Kulturë
Xhemil Bytyçi: Burimi i dritës
E diele, 22.10.2017, 09:11 AM
Xhemil Bytyçi
BURIMI I DRITËS
Toka ime
Ti je
Burimi i dritës
Ku nis jeta ime
Dhe unë jam rrënja jote
Që të ushqen shpesh
Edhe me gjak
PLATOJA E YLLËSISË
E dashur...
Ke mundësi
Të veshësh
Pëlhurë ylberi
Të ndizesh...
Të fluturosh
Me krah ëngjëlli
Lart atje
Në mbretërinë e yllësisë
Dashuri të promovojmë
FLUTURIM I SHQIPONJËS
Shqiponja tek fluturonte
Duke jetuar në dy vende
Nga njëra u nda e thyer
Vetëm puplat i mbetën të derdhura…
Shqiponja krenare dykrerëshe
Mbi qiell të atdheut fluturonte
Kërkonte puplat e mbetura degëve
Me shpirt jetonte ajo me ne!...
HORIZONT I MBYLLUR
Nga kataraktet
Paskajësi, horizont i mbyllur
Stuhitë në labirinte
Në shesh imazhe të trishta
Heshtje e akullt
DALLGË DETI
U zgjova mes dallgëve të detit
Gurëzit mbetën në ujë duke zhuritur
Dallgët më ndiqnin atje në breg
I shihja dhe unë
Si tunden shkëmbinjtë nën fortunë.
Nën këmbe valët i ndjeja,
Tek unë asnjë zë
Të dëgjoja për shpëtim
Mes dallgëve vrapoja, vrapoja:
Të jetës apo të ferrit?
Pashë veten të mbështjelle me valë
Doja t'i arrij ato...
PORTRET
Së pari ia vendosa vizat e kujtesës
Lëvizjet e saj imagjinoja
Shpirtin e goditur në metamorfozë
Intelektin e ndarë dysh
Syhapur, vigjilent...
Në fund
Besnikëria ime
Ia mbuloi fytyrën
Portret shekulli në ngazëllim
Trup torzo ecte para e lart
LIQENI I LOTËVE
Besomë,
Sonte do jem
Gjahtar i thellësive të panjohura
Pishën ndez ta mbaj
E të zbres thellë në Ty
Ndër bebëzat e kësaj nate të vrazhdtë…
T’ia puthja dhe sytë
Hënës mbi Kala të Prizrenit
Të mos trembesh
Nga hija e dhembjes sime
Para se të fundoset
Në liqenin e lotëve
Tek atëherë
Çmallesha me dashurinë time
FIJET E FJALËVE (I)
Fijet e fjalëve
Të mbetura ndër dhëmbë
Mund të të ngulfasin
ImZot
FATI
Fatit duhet besuar
Ai mund të tradhtojë
Por dhe të mbisundojë
Është udhëtim njerëzor
TË KAPJA IMAZHIN TËND
Para muzgut të ndjell
Dhe hënës së sapolindur
Pritja lindjen e fjalës
Të betohesha në ty
Pritja frymën e ringjalljes
Të të dhuroja një ëndërr
Të kapja imazhin tënd
METAFORA
Metafora në metamorfozë
Emrin të fshehur ma mbante
Vetëm vërehej bardh
Nga zbardhja e agimit në horizont
Në bardhësinë e ngjyrës së dritës...
Thyerje të heshtjes dëgjoheshin
Mugullonin sytha të bardhë të shpresës
Mbi shtratin e premtimeve...
Edhe mua më mban shpresa
Me premtimet e tyre
Kur shkela në endrra të një bote tjetër. ..
NË PRAG TË HARRESËS
Gjithçka u tret...
Mbeti vetëm dëshira
Në prag të harresës
Ishte e panjohur
Qëndresa e qeniesisë sonë
YLL I PASHUAR
Prof. dr. Sahadete Mekulit
Peripecitë i ndoqe në trishtim
Kënga bletët i thirri në zgjoje
Pas teje të gjithë në lojë…
Kujtoje besën popullit
Që ia dhe
Trimëreshë e denjë
E pavdekshme…
KREATOR I ARTIT KIRURGJIK
Prof. dr. Gazmend Shaqirit
Rrugëtim i artë kirurgjik
Prirje e veçantë mjekësore
Humanist i vërtetë
Emri yt gëzon epitetin
Kreator i artit kirurgjik
PAS GJURMËVE TË NJË ZOTI
Primarius Dr. Daut Mustafës
Nxori dritën nga fundi i natës
Mbi Prizrenin e lashtë
Shpërndau mirësi
Nxori nga kthetrat e ligësisë
Këtij populli nder i bëri
Ecte pas gjurmëve të Zotit
DRITË E PËRJETSHME
Ali Podrimjes
Kalorës i erërave
I fjalëve
Farkëtar i urtësisë
E përjetshme dritë
E atDheut
SHËNIME PËR AUTORIN
Prof. dr. Xhemil Bytyçi është njëri ndër urologët më të njohur të Kosovës. Dr. Xhemili u lind në Billushë të Prizrenit më 5 janar të vitit 1941. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Prizren. Pas kryerjes së gjimnazit regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Beogradit, të cilin e kreu më 1968. Paralel me këtë fakultet ndoqi mësimet edhe në stomatologji dhe arriti t’i kryejë provimet dhe të absolvojë. Si student ai ishte treguar aktiv në grupin letrar dhe muzikor të Shoqatës së njohur të studentëve shqiptarë të Universistetit të Beogradit me emrin “Përpjekja”. Menjëherë pas kryerjes së fakultetit të mjekësisë fillon punën e mjekut dhe të mësimdhënësit në shkollën e mesme të mjekësisë në Prizren. Pas një kohe fillon punën në Klinikën e Urologjisë të Spitalit të Përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës. Në këtë klinikë punoi prej vitit 1973 e deri në pension. Si specialist i urologjisë arriti famë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon e më gjerë. Ishte dhe është emër në urologji. Specializimin e urologjisë e kreu në Spitalin e njohur të Zagrebit, në Qendrën Klinike “Rebro”. Më 1986 mbron doktoratën në fushën e mjekësisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Titulli i doktoratës së tij ishte: “Kontributi në etiologjinë e nefrolitiazës – studim kliniko-epidemiologjik në rajonin e Kosovës”. Pas mbrojtjes së doktoratës avancohet në gradën e doktorit të shkencave të mjekësisë.
Prof. dr. Xhemil Bytyçi ishte pedagog i rregullt shumëvjeçar i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës me gradën më të lartë – profesor ordinar. Studentët kanë kujtimet më të mira për të. Është shumë i frytshëm në punën e tij profesionale. Si i tillë, ka marrë pjesë në shumë kongrese e simpoziume shkencore me karakter kombëtar e ndërkombëtar. Në revistat e specializuara profesionale ka botuar mbi 95 artikuj e studime me peshë nga fusha e urologjisë dhe e kirurgjisë. Edhe pas pensionimit vazhdon të jetë aktiv, vazhdon ta ushtrojë profesionin e specialistit të urologjisë në ambulancën private “Uropriz” në Prizren. Doktor Xhemili shquhet edhe si humanist i vërtetë. Ai kishte edhe një prirje të veçantë. Qysh në shkollë të mesme kishte filluar të merrej me shkrime letrare. Si gjimnazist kishte filluar të shkruajë poezi dhe tregime. Deri më tani ka botuar në Prishtinë dhe Bruksel disa përmbledhje me poezi: “Dëgjoj shushurimën” (2007), “Zjarr i lënë në harresë” (Prishtinë, 2008), “Fijet e fjalëve” (2009), “Rreze yjesh” (2010), “Vallëzim yjesh” (2016), “Shkëndijat magjepse të shpirtit” (2016), “Farfurimë yllësie” (2017). Ka edhe shumë vjersha në dorëshkrim dhe një dramë. Ka edhe shumë vjersha në dorëshkrim dhe një dramë.