Kulturë
Fran Gjoka: Aktualiteti përmes ngjarjesh jetësore
E merkure, 18.12.2019, 09:35 PM
Aktualiteti përmes ngjarjesh jetësore
-Rreth
vëllimit me tregime “Legjenda e
dashurisë së përjetshme” të shkrimtarit Hektor Veshi-
Nga
Fran GJOKA
Hapja
e panairit të librit në Tiranë përbën një ngjarje me shumë vlera për krijuesit
tanë, sepse ata veçse reklamojnë veprat e tyre, shfrytëzojnë rastin të takohen
dhe të shkëmbejnë mendime dhe përvoja me njëri – tjetrin. Në një nga këto ditë,
duke vizituar panairin, takova një mikun tim të vjetër, prof. dr. Hektor
Veshin, i cili mbetet një nga figurat e shquara të gazetarisë shqiptare,
mjeshtër i artit pedagogjik, por dhe një shkrimtar i spikatur dhe i talentuar.
Kam
kujtime të bukura me këtë personalitet të kulturës dhe letërsisë, jo vetëm në
profesionin e gazetarit ku kemi kontribuar së bashku mbi mbi 30 vjet, por
veçanërisht në fushën pasionante të gazetarisë. Jemi njohur vite të shkuara në
redaksinë e Gazetës “Mësuesi”, gazetë me peshë në fushën e edukimit dhe të
didaktikës, e cila vinte në lëvizje dhe nxiste dashuri ndaj arsimit dhe
pedagogjisë, ndihmonte mësuesit e rinj
në procesin e mësimdhënies, çonte përpara vlerat e arsimit shqip, por që, tani,
ajo gazetë i mbetet kohës së shkuar, padrejtësisht ajo nuk ekziston më.
Hektor
Veshi, shkrimtari, gazetari dhe metodisti i pasionuar, vinte nga qyteti i Sarandës, ku kishte dhënë një
kontribut të shquar në fushën e mësimdhënies, ndërsa tani do të kontribuonte edhe në fushën e
metodologjisë së mësimdhënies dhe të gazetarisë pedagogjike. Bashkërisht
shkruanim dendur, trajtonim me passion probleme të arsimit dhe të edukimit, por
Hektori paraqitej shpesh herë përpara lexuesit edhe me tregime nga jeta e
përditshme. E pata njohur mirë mikun tim të vjetër, e ndjeja ngrohtësinë,
urtësinë, sinqeritetin dhe dorën e tij të ngrohtë.
Sot,
edhe pse i ka kaluar 77 vite, prof. Hektori është ende energjik,pasionant dhe i
shkathët. E admiroja atëherë për cilësitë e tij njerzore dhe talentin, për
mendimet dhe gjykimet e thella që jepte në fushën e mësimdhënies, pasi për rret
25 vjet rresht pati punuar në Institutin e Studimeve Pedagogjike, në fushën e
metodologjisë së mësimdhënies, ndërkohë që e admiroja edhe si krijues dhe
gazetar. Por, e admiroj këtë njeri edhe sot, pasi është po ai studiues dhe
intelektual i mirë që rrezaton vlera të rralla dhe talent të spikatur.Është po
Ai njeri i dashur dhe miqësor. E shohë me respekt, e takoj me përzemërsi, teksa
gjithnjë sjellë ndërmend tipin dhe natyrën tij fisnike të njeriut me zemër të madhe dhe shpirt të gjerë.
Hektori
punon pareshtur, modest dhe gjithnjë me fjalën e ngrohtë dhe buzën në gaz,
gjithnjë ky njeri ofron mirësi dhe dashuri njerëzore, art dhe talent.
Jeta
reale është subjekti i gjerë i krijimtarisë së tij, ku ai di të ndalet dhe të
qëmtojë realitete, problematika, tipa dhe karaktere njerëzish, ku portretizon
dhe skalit me penën e tij të artë
bukuri, dhe kolor të natyrës dhe të shpirtit, bukuri jete, teksa godet si me
një shtizë të hollë negativitete të kohës dhe shfaqje të papërshtatshme të
njeriut me vese, duke u përpjekur gjithnjë që ashtu si mjeku i mirë t`i
shërbejë në radhë të parë parandalimit të së keqes dhe shërimit të saj të
plotë, që shoqëria të jetë e pastër dhe e dëlirë, që ajo të mos vuaj, por,
gjithkush të jetojë jetën dhe të gjej vendin që meriton, duke u trajtuar në
radhë të parë si njëri.
Prof.
Hektori ka shkruar shumë dhe vazhdon të shkruaj shumë. Janë të njohur në
pasaportën e tij krijuese librat:
“Blerim dhe brengë”, “Derte divorci”, “Përballë gjakmarrjes”, “Zjarri pa prush
e guna pa push”. Këto dhe të tjera janë pritur ngrohtë nga lexuesi, shpesh ato
komentohen dhe vlerësohen, por edhe ndihmojnë jetën dhe njerëzit. Kështu ndodh
gjithnjë me prof.Hektorin, edhe kësaj here kur mua më ra në dorë libri i tij më
i ri “Legjenda e dashurisë së përjetëshme”, një vepër me vlera që përmban rreth
25 tregime me temë shoqërore, mbështetur në realitetin e sotëm.
Janë
tregime me vlera të pashmangëshme emocionale dhe të arrira artistikisht, teksa
i gjithë libri, është i kompletuar, me subjekte ngjarjesh nga jeta e
përditshme, ndodhur në kohë dhe situata të ndryshme. Tregimet kanë fabula të
thjeshta, përshkruajnë ngjarje të epokës sonë në vitet e tranzicionit. Treguar
me kujdes, me gjuhë të thjeshtë, të bukur, mjeshtërisht artistike, duke ruajtur
me kujdes raportet artistike formë – përmbajtje, tregimet janë tërheqëse dhe të
bëjnë që, si pakuptuar të mos e lëshosh librin pa e lexuar deri në fund dhe pa
medituar për to dhe përmbajtjen, teksa në përfytyrim, të shfaqen karaktere dhe
tipa artistik të përshkruar me aq bukuri e gjallëri nga autori.
Duke
përdorur larmi figurash shprehëse dhe emocionale shkrimtari ka arritur të
realizojë në veprën e tij personazhe të tërheqës që mbeten gjatë ne mendjen e
lexuesit. Ngjarjet janë të thjeshta, konçize, pa teprime, por kanë vlera të
rëndësishme jo vetëm njohëse, por artistike e sidomos edukative. Subjektet e
tregimeve janë përshkruar në përputhje me vendin dhe kohën kur kanë ndodhur.
Sado e thjeshtë dhe e shkurtër të jetë një fabul, në penën e shkrimtarit Hektor
Veshi, krijohet një ngjarje, krijohet një dramë interesante shoqërore.
Ne
si lexues e njohim Hektor Veshin si shkrimtar të formuar dhe me pasuri veprash
që në rininë e hershme në organe shtypi si:
“Mësuesi”, “Temp”, “Ndryshe”, “Telegraf” dhe “Labëria”. Ai e njeh mirë
ambientin shoqëror, personazhet e tij shpesh herë janë realë, ai i njeh ata deri në detajë,
ndërkohë që arrin në përgjithësime artistike të tipave dhe karaktereve të tyre,
duke i shfaqur ata, jo si manekin, por realisht dhe me origjinalitetin e gjithsecilit.Lexuesi i ndjen personazhet e
Hektor Veshit edhe kur flasin e shprehin mendime, ide, dëshira, kur dialogojnë
dhe shfaqin gjendje të ndryshme shpirtërore dhe emocionale, ata janë personazhe
të gjallë, realë dhe të vërtetë, ndaj lexuesi nuk ndahet kollaj prej tyre, ata
i kujtohen herë pas here duke zgjuar meditime dhe vlera, por dhe i japin
lexuesit kënaqësi estetike.
