Kulturë
Milazim Kadriu: Endrit A. Binakaj - Ditari i një ushtari
E diele, 29.10.2017, 11:11 AM
DITAR QË SPIKAT DATA TË RËNDËSISË HISTORIKE TË LUFTËS ÇLIRIMTARE
Endrit A. Binakaj “ Ditari i një ushtari - Monografi për dëshmorin Valiant N. Ferizi ”, botoi “ Atumis “ – Prishtinë, 2017
Nga Milazim F. KADRIU
Lufta për çlirimin e vendit që ishte një domosdoshmëri, për të dal nga një okupim klasik i viteve të nëntëdhjeta , fitoi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës lavdinë e përjetshme , sepse luftëtari i lirisë nuk kursej asgjë, madje as jetën për lirinë e vendit te vet.
Pas përfundimit të luftës së UÇK-së kundër okupatorit serb janë botuar disa libra për luftën e lavdishme të UÇK-së dhe dëshmorët e rënë për liri nga autor të ndryshëm. Autorët e këtyre librave i shtruan veti një obligim sa kombëtar aq edhe njerëzor që lexuesit e sidomos gjeneratës së re po edhe atyre që do të vinë pas nesh njohuri për luftën çlirimtare dhe dëshmorët e rënë në luftë nën emblemën e UÇK-së.
Edhe ata që shkruajnë për luftën dhe dëshmorët e UÇK-së kanë fatin dhe janë të privilegjuar që të shkruajnë për ata që patën fatin të fitojnë pavdekësinë ngase ata tashmë janë figura historike të vendit tonë dhe jo të gjithë mund të fitojnë epitetin e të pavdekshmit, këtë e fituan djemtë më të mirë të vendit të cilët nuk hezituan që të dhënë të gjitha që patën, madje edhe jetën e tyre.
Libri “ Ditari i një ushtari - Monografi për dëshmorin Valiant N. Ferizi ” i autorit Endrit A. Binakaj , është mbështetur në ditarin e luftëtarit të lirisë, Valiant N. Ferizi i cili ka mbajtur shënime gjatë zhvillimit të luftimeve, gjatë kryerjes së detyrave të caktuara ushtarake, si dhe gjatë përballjeve me forcat pushtuese të Serbisë. Ky ditarë që është mbajtur që nga data 1 mars 1999 deri më 19 maj 1999 në një mënyrë, apo në një tjetër, është bërë letërnjoftimi i ngjarjeve që janë zhvilluar në një pjesë të caktuar të gjeografisë sonë kombëtare ku po zhvilloheshin luftime për çlirimin e Kosovës.
Autori Binakaj librin e tij e hap me një prolog ku flet për dëshmorin Valiant N. Ferizin, studentin e dalluar të Universitetit të Prishtinës, dega Gjuhë dhe letërsi gjermane ku ndër të tjera ai thotë se : “ Gjersa lexoja shkrimet në origjinal të ushtarit të lirisë, mendoja në vete, shikoja fotografinë e tij të buzëqeshur, zhvendosesha shpeshherë në pozicionin e tij, ishin të pashmangshme ndjenjat që më kaplonin, ndjeja dhembje, krenarie, sakrifice dhe vetëmohimi ”.
Më pas ai sjell një biografi të shkurtër të dëshmorit Valiant N. Ferizi që u lind më 25 maj 1975 në fshatin Kodrali, komuna e Deçanit. Ai la studimet në Universitetin e Prishtinës dhe vullnetarisht iu bashkëngjit radhëve të UÇK-së, ku krahas pushkës nuk e la anash as lapsin duke mbajtur ditarin e tij ku ka shënuar ngjarje reale të luftës. Ditarin e mbajti deri pak ditë para rënies së tij heroike në Bjeshkët e Belegut në trekëndëshin kufitar Shqipëri – Kosovë - Mali i Zi. Ai ra në fushën e nderit bashkë me 14 shokët e tij më 24 maj 1999, një ditë pa i mbush 24 pranvera. Më tej autori na sjell një letërnjoftim për rrugën jetësore të dëshmorit dhe të familjes së tij , të themeleve të edukatës së tij atdhetare, por edhe të rrugëve jetësore nëpër të cilat ka kaluar dëshmori.
Më pas vjen Ditari autentik i dëshmorit ashtu si i ka shkruar ai vetë pa ndonjë ndërhyrje brenda tekstit nga autori, përveçse kur komentohet ndonjë ngjarje me rëndësi, por gjithmonë duke lënë shkrimin origjinal të dëshmorit. Andaj kjo konsiderohet si trungu i kësaj vepre ngase janë rrëfime të drejtpërdrejta edhe nga frontet e luftimeve, por ajo që është më e rëndësishme, ato janë rrëfime për mënyrën e jetës dhe të qëndresës në kohë lufte.
Autori në libër sjell edhe dy intervista me komandantin e Brigadës 131 “ Jusuf Gërvalla ”, gjeneral Daut Haradinaj dhe Avdyl Mushkolajn, komandant i Batalionit III Gardist.
Recensenti i librit Prof.Dr. Nysret Pllana ndër tjera thotë : “ Kur lexohet ditari i dëshmorit, ato shënime të shkurtra pa shumë përshkrime, krijohet natyrshëm atmosfera e kohës kur janë zhvilluar luftimet, atmosfera e mënyrës së jetës në rrethana lufte, me të gjitha të papriturat dhe me të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur brenda një harku kohor të caktuar. . .
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte karakter çlirimtar. Por, si proces historik ajo ka hapur rrugën e madhe të bashkimit kombëtar, që do të ishte ndreqje e padrejtësive historike që i janë bërë popullit shqiptar që sa shekuj. Në ditarin e dëshmorit Valiant N. Ferizi ky karakter i luftës së UÇK-së del i qartë, del i plotë dhe del frymëzues”.
Ndërsa recensuesja Mr.Sc. Fetnete Ramosaj thotë se : ” Kur lexojmë kujtimet për luftën nga pjesëmarrësit e saj, kur lexojmë ngjarjet ditore të shënuara në ditar nga një luftëtar lirie, në këtë rast, nga dëshmori i kombit Valiant Ferizi, padyshim se gjeneratave të tashme dhe të ardhshme ju mundësohet ta njohin më mirë periudhën e luftës, nëpërmjet të dhënave burimore të dorës së parë ”.
Nuk ka vepër që i kushtohet luftës për çlirimin e kësaj pjese të tokave shqiptare, që nuk ka rëndësi historike, qoftë edhe kur shkruhet për një betejë të caktuar, për një dëshmor apo për një luftëtar lirie. Edhe autori Endrit Binakaj na ka sjell një libër të kësaj natyre që sjell ditarin e një ushtari të lirisë tash dëshmor kombi. Ai në këtë libër sjell momente, ngjarje por edhe emra të bashkëluftëtarëve të atij që për një periudhë të caktuar mbajti ditar lufte duke sjell ngjarje të cilat u zhvilluan në një vend të caktuar, por që kur lexohet ky ditar të kujton edhe ngjarje tjera që përafërsisht kanë ndodhur edhe në vende tjera. Dhe nuk ka si të mos ketë ngjashmëri ngase luftëtarët e lirisë të gjithë bënë luftë çlirimtare dhe të gjithë patën synim çlirimin e vendit nga okupatori shekullor dhe rrugëtimin drejt bashkimit kombëtar. I till ishte edhe dëshmori Valiant N. Ferizi, që na la kujtim ditarin e tij të luftës e që autori e solli me gjithë origjinalitetin e tij që sot ta kenë dhe ta lexojnë jo vetëm bashkëluftëtarët e tij por gjithë lexuesit në trojet shqiptare.
Andaj libri “ Ditari i një ushtari …” i Endrit A. Binakajt është një libër i vlerave të luftës, vlera të cilat na i lanë ata trashëgim neve, dëshmorët, veteranët e invalidët, andaj vlera e këtij libri është ajo që e thotë realitetin e saj, historinë e vërtetë, histori e shkruar nga gjaku i bijve dhe bijave më të mira. Ky libër është një dëshmi dhe një dokument që i mbetet historisë të cilën do ta trashëgojnë brezat derisa historia shqiptare të jetë e gjallë dhe derisa të frymojnë shqiptarët në trojet e tyre etnike.
Cilido autor që sjell para lexuesit një libër për dëshmorin apo luftën e lavdishme të UÇK-së është gjëja më e vogël që mund të bëjmë ne sot për ata bijë të këtij vendi që nuk gjenden në mesin tonë. Ata lanë gjurmë të pashlyera të veprës së tyre në njërën nga periudhat më të rëndësishme të luftës për çlirim dhe rrugëtimit drejtë bashkimit kombëtar.
Edhe ky libër bashkë me librat tjerë të shkruar për dëshmorët dhe luftën e lavdishme të UÇK-së do të ligjërojnë në secilën kohë dhe janë dëshmi e shkruar për gjeneratat e ardhshme se liria e këtij vendi nuk është dhuruar, ajo është fituar me flijimin e bijve më të mirë të vendit që derdhën gjakun e tyre të njomë.