Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fran Gjoka: Aktualiteti përmes ngjarjesh jetësore

| E merkure, 18.12.2019, 08:35 PM |


Aktualiteti përmes ngjarjesh jetësore

-Rreth vëllimit me tregime  “Legjenda e dashurisë së përjetshme” të shkrimtarit Hektor Veshi-

Nga Fran GJOKA

Hapja e panairit të librit në Tiranë përbën një ngjarje me shumë vlera për krijuesit tanë, sepse ata veçse reklamojnë veprat e tyre, shfrytëzojnë rastin të takohen dhe të shkëmbejnë mendime dhe përvoja me njëri – tjetrin. Në një nga këto ditë, duke vizituar panairin, takova një mikun tim të vjetër, prof. dr. Hektor Veshin, i cili mbetet një nga figurat e shquara të gazetarisë shqiptare, mjeshtër i artit pedagogjik, por dhe një shkrimtar i spikatur dhe i talentuar.

Kam kujtime të bukura me këtë personalitet të kulturës dhe letërsisë, jo vetëm në profesionin e gazetarit ku kemi kontribuar së bashku mbi mbi 30 vjet, por veçanërisht në fushën pasionante të gazetarisë. Jemi njohur vite të shkuara në redaksinë e Gazetës “Mësuesi”, gazetë me peshë në fushën e edukimit dhe të didaktikës, e cila vinte në lëvizje dhe nxiste dashuri ndaj arsimit dhe pedagogjisë, ndihmonte  mësuesit e rinj në procesin e mësimdhënies, çonte përpara vlerat e arsimit shqip, por që, tani, ajo gazetë i mbetet kohës së shkuar, padrejtësisht ajo  nuk ekziston më.

Hektor Veshi, shkrimtari, gazetari dhe metodisti i pasionuar, vinte nga  qyteti i Sarandës, ku kishte dhënë një kontribut të shquar në fushën e mësimdhënies, ndërsa tani do  të kontribuonte edhe në fushën e metodologjisë së mësimdhënies dhe të gazetarisë pedagogjike. Bashkërisht shkruanim dendur, trajtonim me passion probleme të arsimit dhe të edukimit, por Hektori paraqitej shpesh herë përpara lexuesit edhe me tregime nga jeta e përditshme. E pata njohur mirë mikun tim të vjetër, e ndjeja ngrohtësinë, urtësinë, sinqeritetin dhe dorën e tij të ngrohtë.

Sot, edhe pse i ka kaluar 77 vite, prof. Hektori është ende energjik,pasionant  dhe  i shkathët. E admiroja atëherë për cilësitë e tij njerzore dhe talentin, për mendimet dhe gjykimet e thella që jepte në fushën e mësimdhënies, pasi për rret 25 vjet rresht pati punuar në Institutin e Studimeve Pedagogjike, në fushën e metodologjisë së mësimdhënies, ndërkohë që e admiroja edhe si krijues dhe gazetar. Por, e admiroj këtë njeri edhe sot, pasi është po ai studiues dhe intelektual i mirë që rrezaton vlera të rralla dhe talent të spikatur.Është po Ai njeri i dashur dhe miqësor. E shohë me respekt, e takoj me përzemërsi, teksa gjithnjë sjellë ndërmend tipin dhe natyrën tij fisnike të njeriut  me zemër të madhe dhe shpirt të gjerë.

Hektori punon pareshtur, modest dhe gjithnjë me fjalën e ngrohtë dhe buzën në gaz, gjithnjë ky njeri ofron mirësi dhe dashuri njerëzore, art dhe talent.

Jeta reale është subjekti i gjerë i krijimtarisë së tij, ku ai di të ndalet dhe të qëmtojë realitete, problematika, tipa dhe karaktere njerëzish, ku portretizon dhe  skalit me penën e tij të artë bukuri, dhe kolor të natyrës dhe të shpirtit, bukuri jete, teksa godet si me një shtizë të hollë negativitete të kohës dhe shfaqje të papërshtatshme të njeriut me vese, duke u përpjekur gjithnjë që ashtu si mjeku i mirë t`i shërbejë në radhë të parë parandalimit të së keqes dhe shërimit të saj të plotë, që shoqëria të jetë e pastër dhe e dëlirë, që ajo të mos vuaj, por, gjithkush të jetojë jetën dhe të gjej vendin që meriton, duke u trajtuar në radhë të parë si njëri.

