E premte, 02.05.2025, 12:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Shkrim-shkarkimi i radhës

E marte, 10.10.2017, 08:42 PM


SHKRIM-SHKARKIMI  I RADHËS…

Nga Blerim Rrecaj

Shkrimi që po përpiqem të filloj e më pastaj dalëngadalë ta përfundoj është shkrimi i pesti me radhë brenda  këtij viti, e seria e përbërë prej katërve të tjerë, ka filluar diku kah muaji gusht. Dhe po bëhet e ashtuquajtura pesëshe  në kajmak, o në kaçamak…

Ja, duke ecur në njërën nga rrugët e qytezës paksa si papritur fillon të fryj një erë e cila bart me vete grimcat e rërës së bashku me gjethe që kanë rënë e po bien dhe ndonjë gjësend mbeturine duke shkaktuar një turbullirë pluhuri. Rrugëve s’mungojnë kalimtarët, automjetet e anëve ka dhe zëra e zhurma puntorësh të shumëkatësheve që shkojnë përpjetë. “Çka po ec kështu i menduar”,  të thotë dikush i njohur duke ta zgjatur dorën. Paj, ç’të them, i them, dhe vazhdoj të ec. Ec e ngec pengesave e mendimeve. Mendimeve me pengesa.  Më vonë bëhem dëshmitar i ca pikëlzave të shiut që bien nga qielli pasi që s’kanë shkallë për të zbrit’. Diku ndjej aromën e druve të shkurtuara, të çara e ende të papalosura brenda një oborri. Afër çerdhes së fëmijëve “Gëzimi ynë” shitësit e drunjëve e thëngjillit sërish edhe këtë vit presin blerësit. Kur jemi te aromat një tjetër nga ato që të pëlqen (e fëmijërinë në mendje ta sjell) është ajo e misrave të zier në tavën me ujë, mbi shporet. S’metet gjë tjetër veçse ta vazhdosh avanturën e këtij udhëtimi në kohën dhe hapësirën që ka mbetur.  Këtu e atje dhe anasjelltas.  Nxjerr monedhën nga xhepi dhe blen një revistë letrare, kthehu në strehëz,  lexo në të edhe ca poezi e ndonjë tregim, ndonjë fletëz ditari a ndonjë satirë therrëse. E më pas në do endu pak blogjeve, adresave, aty ku të pëlqen a edhe diku ku mund të ndodhesh për të parën herë. Ndonjë, fjali, ndonjë varg a ndonj ë titull të vërtiten mendjes sikurse titra televizioni. Ajo që më fort të tërheq është titulli që mbiu: Diçka për veten. Gjendesh diku mes një shpërqëndrueshmërie konstante, mes kalasë që ndërtohet e rrënohet, mes kalaveshëve të rrushit me kokrra të ëmbla a të hidhura. Ose një kalaveshi të gjetheve të një druri , që janë skuqur e zverdhur përgjysmë.E sheh veten si të dhënë pas gjërave që i lë përgjysmë dhe pastaj si  i marrë vrapon pas të gjithave ngapak. Me shenja lodhjeje e trishtimi në fytyrë. Si e tha Fatos Arapi, se, me frymë tiranësh ndoten fatet e mia. Këtë varg po e zbus pak (ndonëse po duket se s’po zbutet)duke thënë me frymë zgjedhjesh po mbushen fatet tona. Dhe e pashmangshme të mos përmendësh edhe një koktej  taze dromcash bajate, duke parë se si vota kanë filluar të kërkohen edhe pjesëve të botës (fshatit global) ku ndodhen mërgimtarët tanë. Ndërkohë nuk po mungojnë as ftesat për tubimet që mbahen në të ashuquajturat salla të kulturës ose kafeneve, restoraneve, hoteleve… ku ushtojnë fjalët ne jemi të parët bajraktarët, ose fjalë pëshpëritëse se ne që duhet të zgjedhim më pak të dëmshmen.

E për se të mendojmë  pas asaj që po përjetojmë? Mbase për përjetimet e radhës. Ose për ndonjë shkrim radhe  që mund të jetë për hallet e mahallës, ndonëse edhe kufijtë e lagjeve mbase kanë ndryshuar dhe kanë nevojë për vijë demarkacioni, qoftë ai edhe me arbitrazh ndërkombëtar.

Pse ne kaq t ë turbulluar përballë njëri-tjetrit. Flasim por s’dijmë  se  ç’themi. Po mbase mirë që këto zgjedhje ranë e ne u pamë, e mund të shihemi përsëri, e kjo mund të na shkaktojë kënqësi a neveri…Sidoqoftë  edhe kupa edhe kjo faqe po mbushet…

Tragjikomizmi assesi të na shqitet se të na shqitet. Na është përzier gjaku me ujë, edhe sinqeriteti me formalitet me a pa fajin tonë ec e guxo hyj këtyre dilemave të thella…

Edhe portat e kësaj dige, portat e këtij ngarkim-shkarkimi u mbyllën…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx