Kulturë
Kujtim Mateli: Djepi i lindjes së shoqërisë njerëzore
E merkure, 01.11.2017, 09:35 PM
Tri luginat e famshme që u bënë djepi i lindjes së shoqërisë njerëzore
Nga Kujtim Mateli
Çdo qytet, ka simbolet e
veta me të cilat identifikohet. Këto simbole, qytetet i vendosin në qendër të
tyre. Shumë qytete evropiane janë ndërtuar rreth simbolit të tyre, që në
shumicën e rasteve është një kishë. Qytete të tjerë mund të jenë ndërtuar rreth
simboleve të tjerë, në momentin në të cilin ata janë themeluar, që në shumë
raste shpjegon dhe arsyen pse është ndërtuar një qytet i caktuar. Rasti i
qytetit të Përmetit është disi i ndryshëm, i veçantë dhe i pashpjegueshëm deri
në ditët e sotme. Përmetarët mbajnë për simbol të qytetit të tyre një shkëmb të
rrumbullakët, një shkëmb i përmasave gjigante, unik jo vetëm për hapësirën
ballkanike, por dhe përtej saj. Studiuesi Stilian Adhami, ka dhënë disa veçori
të tij si dhe disa tregime e gojëdhëna rreth tij. Është i vendosur në bregun e
lumit të Vjosës, me lartësi që arrin deri në 42 metra, afërsisht po kaq është
dhe diametri i tij. Nga ana juglindore, pra buzë Vjosës është më i lartë, kurse
nga ana veriperëndimore më i ulët. Maja e shkëmbit (më mirë të themi pjesa e
sipërme e tij, sepse maja e tij është një shesh që arrin në 650 metra katror),
ka disa ndërtime të periudhave të ndryshme. Anët e këtij shkëmbi, pra maja e
tij, janë të rrethuara me mbeturina muresh. Përveç mureve rrethues, në anën
juglindore të sipërfaqes ndodhen gërmadhat e dy të ndarave të puqura me
njëra-tjetrën, rreth 10 metra larg murit rrethues, edhe këto mure me të njëjtin
konstruksion me muret rrethues. Njëra prej tyre (5 x 2,5m) ka qenë e mbuluar me
qemer smërçi dhe duket se ka shërbyer si stere për të mbledhur ujin e shiut,
kurse tjetra (6 x 3,2 m) ka qenë e mbuluar me çati. Studiuesi Stilian Adhami ka
shfaqur mendimin se duhet të ketë qenë
tempull. Me gjithë interesin e qytetarëve, të cilët gati e kanë adhuruar atë,
interesimi i institucioneve ndaj tij pothuajse ka munguar deri para pak kohësh.
Interes për qytetin e Përmetit, rrjedhimisht
dhe për simbolin e tij, shfaqi vetë kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili pas disa
projekteve që u realizuan në këtë qytet në kuadër të projekteve të Rilindjes Urbane, e
cilësoi atë si “kartëvizita evropiane e Përmetit të rilindur” .
Guri i qytetit të Përmetit ose Omfalia i famshëm i Paruesë
Ministrja e kulturës, znj. Mirela Kumbaro, ndoqi nga afër
nisjen e punimeve që parashikonin rikualifikimin urban të hapësirës rreth
Gurit, restaurimin e rrënojave të hershme mbi të, sistemimin e shkallëve për
një akses të sigurt të vizitorëve dhe ndriçimin e tij për të nxjerrë në pah
pamjen madhështore të kësaj mrekullie natyrore edhe pas perëndimit të diellit.
“Në fakt,- është shprehur Ministrja e Kulturës, znj. Mirela
Kumbaro,- nuk është vetëm një monument i
rrallë natyre, po dhe monument kulture, pikërisht për shkak të rrënojave të
kishës së vjetër që mbart mbi vete. Po është dhe një pikë e jashtëzakonshme
panoramike. Është projekt që do të bëjë ndryshimin e ngjyrave dhe do ta kthejë
në atraksion të fortë”.
Kryetari i bashkisë së Përmetit, z. Niko
Shupuli, ka qenë i interesuar që të kryhen edhe gërmime arkeologjike në
rrënojat që ndodhen në majë të gurit, zbulime të cilat do të tërheqin edhe më
tepër vëmendjen e turistëve.
Tashmë, Guri i Qytetit, ka marrë tjetër përmasë dhe tjetër vlerë falë këtyre
ndërhyrjeve që u realizuan gjatë kësaj vere të vitit 2017 dhe të atyre që mund
të kryhen më vonë.
Po teksa shikon interesimin e lartë të institucioneve qeverisëse dhe të
banorëve të qytetit të Përmetit, natyrshëm të lindin pyetjet: Po në të
shkuarën, cila ka qenë marrëdhënia shpirtërore e banorëve të kësaj lugine me
këtë simbol të qytetit të sotëm të Përmetit? A ka pasur ky Gur ndonjë rol edhe
në vetë lindjen e qytetit të Përmetit?
1
Që të mund të arrijmë të themi fjalën tonë rreth këtij guri, le të depërtojmë
në lashtësi, në burimet e shkruara, të sjellim dëshmi në lidhje me nderimin dhe
adhurimin që kishin për gurin e rrumbullakët, i cili në antikitet quhej
Omfalia. A ka qenë guri i Përmetit, si pjesë e këtij adhurimi?
Nga ato që na kanë lënë
autorët e antikitetit, tek grekët e lashtë ishte përhapur besimi se Delfi ishte
qendra e botës dhe që ka lidhje me orakullin e Delfit. Zeusi për të gjetur
qendrën e tokës, nisi dy shqiponja nga dy skajet e botës. Ato u nisën
njëkohësisht dhe fluturuan me shpejtësi të barabartë. Kur po kalonin mbi fushën
e Delfit, Zeusi hodhi një gur nga qielli për të parë se ku ishte ekzaktësisht qendra e botës.
Guri mori emrin omfalos dhe u bë simbol i Apollonit, i orakullit të shenjtë dhe
në përgjithësi i rajonit të Delfit.
Në shekullin e dytë pas Krishtit, udhëtari dhe gjeografi Pausanias udhëtoi
në fushën e Delfit dhe na ka ofruar dëshmi të rralla në veprën e tij. Guri
omfalos, që konsiderohej si “Kërthizë e botës” ishte i zbukuruar dhe kishte
formë ovale.
Kjo dëshmi e Pausanias nuk është e vetme. E dëshmon Eskili, tek “Orestia”, si dhe
Euripidi, tek “Ifigjenia në Taruidë”.
Guri Omfalos në Delf në rreth 1 metër lartësi
Po si është guri Omfalos që gjendet në Delf? Ai është një gur i rrumbullakët, në rreth një metër lartësi. Sipas mitologjisë thuhet se ky gur zëvendësoi gurin origjinal që ishte këtu dhe që ishte një meteor. Pra, guri që gjendet në Delf, është një kopje e gurit origjinal. Po si u zhduk guri i mëparshëm që mendohet se ishte origjinali? Në faltoret e antikitetit, krahas adhurimit për perënditë, ruhej dhe adhurimi për gurin e shenjtë. Kjo do të thotë që faltoret ruanin një kopje të gurit origjinal që ndodhej jashtë tyre.
Po ku ndodhet origjinali, i cili ka ekzistuar para se shoqëria njerëzore të bënte zbulesën më të rëndësishme në jetën njerëzore, atë të ekzistencës së perëndive. Sigurisht që guri i rrumbullakët i Delfit është një kopje e gurit natyror që shoqëria njerëzore nderonte para zbulesës së perëndive. Vendosja e gurit omfalos edhe në orakullin e Delfit, tregon rëndësinë që kishte ky gur në shoqërinë e asaj kohe.
Stefan Bizantini, mbi qytetet dhe popujt,
“Parauaioi,
fis thesprot, Riani në Thesalika, libri IV:
Kurse bashkë me parauajt ishte dhe i famshmi Omfaliea. Quhen me këtë emër nga
që banojnë pranë lumit Auo”. Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, fq. 420
Informacioni që na jep Stefan Bizantini është i qartë. Edhe në kohën e tij,
në shekullin e V-të pas Krishtit, guri Omfalia vazhdonte të ruante emrin dhe
famën e tij.
Kështu,
i famshmi Omfalia, është guri i rrumbullakët që në kohët prehistorike
konsiderohej si qendra e botës apo kërthiza e saj. Ky gur ishte në tokën e
parauejve, të cilët banonin pranë Vjosës. Në tokën e parauejve, rrëzë maleve
Dhëmbel e Nemërçkë ku banonte ky fis, gjendet guri i qytetit të Përmetit, i
denjë për të menduar se ky gur ka qenë vërtet Omfalia, rreth të cilit vinin nga
të gjitha anët e botës.
Përmasat e tij janë të pakrahasueshme me ndonjë gur tjetër në këtë hapësirë
që mund ta konkurrojë dhe që mund të hidheshin dyshime se Omfalia i Parauejve
nuk ka të bëjë me Gurin e Përmetit. Jo vetëm në hapësirën e trevës së Përmetit,
por ai është unikal në tërë hapësirën ballkanike, çfarë të bën të mendosh se
ishin përmasat e këtij guri që i bënë evropianët e kohës së arëve ta konsideronin
këtë vend si qendra e botës.
Kjo
përforcohet edhe nga dëshmia që sjellim më poshtë:
Enzo Gatti, Ilirët, Sh.B. Bargjini, Tiranë 2005 fq. 88 .
“Anijet pellazge dhe rrugët e tulave sjellin shtegtarë. Zbresin në gjirin e Artës… Pastaj shtegtarët nisen në këmbë drejt luginës së shenjtë të Aoos” .
Dëshmia e Enzo Gattit na shpie në mijëvjeçarët IV-III para Krishtit, atëherë kur u ngjiz dhe gjuha indoevropiane, atëherë kur rrugët e tulave lidhnin gjithë Evropën deri në Indi.
Cila është arsyeja që këta udhëtarë bënin një rrugë kaq të gjatë, duke ecur në këmbë për në luginën e shenjtë të Aousit?
Sigurisht që ishin tempulli dhe orakulli i Dodonës që ndodhet vetëm 20 km larg Omfalias, por edhe ky gur që është hyjnizuar para se perënditë të shfaqeshin me fytyrën e tyre njerëzore.
Guri Omfalia në Përmet 42 metra latësi
2
Po cilat janë dëshmitë që vërtetojnë se guri Omfalias, i konsideruar si qendra
e botës, ishte dhe një gur i hyjnizuar?
Në
marrëdhëniet njerëzore, midis dy individëve apo dhe më shumë si garanci se
njëra palë do t`i qëndronte besnik palës tjetër viheshin gjërat e shenjta, si
shembull mund të sjellim betimin “për atë Zot” etj. Po në një pjesë të trojeve
shqiptare, si garanci se premtimi nuk do të shkelej, bëhej mbi gur, deri në
shekullin e kaluar. Që njeriu të jetë më i besueshëm vë si garanci gjënë për të
cilën beson më shumë dhe humbja e saj pas një betimi të rremë është baras me
ndërprerjen e jetës njerëzore. E sjellim këtë dëshmi nëpërmjet një autori të
huaj.
Edvin Jacques "Shqiptarët, historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme" fq. 77
"…duke iu referuar
një tradite edhe më të hershme të adhurimit të natyrës nga stërgjyshërit
pellazgë, fshatarët shqiptarë shpesh përdorin shprehjen (që ndoshta nuk ndeshet
në asnjë vend tjetër të botës) "për këtë gur", duke marrë në
dorë një gur ose duke treguar një gur diku pranë…”. Kanuni i njohur i Lekës shprehej se fshatarët
duhej t`i paralajmëronin vjedhësit e mundshëm se malli i udhëtarit që kalonte
në tokat e tyre ishte i paprekshëm, pasi ndodhej nën mbrojtjen e besës së tyre.
Kjo gjë vihej në dukje duke vënë një gur mbi mallin. 255 Liria, Shtator 1989, 5.
Betimi më solemn që mund të bëjë një shqiptar nuk është për Krishtin apo
për Muhamedin, por “për këtë gur” 256
Liria tetor 1985, 3.
Kështu sa herë që dilte puna për caktimin e kufijve midis dy fiseve, pleqtë e
të dy palëve, që ishin zgjedhur për të gjykuar çështjen, në fillim bënin
betimin e tyre për gurin me ceremonitë dhe solemnitetin e duhur dhe pastaj
fillonin shqyrtimin e kufijve dhe jepnin gjykimin që ishte i formës së prerë”.