Tregimet
e shkrimtarit Hektor Veshi janë të realizuara artistikisht, janë shkruar
thjeshtë dhe bukur, mbi bazën e fakteve jetuara dhe të skeduara gjatë jetës. Në
periudha të caktuara dhe pozicione të ndryshme shoqërore, në disa tregime
autori përshkruan jetën e të vegjëlve, pasi njeh mirë mentalitetin dhe
psikologjinë e tyre, kërkesat dhe dëshirat e fëmijëve, të cilët mësojnë nga
jeta përmes tregimeve të më të rriturve. Tek tregimi “Tutela”, autori
parashtron para lexuesit kujdesin që duhet treguar në trajtimin dhe edukimin e
fëmijëve, veçanerisht të vajzave, të cilat janë shpesh herë të paragjykuara nga
ambienti shoqërorë. Mendimet patriarkale të babait Bardhyl, i cili ishte edhe
kuadër, bënë që vajza e re të përfundonte në një invalide duke humbur kështu
çdo shpresë për jetën. Vetëm një shoqëri e shëndoshë, në një edukim me norma
mund të formojë rininë dhe njeriun e sotëm me norma të moralit njerzorë. Tek
tregimi “Vila me parket rrëshqitës”, drejtor Fetiu, pasi ka bërë për vete
punonjësen Tina, kërkon ta vërë kundër kolektivit, madje të shpifë lloji –
lloji situatash të pakëndëshme për të pushuar nga pua punonjësit që nuk i
shkojnë për shtatë, ashtu siç ndodh rëndom në shoqërinë dhe kolektivet e sotme
punonjëse. Ky është një mësim i mirë nga një personazh me eksperiencë jetësore,
përvoja e të cilit duhet kritikuar, pasi makinacionet që tjerrë, janë të
dëmshëm për shoqërinë.
Hektor
Veshi dallohet për larmi të motiveve dhe tematikave letrare. Problematikat
sociale që sjell para lexuesit autori, janë të ndryshme dhe të zakonshme në
jetën e individit. Të tërheq vëmendjen tregimi “Kokrra e misrit dhuratë, apo
shuplakë”, ku analizon, jo pa emocion sjelljen brutale të disa prej mjekëve në
ditët e sotme, të cilët zhvillimi i parakohshëm kapitalist i ka orientuar drejt
fitimit. Në këto kushte, mjeku nuk pranon të vizitojë një fëmi të cilit i
kishte mbetyr në grykë një kokërr misri, pa i dhënë vlerën e kërkuar, megjithse
fëmia ishte në gjendje të rëndë. Mirësia e babait bëri që fëmia të shpëtonte pa
pasur nevojën e tij, por këtë do ta kuptonte mjeku, vetëm kur ta provonte vetë
një tragjedi të tillë, pak ditë më vonë, prandaj autori stigmatizon faktin se
në shoqërinë ë sotme duhet të veprohet në bazë të normavë humanitare dhe
njerëzore.
E ndërsa po hidhja në letër këto mendime, një ngjarje e rëndë tronditi vendin tonë. Një tërmat 6.4 ballësh rrafshoi disa banesa në Durrës, Krujë, dhe Lezhë. Nisur nga ndjenja humanitare që ka karakterizuar gjithnjë popullin tonë, të kuontribojmë për të lehtësuar sadopak plagët e rënda që shkaktojë kjo fatkeqësi e natyrës. Çështjen e humanizmit autori e ngre edhe tek tregimi “Gurë stolie i bujarisë”, ku në qendër të tregimit janë dy nëna pensioniste, shoqe të ngushta, të cilat mendojnë për njëra – tjetrën dhe jetojnë me hallet dhe shqetësimet e njëra – tjetrës. Nënë Sabria, një grua me zemër të madhe, megjithse e varfër, i fal paratë e sapomarra nga pensioni i saj Nënë Terezinës, për të zgjidhur një problem të rëndësishëm familjar. Është veçori dalluese gjërësia dhe thellësia e perceptimit real të epokës kur kemi jetuar dhe jetojmë.
Tematikat
e tregimeve të këtij vëllimi tërheqin vëmendjen për problematika të
rëndësishme, ngjizur dhe ngjarje dhe ndodhi të kohës, përmes të cilave autori
synon të depërtojë në ndërgjegjen, shpesh herë të sëmurë të individëve të
veçantë të shoqërisë sonë dhe që përbëjnë thelbin e ngjarjeve. Tregime të tilla
si “Burri i katërt”, “Kujtim e vegim”,
“Zmbrapsja e agonisë”, “Ndershmëri krenare”, “Përmes ferrit”, të cilët
ndërtohen në subjekt nga ngjarje reale janë tregime të bukura, tërheqëse dhe me
vlera edukative e shoqërore. Duhet theksuar se, me veprën e tij “Legjenda e
dashurisë së përjetëshme”, autori Hektor Veshi, kontribuon realisht në
pasurimin e letërsisë sonë, duke trajtuar çështje të rëndësishme sociale dhe
probleme jetësore që prokupojnë individin dhe shoqërinë tonë.