Kulturë
Anton Nikë Berisha: Vazhdimësi e traditës së prozës së lirë dhe artistike
E premte, 20.12.2019, 08:38 PM
Vazhdimësi e traditës së prozës së lirë dhe artistike
Nga
Anton Nikë Berisha
Kush
e lexon me vëmendje romanin e Petro Markos “Qyteti i fundit”, të botuar në
Tiranë më 1960, dhe e njeh prozën që u botua para tij, nuk e ka vështirë të
thotë se kjo vepër është një vazhdimësi e mirëfilltë e përftimit të prozës së
lirë dhe artistike, që u zhvillua në traditën shqiptare, duke filluar nga
parathëniet dhe pasthëniet e veprave të Pjetër Budi: “Doktrina e krishterë”
(1618), “Pasqyra e të rrëfyemit” (1621) dhe “Rituali roman” (1621), të pjesëve
të prozës në dramën “Emira” të Françesk Anton Santorit, dhe mbërriti një rrafsh
të lartë sidomos me tregimet dhe novelat e Mihail Gramenos, Ndoc Nikaj, Ernest
Koliqit, Dhimitër Paskos (Mitrush Kutelit), Migjenit etj. Në mënyrë të veçantë
Koliqi dhe Kuteli e ngritën dhe e pasuruan prozën tonë me përbërës të
qenësishëm, të cilësuar me një frymëmarrje të gjerë dhe me një art të madh. Në
këtë rrjedhë duhet të përmendet veçmas romani “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, i
botuar në Tiranë më 1965, një nga kryeveprat e prozës shqiptare të gjitha
kohëve.
Romanet
“Qyteti i fundit” i Petro Markos dhe “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës përligjin
një dallim të madh brenda gjithë letërsisë shqipe që u krijua në Shqipëri gjatë
kohës së komunizmit ose, si thuhet rëndom, të letërsisë së realizmit socialist.
Po përmend këtu dhe romanin e Ramadan Rexhepit “Udhëkryqi”, të cilin autori
filloi ta shkruajë nga viti 1957, po u botua më vonë në Suedi. Mjerisht, ky
roman komunikoi pak me lexuesin dhe në qenësi mbeti i panjohur dhe pa ndikim në
prozën tonë.
E
kundërta ndodhi me romanet “Qyteti i fundit” dhe “Lumi i vdekur” që në një
periudhë përjetuan një komunikim të madh dhe bënë një ndikim të dukshëm në
prozën tonë shqipe në përgjithësi, përkundër faktit që kjo gjë u hesht dhe nuk
u tha në përmasën e duhur për arsye se sistemi komunist – socialist propagandoi
veprat që i përfillën dhe u dhanë jetë përcaktimeve dhe ideologjisë përkatëse
dhe i lanë në heshtje ose i vunë në listën e zezë veprat e tjera, që nënkuptoi
mos komunikimin e tyre.
Romanet
e përmendura të Markos dhe të Xoxës përligjin largimin dhe shkëputjen më të
mirëfilltë nga veprat letrare që u krijuan në Shqipëri gjatë gjithë kohës së
komunizmit. Ato, para së gjithash, i cilëson një frymëmarrje e gjerë,
përkatësisht një rrëfim i lirë dhe i degëzuar, ku shpërfillen gjedhet dhe kufizimet
e shtjellimit dhe të shqiptimit poetik të dukurive përmes tekstit si strukturë
gjuhësore shprehëse.