Prof. Hektori ka shkruar shumë dhe vazhdon të shkruaj shumë. Janë të njohur në pasaportën e  tij krijuese librat: “Blerim dhe brengë”, “Derte divorci”, “Përballë gjakmarrjes”, “Zjarri pa prush e guna pa push”. Këto dhe të tjera janë pritur ngrohtë nga lexuesi, shpesh ato komentohen dhe vlerësohen, por edhe ndihmojnë jetën dhe njerëzit. Kështu ndodh gjithnjë me prof.Hektorin, edhe kësaj here kur mua më ra në dorë libri i tij më i ri “Legjenda e dashurisë së përjetëshme”, një vepër me vlera që përmban rreth 25 tregime me temë shoqërore, mbështetur në realitetin e sotëm.

Janë tregime me vlera të pashmangëshme emocionale dhe të arrira artistikisht, teksa i gjithë libri, është i kompletuar, me subjekte ngjarjesh nga jeta e përditshme, ndodhur në kohë dhe situata të ndryshme. Tregimet kanë fabula të thjeshta, përshkruajnë ngjarje të epokës sonë në vitet e tranzicionit. Treguar me kujdes, me gjuhë të thjeshtë, të bukur, mjeshtërisht artistike, duke ruajtur me kujdes raportet artistike formë – përmbajtje, tregimet janë tërheqëse dhe të bëjnë që, si pakuptuar të mos e lëshosh librin pa e lexuar deri në fund dhe pa medituar për to dhe përmbajtjen, teksa në përfytyrim, të shfaqen karaktere dhe tipa artistik të përshkruar me aq bukuri e gjallëri nga autori.

Duke përdorur larmi figurash shprehëse dhe emocionale shkrimtari ka arritur të realizojë në veprën e tij personazhe të tërheqës që mbeten gjatë ne mendjen e lexuesit. Ngjarjet janë të thjeshta, konçize, pa teprime, por kanë vlera të rëndësishme jo vetëm njohëse, por artistike e sidomos edukative. Subjektet e tregimeve janë përshkruar në përputhje me vendin dhe kohën kur kanë ndodhur. Sado e thjeshtë dhe e shkurtër të jetë një fabul, në penën e shkrimtarit Hektor Veshi, krijohet një ngjarje, krijohet një dramë interesante shoqërore.

Ne si lexues e njohim Hektor Veshin si shkrimtar të formuar dhe me pasuri veprash që në rininë e hershme në organe shtypi si:  “Mësuesi”, “Temp”, “Ndryshe”, “Telegraf” dhe “Labëria”. Ai e njeh mirë ambientin shoqëror, personazhet e tij shpesh herë  janë realë, ai i njeh ata deri në detajë, ndërkohë që arrin në përgjithësime artistike të tipave dhe karaktereve të tyre, duke i shfaqur ata, jo si manekin, por realisht dhe me origjinalitetin e  gjithsecilit.Lexuesi i ndjen personazhet e Hektor Veshit edhe kur flasin e shprehin mendime, ide, dëshira, kur dialogojnë dhe shfaqin gjendje të ndryshme shpirtërore dhe emocionale, ata janë personazhe të gjallë, realë dhe të vërtetë, ndaj lexuesi nuk ndahet kollaj prej tyre, ata i kujtohen herë pas here duke zgjuar meditime dhe vlera, por dhe i japin lexuesit kënaqësi estetike.

Tregimet e shkrimtarit Hektor Veshi janë të realizuara artistikisht, janë shkruar thjeshtë dhe bukur, mbi bazën e fakteve jetuara dhe të skeduara gjatë jetës. Në periudha të caktuara dhe pozicione të ndryshme shoqërore, në disa tregime autori përshkruan jetën e të vegjëlve, pasi njeh mirë mentalitetin dhe psikologjinë e tyre, kërkesat dhe dëshirat e fëmijëve, të cilët mësojnë nga jeta përmes tregimeve të më të rriturve. Tek tregimi “Tutela”, autori parashtron para lexuesit kujdesin që duhet treguar në trajtimin dhe edukimin e fëmijëve, veçanerisht të vajzave, të cilat janë shpesh herë të paragjykuara nga ambienti shoqërorë. Mendimet patriarkale të babait Bardhyl, i cili ishte edhe kuadër, bënë që vajza e re të përfundonte në një invalide duke humbur kështu çdo shpresë për jetën. Vetëm një shoqëri e shëndoshë, në një edukim me norma mund të formojë rininë dhe njeriun e sotëm me norma të moralit njerzorë. Tek tregimi “Vila me parket rrëshqitës”, drejtor Fetiu, pasi ka bërë për vete punonjësen Tina, kërkon ta vërë kundër kolektivit, madje të shpifë lloji – lloji situatash të pakëndëshme për të pushuar nga pua punonjësit që nuk i shkojnë për shtatë, ashtu siç ndodh rëndom në shoqërinë dhe kolektivet e sotme punonjëse. Ky është një mësim i mirë nga një personazh me eksperiencë jetësore, përvoja e të cilit duhet kritikuar, pasi makinacionet që tjerrë, janë të dëmshëm për shoqërinë.

Hektor Veshi dallohet për larmi të motiveve dhe tematikave letrare. Problematikat sociale që sjell para lexuesit autori, janë të ndryshme dhe të zakonshme në jetën e individit. Të tërheq vëmendjen tregimi “Kokrra e misrit dhuratë, apo shuplakë”, ku analizon, jo pa emocion sjelljen brutale të disa prej mjekëve në ditët e sotme, të cilët zhvillimi i parakohshëm kapitalist i ka orientuar drejt fitimit. Në këto kushte, mjeku nuk pranon të vizitojë një fëmi të cilit i kishte mbetyr në grykë një kokërr misri, pa i dhënë vlerën e kërkuar, megjithse fëmia ishte në gjendje të rëndë. Mirësia e babait bëri që fëmia të shpëtonte pa pasur nevojën e tij, por këtë do ta kuptonte mjeku, vetëm kur ta provonte vetë një tragjedi të tillë, pak ditë më vonë, prandaj autori stigmatizon faktin se në shoqërinë ë sotme duhet të veprohet në bazë të normavë humanitare dhe njerëzore.

E ndërsa po hidhja në letër këto mendime, një ngjarje e rëndë tronditi vendin tonë. Një tërmat 6.4 ballësh rrafshoi disa banesa në Durrës, Krujë, dhe Lezhë. Nisur nga ndjenja humanitare që ka karakterizuar gjithnjë popullin tonë, të kuontribojmë për të lehtësuar sadopak plagët e rënda që shkaktojë kjo fatkeqësi e natyrës. Çështjen e humanizmit autori e ngre edhe tek tregimi “Gurë stolie i bujarisë”, ku në qendër të tregimit janë dy nëna pensioniste, shoqe të ngushta, të cilat mendojnë për njëra – tjetrën dhe jetojnë me hallet dhe shqetësimet e njëra – tjetrës. Nënë Sabria, një grua me zemër të madhe, megjithse e varfër, i fal paratë e sapomarra nga pensioni i saj Nënë Terezinës, për të zgjidhur një problem të rëndësishëm familjar. Është veçori dalluese gjërësia dhe thellësia e perceptimit real të epokës kur kemi jetuar dhe jetojmë.

Tematikat e tregimeve të këtij vëllimi tërheqin vëmendjen për problematika të rëndësishme, ngjizur dhe ngjarje dhe ndodhi të kohës, përmes të cilave autori synon të depërtojë në ndërgjegjen, shpesh herë të sëmurë të individëve të veçantë të shoqërisë sonë dhe që përbëjnë thelbin e ngjarjeve. Tregime të tilla si  “Burri i katërt”, “Kujtim e vegim”, “Zmbrapsja e agonisë”, “Ndershmëri krenare”, “Përmes ferrit”, të cilët ndërtohen në subjekt nga ngjarje reale janë tregime të bukura, tërheqëse dhe me vlera edukative e shoqërore. Duhet theksuar se, me veprën e tij “Legjenda e dashurisë së përjetëshme”, autori Hektor Veshi, kontribuon realisht në pasurimin e letërsisë sonë, duke trajtuar çështje të rëndësishme sociale dhe probleme jetësore që prokupojnë individin dhe shoqërinë tonë.