E marte, 16.04.2024, 02:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi osmani: Fundi i lumtur përskaj rrugës së varrezës

E diele, 15.12.2019, 11:47 AM


FUNDI I LUMTUR PËRSKAJ RRUGËS SË VARREZËS

Refleksione për romanin ”Përsëri mars”

Nga Prof. Dr. Resmi osmani

Shkrimtarja dhe poetja Albina Idrizi, pati mirësinë që romanin “Përsëri Mars”të ma postonte në dorëshkrim, për ta shqyrtuar. E shqyrtova me kujdesin që kërkon besimi i një kolegeje dhe përveç vlerësimit tërësor, dhashë edhe ca mendime për përmirësim. Autorja  reflektoi për to dhe gjej rastin ta falenderoj. Kam qënë nga të parët që e lexova, por besoj jo i fundit për të shprehur për të disa mendime.

Romani, pas botimit, pati promovime dhe u paraqit edhe në panairin e librit, në Gjermani dhe  Tiranë. Nga sa lexojmë, është pritur mirë nga lexuesi dhe kritika.Na vjen mirë. Për të kanë bërë vlerësime kritike pena autoritare: Prof dr.Fatmir Terziu, Dr. Bardhyl Maliqi , Timo Mërkuri, Albert Vataj, Kostandin Vogli, si dhe lexues në portalet elektronike, që pas leximit, kanë vënë në dukje vlerat dhe veçantitë dalluese. Gjithsa është thënë, besoj se nuk është ende  shterruese dhe se një vepër letrare e arrirë, ka gjithmonë hapsira për t’u ndalur dhe tërhequr vemendjen e lexuesit, apo studjuesit, për atë që autori-autorja, e ka thënë , apo si e ka thënë dhe shumëçka na e ka lënë midis rreshtave që ta zbulojmë.

“Përsëri Mars”, është roman fiksion, i zgjedhur nga autorja për të paraqitur nëpërmjet artit të rrëfimit, pikpamje, gjykime, e këndvështrime  filozofike ekzistenciale për jetën, fatin e jetëve njerëzore në zgrip social, shpresëhumbura, të ditëve tona, në kushtet e amullta e të zymta që  pasuan vitet e  pasluftës në vendin e saj, në një qytet, që s’na e thotë kush është e ku është, por që nuk është një qytet fantazmë. Ai ka jetën e tij,  një jetë  gati të mbyllur, të vetmuar e të kufizuar, mënjanë zhvillimeve dhe qytetarisë, pa horizonte të hapura. Zymtësia, ngecja në batakun e përditshmërisë së njëtrajtshme  dhe mos dukja në horizont e nje të ardhmeje, si në fundin e një pusi, pa të mirë e siguri, bëhet shkak që në këtë shtrat lëngate, të shfaqet në psiqikën e njerëzve psikoza  e vdekjes dhe dilema hamletiane: të rrosh a të mos rrosh.

Këtu e vlen të ndalemi sepse është indi mbi të cilin është thurur romani. Cilat janë raportet e njerëzore me jetën dhe vdekjen, ç’është vdekja, si përjetohet ajo nga subkoshienca vetjake apo nga kolektiviteti? Jeta dhe vdekja si dy të kundërta, bashkjetojnë brenda njera tjetrës. Kushdo që lindet edhe do të vdesë. Hija e saj e ndjek hap pas hapi. Segmenti hapsinor që lidh këto dy dukuri biologjike, është jeta e gjithkujt, me gjithë bëmat, arritjet, gëzimet e pësimet, mëkatet, pasurinë dhe varfërinë, të cilën si fund i paracaktuar e ndërpret vdekja. Dihet. Vdekja nuk ka as radhë as moshë. E pritshme por e frikshme. Ajo është fundi i udhës së udhëtarit, shpëtimi i tij nga barra e jetës. Për të shumtët pas saj vjen harresa. Gjithë besimet fetare, që nga zanafilla, e përgatisin besimtarin që ta presë fundin e tij si vullnet të providencës me misticizëm dhe fatalitet, dhe ndërkaq i premtojnë për shpirtin, si një vazhdimësi, parajsën ngazëllyese, por edhe ferrin e tmerrshëm. Mbi këta dy element ngrihet ndërtesa e filozofisë dhe moralit të besimit. Lindja pritet me gëzim. Vdekja, për ata që mbeten, përcillet si gjëmë, por ka gjithsesi edhe ngushëllimin për t’a përcjellë: “Zoti i ndjeftë të vdekurit”, “Pushoftë në paqe”, “Qoftë i Xhenetit-Parajsës”,”Bëni durim, Zoti ua lehtësoftë dhimbjen”  etj.