Dëshmia e mësipërme është e qartë: Hyjnizimi i gurit të shenjtë mund të ketë qenë dhe ndër popuj të tjerë, por me kalimin e kohës ky hyjnizim u zbeh gjersa u harrua, ndërsa shqiptarët që e kanë hyjnizuar Gurin Omfalia, nuk mund ta harronin këtë rit të besimit të tyre.
Fakti që guri i hyjnizuar ruhet në veri të trojeve shqiptare dhe nuk ruhet në vendin e tij të origjinës, pra në luginën e Përmetit, e kërkon një shpjegim. Mendimi im është se hyjnizimi i gurit Omfalia ka qenë i shtrirë në të gjithë territorin e shqiptarëve dhe koha e këtij hyjnizimi duhet të ketë qenë tepër e gjatë. Pikërisht, lugina e Përmetit, si epiqendra e besimit, bëri hapin e dytë të rëndësishëm duke shkuar drejt zbulesës së perëndive. Lindja e institucioneve të para fetare: tempull dhe orakull ka qenë padyshim një hap përpara nga besimi i mëparshëm i Omfalias. Njerëzit u drejtoheshin këtyre dy institucioneve dhe merrnin përgjigje për pyetje të ndryshme që kërkonin. Kjo e ka zbehur adhurimin e gurit Omfalias për ato treva që ndodheshin më afër Dodonës, por jo dhe rëndësinë e tij, përderisa Stefan Bizanti thotë për të: i famshmi Omfalia. Në pjesët më të largëta nga Dodona, të cilët i drejtoheshin asaj më rrallë, e kanë pasur më të fortë adhurimin për gurin e shenjtë. Për këtë mund të sillet ky argument. Kur perandori Teodosi e shkatërroi Dodonën rreth 17 shekuj më parë, që t`i hapte udhën besimit të Krishterë, banorët e luginës së Përmetit dhe të trevave rreth saj, ruajtën fuqishëm deri në shekullin e kaluar simbolin e orakullit që është lisi i shenjtë dhe malin e Tomorit si seli e Zotit. Pjesa veriore e trojeve shqiptare ruajti më fort besimin mbi shenjtërinë e gurit Omfalia, me gjithë ndikimin e krishterë që e kërkonte betimin të bëhej mbi Krishtin apo besimi mysliman mbi Muhamedin.
Kjo dëshmon edhe atë që
populli shqiptar është i pa lëvizur në këto troje, që nga periudha e hyjnizimit
të gurit të qytetit të Përmetit, ndryshe edhe betimi në gur do të ishte harruar
ashtu siç e kanë harruar, (mund të themi
se ndoshta nuk e kanë praktikuar fare), edhe popuj të tjerë që janë
vendosur në këtë hapësirë të gadishullit Pellazgo-Ilirik.
Shtrirja e betimit mbi gur në të gjithë hapësirën shqiptare, tregon se
hyjnizimi i Gurit Omfalia, duhet të ketë vazhduar në disa mijëvjeçarë para
lindjes së Besimit Pellazgjik, duhet të ketë pasur një periudhë të gjatë para
ardhjes së popujve të tjerë në këtë hapësirë ballkanike.
Fakti që hyjnizimi i gurit të shenjtë u ruajt vetëm tek shqiptarët, tregon se popujt e tjerë duhet ta kenë praktikuar në një periudhë të shkurtër kohore, në mos nuk e kanë praktikuar fare, pasi mund të kenë ardhur në trojet që mbajnë sot në kohën besimit dodonian. Nëse tek popujt e tjerë të Ballkanit, besimi pellazgjik u shua me vendosjen e Krishtërimit, tek shqiptarët nuk u shua as Besimi Pellazgjik që mishërohet tek kulti i malit të Tomorit, as ai i Gurit të Përmetit, që ruhet ende në disa krahina në veri të trojeve shqiptare. Të ruash një traditë që është në zanafillë të shoqërisë njerëzore, tregon se shqiptarët janë të vetmit që i mbajnë këto troje që kur qenia njerëzore u strukturua në shoqëri.
3
Betimin mbi gur, si një rit që vjen që nga kohët më të hershme dhe që përcakton identitetin autokton në këto troje e ka trajtuar dhe Pashko Vasa. Besimi mbi gur është një epokë e tërë historike që ka shoqëruar popullin tonë përpara besimit në shumë perëndi që quhet dhe besim pellazgjik. Fakti që besimi pellazg nuk e asimiloi dot, por bashkëjetoi me të në një periudhë historike që matet me mijëvjeçarë; fakti që besimi i këtyre dy mijëvjeçarëve të fundit nuk e asimiloi dot, por bashkëjetoi me të, tregon se besimi mbi gur që e ka origjinën tek ky Gur i qytetit të Përmetit ka pasur para besimit të Dodonës një periudhë të gjatë historike.
Pashko Vasa, “E vërteta për Shqipërinë dhe
shqiptarët”, (Studim historik dhe kritik) 1879, Tiranë 2008, fq. 23
“Pavarësisht nga sa e sa
rite të tjera fetare që i përkasin besimit të vjetër të pellazgëve dhe që as
Krishti dhe as Muhameti nuk kanë mundur t`i zhdukin fare nga mendja e popullit
shqiptar, është betimi mbi gur, që ekziston dhe përdoret akoma në të gjitha
malësitë shqiptare; ky betim shoqërohet me të njëjtin nderim dhe me të njëjtën
madhështi sikurse në kohët e para të hershme”.
Pashko Vasa, E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët, Tiranë 2008, fq. 24.
“ Në rastet e rënda dhe
kur është rasti për të marrë një vendim me peshë të madhe, pleqtë e fiseve të
Shqipërisë, myslimanë e të krishterë pa dallim, ftohen në palët kundërshtare që
të betohen me gur, para se të fillojnë bisedimet për çështjet që janë thirrur
të gjykojnë”.
Besimi mbi gurin e shenjtë i ka kapërcyer kufijtë e gadishullit Ilirik dhe e gjejmë edhe në kryeqytetin e botës romake, në Romë. Besimi mbi gurin e shenjtë në Romë nuk ekzistonte tek të gjithë popujt që e formonin atë dhe sipas autorit të veprës “Historia romake në Romë”, ky besim ekzistonte tek etruskët të cilët e kishin marrë nga pellazgët, ose ky besim ekzistonte vetëm tek popujt që emërtoheshin etruskë dhe pellazgë. Po autorët e antikitetit dëshmojnë se u quajtën etruskë, ajo popullsi e gadishullit tonë që u vendos në Itali dhe formoj Etrurinë. E citojmë dëshminë e ZH. Amperit:
Pashko Vasa, E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët, Tiranë 2008, fq. 23.
