Kulturë
Fatmir Halimi: Mevlyde Mezini Saraçi - Buzëqeshje e përvajshme
E marte, 17.12.2019, 09:00 PM
VËSHTRIM PËR VËLLIMIN POETIKT “BUZËQESHJE E PËRVAJSHME” TË SHKRIMTARES MEVLYDE MEZINI SARAÇI
Nga Mr.sc.
Fatmir Halimi
Poetja Mevlyde Mezini Saraçi është një ndër
krijueset më serioze të letërsisë sonë, e cila para lexuesve me veprat e saja
letrare ka filluar të paraqitet qysh nga paslufta e këndej. Ajo është aktive në
jetën kulturore-letrare dhe organizatore e pjesëmarrëse në shumë aktivitete
letrare, e që për këto vite ka botuar më se njëzet libra, siç janë: “Sytë e Pranverës”, 2000, “Ndoshta më s’ka
kuptim” , “Kur jeta duhej jetuar” 2003,
“Çelësi është diku larg”, “Ditëlindja e nënës”, dramë për fëmijë, “Jeta është e pamatur” Përkushtime, “Murana”
roman, “Lot i zemrës“ Poezi, “Simfoni
jete”, Poezi, “Oazat e shpirtit” dhe po
këtë vit sjell vëllimin poetik “Buzëqeshje e përvajshme“.
Vëllimi poetik “Buzëqeshje e përvajshme“, nga
autorja është konceptuar në dy cikle si
Etje dhe Përkushtime. Te cikli i parë Etje poezitë
janë me tema dhe motive të ndryshme, që përmes tyre autorja shpreh fuqinë e
fjalës krijuese, letrare e artistike, e cila fuqi bën që poezia e saj të marrë
konatacione të ndryshme dhe lë mundësi të shumta interpretimi. Prandaj, mund të
themi se përmes fuqisë së fjalës krijuese autorja nganjëherë i vë në thumb të
kritikës pushtetarët, e nganjëherë edhe satirizon me vese dhe dukuri negative
të shoqërisë.
Kurse, të cikli
përkushtime vlen të theksohet se autorja përmes vargjeve shumë ndjeshëm i
portretizon figurat e heronjve e të dëshmorëve të kombit tonë, duke filluar me
Gjergj Kastriotin, Adem Jasharin, Jusuf Gervallën e të tjerë, ku vargu i saj sjell një kuptim
më të gjerë, më imagjinativ dhe më sensual, pasi që poezitë janë ndërtuar me
plot figura e trope stilistike, te të cilat mbretërojnë metafora dhe metonimia.
Te “Buzëqeshje e
përvajshme“ Saraçi vërtet ka sjellë realizime të bukura, ku ndjenjat dhe
mendimet janë gërshetuar aq mirë në mes vete, të cilat që në kontakt të parë të
bëjnë për vete. Saraçi, këtu kryesisht kultivon poezinë lirike, siç është ajo
refleksive, sociale, përkushtuese e atdhetare, të cilat janë pasqyrë e nivelit
të ngritjes së saj intelektuale e kulturore. Ajo frymëzimet e veta poetike i
gjen jo vetëm në aktualitet, por edhe në histori, në të kaluarën e saj dhe të
kombit tonë, duke i gërshetuar kështu elementet dhe çastet karakteristike të së
kaluarës, me ato të së tashmes për të dhënë një tablo edhe më të qartë të
trajtimit, siç është poezia “Dy dekada më parë”, ku përmes
retrospektives kthehet njëzet vjet prapa dhe i kujton momentet e burgosjes së
saj nga forcat shoviniste serbe, e sot ajo është e lirë, e shijon lirinë bashkë
me përqafimin e nipave dhe mbesave.
Shkrimtarja dhe
poetja Mevlyde Mizini Saraçi, ndjenjat, mendimet e frymëzimeve të veta i
ka ngritur në një shkallë të lartë për t’i bërë të përgjithshme dhe të
pranueshme për të gjithë. Si të këtilla, mendimet dhe idetë e saj fitojnë
kuptim dhe domethënie edhe më të madhe se sa ajo që duket në shikim të parë.
Vetë jeta prej një çlirimtarje dhe pjesëmarrëse aktive e ngjarjeve të
nëntëdhjeta për çlirimin e vendit dhe puna e saj si politikane, pra si deputete
në parlamentin e parë pas çlirimit të
shtetit të Kosovës, ka bërë që ajo të na sjellë poezi të aso niveli dhe të asaj
tematike siç janë: Shprehu, Nuk ka fjalë, Ëndrrat fluturojnë, Shtigje të
reja, Sytë e qiellit, Shfletim jete etj., që për lexuesin dhe letërsinë
tonë janë risi si tematikë dhe si vargëzim.
Prandaj mund ta
përmbylli shkrimin se pjesa dërrmuese e poezive të Saraçit ndërtohet mbi dromca
jete reale dhe të hidhura, të paraqitura bukur me mjete dhe aftësi krijuese
artistike. Vërtet poetja është krijuese që frymëzimet e veta i gjen në
realitetin e jetës, kurse mendimet e veta për çështje të ndryshme ajo i thotë
me guxim dhe mjeshtëri artistike.