Kulturë
Kalosh Çeliku: Kur gjaku dhe shpirti qarkullojnë në damarët e poezisë
E merkure, 04.12.2019, 08:30 PM
GJAKU DHE SHPIRTI KUR QARKULLOJNË NË DAMARËT E POEZISË
(Rexhep
Bajrami: ZEZËJETA, botoi Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar - Shkup, 2019).
NGA
KALOSH ÇELIKU
Në këtë kohë shterpë, kur të gjithë shkruajnë poezi e
kemi shumë pak poetë, vështirë mund të të bie diçka e bukur në dorë. E them
këtë se, shumica e shqiptarëve me këmbëngulje dëshirojnë të gjithë të bëhen
poetë. E dhunojnë letrën e bardhë me parulla të thata, përshkrime të kota e
patetikë “artistike” kombëtare. Gjakun për liri e kanë derdhur fushave e maleve
deri në gju. E vrasin shkaun me poezi patetike. I këndojnë gjuhës shqipe.
Flamurit. Skënderbeut. Besës. E harrojnë se një popull që i këndon aq shumë
besës dhe trimërisë, atë nuk e ka në jetë.
Historia është dëshmitare, dhe siç duket popullit
shqiptar po i përsëritet historia. Gjithmonë për liri ka qenë i vonuar me
shekuj: Turqia kur e humbte luftën edhe në Stamboll, populli shqiptar me armë
në dorë kërkonte Baba Dovletin. Gjermania humbte luftën në Berlin, shqiptarët
në malet e Zajazit ende e vazhdonin luftën. Komunizmi humbte në Rusi, studentët
shqiptar në demonstrata dilnin rrugëve të Prishtinës me fotografinë e Shokut
Tito në ballë (1981)?!
Dhe, siç duket edhe kësaj radhe jemi të vonuar për në
Evropë. E pse të mos e themi se jemi të vonuar edhe në poezi. Një popull
gjithmonë i këndon asaj që nuk e ka, i mungon me vite. Në këtë rastë Lirisë.
Vetëm se, aq shumë i kemi kënduar me parulla të thata patetike pa gjak e
shpirt, sa që në këtë kohë duhet ta vjellim me gjithë zorrë. Gishtat t’i fusim në gojë, t’i
nxjerrim jashtë edhe mushkëritë.
Skënderbeu po të ishte gjallë, vetë me shpatën namëmadhe
me një të rame shumë politikanëve dhe poetëve patetik në Tiranë, Prishtinë e
Shkup do t’ua hudhte kokën para këmbëve të Kalit si kunguj Stambolli. Mjaftë më
u tallët me mua, më kënduat nëpër manifestime kulturore, revista letrare e
libra. Ju nuk jeni poetë, po hadumë. Partizanë të partive politike në pushtet. Thyeni
qafën nëpër parti politike dhe u këndoni atyre “burrave” mejdani, i hipni po të
doni edhe në kalë të bardhë me një këmbë të thyer nëpër stadiume sportive, siç
i keni hipur gjithmonë para zgjedhjeve parlamentare. Luftë për pushtet. Vetëm
nga unë ikni sa më largë, nuk dua të më shkruani poezi, nuk dua të më këndoni
këngë patriotike me çifteli.
Dhe, në këto beteja të përgjakshme me penë, pak poetë ia
arrinë qëllimit, ulen këmbëkryq në letër. Një poet i tillë është Rexhep
Bajrami. I këndon Atdheut. Lirisë. Dashurisë. Po, jo siç këndon ushtria e
poetëve patetik nëpër instikame partiake plot gjak në prag të zgjedhjeve lokale
dhe parlamentare: Pushkë. Topa. “Bomba” politike. Poezia e këtij poeti në
damarë ka gjak dhe shpirt. Ose: ky poet në poezitë e tia gjakon patriotizmin me
dashurinë. Herë pas here mes këtyre vargjeve e ngre zërin e poetit kryengritës për
liri:
Udhëkryqeve
të botës
jeta
na braktisi.
Na
u thanë kujtimet
si
degët e një lisi...
(Borë
në zemër f. 108)
Vargu, poetit nuk i ka mbetur në fyt. Nuk e ngulfat
veten, po as edhe lexuesin. Muza e tij nuk është Partia Politike, prijësi me
kalë të bardhë me një këmbë të thyer, që e shalon nëpër stadiume sportive para
fushatave të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare, po Mikja me dy shtamba verë
nën Rrap. Hëna që është ulë si një Zanë Mali në një degë. E merr në prehër, i
jep gji. Fuqi për luftë. Shtatë sahat larg ta flukë vargun:
E
nemitur seç po rrinte
nuk
e di cilin ajo priste?!
Kur
e pashë në errësirë.
Thashë:
është Hënë, apo yll...
(Thashë:
është Hënë f. 67)
Dhe, në fund, poezia që ka gjak dhe shpirt nëpër damarë,
është poezia e Ditës së Nesërme. Parullat e thata plot shterëzime e patetikë
kombëtare, pa një pikë gjak do të vdesin rrugës. Nuk do të ketë njeri t’i shti
as në arkivol, t’u hudhë një grusht dhe mbi varr. E ku më të ngjiten dhiareve
për në Baba Tomor. Atdheun e Perëndive. Tyrben ku pihet vera, shkruhet poezia.
Dhe, bëhet dashuri...