“ Të gjithë historianët e përmendin këtë betim dhe ZH. Amperi në veprën e vet “Historia romake në Romë” kallëzon ngjarjen e mëposhtme me shumë hollësi. Sila, para se të largohej nga Roma për të shkuar në luftë kundër Mitridatit, kishte kërkuar me këmbëngulje nga Cina, kryetari i partisë së Marit (Mariusit) një betim, me anën e të cilit ky të zotohej solemnisht se nuk do të fuste asnjë gjë të re në Romë gjatë mungesës së tij. Cina nuk desh që Sila këtë betim ta bënte mbi hyjnitë romake, por në gurin e shenjtë, dhe për këtë gjë sipas një riti të lashtë të etruskëve, që e kishin marrë nga pellazgët. Cina e bëri betimin duke e vendosur gurin në fillim mbi supin e vet e duke e hedhur pastaj prapa në të njëjtën kohë që shqiptoi me zë të lartë mallkime kundër vetes së vet, po t`i shkelte zotimet e marra”.
a-Lidhjen
midis popullsisë iliro-epirote dhe etruskëve e vërteton mjaft qartë që të dy
popujt në të dy krahët e Adriatikut, kishin të njëjtin zakon, i cili nuk
ekzistonte tek popujt e tjerë. Besimi mbi gurin e shenjtë është dëshmi që nuk
mund të anashkalohet. Nëse mund të përkonte tek dy njerëz, mund të jetë dhe
rastësi, por kur shtrihet mbi popuj, tregon lidhjen shpirtërore midis tyre.
b-Dëshmisë së besimit tek guri i shenjtë, që vërteton lidhjen midis popullsisë
iliro-epirote me atë etruske, e vërtetojnë dhe gjetjet arkeologjike në qytetin
e luginës së Carakovistës. Oponenti i disertacionit të Karapanos ka vërejtur se dorezat prej bronzi të gjetura
në luginën e Carakovistës ishin të njëjta me ato që gjenden në Muzeun Etrusk të
Vatikanit. Po kështu dhe disa lloj zbukurimesh (Planche nr. XLII), që gjenden
në Carakovistë dhe që nuk gjenden në arkitekturën greke, janë dhe në Muzeun
Etrusk të Vatikanit. Kjo vërteton lidhjet e drejtpërdrejta midis Epirit dhe
Etrurisë (Për hollësi shih Kujtim Mateli
“Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit II, faqe 130-132).
c- Nermin Vlora Falaski në
studimin e saj “Pellazgët-Ilirët-Etruskët-Shqiptarët” botuar në Prishtinë 1998,
vëren një lidhje midis mbishkrimeve etruske dhe gjuhës shqipe. Këtë lidhje e
kanë vërejtur dhe gjuhëtarë të tjerë.
Pashko Vasa vëren mungesën e këtij besimi fetar në Greqi, duke vërtetuar në
këtë mënyrë lashtësinë e këtij riti në trojet shqiptare, i cili e shpie
lashtësinë e këtij populli në këto troje shume kohë para lindjes së besimit
pellazgjik në shumë perëndi.
Pashko Vasa, E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët, Tiranë 2008, fq. 24.
“ Ne nuk dimë që ky rit dhe ky betim të jenë futur
në zakonet fetare të Greqisë: të paktën nuk gjejmë as gjurmët që t`na e
provojnë këtë. Ky është pikërisht një rit primitiv, të cilin vetëm pasardhësit
e pellazgëve e kanë ruajtur dhe e kanë mbartur me vete përmes shtegtimeve të
tyre, në ato vise ku janë vendosur”.
II
Vjosa (Dia, Dea- Aia, Aea- Aoos, Aos) një lumë i hyjnizuar
1
Nuk ka
qenë vetëm guri i qytetit i shenjtëruar, por edhe vetë Vjosa ka qenë një lumë
hyjnor. Këtë e dëshmon Enzo Gatti kur thotë se shtegtarët, pasi zbresin në portin e
Artës, nisen në këmbë drejt luginës së shenjtë të Aoos. Nga Herodoti mësojmë për lidhjet e Egjiptit të lashtë me Dodonën e
Epirit. Ky komunikim realizohej nëpërmjet pëllumbave. A është ky një komunikim
real ku pëllumbat shpinin dhe merrnin njoftime nga Dodona në Thebë dhe
anasjelltas apo kemi të bëjmë me një tregim mitologjik? Nga Herodoti mësojmë gjithashtu se ky
komunikim ka qenë dhe në rrafshin e përvojës që të dy vendet i jepnin
njëri-tjetrit në rrafshin fetar nëpërmjet grave priftëresha. Po nëse
egjiptianët e kishin shpallur Nilin të shenjtë, në Epir gjejmë Vjosën si lumë të
shenjtë. Shenjtërimi i lumenjve duhet të ketë qenë faza paraprijëse, para se
njerëzit të ngrinin tempuj dhe të shenjtëronin perënditë duke u dhënë fytyrë
njerëzore. Shenjtërimin e Vjosës në nivel Perëndie na e jep ky njoftim i
rëndësishëm i autorit Valer Maksimi, i cili jetoi në shekullin e parë të
Krishtit. Sigurisht që ngjarja është shumë e hershme dhe tregon përplasjen
midis të ardhurve dhe vendasve.
Valer Maksimi « Ngjarje dhe thënie të shënuara », libri I, V,2.
« Apolloniatët nuk u penduan pse në një luftë të vështirë me ilirët
kërkuan ndihmën e epidamnasve. Këta të fundit u thanë se po u dërgojnë për
ndihmë lumin Aea, që rrjedh pranë mureve të tyre
-Ne pranojmë çfarë të na jepni, - u përgjigjën ata dhe lumit Aea i caktuan
radhën e parë në ushtri, si komandant i tyre. Megjithëse nuk kishin shpresë,
ata i mundën armiqtë e tyre duke i veshur këtë triumf besimit të këtij
falli ; ata i bënë fli lumit Aea, sikurse një Hyu dhe pas kësaj vendosën
ta venë në krye të ushtrisë në të gjitha betejat ». Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë, fq. 183.
Sipas këtij tregimi lumi Aea (Vjosa e sotme) kishte fuqi hyjnore. Po pse pikërisht Vjosa është ngritur në nivel perëndie? Skylakis Kardiensis (shek VI-V para Krishtit) një nga gjeografët më të vjetër e më të njohur, na thotë se lumi që kalonte pranë Apolonisë quhej Dias; çfarë është plotësisht e kuptueshme se bëhet fjalë për lumin e Vjosës.
Po nga Dias, emrin e këtij lumi e gjejmë Aias. Çifti i emrave Dias-Aias, tregon se tingulli -d, është zëvendësuar me tingullin -a. Pra ky është lumi i Dias, që mbante emrin e kryperëndisë epirote që e gjejmë në format: Di, Dia, Dias, çfarë i përgjigjet lakimit të këtij emri në gjuhën shqipe: Di- trajta e pashquar rasa emërore; Dia- trajta e shquar e rasës emërore. Nëse do ta lakojmë në trajtën e shquar do të kemi: em-Dia; gjin-Dias.
Po nëse gjeografi Skylakis Kardiensis na thotë se lumi i Vjosës quhej Dias prej nga rrjedh forma e mëvonshme Aias, tek dëshmia e shkrimtarit Valer Maksimi mësojmë se lumi i Vjosës quhej Aea, që në zëvendësimin e mësipërm kemi që lumi të jetë quajtur dhe Dea, në korrelacion me zëvendësimet Dias-Aias; Dea-Aea. Nëse do t`u referohemi, (nëse do t`u besojmë) enciklopedistëve italianë që thonë se Diona që nderohej bashkë me krye perëndinë Dia në Dodonë ka zëvendësuar perëndeshën e vjetër Dea dhe që i përkiste një periudhe 4 mijë vjet para Krishtit, atëherë ja ku jemi që këto dy perëndi të jenë nderuar së pari si fuqi hyjnore e rrjedhës së lumit Vjosë në të dy përfytyrimet e saj: si burrë dhe si grua. Vjosa është shfaqur në fuqinë e saj hyjnore si burrë, kur rrjedha e saj e kapërcente shtratin e vet gjatë shirave apo shkrirjes së bores. Ajo merrte fuqinë e saj hyjnore si grua gjatë stinës së verës kur rrjedha e saj qetësohej.
2
Po përfytyrimi i banorëve të antikitetit për Vjosën është përjetësuar dhe në një skulpturë që është gjetur në Apoloni dhe që ruhet në Muzeun Historik Kombëtar.
Në gazetën “Shekulli” datë 09.08.2016 gjejmë këtë informacion për lumin Vjosa “Lumi Vjosa, ashtu si Nili e lumenj të tjerë, janë të mitizuar. Nga tërë lumenjtë e Shqipërisë, vetëm Vjosa është quajtur Lumë i Shenjtë. Për Vjosën janë thurur mjaft legjenda. Gryka e Vjosës ishte, jo vetëm një strehim i sigurt për anijet, të cilat mund të hynin deri afër mureve rrethuese të Apolonisë, por edhe për t’u mbrojtur nga armiqtë. Me të drejtë shumë historianë e kanë quajtur “jetëdhënëse”. Ndërmjet skulpturave të shumta, të ekspozuara në Pavijonin e Lashtësisë në ?Muzeun Historik Kombëtar, të bën përshtypje ajo që i kushtohet lumit Vjosa. Vjosa është personifikuar në skulpturë nëpërmjet figurës së një plaku të shtrirë e të mbështetur në krahun e djathtë, me flokë deri te supet, me mjekër të dendur. Sipas një njoftimi të Muzeut, skulptura është në gur të bardhë, 49 cm e lartë, 70 cm e gjerë dhe i përket shek. III para Krishtit, zbuluar në Apoloni. Paraqitja antropomorfe e Vjosës tregon se ky lumë ka qenë i begatë dhe luginat pranë tij, pjellore. Ajo personifikohet me një perëndi. Gjymtyrët e zgjatura në formë valëzimi të kësaj perëndie, ku skulptori nuk ka qartësuar detajet anatomike, simbolizojnë dallgët e lumit Vjosa”.
Vjosa perëndi
III
Dodona sipas gjeografit dhe hartografit Philippi
Cluverus
Ndërmjet atyre hartave
që mundohen ta paraqesin Dodonën në vendndodhjen e saj të vërtetë, është dhe
ajo që ka për autor Philippi Cluverus. Në librin e tij “Introductio Universam
Geographiam-tam Veteram quam Novam...” Luneburge, 1686, pas faqes 346 të këtij
libri jepet një hartë e rëndësishme për vendndodhjen e Dodonës. Dodona ndodhet
në lindje të Kaonisë dhe në kufirin verior të Molosisë.
Harta e Philippi
Cluverus 1686
Në hartë shohim se në
tokën e molosëve rrjedh një lumë. Ky është i pashënuar me emër dhe ky është
lumi Aoos, sepse në veri të Molosisë që është lugina e Përmetit, ky është i
vetmi lumë (Vjosa e sotme) që rrjedh nga juglindja drejt veriperëndimit. Në të
djathtë të tij është një degë tjetër e lumit Aoos që në hartë është shënuar
lumi Dodon. Ky lumë rrjedh nga veriperëndimi drejt juglindjes. Në terrenin konkret
ky është lumi i Dëshnicës së sotme që rrjedh nga veriperëndimi drejt
juglindjes. Në hartë, bashkimi i lumit të Dodonës me atë të Aoosit bëhet në
juglindje të qytetit të Dodonës. Vendosja e këtij qyteti e tempulli bashkë
është aty ku është sot kalaja antike e Këlcyrës dhe rrënojat e qytetit poshtë
kalasë në shpat të malit. Ajo që vërehet në këtë hartë është saktësia me të
cilën harta ka paraqitur luginën e Dëshnicës dhe atë të Aoosit.
1- Drejtimi i rrjedhës së lumit Dodon
nga veriperëndimi drejt juglindjes.
2- Bashkimi i lumit Dodon me lumin Aoos ka atë saktësi sa ç`është saktësia e
bashkimit të këtyre lumenjve edhe në ditët e sotme.
3- Dodona është paraqitur saktësisht aty ku ndodhen sot rrënojat e qytetit
bashkë me kalanë antike (tempulli). Të gjitha këto saktësi nuk mund të realizoheshin nga Philipp Cluveri, nëse
ai nuk do të kishte përpara një hartë të mëparshme ku të ishte vendosur Dodona.
Nëse ky autor do të ishte mbështetur vetëm nga thëniet e autorëve të vjetër, do
të kishte pasur pasaktësi sikundër ka dhe për pjesë të tjera të hartës. Gjërat
e marra me mend, i afrohen së vërtetës, po kurrë nuk përshkruajnë të vërtetën.
Pozicioni gjeografik kaq i saktë për luginën e Dodonës dhe qytetin e saj,
dëshmojnë që Dodona pellazge duhet të ketë qenë e vizatuar në skica dhe harta
nga autorët e antikitetit.
Ajo që kishin të qartë përpiluesit e hartave deri në shekullin e XIX, ishte
bregdeti. Në pjesët e brendshme, asnjëri nuk i ka vendosur dot lumenjtë në
rrjedhën e tyre reale. Kjo për faktin se hartat, sidomos ato historike,
përpiloheshin pa pasur një hartë fizike të kohës së tyre, por përshkruheshin
qytetet njëri-pas tjetrit ashtu siç i përshkruanin autorët e antikitetit. Harta
të cilën po studiojmë, duke u nisur nga malet
e Vetëtimës (Akrokeraune) kemi Panormus, Himarë (Chimera), Sarandë (
Onkezmus) dhe më në jug Butrint. Po t`i shohim pozicionet e këtyre vendeve të
bregdetit në raport me Dodonën (Këlcyrën) do të shohim se janë afërsisht po ato
raporte që gjejmë edhe sot në një hartë fizike të Shqipërisë.
Duke pasur përpara hartën e Philipp Cluverit bindemi përfundimisht për vendndodhjen e Dodonës në luginën e Dëshnicës. Ajo, pavarësisht të metave që ka, ka të saktë atë çfarë ne na intereson: Philipp Cluveri e ka vendosur Dodonën me saktësinë e një përpiluesi të hartave të sotme. Siç duket, i tillë ka qenë materiali mbi të cilin ai është mbështetur. Dhe ky material është i besueshëm, sepse Dodona ka ekzistuar gjatë gjithë pushtimit romak dhe vizitorët e saj kanë qenë të shumtë. Nëse nuk mund të jepnin të dhëna të sakta për gjithë Epirin apo edhe më gjerë, vizitori i Dodonës, me njohuritë më minimale për përpilimin e një harte, e shihte qartë se qyteti ndodhej në shpat të malit, në këndin që formonte lumi Aos me lumin Dodon. Dhe përpiluesi i një harte të sotme, nuk ka se si ta japë më mirë. Çuditërisht është vërejtur edhe kthesa që merr lumi Dodon kur derdhet në Aos dhe është pasqyruar edhe në hartë. Edhe këndi që merr Aos kur drejtohet nga perëndimi është pasqyruar saktësisht. Siç duket ndonjë përpilues hartash ka qenë vizitor i Dodonës dhe e hodhi këtë mrekulli si dëshmi e pakundërshtueshme e ekzistencës së saj në këtë vend. Nuk është rastësi as saktësia e bashkimit të dy lumenjve, as fakti që aty ku ky autor vendos Dodonën të ndodhet një qytet i rrënuar dhe një kala antike.
Përfundime:
Shohim kështu që lugina e Përmetit ka qenë e shenjtëruar shumë kohë më parë, se
qenia njerëzore e kësaj lugine t`i jepte shenjtërisë së lumit Vjosë një fytyrë
njerëzore, pra të krijonte perënditë dodonase. Edhe sikur të mos kishim arritur
në përfundimin (tashmë në tre libra) se Dodona qytet, tempull dhe orakull
ndodhet në territorin e sotëm të Këlcyrës, vetëm fakti që lumi i Vjosës mbante
dy emrat e kryeperëndive pellazge: Dia dhe Dea, do të çonte në përfundimin se
qytetërimi i kësaj lugine ishte produkti që çoi në lindjen e qytetërimit
dodonas. Pavarësisht nga shkalla e zhvillimit ekonomik që mund të ketë pasur
Lugina e Sipërme e Vjosës, zhvillimi kulturor qëndron krahas dy qytetërimeve të
tjera të njëkohshme që u krijuan në Mijëvjeçarët para Krishtit, atij të
Egjiptit në rrjedhën e lumit Nil dhe atij shumer në Mesopotami, në rrjedhat e
lumenjve Tigër dhe Eufrat. Qytetërimi i Vjosës (Dia-Aos) duket se ka dhe një
periudhë historike që e kapërcen qytetërimin e perëndive të shumerëve dhe atë
të egjiptianëve. Kjo është epoka e shenjtërisë së gurit, të gurit të shenjtë
Omfalia, që nuk ka ekzistuar apo të paktën nuk është dokumentuar tek popujt e
tjerë. Qytetërimi Omfalia, duke parë shtrirjen e tij të gjerë, në të gjithë
territorin shqiptar, tregon se ka shoqëruar zanafillën e tij në një periudhë të
gjatë, parahistorinë e shqiptarëve në këto troje. Vetë ky gur, i cili adhurohet
dhe në ditët e sotme, flet shumë për kulturën e lashtë të shqiptarëve, që sa më
shumë kërkon të depërtosh në thellësinë e tij, aq më tepër diamante sjell prej
kësaj thellësie. Janë diamante që Lugina e Sipërme e Vjosës i krijoi jo për
vete, por i ndau me popujt e tjerë, u dha atyre dhe mori prej tyre. Rrotull
këtij guri të shenjtë të Përmetit, popujt e Botës sillnin kulturën e tyre dhe
merrnin atë çfarë ishte krijuar në luginën e perlave, e emërtuar si lugina e
Dias dhe Deas.
Nuk është rastësi, që kultura e Omfalias, të lindte kulturën e dytë më të
rëndësishme, edhe kjo me përmasa evropiane si e para. Tashmë lumi i shenjtëruar
me emrat Dia dhe Dea, mori tipare njerëzore dhe njerëzit e ngjitën atë, atje në
shpat të malit Trebeshinë. Tashmë, sipas dëshmive të autorëve të antikitetit,
në Dodonë vinin vizitorë nga të gjitha anët e Dheut. Po Dodona si institucioni
më i rëndësishëm në hapësirën e sotme ballkanike, kishte marrëdhënie
institucionale me qytetërimet e tjera. Kështu Herodoti na flet për
bashkëpunimin midis tempullit të Dodonës dhe atij të Egjiptit. Një ndërthurje kulturash dhe vlerash. Është
koha kur luginat e lumenjve kishin prodhuar qytetërimet më të rëndësishme:
qytetërimi dodonas në rrjedhë të lumit Vjosë (Dias-Aos), qytetërimi i shumerëve
në rrjedhë të lumenjve Tigër dhe Eufrat dhe ai egjiptian në rrjedhë të lumit
Nil. Luginat
e lumenjve kanë qenë kështu djepi ku lindi dhe u rrit shoqëria njerëzore.
Po nëse qytetërimi shumer dhe ai egjiptian njihen mirë, qytetërimi Omfalia, ndoshta qytetërimi më i vjetër i botës, si dhe ai i Dodonës, kanë mbetur ende të pazbuluar. Tashmë, nëpërmjet burimeve shkrimore, ka rënë rrezja e dritës dhe në këtë vend të panjohur për botën e qytetëruar.
2
Nuk ka
më dyshim se Lugina e Sipërme e Vjosës është djepi i qytetërimit evropian, i
atij qytetërimi që bëri hapin e madh që shkëputi njeriun nga bota e egër drejt
shoqërisë njerëzore. Që njerëzit të bëhen bashkë, duhet t`i bashkojë diçka e
përbashkët. Fillimisht ishte guri Omfalia që i bashkoi dhe krijoi tek shoqëria
një vizion të përbashkët. Krahas adhurimit të gurit të shenjtë vazhdoi adhurimi
për dukuri të ndryshme të natyrës, siç është adhurimi për diellin, lumenjtë apo
dhe dukuri të tjera. Emri i lumit Di është dhe fillesa e gjuhës sonë. Mund të
veçojmë grupin e fjalëve që kanë lidhje të drejtpërdrejt me lindjen e çiftit të
perëndive: Di-Diona. Çfarë është perëndia
Di? Qenia hyjnore që përfaqësonte tërësinë
e njohurive që shoqëria njerëzore kishte grumbulluar deri në atë kohë. Tek
orakulli apo tempulli i perëndisë Di, njerëzit shkonin dhe pyesnin për gjërat
që mendja e tyre nuk mund t`i kapte, pra për gjëra që njeriu nuk i di.
Në emrin kuptimplotë Di, kjo perëndi u bë dhe perëndia kryesore në Dodonë, në
Epir dhe Iliri. Pas emrit të perëndisë Di, dolën fjalët me kuptim të
përgjithshëm në gjuhën shqipe si: di, dija, i ditur, dituri, perëndi, etj. dhe
që me të drejtë, poeti ynë i madh Naim Frashëri dhe dijetarë të tjerë të
përmasave evropiane, e kanë quajtur shqipen gjuhë perëndie.
Kjo pasuri shqiptare me përmasa evropiane ka lindur këtu, në këtë luginë të
Përmetit. Nëse të parët e kësaj lugine ishin krijuesit e kësaj dijeje,
pasardhësit e saj janë ruajtësit dhe pasuruesit e këtyre vlerave. Vetë lugina e
Përmetit në ditët e sotme ngjan si një tempull perëndie, ku pothuajse mungojnë
mëkatet që kryejnë njerëzit, mëkate që në vende të tjera, rregullat që
sigurojnë vazhdimin e shoqërisë njerëzore ruhen me ligje të nxjerra nga shteti
dhe mbrohen me strukturat e shtetit.
Një pyetje lind pas nxjerrjes në dritë të kësaj pasurie kaq të madhe që duket
sikur nuk e mban dot e vetme lugina e famshme e Përmetit. Sigurisht që edhe
krahina të tjera mund të përfaqësohen me këtë vlerë përmetare, sepse është
produkt i vetë shoqërisë shqiptare. Po vendi i origjinës duhet të hedhë hapin e
parë dhe të identifikohet me të. Qytetet në vendin tonë, shumë prej tyre edhe
pse të vjetra, duket sikur kanë lindur në këto kohë moderne. Në qendër të tyre,
përfshi këtu dhe qytetet: Përmet dhe Këlcyrë, nuk ka asgjë që të lidh me
lashtësinë e tyre. Në qendër të tyre janë vendosur monumente apo statuja që të
lidhin vetëm me një shekull, a thua se Përmeti dhe Këlcyra janë qytete të
krijuara në shekullin e kaluar.
E ilustrojmë me shembuj:
Shembulli i parë:
Qyteti Rec (Retz) në Austri, është një qytet i vogël, në veri të Vjenës .
Pra një qytet i krahasueshëm me Këlcyrën dhe Përmetin. Në sheshin kryesor ku
dhe ruhen simbolet e qytetit, ndodhet një obelisk rreth 10 metra i lartë, i
mbushur me figura engjëllore që simbolizonin besim pagan të banorëve të kësaj
pjese të Austrisë. Në shesh kishte dhe monumente të tjera me të cilat ky qytet identifikohej
në rrjedhë të historisë së tij.
Shembulli i dytë:
Në qytetin e Vjenës në Austri, në
qendër të tij, pranë kishës së Shën Stefanit,
ishte një shesh në formë drejtkëndëshi, ku në mes të tij, një obelisk
përjetësonte disa figura engjëllore me fytyrë drejt qiellit. Ky monument i
kushtohej besimit të vjetër të vjenezëve, pra atij pagan. Ajo që duhej
të bëjë Përmeti dhe Këlcyra është që të mos i lërë këto qytete pa histori,
histori të cilën do t`ia lakmonin pothuaj të gjitha vendet evropiane.
3
Përmeti duhet të bëjë hapin i pari
në këtë drejtim. Tashmë kemi një interes për gurin Omfalia, interes që ka marrë
vëmendjen e qeverisë shqiptare. Ky Gur deri më sot ishte pa histori, nuk dihej
arsyeja pse adhurohej dhe pse banorët e qytetit të Përmetit e konsideronin
simbolin e qytetit të tyre. Tani ky Gur ka historinë e tij, histori që ka
mbajtur përreth tij breza të tërë në mijëvjeçarë. Kjo zanafillë kaq e vjetër e
banorëve të Luginës së Sipërme të Vjosës, sigurisht që meriton vëmendje. Në
radhë të parë vëmendjen ndaj tij do ta ketë qytetari evropian, i cili i kërkon
rrënjët e gjenezës së vet pikërisht në këto troje të Ballkanit Perëndimor.
Fatmirësisht ky gur rrethohet nga ndërtesa publike dhe fare pak nga ato
private. Nëse do ta lirojmë nga
ndërtesat që janë rrotull tij, do të krijohet sheshi nr. 1 i qytetit të Përmetit, që mund dhe të quhet: sheshi Omfalia, i mbushur me statuja të
botës antike, të cilat do të paraqesin besimin dhe përkushtimin e banorëve të
Përmetit apo Parauejt, sikundër përmenden në histori. Parauejt në shekullin e V-të para Krishtit ishin të organizuar
në Mbretëri dhe historia ka regjistruar mbretin Oroidi të Parauejve, në krye të një ushtrie të fisit të
parauejve dhe të orestëve, në një organizim të përgjithshëm epirot krahas
molosëve, thesprotëve dhe kaonëve (Tuqididi, Historitë , libri II, 80,(5-6).
Figura
të tilla duhen të zënë vend në këtë shesh që do të pasqyrojë antikitetin, sepse
krahas përmetarit filozof që me zgjuarsinë e tij depërtoi në misteret e
universit dhe solli prej andej copëza realiteti të cilat u mëshiruan në
shenjtërinë e gurit Omfalia dhe të lumit Dia, kemi dhe përmetarin prijës dhe
luftëtar, që zgjodhi për organizimin e tij të brendshëm format më moderne të
kohës antike.
Duke shkuar në rrënjë të origjinës sonë, nuk bëjmë krenar vetëm banorët e sotëm
të Përmetit, por krejt trojet shqiptare, madje dhe fqinjët tanë dhe më tej
kontinentin evropian.
Qendra e dytë e Përmetit që është sheshi ekzistues le të ruhet dhe mirëmbahet,
le të pasurohet me element të rinj, sepse shumë shpejt do të konsiderohet
sheshi i historisë moderne, sepse koha rrjedh shpejt dhe për brezat që vijnë, e
sotmja jonë do të jetë historia e tyre.
4
Këlcyra, ka një histori të vetën brilante ashtu si edhe Përmeti. Shkallën e
lartë të qytetërimit në Këlcyrë e tregojnë tri kalatë antike që e rrethojnë
atë. Harta që ka për autor Philippi
Cluverus e qartëson tashmë se ky qytetërim i përket atij të Dodonës.
Megjithatë, Këlcyra ashtu si dhe Përmeti nuk e pasqyrojnë në sheshet qendrore
të tyre këtë pasuri të çmuar. Edhe pse kalaja antike i dëshmon një qytetërim,
të paktën 2300 vjeçarë, qyteti duket sikur e ka zanafillën në shekullin e
kaluar. Një shesh i ri, që do të pasqyronte këtë pasuri antike, është i
nevojshëm dhe tepër i domosdoshëm për qytetin e Këlcyrës. Po çfarë duhet të
ketë ky shesh që të sjellë botën antike për banorët e Këlcyrës, vizitorët dhe
turistët. Mendoj se modelet janë të ngritura dhe i përshtaten plotësisht
shembujt e sjellë nga Austria. Një shesh ku mund të pasqyrohet besimi dhe
qytetërimi antik. Nga bota e besimit, kemi çiftin e perëndive Dia dhe Dea të simbolizuara
në lumin e Vjosës, me emrat e të cilëve thirrej ky lumë në kohët më të vjetra,
apo në majën e malit Trebeshinë, Dea-Dean-Dejan. Emrin e Deas, në kohët më të
vonshme, e gjejmë Diona. Sipas enciklopedistëve italianë, Dea ka qenë
perëndeshë e mijëvjeçarëve të V-IV para Krishtit e cila u zëvendësua në një
kohë të mëvonshme nga Diona. Ky konstatim i enciklopedistëve italianë
vërtetohet më së miri me dëshmitë dhe gjetjet arkeologjike të periudhës së
antikitetit. Vendosja e çiftit të Perëndive Dia-Dea me të cilat emërtohej lumi
i Vjosës, apo çifti i perëndive Dia-Diona që nderoheshin në tempullin e
Dodonës, do të shënojë dhe zanafillën e qytetërimit të banorëve të vjetër të
trevës së Këlcyrës. Emri i Dionës përmendet dhe nga Homeri, që do të thotë se
emri i saj ka qenë në përdorim në kohën e Luftës së Trojës, pra, 1200 vjet para
Krishtit deri në kohën e shkatërrimit të Dodonës në shekujt IV-V pas Krishtit.
Dëshmia e Skylaksit, statuja që hyjnizonte lumin e Vjosës, si dhe harta e
Philipp Cluverit që e vendos Dodonën në shpat të malit Trebeshinë, pikërisht
atje ku ndodhet kalaja antike dhe rrënojat e një qyteti poshtë saj, janë dëshmi
të pakundërshtueshme, të cilat vërtetojnë se banorët e këtij qyteti dhe të
trevave që e rrethojnë atë, janë shënjuesit e qytetërimit evropian, qytetërim
që lindi nga zbulesa që të parët tanë i bënë ekzistencës së Zotit, të cilin e
emërtuan Di. Kjo zbulesë me vlerë universale, i cili grumbulloi rreth vetes
njerëzinë, është një nga zbulesat më të mëdha që ka bërë shoqëria njerëzore
deri në ditët e sotme. Këtu, në këto rrjedha të Vjosës dhe në këtë shpat të
malit Trebeshinë, është shënjuar akti i Krijimit të shoqërisë njerëzore. Dia,
emrin e të cilit mbante Vjosa e sotme dhe tempulli atje në shpat të malit,
duhet të ketë një shesh në qytetin e Këlcyrës që të mbajë emrin e tij. Në këtë
mënyrë orientojmë veten për të nderuar të parët tanë, por orientojmë dhe të
tjerët për të parë se ku e ka zanafillën shoqëria e sotme evropiane. Le të
hidhet së pari ky hap, le të krijohet një shesh që do të thirret: sheshi i Dias. Hap pas hapi, le të
plotësohet me ato figura që e kanë mbrojtur perëndinë Di dhe banorët e trevës
së Këlcyrës në rrjedhë të historisë antike dhe më vonë.