E enjte, 24.07.2025, 08:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Sytë

E diele, 15.10.2017, 10:25 AM


SYTË

 

QAZIM SHEHU

 

Sa vargje u thurën  për sytë,

Nga Soli Prudom tek Apolineri

Po syri jot s`ka të dytë

Ndaj në zemër më theri.

Nxiu  ai orën e lumtur

Shkundi  hapin e një ore,

Si në oazin e humbur,

Vërtitem  drejt tij prore.

 

ZBRAZJE

Nga nata në mëngjes

Mugëlliu ëndërr e bukur,

I trishtë m`u duk  hapi serbes,

Koka  jote mes supeve.

 

Mendova se kishe parë

Ti të njenjtën ëndërr,

Fanepse që s`ka të ngjarë

Si kjo orë nën mëngët.

 

Minutat rreh mbi puls

Dhe pulsi nën minuta,

Shkarkohet nën minus,

Ndijimesh të buta…

 

Krejt qenia m`u ngri

Dhe s`munda të them,

Në ish dashuri a jo dashuri,

Kjo ëndërr ujem.

 

Nga buza jote e çarë

Prej një puthje të panjohur,

Në një shtrat mëkatar

Prej një hije të mrrolur…

 

Dhe u solla rreth e rreth

Ditës që u zbraz,

Me rreze beter

Si stuhi mbi gardh…

 

Në mbrëmje u betova

Asnjë ëndërr mos shoh,

Po në shtrat kur shkova

Imazhi yt më ngroh…

 

Dhe u ndera në qetësi

Me gjumin mbi qepallë,

Isha zbrazur i tërë

E  u gdhiva prapë gjallë…

 

SHAMI E VETMISË

Vetminë e kanë shpikur poetët

Pastaj e thelluan netët;

E ëmbël është ajo,

Duke imituar qepët

Kur cipa cipën mbulo,

Me një lëng djegës…

 

Kështu  ajo, rrathë rrathë

Na shtrëgon trupin,

Për të shtrydhur ngadalë

Helmet që s`na humbin…

 

Dhe në ajër dalin

Të na hyjnë sërish në mendje,

Për çfarë ëndrrat zbardhin

Në ngarendje…

 

Ndaj protesoj kundër saj

Për pabesinë e nevojshme

Si një shami rri në skaj

E ërkon vrapime të lodhshme…

 

Kush do e kapë i pari

Me lot dëshirash njomur,

Si kompresë ta vejë tek balli

Për t`u çlodhur….

 

TË GJITHA LULET

Gjeta një trëndafil të shkelur,

Atij, aroma i kish mbaruar,

Si një mjellmë e mekur

Në ujin e mëngjesit të bekuar…

 

Ç`dorë e kish hedhur anë rruge

Si premtim të përgjysmuar,

Mos vallë  revolta e një buze

Për të mos u puthur e dhunuar..

 

Mos një përbetim kurorëshkelësi

A një mëkat i kuptuar,

Që shkrihej në një  avulldehës

Si rinisje për të dashuruar…

 

Gjeta një trëndafil dhe mendova

Për të gjithë pandehmat e kota,

Dhe me të , lulet  urova,

  lulëzojnë për plagët tona…

 

ORËT E HUMBURA…

Më ndodh të mendoj për orët e humbura

Kur nuk bëzaj, as i dobishëm s`jam për asgjë,

Po shpesh ato bëhen të bukura

Kur fill i kotësisë përshkon ato…

 

Edhe kur, pasmesnate,

Një kokërr aspirine i qetëson…

Kur humb kohën harrakate

E nga një kënd i errët drita buron …

 

Ç`të them për orët e humbura,

Orët kur s`mendon për asgjë,

Se na lodhën dashuritë me të puthura

E zemra që regëtin  pa zë…

 

Se na lodhi seriozitet i jetës

Kukullat i binden pa u merakosur,

Arratia mbetet fill i vetëm

I  vetes së  plagosur…

 

MOS E KËRKO LAVDINË…

Mos e kërkon lavdinë

Si  lakër që  grin në pjatë,

Dhe kur s`i hedh kripë

Buka mbetet thatë…

 

Mos e kërko  bustin e saj,

Rrëzimi i busteve ka treguar,

Se ajo shkrihet në vaj

Për rrënjën e  shkrumbuar…

 

Kështu porosi pas porosie

Nga im atë e filozofët,

Po pse me ethe lavdie

Koha jonë plagoset?…

 

Dhe pareshtur gur i saj

Me onur egoje qëllohet,

Si gojë dragoi nxjerr pa skaj

Zjarr , e siguria pllenohet…

 

Kërkoje lavdinë në këto duar

Që u gëzohen rrezeve të diellit,

Se s`dihet nesër në të  aguar

Të ngrime mbase mbesin…

 

  duhet t`ia nis nga fillimi

Të përsëdyt, pa kuptuar…

Gjer të shkoj tek filli

Ku zgërdhihet kjo e korruptuar…

 

Që mbi supet e ca njerëzve

Të shenjuarit e saj vë…

Dhe për sa dredhi të shekujve

Me gur ta përzë….

 

DITA NËN SAÇ

Buka e mëngjesit piqet

Me saçin e mesditës,

Zgjimet me shkulm digjen

Në valën e anktheve pritës.

 

Kupolë e saçit në qiell

Dhe dora në zemër,

Puls dashurie në një fyell

Dhembjeje.

 

E ftoh mbrëmja saçin

Kallaj i  rrezeve të fikura,

Dhe thyhet buka e mëkatit

Për zemrat e uritura.

 

SPAZMË IDILIKE

Tërhequr nga një spazmë idilke

Mbyllet portë e mendjes

Nën jehona klithjesh nevrike

Të jetës.

 

Brenda vetes  vërshojnë

Sa e sa ndjesi,

Ndonjë  ta  heq ,ta prapsoj,

Ta lë pa brendësi?...

 

Si ndonjë femër  që sillet keq

Duke e lënë në shi.

 

Veç burri pa femrën dot nuk rri…

 

PUTRAT GODITËSE TË VITEVE

Ti je si gjithë të tjerat

Më e mirë se ato ti je,

Si një pyll që e gjelbërojnë shirat

Gjelbërim ke.

 

Kur erdhe të më gjesh me nge

Gënjyer nga një rrenë e çastit

Si një erë që shtyn një re

T`i afrojë diellin malit.

 

S`e dite çdo ndodhte më vonë

Sa nevojë do kishim për atë  re,

Kur delli i prapësive  ngatërron

Qartësinë që s`e vë re…

 

Mbulesë e gabimeve të mia

Zbuluese e tyre me takt e pa takt

Gjëmon gjaku i dashurive

Në damarin  për parainfarkt.

 

Putrat goditëse të viteve

Sjellin shpesh tek ne kafshën

Sa më tepër dashurisë i avitemi

Se bëkemi më njeriun,po fantazmën…

 

SHOH

Shoh si ikin retë e pambukta

Në maja thepash tek lnuren,

Prej fijeve të rrezeve të bukura

Brinjët u kruhen…

 

Ato zgjasin fijet nëpër kryet

E maleve, kreshtave,

Dhe s`duan t`ia dinë për yjet

Në sytë e ëndrrave me sklepa…

 

Nga to do marr një fije

Ta vë në kokën e zbathur

Ndoshta si shenjë djalërie

Që s`ka për të ardhur…

 

SHKËNDIJA

Me forcën e fshehtë që gjëmon,

Një shkëndijë zjarrin lind.

Çfarë  e ndez ,e shkundullon

Ind pë rind?

Në llavë gjuhe përmasohet

Me të ftohtën e asgjësimit,

Gënjeshtra dhe e vërteta rrafshohet

Me të ,dhe sdihet kush i dorëzohet  gëzimit...

 

BRITMA E AGIMIT

Në britmën e heshtur të agimit rrinë

Ata që dy ditë falas  jetës nuk ia morën,

Ca vështrime që për të bukurën nxinë

Në britmën e heshtur të agimit rrinë..

Në britmën e tij, vetëm pak caste,

Për gjithë ikjet plagosur në mëkate

As për ata që nuk i rënduan tokës

Është një hop, një ngrirje e madhe.

Pastaj agimi zë e pendohet

Dhurata  rrezesh aromon

Mbi përroj ,ara e livadhe,

Mbi njeriun që drejt humbjes shkon

Për të vijuar ngrirjen e radhës…

 

BABA DIELL…

Nga prehër qiejsh të largët ra

Dhe në qiellin tonë qëndroi,

Një monedhë që bleu për ne

Ngrohtësinë;  na e dhuroi

Ky diell…

Po të mundeshin,ata që ia dinë

Vlerën monedhës,

Do e fusnin në kasfortën blind,

Dhe ne do kishim mbetur në të errët..

Veç ti s`ua jep këtë sprint

Baba Diell i kujdesshëm…

 

TETOR

….por e dua këtë muaj.Më ngjan: pas tij

S`do vijë muaj tjetër,

Kur gjethet marrin ngjyrë monedhash

Me skonto të vjetër.

S`dua të lë të ikë për në nëntor

Me hijen e vet poshtë ditëve të vjeshtës

Ndoshta më bindet dhe bindja ime dhemb

Kur kujtoj kohëndaljen e  rrjedhës…


DHJETOR

Presin dhjetorin të zhvishen pyjet

Si cikna që zhvesh yjet.

 

Poterë qiejsh nget qetë e reve.

 

Ditët dridhen,qielli ulet e ulet

Afër pyjeve,sikur thotë:

Për të mbajtur rrobe gjethesh

Çdo tentim është i kotë…

 

Ato zhvishen  me nxit si gruaja

Që epshin e burrit s`e do,

Qielli me gërmadha bubullimash të huaja

Ditët me gishta verbo.

 

Turbullohet qielli.Lot i tij lëshohet

Mbi shtroje  plot tërsëllimë e ftohtësi,

Kur sheh si sakrifikohet

Ai që ka më shumë hijeshi…

 

ROZAFA

Kur valë e së bukurës u fsheh

Në hijeshin e trupit tënd,

Muret hapën buzët

Të të hurbnin moj valë,

S`di pse të prapsova tutje,

Mos ktheheshe në Rozafë…

 

NDËRTESA

Burrat të bukurën murosin

Se nuk e ngrenë dot ndërtesën

Mbi truallin e shpirtit të femrës…

Ai është prej ajri,prej drite,

Prej qelqi dhe një rryme të hollë,

Ata ngrenë një ndërtesë të rrjepur

Plot zgolla,ku  shpirt i saj  fryn fjolllë..

 

JUGA

U kallën kufijtë e çastit

Nga erë e Jugës,

Nga erdhi zjarri?

Një puhizë që të shkonte gushës

Ma kujtoi aypari…

Një petale në horizonte të bruztë

Vinte një gisht në Jugë…

Varkë e këpucës sate

Shtyhej nga ajo,

Dhe zjarri përfshiu  veten

Dhe u ftoh…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx