Kulturë
Armela Hysi: Elitat e mohuara... Krenari Kombëtare
E shtune, 07.12.2019, 11:38 AM
“Elitat e mohuara... Krenari Kombëtare”
Nga
Armela Hysi
Në
periudhën të cilën jetojmë, që gjëmon nxitim e qerthullim (pas bishtit tonë,
siç duket kaq qartë shumicën e rasteve, ose pas erës siç thoshte i madhi
biblik, Solomo), gjëja më e vyer që mund të bëjmë me atë pakëz kohën tonë të
lirë, është të zgjedhim miqtë më të dashur, për ta kaluar së bashku. Kështu një
nga më të mirat mundësi për këtë, janë përherë e padyshim, librat. Miqtë më të
çmuar që mund të gjejë njeriu për të gjitha momentet. Kjo s’ka ndryshuar që kur
ata u shpikën, por dihet që në ditët e sotme mundësia për të botuar lirë dhe
shpejtë vendos pa asnjë hezitim kushtin primar të hulumtimit për atë që do
investosh, në vazhdim. Por janë disa libra që s’mjafton thjesht t’i lexosh,
pasi shpesh përmbajtja e tyre ka një tjetër rol dhe predispozicion. Një i tillë
është libri që më ra në dorë kohët e fundit nga shkrimtarja, “Mjeshtre e Madhe”
dhe “Akademike” Vilhelme Vranari Haxhiraj, a siç e thërrasim ne miqtë e saj
lexues, Vivra: “Elitat e mohuara... Krenari Kombëtare”. I mirëvlerësuar si
enciklopedi, ky libër vjen pas rreth 40 botimeve të zhanreve të ndryshme të
shkrimtares vlonjate, që në tre dekadat e fundit ka sjell për lexuesin
shqiptar. “Elitat e mohuara... Krenari Kombëtare” është një studim i Vilhelme
Vranari Haxhiraj për mbi nëntëdhjetë figura të kombit tonë që janë lënë enkas
në harresë në periudhën gjysmëshekullore të diktaturës komuniste, që kaloi
atdheu ynë i përvuajtur, por dhe nuk mund të thuash që tanimë janë ngritur në
piedestalin që u përket. Ky zë i larti e i qartë i Vivrës duke thërritur në
Panteon këta emra, faqe më faqe, është jo vetëm revolta që ajo shpreh të
mishëruar në pothuaj 500 faqet që përmban ky libër me shënimet mbi jetën e
veprën e secilit, por është dhe një vënie e një guri për të ngritur kështjellën
e fortifikimit kundër padrejtësisë që i është bërë jo veç atyre figurave
personalisht, por tërësisht kombit. T’i mohosh figurat e shquara një kombi,
është jo thjesht përçmim, por demagogjia më e rëndë publike që edhe i huaji
pushtues ka për frikë ta bëjë me simbolet, sepse një komb më mirë duhet të japi
jetën sesa simbolet; është përçundimi më tragjik. Personalisht në vitet e
liberalizimit të teknologjisë dhe internetit tek nisa të zbulojë me leximet e
shpeshta dëshmitë e krimeve barbare të kryera në kohën diktatoriale, pyesja pareshtur
veten, si mundet t’ia bëj njeriu-njeriut dhe shqiptari-shqiptarit diçka të
tillë? Por kur harta e kësaj mynxyre nisi të formulojë konture më të qarta,
pyetja u formulua në: Si mund t’ia bësh kombit tënd një gjë të tillë? Pasi
alibia mjerane e politikës dhe ideologjisë në këtë shtrirje, bie krejt dhe nuk
qëndron më. Nuk ka ideologji të pastër që të justifikojë krimet ndaj një kombi.
Është thjesht etja verbuese për pushtet dhe gjak. “Elitat e mohuara... Krenari
kombëtare” nuk është një libër ideologjik, është një përqendrim enciklopedik
me përshkrime të detajeve më të
rëndësishme, të disa prej personaliteteve shqiptare, të cilat njohim pak a dhe
dikush-dikush aspak. Për këtë është një vlerë kombëtare. Cilësova numrin, mbi
nëntëdhjetë figura intelektuale, edhe pse katalogu i pasqyrës së lëndës radhit
nëntëdhjetë emra, emri i nëntëdhjetë e një në këtë listë të elitës së
mohuar është vetë autorja Vilhelme. Edhe
me këtë libër ajo jo vetëm, ka nxjerrë shpirtin prej Nevetes, siç shprehet në
hyrje të librit, për realizimin e tij, me përgjegjësi morale e vullnet ajo ka
sjellë edhe një herë në pah dashurinë e mohuar të sajën, prej diktaturës për
librin dhe dijen, për shkrimin krijues e intelektual. Autorja i ka ndarë në
katër grupime ideore këto elita, që përfshijnë: Elitat e vlerësuara, por të
para nën dritën klasore e ideologjike; Individualitete të vlerësuar nga shtete
të tjerë ku ata ndërtuan veprën e tyre; Elitat e mohuara dhe Personalitete të
shquara që jetojnë e punojnë sot në atdhe apo emigracion, që japin vlera të
veçanta. Thash më sipër dhe theksoj se ky libër, nga Shtëpia Botuese Nacional,
me redaktore zonjën Lejla Gorishti dhe parathënie mësuesin e historisë dhe
analistin letrar z. Kadri Tarelli, nuk mund të jetë thjesht për një lexim nga
ana jonë, por është një libër që duhet të përmbahet në bibliotekat e familjeve
shqiptare dhe të prezantohen me të fëmijë e të rinj. Kështu këta do të ndjejnë
se njerëzit e shquar të kombit tonë kanë ecur edhe mbi vështirësi, edhe mbi
mohim, por kanë dalë të ndërtojnë vepër që i nderon ata dhe tërë sa iu
përkasin, familjes, qyteteve të tyre, kombit, e gjinisë njerëzore. Sepse
njerëzit, secili nga ne, i përkasim përveç vetes edhe kësaj ideje hallkash
shoqërore. Ndërgjegjësimi është peshë dhe rëndësi njëherazi për secilin. Kjo
dije, dhe kjo frymë, do të sjellë dhe mendësi më të emancipuar, por dhe më
largpamësi tek fëmijët. Duke i njohur me njerëz të shquar e arritjet e tyre, u
kemi treguar rrugën ku duam ne të ecin fëmijët tanë. Përndryshe është rruga e
zhargoni i saj ajo që do u tregojë ku e si do të ecin, fëmijët tanë; po nuk e
bëmë ne këtë rol me koshiencë dhe nëpërmjet librit e kulturimit të tyre. Në
këto ditë zije që po kalon kombi ynë, tek afrojnë festat e fundvitit, një libër
i tillë, është dhurata më e mirë që mund t’u bëjmë fëmijëve tanë për t’i
sensabilizuar që atdheu jemi ne njerëzit e tij dhe zemrat tona të bashkuara.