Kulturë
Tefik Selimi: Monografi me shumë të dhëna për Preshevën
E diele, 31.12.2017, 12:47 PM
Një
monografi dokumentare me shumë të dhëna
për Preshevën …
Nga Tefik Selimi
Thonë, historia është mësuesja e jetës. Mësuesja e krejt popujve, pa dallim. Ajo (historia), secilit popull ia “rrëfen” të bëmat dhe ngjarjet e kaluara nëpër shekuj. Ajo, ngjarjet, nuk i harron, por ato ua rikujton për t’i mësuar më mirë. Kush e harron historinë, është si pema që nuk ka frute. Andaj, historia, mësuesja e jetës, duhet të adhurohet e të mësohet. Është fushë e dijes që përherë na mëson për ato “sende” që i kemi harruar ...
Edhe Xhorxh Santaniana, filozof amerikan, në në vend ka shtuar: “Ata që e harrojnë përvojat nga e kaluara, do të detyrohen t’i përjetojnë përsëri”. Kjo është më se e vërtetë. Pra, historia e një populli nuk mbaron, ajo përherë duhet rishikohet, vlerësohet dhe të shënohet. Njerëzit e mençur - shënojnë, budallenjtë mbajnë në mend. Nuk i falet asnjë intelektuali që i di 36 shkronja e t’mos shënon ndonjë rresht për një kohë që e ka përjetuar gjatë jetës. Çdo gjë e shënuar është më e vlevshme se ajo që nuk është hudhur fare në letër. Kush shënon, botën e ka përpara...S’ka me historinë, mësuesen e jetës!
Kaherë kësaj rruge të ndriçimit të historisë sonë shqiptare është nisur edhe Xhemaledin Salihu (1947), profesor nga Presheva. Ky intelektual nuk hezitoi të shkruajë apo të mbledhë të dhëna më të ndryshme për ta ndriçuar Preshevën si pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare shqiptare nëpër shekujt. Andaj, në projektin e tij madhorë “Presheva pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër sheku”, është monografia më e plotë gjer më sot e tij e botua ditë më parë në Prishtinë, 2017.
Siç dihet, Xhemaledin Salihu, publicist, gjatë viteve 2993,2004 dhe 2005 ka punuar në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë. Ma vonë është deleguar anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Bibliotekarëve të Kosovës, nga Biblioteka e Preshevës dhe e Bujanocit. Gjatë këtyre viteve, ai ka dhënë kontribut të madh në përparimin praktik të kësaj veprimtarie. Ka botuar shumë punime nëpër gazeta e revista të kohës. Punimet më të rëndësishme të kësaj natyra të tij janë: “Bibliotekaria e Luginës së Preshevës dhe perspektiva e saj”. Ka marrë pjesë në shumë kumtesa e seminare Ndërkombëtare me temë: “Biblioteka sot”. Jo vetëm kaq.
Edhe pas kësaj pune tejet të rëndësishme, ai nuk ndjeu lodhje të lë pas ndonjë shënim me interes për kombin shqiptar. Hulumtoi dhe, një ditë prej ditëve, sikur pati përpara pati projektin me titull: “Arsimi dhe kultura shqiptare në komunën e Preshevës 1945-1005”.
Ai, në parathënien e monografisë, shton se, “Gjatë mbledhjes së materialit arkivor për kulturë në Arkivin e Vrajës, Leskocit, Nishit, Beogradit dhe atij të Shkupit, i vura vetës për detyrë të mbledh material jo vetëm kulturor, por edhe historik e tjerë që ka të bëjë me Preshevën dhe rrethin e Preshevës”.
Pra, ky autor preshevar nuk u ndalë së vjeluri material të bollshëm për Preshëvën me rrethinë si dhe voli libra të vjetër për trajtesa të ndryshme për t’i publikuar si punime shkencore. Më në fund, kjo përpjekje e tij është kurorëzuar me verpën monografike “Presheva...”, e cila vepër ngërthen në vete një materje me interes të gjithanshëm.
Siç mësojmë nga kjo monografi dokumentare, autori ka shfrytëzuar metodën bisedë me njerëz të moshuar, me shumë informatorë të kohës, si janë pleqtë, të cilët i siguruan shumë të dhëna gojore dhe argumente për kohën. Andaj, monografi në fjalë e Xh. Salihut trajton disa aspekte të jetës shoqërore. Bie fjala, autori trajton aspektin gjeografik, aspektin historik, mëhallët, toponiminë, hisotorinë gjatë kohëve të ndryshme, luftërat dhe rezistenca e shqiptarëve të Preshevës për liri e drejtësi.
Mandej, autori i monografisë në fjalë trajton nëpër kaptina të kësaj vepre trashëgiminë kulturore, trashëgiminë natyrore, trashëgiminë shpirtërore, Karadakun e Preshevë, arsimin, kulturën dhe informimin e kësaj ane.
Monografia në fjalë ka 6 kaptina, si janë: I -Mëhallët dhe toponimia; II -Historia; III -Trashëgimia kulturore, natyrore, shpirtërore, Karadaku; IV -Arsimi; V -Kultura dhe kaptina e fundit - Informimi. Të shtojmë edhe këtë se, autori, Xh. Salihu, në veprën e tij “Presheva...”ka huazuar në veprën e tij edhe dy punime shkencore që klanë të bëjnë me dy personalitete të rëndësishme të kësaj ane të Preshevës, si janë: Ibrahim Kelmendin dhe Bardhyl Osmanin, punime këto të shkruara nga autorët tjerë.
Që në fillim të veprës autori flet për pozitën gjeografike të Preshevës, emërtimin e këtij vendbanimi (qytetit të Luginës), demografinë e luginës etj. Mandej fillon me mëhallët e këtij qyteti, toponiminë e Preshevës, shkrime dhe udhëpërshkrime mbi Preshevën, shkrimet e vjetra, dasmat shqiptare në Preshevë me rrethinë, për trashëgiminë shpirtërore, ritet e dasmës shqiptare në Preshevë me rrethinë. Gjithashtu, autori i veprës shkruan edhe për zejtarinë, treshëgiminë, arsimin, kulturën dhe informimin në Preshvë me rrethinë etj.
Pra, monografia në fjalë është një dokumentar i rëndësishëm për të gjithë lexuesit, sepse ngërthen në vete materje jo vetëm interesante, por edhe me vlera të larta historike, dokumentare e publicistike . Vepra ka mbi 600 faqe tekst. Po ashtu, vepra ka qindra fotografi, të cilat e ilustrojnë dhe e rrumbullakësojnë këtë dokumentar si një monument i rrallë për historikun e Preshevës me rrethinë.
Gjilan, 27 dhjetor 2017