeton tek ne. Me librin e Albert Zholit ajo u përjetësua në letrat
shqipe, sepse na vjen siç qe, Muzikante me tërë kuptimin e fjalës: këngëtare,
instrumentiste, poete, kantautore, veprimtare shembullore, atdhetare qytetare,
e guximshme, këngëngulëse, luftëtare e paepur e idealeve dhe pasionit të saj
deri në realizim, në përsosmëri.
Anita
ka kënduar dhe na ka lënë shumë këngë të bukura. Ndërkohë portretin e saj e
shoh të ngjizur në trininë gjenetiko-artistike: që kanë vendin e duhur në
organigramën artistike të artistes: 1. kënga bulëzuese, me të cilën shpërtheu
në botën e artit të saj “Hartimi dhe dëbora”, 2. kompozitori Aleksandër
Vezuli i këngës mrekullore “Mos u nxito, mos u gabo” me tekst të Alqi
Bosnjakut, që meritoi çmimin e parë në Koncertin e Pranverës, 1988 dhe 3. Vajza
e vetme. Dritëza e syrit, yllkëza Sibora, e princëruar me buzëqeshjen e saj të
pafajshme, 7 vjeçare, gonxhe paçelur dot…
Kujtoj
se kur dëgjova këngën “Askush s’do ta besojë” gjatë Festivalit të 29-të
të Këngës në Radiotelevizion (24-27.12.1990, që ishte ngjarja kulmore artistike shqiptare e vitit, organizuar ato
netë funddhjetori në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, me pjesëmarrjen e
këngëtarëve të rinj dhe këngëtarëve të afirmuar, pa u shpallur çmimet, thashë
me vete: kjo është kënga! Ky është kompozitori! I madhi, i pashfaqshmi i
talentuar Flamur Shehu. Por edhe mjeshtri vizionar i fjalës së kënduar Jorgo
Papingji, sikur e kishte thurur apostafat për Anitën tonë të artë dhe fatin e
saj të zi tekstin që interpretoi aq bukur këngëtarja e furishme nga Vlora: “Dashurinë
e parë kush nuk e provoi,/ Dhembjen që la pas kush nuk e këndoi./ E
këndoi, e këndoi…/ Ku shkuan fjalët që m’i
thoshe me aq zjarr,/ Ku shkuan lulet që m’i sillje plot vesë/ Ku fluturoi
dashuria jonë e parë,/ Ku shkoi motivi që më zgjonte çdo mëngjes?…”.
Kujtoj se jo vetëm e dëgjova këngën me admirim, por e shijova dhe thashë: Po,
kjo është këngëtarja! Artistja e plotësuar, e talentuar në interpretim, e
kompletuar në arsim dhe kulturë. Modeli, që shumë shpejt fitoi aq shumë
popullaritet, të cilin e gëzon dhe sot e kësaj dite. Synimi i këngës së re,
emancipimit artistik e qytetar të saj - ky është profili i Anita Bitrit që na
sjell Albert Zholi në këtë monografi me një strukturë krejt ndryshe, të
zhdërvjellët, me një gjuhë të thjeshtë, por të lartë shqipe dhe letrare, jashtë
kornizave të lodhura, që të bëjnë ta mbyllësh pa e hapur të ashtuquajturin
libër. Nuk kam ndërmend të bëj recensionin e librit të Adashit, por është një
lartësi e letërsisë biografike në formë dhe në përmbajtje, e ndërtuar me 7
kapituj dhe një bllok fotografik, në fund të tekstit, që na sjell shembëlltyrën
e luleve te kujtimit në përjetësinë e artistes.
Kujtojmë
që vjersha janë thurur për Anita Bitrin e këngë janë qëndisur për të. Libra po
e ndoshta prapë mund të bëhen. Edhe në film dokumentar nëpërmjet shiritit
celuloid, pllakës së tejdukshme apo teknologjisë digjitale na ka ardhur e
riprodhuar me imazh gjigandja e bukur e muzikës sonë. Emri i saj është në një
rrugë kryesore të Vlorës, në qendrën tradicionale, që ajo e deshi aq shumë.
Anita, me talent, përkushtim e sakrifica u njoh në Vlorë e në Tiranë dhe bëri
emër në muzikën shqiptare. U bë një emër kombëtar i muzikës së lehtë. Veçmas
vlerat e saj kulturore-artistike rriten e marrin përmasa të paanë, sepse
labovlonjatja nga Shqipëria e ndërkombëtarizoi muzikën tonë. Vetë realizimi
mrekullor, vlerat që dha dhe suksesi që korri me Albumin “Çdo gjë është e
mundur”, 2004 përtej Atlantikut, në “Tokën e premtuar” janë dëshmi
autentike e kontributit të madh të kësaj këngëtarje magjike në fushën e
muzikës. Kënga që ajo këndonte ishte po aq dinjitoze sa e zonja, sinonim i saj:
e fortë, e shëndetshme, e bukur, energjike, diellore, frymëzuese. Kudo ku i
shkelte këmba, asaj i çelte lule mirësie dhe të elektrizonte, krijonte një
atmosferë bukurisht magjike në fisnikërinë e misionit të lartë të saj
artistiko-atdhetar. Muzikën, zërin, interpretimin Anita i mbushte me pranverë,
me Atdhe dhe me shpirtin e saj shkëlqimtar.
Ndërkohë,
Albert Zholi, mik i afërt dhe i përzemërt me ikonat e letrave shqipe, teatrit
dhe kinematografisë sonë ka botuar shumë libra dhe shumë të mirë në poezi e
prozë (skica, tregime, novela, romane), kritikë letrare, ese, reportazhe e
intervista, po ashtu dhe biografi të mira e shumë të mira kushtuar figurave të
njohura të skenës dhe penës shqiptare, të artit dhe kulturës shqiptare dhe ka
fituar mirënjohjen e lexuesit, duke krijuar edhe dashamirësit e tij të shumtë.
Por, por kur lexova këtë libër të tij me titullin domethënës “Anita Bitri,
një meteor në qiellin e këngës shqiptare”, thashë me vete: Ky është
shkrimtari, zotëruesi i ndershmërisë profesionale në mjeshtërinë e shkrimit. Ky
na vlen, sepse bën libra të mirë, të bukur, të dobishëm, me mesazhe qytetare
artistike dhe atdhetarie. Ky libër është një monument shkronjor i shkruar me
gërma shpirti, dashurie e dhembjeje për atë artiste të madhe, që u bë Fatmire
për lumturinë e të tjerëve, se edhe sot e kësaj dite mbushemi me hojet e
mjaluit të këngëve të pranverta të Anitës. E mira Anitë qe Fatkeqe për vete, se
iku shpejt, pa bërë as një të tretën e jetës fizike dhe vetë e tretë, me mëmën
dhe bijën, por sot na vjen si meteor. Drita e meteortë e Anita Bitrit ngrohtë
zemrat e degëve dhe gjetheve të gjelbra të pemës së shëndetshme së Muzikës
shqiptare! Dritë e mirësi! Na ndrit përherë ANITA!
Pena
flori, jetë të gjatë e të begatë, adash dhe koleg i nderuar, Albert Zholi!
*)
Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko, Vlorë.
Vlorë,
e shtunë, 07.12. 2019