Albina Idrizi,  sjell një risi. Ajo ngre në art hiperbolën e kultit  të vdekjes, para se ajo të trokasë, që në gjallje të personazheve, duke u mbështetur në një traditë vijuese të vjetër sa vetë njerëzimi. Varret monumentale të piramidave të faraonëve egjiptas të lashtë që i ndërtonin që në gjallje të tyre, edhe ndër Ilirët ishte kulti i varreve monumentale, si ai që gjendet në Selckë të Pogradecit, në veri të vendit ngriheshin muranat kudo që vritej një trim. Ndërtimi i varreve që ne të gjallë të vdektarit, ishte praktikë e njohur. Papa Julius II (1443-1513), angazhoi Mikelanxhelon t’i ngrinte varrin monumental brenda mureve te Vatikanit, pjesë e të cilit është monumenti madhështor i Moisiut. Çuditërisht, njerëz në pleqëri të thellë, instiktivisht e parandjenin vdekjen dhe përgatiteshin me një qëndrim mistik e fatalist, të qetë, në pritje të saj. Për sa di, në Çamëri dhe Labëri, të moshuarat dhe të moshuarit, bënin gati rrobet dhe qefinin për “në atë botë” dhe i vendosnin në sepete, linin mënjanë shpenzimet e varrimit, bile edhe kafen dhe sheqerin për ditët e kësodhit (kryeshëndoshjes), dhe porosi për vendin e varrosjes. Linin amanetet dhe iknin shpirtërisht të qetë, për t’u bashkuar, siç thuhet në librat e shenjtë,” me të parët dhe të afërmit e tyre!”

Vdekja, varrimi. Blerja e tokës së varrit, ka qënë zakon që në lashtësi. Patriarku Abraham(lindur në 2161 para krishtit), sipas Biblës, kur i vdiq e shoqja, Sara, e bleu truallin 400 monedha argjendi, në Hebron, ku e varrosi të shoqen e më pas, kur vdiq e varrosën edhe atë. Edhe në kohët moderne, Faik Konica, la shpenzimet e varrimit edhe për blerjen e truallit të varrit në Shqipëri. Në ditët tona varrimi dhe varri, janë bërë biznese të vërteta dhe me konkurencë midis agjensive të shërbesave  mortore varrndërtuesve, dhe varrezat, janë të mbushura me qivuret e mermerta të kostueshme ku s’mungojnë edhe statujat apo zbukurimet në mermer e bronz me figura ëngjëjsh. Janë të shpeshta rastet,  kur që në gjallje, blihet trualli i varrit vetjak dhe familjar,thuret me kangjela dhe prêt të vdekurit e tij!.

Nga gjithë sa parashtruam, trajtimi i vdekjes dhe biznesit të varreve ,nga autorja, në atë qytet, ku gjallojnë personazhe në zgrip të ekzistencës, varfërisë dhe vuajtjeve shpirtërore të rrjedhura nga mjedisi social, apo edhe të tjerë nga deliri i madhështisë dhe kërkimi  i lavdisë, edhe pas vdekjes, kujtohen edhe për vdekjen.Trajtimi i këtij motivi, sido në dukje paradoksal, e në pamje të parë disi i çuditshëm, është i gjetur dhe i përligjur nga autorja, për atë që do të thojë dhe mesazhin që dëshiron të përcjellë. Në roman, aty nga faqia 63, na sillet si një dukuri tragjikomike, gati rastësore,  nga shfaqia fillestare, kur kryetari i komunës, dërgon te Gëzimi, pronar i krastës, dy nëpunës të vetët, që të bëjnë blerjen e parë të vendvarrit në pronën e tij, në krye të krastës, një djerrinë e pjerrët, përball qytetit, ku gjenden varret e dëshmorëve të luftës. E, pak e nga pak,blerja e vedvarrit, shndrrohet në psikozë kolektive, si një epidemi dhe garë ku përfshihen gjith qytetarët e atij qyteti, që nga pasunarët e deri te skamnorët, që nguten se mos zihen vendet, ku askush nuk dëshiron të mbetet pas. Krijohet kesisoj hierarkia e varrezës, me kulm e bazë piramidale, si një pasqyrë, me ndarje zbritëse nga kreu deri në bazë, sipas gjendjes shoqërore dhe shtresëzimit social.Të rëndësishmit, pasunarët, në krye, ata të shtresës së mesme, pastaj skamnorët. Ndarje në të gjallë e ndarje për së vdekuri.  Absurdi vazhdon. Angazhohen arkitektë dhe ndërtues.Varri i kryetarit është madhështor, si një mauzole.Varreve u jepet ajo formë që pronarët e tyre dëshirojnë që ta lënë si një dëshmi të qënësisë së tyre pas vdekjes: si kitarë, si një libër i hapur, si një tufë tulipanë, me logon e biznesit.Marsi kthehet në maratonën e varreve.Brenda muait krasta thuajse mbushet me varre. Qyteti ka dy pole: në krye varrezën e bardhë luksoze të krastës, ku zhvendosen edhe një pjesë e veprimtarive,dhe vëmendjes së banorëve të qytetit:gati boshatiset sheshi qëndror dhe bien veprimtaritë tregtare. Kurse në jug varreza e vjetër e rrënuar dhe thuajse e braktisur. Midis këtyre dy poleve që e shtypin me zymtësinë dhe delirin e tyre, qyteti vijon jetën, ngjajnë zhvillime, dashuri, fejesa e martesa të pritshme dhe rutina e përditshme për sigurimin e jetesës, me ditë që mezi shtyhen. Në lagjen e skamnorëve,ku jeton varrmihësi Meti, varfëri, pisllëk, ndyrësi e sëmundje. Personazhet japin e marrin me njeri-tjetrin, zhgënjehen dhe humbin shpresat, është një lëvizje haluçinante si në boshllëk.

Varret e hapur, që në dukje nuk përbëjnë shqetësim dhe merren me sportivitet, në të vërtetë janë të kobshme e fatkeqësi ndjellëse. Kërkojnë edhe viktimat e tyre dhe ato nuk vonojnë. Vdekja mund të vijë natyrshëm, por edhe nga vetvrasja. Ngjan që gjithkush, i ndodhur në vuajtje dhe gjëndje të rënduara e të padurueshme shpirtërore, thërret vetiu: ”O vdekje, ku je, pse s’më merr!”, duke e parë si shpëtim.E thonë, por pak janë ata që e dëshirojnë. Në roman ka dy vetëvrasje. Morali nuk i pranon vetvrasjet, por kur ndodhin ,është fakt i kryer. Motivet janë të ndryshme. Vështirë të hetueshme tërësisht,vështirë të hyhet në labirintet e errëta, misterioze, të mendjeve njerëzore.

Ajo e Fatës, vjen si fund i gjëndjes së së saj të padurueshme e të pashpresë, dashuri humbur, me një fëmijë pa baba,rritjes së të cilës i ka kushtuar jetën duke duruar edhe poshtërimet nga bashkjetesa e neveritshme me Limin e pështirë, që i ngjall krupë e neveri. E sheh veten pa rrugëzgjidhje për të qënë e sigurtë dhe e pavarur në jetë. Gjithkund zi. A mund të jetohet jeta në ankth, si një makth?Për të, më mirë vdekje e njëhershme sesa një vdekje e ngadaltë si një tmerr pa fund. Jep frymën e fundit e vetvrarë, në varrin e ndërtuar për të.

Vetvrasja e Agimit, është ana tjetër e medaljes. Parandjen dashurinë e humbur të Ledës, por më së shumti është e motivuar nga egoizmi i një arrivisti, për të qënë më i rëndësishmi, i pari mbi të parët, që s’duron humbje, për të qënë më i vlerësuari, në gjallje dhe vdekje, por që s’e arrin dot,i pa përfillur në dashuri, i mundur politikisht, ai ngutet para vdekjes së kryetarit(që s’ka për të vdekur) për të zënë edhe midis varreve kreun e vëndit. Fundi i një karrieristi dhe lakmitari të pandreqshëm.Motivin e shfaq hapur në një letër,të lënë për Gëzimin, ku kërkon vendvarrin e kryetarit.

Por, në varreza, perveç vdekjes ka dhe kthim në jetë, si një antitezë, si veprim dialektik i unitetit dhje luftës së të kundërtave, lidhjeve jetë-vdekje. Kjo ndodh me Erën, bijën e Met varrmihësit, që e paralizuar, pas vizitave në varrin që po ndërtohej për të, nuk sheh në të vdekjen, por jetën që ia ushqejnë prindërit dhe Gëzimi. Duket se e marrin në krahët e tyre fluturat e mermerta gdhendur mbi mermerin e varrit, që  i do aq shumë dhe ajo dora- dorës pson metamorfozë, çelet si lule,  bëhet mirë dhe i kthehet jetës. Jo çdo e keqe vjen për keq dhe jo çdo e mirë vjen për mirë.

Ngjarjet e romanit nisin në fillim marsi dhe mbyllen në fund të këtij muaji. Marsi është muaji i parë i pranverës, simbol i përtëritjes së natyrës dhe jetës. Faqet e fundit të romanit janë si një epilog poetik e dashuror, plot dritë, për triumfin dhe vazhdimësinë e jetës mbi vdekjen. “Je pyetur ndonjëherë, pse qielli duket gjithmonë i bukur?”Jo thjesht “Për një fund të lumtur”, por autorja ia jep lexuesit si shprehje logjike e zhvillimit të ngjarjeve, daljen nga absurdi e zymtësia në jetën e vërtetë. Gëzimi dhe Lida, të dashuruar që për së vogli e të rritur bashkë , pas shgënjimeve, gjejnë njeri-tjetrin.Të zënë për dore, ecin përskaj rrugës së varrezave. E lenë pas krahëve atë. Ajo është e shkuara. Dalin në pjesën e prasme. Aty është e ardhmja. Boll më me varre! Aty vendosin të ndërtojnë shtëpinë e ëndërrave të tyre. Imazhi i Lidës, me një oborr të mbushur me vogëlushë, Gëzimë të vegjël, simbolizon  vazhdimësinë e jetës dhe triumfin e saj mbi vdekjen.

Besoj, që lexuesi, e pret  dhe e pranon këtë fund.

Tiranë, më 12.11. 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora