E marte, 15.10.2024, 10:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Hysen Këqiku: Xhemaledin Salihu - njeri i adhuruar

E hene, 30.10.2017, 08:12 PM


XHEMALEDIN SALIHU, NJERI I ADHURUAR NGA POPULLI I LUGINËS SË PRESHEVËS

Nga Hysen Këqiku

Presheva, për mua është vendlindja e dytë, pa e harruar vendlindjen time Velegllavën (Velia Glauan e lashtë) një pjesë të synimeve e të aspiratave jetësore m’i plotësoi Presheva sepse aty e kreva gjimnazin, aty e kuptova më mirë se çdo kund tjetër, kuptimin e të qenit gjallë, kuptimin e të jetuarit dinjitetshëm, kuptimin e heqjes së prangave (imagjinare) që nuk dukshin po hapnin plagë... Aty takova shokë e miq që ua pëlqeva vizionin.

Profesorët e mi të nderuar, veçmas, Mustafa Selimi e Adem Ahmeti, u bënë dritë frymëzim për të ecur përpara pa marrë parasysh sakrificat. Xhemaledin Salihun, derisa isha në Gjimnaz e takoja për ditë. Ai si nxënës, bashkë me Jonuz Fetahajn/tashti shkrimtar/ dhe Rexhep Ismajlin/tashti Akademik/ e mirëmbanin dhe e udhëheqnin Bibliotekën e Gjimnazit vullnetarisht. Është i shënuar viti 1965 kur në revistën javore “Zani i rinisë”u botua një faqe me poezi të grupit letrar të gjimnazit. Në të gjitha takimet njësoj si Xhemaledini frymëzonte, në frymën atdhetare, edhe Rexhep Ismajli, tash akademik në hulumtime albanologjike. Mexhit Mehmeti, i cili para një viti mori çmimin “Naim Frashëri” për krijimtari letrare ishte njësoj i kyçur në të gjitha rrjedhat përparimtare e atdhetare në gjimnazin e Preshevës, po megjithatë që atëherë dallohej Xhemaledin Salihu. Xhemaledini nxënës i Gjimnazit drejtoi, organizoi dhe mori pjesë aktivisht në aktivitetet kulturore dhe sportive/mori pjesë në recitime, drame dhe ne fudboll/. Në Preshevën e atëherit dhe e gjithhershme, “Voskopoja e dytë shqiptare” u shqua dhe mbeti njëra nga shtyllat gjigante të kalasë së qëndresës shqiptare me veprat e tyre të mira, artistike, hulumtuese, shkencore e të tjera... Xhemaledini u brumos me zjarr patriotik edhe në Universitetin e Prishtinës në Prishtinë ku, studionte pedagogjinë. Nuk kishte gazetë, apo revistë që nuk shkruante Xhemaledini për tema të ndryshme, gjithmonë në frymën e luftës ndaj asaj që ishte e dëmshme dhe devijante për rininë, dhe shoqërinë shqiptare në të gjitha trevat, jo vetëm në Kosovë. Gjatë studimeve, në vitin 1970/71 ishte bashkëpunëtor i gazetës së Studentëve “Bota e Re”, kryeredaktor i së cilës ishte Ibrahim Rugova. Aty kah vitet e ’80, pas daljes të shumë gjeneratave me shkolla të larta, fakultete, magjistratura e doktorantura, Presheva frymonte njësoj si të gjithë ata që donin të ishin të lirë, donin të ishin të barabartë në krijimtarinë shpirtërore e materiale. Xhemaledini, kudo në arsim, kulturë dhe veprimtari që plotësonin shumë vakumet me elemente dhe prurje të reja për të ecur përpara... . . . E di e mbaj në mend kur hynim në tregun e Preshevës mezi kalonim nga njerëzit që përpiqeshin të gjejnë shteg për t’u afruar tek vendi ku kishin nevojë të blenin diçka. Të kënaqej shpirti kur shihje shtim në popullatë. Më vonë veçmas pas vitit 1989, kur Kosovës iu uzurpua autonomia, edhe në Preshevë u bënë shkelje të shumta të sigurisë, të të drejtave elementare njerëzore ... kjo, për shkak të ndryshimit të politikës serbo-jugosllave, popullata filloi të mos shoh perspektivë për të jetuar në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Shpërnguljet filluan dhe vit pas viti, gjendja në tregun e rrugët e Preshevës ndryshoi, nuk kishte shumë blerës në treg, numri i nxënësve nëpër shkolla filloi të zvogëlohet. Kudo pasiguri... Vetëm, te ata që kishin vizion për ardhmërinë, vetëm ata që kishin vendosur të flijoheshin për tokën e trashëguar nga gjysh stërgjyshërit e tyre, nuk lëviznin ishin shndërruar në Ante, në Ante ishte shndërruar edhe Xhemaledini . Dilte, takonte njerëz me shpresa të thyera, bisedonte kurajonte, bindte që të qëndrojnë aty në tokën që i kishte lënë gjyshi e strëgjyshi; Xhemaledin Salihu, që atëherë me shënimet që kishte grumbulluar gjatë gjithë kohës, prej kur ishte nxënës i gjimnazit në Preshevë, edhe gjatë studimeve, më vonë edhe si punëtor i kulturës e i arsimit, botoi librin përkatësisht monografinë për kultuën e Preshevës : “Kultura shqiptare në Preshevë 1945 – 1999” dhe shumë shkrime nga lëmija e historisë, gjeografisë, kulturës, bibliotekarisë, trashëgimisë në shumë gazeta dhe Web faqe. Afirmimi i krijimtarisë së Xhemaledin Salihut shtrihej gjithandej sikur një fllad që ta freskon shpirtin. Ditë pas ditësh e vjet pas vjetësh bëhej i admirueshëm, shumë i ndershëm e i nderuar nga masat e përgjithshme të popullit. Ishte njeriu që i njihte vlerat shpirtërore, materiale dhe ato natyrore që me fanatizëm i kishin ruajtur brez pas brezi shtresat e ndryshme popullore. . . . Fati i Luginës së Preshevës ishte ngushtë i lidhur me fatin historik, politik e social të Kosovës – me statutin politik të Saj. Xhemaledini ishte sy e vesh, në të gjitha rrjedhat. Bashkë me shumë veprimtarë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, kishin formuar parti politike dhe të gjitha në programet e punës për agjendë kryesore kishin statusin politik të shqiptarëve, mbrojtjen e tyre dhe orientimin politik duke e sensibilizuar edhe opinionin ndërkombëtar se ato troje me tri komuna ishin pjesë e shkëputur nga trungu kombëtar, nga Kosova e bashkë me Kosovës nga shteti amë Shqipëria. Kosova në fillim kërkonte republikë në kuadër të ish-Jugosllavisë, pas uzurpimit të autonomisë, Kosova ndërroi orientimin politik. Kërkoi sovranitet në kufijtë ekzistues, formoi organet shtetërore (paralele). Edhe Lugina e Preshevës ndërroi vendosi që të organizojë referendum gjithë-popullor. Pas formimit të Kuvendit për shpalljen dhe organizimin e Referendumit, në kuadër të tij u zgjodh edhe Kryesia e Kuvendit me Këshillat përkatëse të veprimit. Këshilli për Arsim, Kulturë dhe Informim i Kuvendit, me kryetar Xhemaledin Salihun, para Referendumit, më 24 shkurt 1992, së bashku me forcat të tjera relevante, organizoi Konferencën e parë për shtyp, në lokalet e PVD-së,(Partia për Veprim Demokratik), ku morën pjesë shumë gazetarë, në mesin e të cilëve edhe Shefki Ukaj, gazetar i mirënjohur. Para kësaj Konference shtypi, Nehat Hyseni, kryetar i Degës së PVD-së në Preshevë dhe Xhemaledin Salihu, sekretar më 19 shkurt 1992, ditë e hënë, në Prishtinë morën vulën e porositur të referendumit dhe përgatitën Konferencat për shtyp. . . . Në mbrëmje po të kësaj dite, duke u kthyer nga Prishtina, në kthesat e Liqenit të Badovcit, me që ishte dimër me acar, rrugët ishin me borë dhe akull, rrëshqitën me makinë dhe u rrokullisën, duke e zënë gjithë rrugën. Me ta në makinë ishte edhe Akademik Rexhep Ismajli, i cili nga Presheva udhëtonte për në Gjermani, me dy strajca material politik të LDK-së. Jetën tonë e shpëtuan dy të rinj, të cilët e ndalën komunikacionin që vinte nga Prishtina. Pastaj ndihmuan edhe xehëtarët e Kishnicës që ktheheshin nga puna. Ata e rrotulluan makinën e përmbysur e të prishur, e larguan nga rruga meqë më nuk ishte për përdorim. E morën Rexhep Ismajlin në autobus dhe vazhduan për Gjilan, ndërsa Nehati dhe unë erdhëm më vonë. Rreziku më i madh ishte të gjendej vula e referendumit dhe materiali politik, por kjo nuk ndodhi fal syçeltësisë tonë. Konferenca e parë për shtyp ndodhi më 24 shkurt 1992, ndërsa Referendumi në pyetjen: A jeni për Autonomi Territoriale politike me të drejtë bashkimi me Kosovën, ndodhi sipas planit dhe përgatitjes më 1 dhe 2 mars 1992. Konferenca e dytë për shtyp u organizua më 4 mars 1992, ku morën pjesë shumë gazetarë. Referendumi rezultoi me

98,86% të deklarimit të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Më 28 shkurt të vitit 1993, në Shtëpinë e Kulturës u mbajt Tribuna politike me temën:”Referendumet e Shqiptarëve në-ish-Jugosllavi dhe rëndësia e tyre në zgjidhjen e çështjes kombëtare”, të cilën e organizoi Partia për Veprim Demokratik, Këshilli për Arsim, Kulturë dhe Informim i saj, me kryetar Xhemaledin Salihun, në shenjë të kremtimit të 1-vjetorit të mbajtjes së Referendumit më 1 dhe 2 mars 1992, ku morën pjesë: Prof.dr. Fehmi Agani, nënkryetar i LDK-së, Prof.dr. Ali Aliu e Akademik Rexhep Ismajli, anëtarë të Kryesisë së LDK-së, Dr. Jusuf Bajraktari, nënkryetar i PFK-së, Rasim Lajiqi, kryetar Qeverie dhe sekretar i përgjithshëm i PAD-it nga Sanxhaku, Riza Gruda, ish deputet popullor dhe aktivist i dalluar i PAD-it, Basri Musmurati, kryetar i Degës së LDK-së në Gjilan, Ibrahim Kadriu, kryetar i Kuvendit për shpalljen e referendumit, Zeqirja Fazliu, kryetar i PDSH-së, përfaqësuesit e Forumit të Gruasë, përfaqësuesit e mjeteve të informimit dhe prezenca e shumtë e qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Për ta vërtetuar rëndësinë e kësaj tribune, po japin disa fjali të shkëputura nga fjalimet e pjesëmarrësve të Tribunës, marrë nga gazeta “Veprimi”: titulli: REFERENDUMET-MJET I FUQISHËM POLITIK I LËVIZJES POLITIKE SHQIPTARE:

Riza Halimi: Deklarimi i Shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për Autonomi Territoriale politike është kërkesë minimale drejt realizimit të aspiratave të tyre politike.

Prof.dr. Fehmi Agani: Referendumet e Shqiptarëve janë rezultat i rëndësishëm drejt realizimit të qëllimit final të Lëvizjes Politike Shqiptare.

Prof.dr. Ali Aliu: Pikë kryesore ku mund të humbim apo të fitojmë, gjithësesi është ajo që sot po zhvillohet në Kosovë.

Rasim Lajiqi: Shqiptarët dhe Myslimanët kurrë nuk kanë pasur arsye që të gjenden në fronte të ndryshme.

Dr. Jusuf Bajraktari: Me referendum u shpreh njëra prej kaptinave më të rëndësishme të dëshirës dhe vullnetit politik të popullit tonë”,

Basri Musmurati: Integrimin tonë shpirtëror ta bëjmë integrim politik. etj.

Kur nisi të shpërbëhet RFSJ, Shqiptarët nga Serbia Jugore morën pjesë totalisht në veprimtaritë politike të përbashkëta të sivëllezërve të tyre kudo, në të gjithë vendin. Dy parti nga zona ishin anëtare e Këshillit Koordinativ të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi/KKPPSH/, të kryesuar nga udhëheqësi kosovar, Ibrahim Rugova. Këto qenë Partia për Veprim Demokratik/PVD/ dhe Partia Demokratike Shqiptare. Kështu që këto parti ndan idetë e Shqipërisë dhe Kosovës reale, të mbrojtura nga KKPPSH në fillimet e krizës Jugosllave më 1991 dhe 1992. Falë gjeografisë dhe historisë së tyre, veçanërisht shqiptarët në Serbinë e Jugut kërkonin Kosovën e Madhe, ose në terma më konkrete, ribashkimin e tyre me Kosovën. Më 1 e 2 mars 1992, ata organizuan një Referendum dhe u kërkuan shqiptarëve në të tri bashkitë nëse ata donin ”autonominë territoriale dhe politike, me të drejtën e bashkimit me Kosovën” Sipas të dhënave të organizatorëve 96.86 % e afro 45.000 “qytetarëve me të drejtë vote” e përdorën votën e tyre. Vetëm 25 individë u përgjigjën negativisht. Pavarësisht nga besueshmëria demokratike e një referendumi të tillë, pak dyshime mund të kishte se ai shprehte ndjenjat e atyre që morën pjesë, domethënë të popullsisë shqiptare të zonës. Pas Referendumit, e ashtuquajtura Ansamble për Autonomi Territoriale dhe Politike e Shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës publikoi një broshurë prej pesëmbëdhjetë faqesh, me letër lustër, dyngjyrëshe, në shqip dhe anglisht. Ajo përmbante një hartë që tregonte zonën “në

kontekstin e shqiptarëve në Jugosllavi” dhe pohonte që kjo zonë kishte qenë në lashtësi, pjesë e shtetit antik të Dardanisë, të cilën shqiptarët fort të përkushtuar për pavarësinë e Kosovës, e kishin zgjedhur, për komb të shquar si pikën referimit historik. Më tutje broshura thoshte se banorët shqiptarë të të tri bashkive ishin, pavarësisht ndarjeve administrative, “pjesë përbërëse e tërësisë etnike të shqiptarëve” që “ merrnin pjesë në të gjitha veprimtaritë kombëtare shqiptare “. Në ditët e para të krizës Jugosllave më 1991 dhe 1992, Shqiptarët nga Serbia Jugore formuluan ankesat e tyre në tre dokumente: I pari ishte një dokument i quajtur “Informacion mbi shkeljet e të Drejtave Civile dhe Kombëtare të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë” e nëntorit 1991, e nënshkruar për PVD-në nga Riza Halimi. Ai u ndoq, në dhjetor 1991, nga një letër për Organizatën Arsimore, Shkencore dhe Kulturore të KB-së/UNESCO/, të firmosur nga sekretari i PVD-së për arsim dhe kulturë, Xhemaledin Salihu, i cili ankohej për “diskriminim e plotë me një prirje shkatërrimi fare” të arsimit në gjuhën shqipe. Dokumenti i tretë ishte broshura e lartëpërmendur e 1991-shit. Në qeverisjen lokale të parë shqiptare të Preshevës, në qeverinë e saj udhëhoqi resorin per kulturë, arsim, kulturë fizike dhe informim. . . . Xhemaludin salihu, ky njeri i madh i regjistrimit të vlerave të ndryshme kishte mbrri numrin e vlerave që duheshin të eksploroheshin më se 800 sish. Duke e kuptuar se kjo mund të realizohej vetëm me ndonjë Shoqatë që udhëhiqej prej njerëzve të devotshëm, prej njerëzve që kishin përkrahjen e masave të shumta popullore në terren, prej një shoqate që do ta mbështeste në radhë të parë sovrani – populli, po edhe institucionet aktuale të vendit, morri iniciativën, formoi grupin inicues të cilët e thirrën Kuvendin themelues dhe në vitin 2010, themeloi Shoqatën për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, me seli në Preshevë duke pasur në agjendën e eksplorimit edhe Bujanocin, edhe Medvegjën. Kryesia e themeluar nga Kuvendi për kryetar e zgjodhi Xhemaledin Salihun, të cilit iu hapën rrugët e eksplorimit të vlerave të shumta në këtë rajon që zyrtarisht, që nga viti 1945, quhet Lugina e Preshevës. Për të pasë sukses në fushat hulumtuese zgjeroi bashkëpunimin me të gjithë ata hulumtues që i njihete, përmes veprave në fusha të ndryshme si në Kosovë, Maqedoni dhe në Shqipëri, hapi bashkëpunim me shumë Shtëpi botuese , në Gjilan e në Prishtinë, të cilat i afruan ndihmë të pakursyeshme profesionale të botimit në vëllime të ndryshme veprash. Shtëpia Botues “KURORA” në Gjilan i është shumë mirënjohës për afrimin e veprave, qoftë për lektorim, redaktim apo thyerje teknike sepse duke u bazuar në vlerën, qëllimin dhe synimin e Shoqatës ia rriste vlerën edhe Shtëpisë Botuese. Kjo shtëpi Botuese duke njohur qëllimin e programit kombëtar eksplorues të Shoqatës, ishte shumë e interesuar që ta mbështeste e t’ia afronte ndihmën që mund t’ia afronte, sepse Xhemaledin Salihu ishte bërë njeriu më i kërkuar dhe i admiruar por edhe shumë i kërkuar dhe i namun nga pushteti serb për ta penguar në qëllimin që ia kishte shtruar vetes përpara. . . Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore me seli në Preshevë, për përmbushjen e detyrave programore të punës së saj, në tetor të vitit 2010 organizoi konferencë shkencore me temën “Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë” duke shpallur konkurs me qëllim që të merrnin pjesë sa më shumë hulumtues, përkatësisht njohës të kësaj fushe të trashëgimisë popullore, në të cilën janë lexuar 12 kumtesa të suksesshme, të cilat për ta vazhduar ruajtjen e vlerave të veçanta me të njëjtin titull “Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë” e botuar po ashtu nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë. Më datën 24 dhe 25 dhjetor 2011, u mbajt konferenca e radhës me temën “Dasma shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, dikur

dhe sot” , në të cilën u lexuan 25 kumtesa shkencore të cilat u vlerësuan shkëlqyeshëm nga ekspert të folkloristikës shqiptare. Kumtesat e lexuara në këtë konferencë e panë dritën e botimit në librin me të njejtin titull të redaktuar nga editori i SHB “Kurora” në Gjilan, Kjo shtëpi botuese bëri edhe përgatitjen teknike të librit. Simpoziumi i radhës u mbajt më 23,24 nëntor 2012 me temën “Lugina e Preshevës në lëvizjen shqiptare gjatë historisë”, në të cilën u lexuan 26 kumtesa me rëndësi historike, arkeologjike, letrare e muzikore. Të gjitha kumtesat u botuan në librin me të njëjtin titull, botimin e së cilës e mori përsipër Shtëpia Botuese “Kurora” në Gjilan. Më datën 12 e 13 dhjetor të vitit 2014, nga shtëpia Botuese “Kurora” në Gjilan u botua libri me kumtesat e radhës me temën “Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të trojeve etnike në ish-Jugosllavi, në mbarim të luftës së Dytë Botërore”. Këto konferenca shkencore, të organizuara nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, kryetar i së cilës edhe aktualisht është Xhemaledin Salihu, regjistruan një përpjekje edhe të intelektualëve të trojeve të ndryshme të atdheut që debatojnë dhe sjellin kumtesa për temën e caktuar dhe të propozuar nga kryesia e Shoqatës që kanë të bëjnë me begatinë e thesarit të krijuar e të ruajtur nga qytetarët e Preshevës dhe të rrethinës.

Xhemaledin Salihu ky bir i popullit as nuk u ndal as nuk ndalet para çdo vështirësie e rreziku, nga qëllimi i tij. Motivet e tij janë gjithmonë të hapura dhe frymëzuese për të dalë me botime edhe më specifike edhe më të zgjeruara, gjithmonë me regjistrime të trashëgimisë së vlerave shpirtërore, materiale dhe natyrore. Në vitin 2014 Xhemaledini, pas një pune me ngulm përkaktësisht me përqendrim, botoi një monografi me titull “Bujanoci burim i trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore”. Ky libër përmban: Objektet dhe lokalitetet arkeologjike, objektet sakrale islame me një vështrim historik për përhapjen e fesë islame n Kosovën Lindore përkatësisht në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Objektet sakrale të krishtera, Objektet e banimit dhe ndërtesa ndihmëse, Objektet publike dhe përmendoret, lapidarët, bustet dhe pllakat përkujtimore dhe Trashëgiminë natyrore, duke qenë botues SHB “Kurora” në Gjilan.

Bashkëpunimi me shtëpinë botuese kurorëzohet edhe me një libër tjetër po të kësaj fushe “Rainca, vendbanim i vjetër dardano-shqiptar në rajonin e Preshevës” e botuar në vitin 2015.

Kontributi individual dhe kolektiv i Xhemaludin Salihut është i madh - thuaja i papërshkrueshëm. Me të gjitha botimet dhe synimet që i ka ky njeri, meriton respektin tonë e të krijuesve tjerë të fushave të ndryshme nga se edhe përëkundër moshës synimet e tija janë edhe më afirmative të vlerave të shumta nëpër lokalitetet e hapësirës gjeografike të quajtur Lugina e Preshevës...

Në Gjilan, më 16. 08. 2017

Editori i Shtëpisë Botuese “KURORA” në Gjilan

Hysen Këqiku- shkrimtar



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora