E marte, 03.12.2024, 01:34 AM (GMT)

Kulturë

Baki Ymeri: Sali Bashota - Në fillim ishte Drita

E enjte, 12.10.2017, 06:45 PM


NË FILLIM ISHTE DRITA, VEPRA MË E RE E SHKRIMTARIT SALI BASHOTA

(Sali Bashota: “Në fillim ishte Drita”, botoi PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2017)

Nga Baki Ymeri

Vepra më e re poetike e Sali Bashotës, me titullin “Në fillim ishte Drita”, është kurorëzim i rrugës krijuese të poetit, të nisur më shumë se tridhjetë vjet më parë. Në botim të PEN Qendrës së Kosovës me redaktor Basri Çapriqi dhe recensentët Ibrahim Berisha e Milazim Krasniqi. Libri përbëhet nga 99 poezi, të strukturura në tri njësi ciklike: SI, NËSE, KUR. Poezia e vëllimit “Në fillim ishte Drita” shfaq dashurinë si ndjenjë madhore e krejtësisht unike, e cila i njeh labirinthet e mendjes dhe të shpirtit  dhe di të depërtojë përtej tyre. Duke i lexuar këto poezi që në thelb janë poezitë e një poeti që dashurinë e ka të përjetësuar edhe në shumë vëllime të tjera, ndeshesh me një koncept sa lirik, po aq edhe meditues e filozofik.

Është drita që u jep jetë vargjeve e strofave, ajo dritë që ka brumosur njerëzimin e që vjen si një antitezë e çdo gjëje tjetër. Nuk është më fjala, është drita, por ajo dritë  që di ta dritësojë fjalën duke i dhënë jetë e fuqi peshës së saj. Poeti në këtë rast është besimtar i devotshëm i dashurisë, e cila fillon me dritën, si udhërrëfyese e rrugëtimit shpirtëror të tij.’Më jepni pakëz dritë’, thoshte në prag të vdekjes Gëte, kurse poeti i këtyre poezive, nuk e kërkon dritën në fundin e tij, por i beson asaj që nga fillimi.

Për poetin, dashuria vjen me pikëpyetjet që hipotetikisht do ta shpalosin ekzistencën e tij të mëtutjeshme. Si dhe kur? ’Si shiu i syve’ që vjen me mallin ‘që kurrë nuk vdes’, e ‘kur loja e shpirtrave nuk ka fund’, çka ‘nëse lumturia është e thjeshtë’. Figura e këtyre poezive nuk është vetëm lojë fjalësh, por është qenësi në vete, një strukturim i kujdesshëm dhe i peshuar që i rri secilit varg e secilës strofë. Duke i lexuar këto poezi, e përjeton sërish dashurinë që vjen ‘si ninulla e bukur’, me mallin nostalgjinë, ndjenjën që rri përherë e gjallë, sa herë që ‘zgjohen kujtimet e tretura’ e ‘kur vijnë çastet e bukura’.

Deri më tani vëllimet poetike të Bashotës “Albumi i grisur”(1986), “Zogu me profil vjeshte”(1989), “Plagomë”(1994), “Dalje nga trishtimi”(1999), “Bukuri e nëmur”(2006), “Dorëshkrimi i ngjallur”(2011), “Dhembje e bekuar”(2013) etj., nga kritika letrare janë vlerësuar si një arritje e suksesshme në poezinë bashkëkohore shqipe. Gjithashtu, Bashota ka botuar edhe veprat me proza poetike: “Ëndrra në parajsë” (2006), “Sytë e vetmisë”( 2010),“Rruzullimi i zjarrit”(2011),“Zemërimi i heshtjes” (2014), si dhe vepra me ese dhe studime letrare: “Shqipshkrimi kritik” (1997),“Kuteli prozator-poet-kritik”(1999),“Domethënia e ideve letrare”(2001),“Proza e filleve të modernitetit”(2006),“Studime letrare”(2008), etj.

Vlerësime të larta për vlerën letrare dhe estetike të poezisë së Bashotës janë dhënë edhe për veprat e tij të përkthyera, siç janë: “Only Death is White”/”Vetëm vdekja është e bardhë”(në gjuhën angleze); “Beauté maudite” /”Bukuri e nëmur” dhe “ Allume la lumière magique” /”Ndiz dritën magjike”( në gjuhën frënge); “Schalte das magische Licht ein”/ “Ndiz dritën magjike”(në gjuhën gjermane); “Il gioco delle foglio”/”Loja e gjetheve”( në gjuhën italiane); “Exilul Sufletului” /”Ekzili i Shpirtit” dhe “Ploaia fara Tine” /”Shiu pa Ty” ( në gjuhën rumune); “När himlen tystnar” /”Kur hesht qielli”(në gjuhën suedeze); “?????????? ???????” /”Bukuri e nëmur”(në gjuhën bullgare): “Ako stanam angel”/”Nëse bëhem engjëll”(në gjuhën maqedone); “? ???? ??? ???”/ “Pamja tjetër e botës”( në gjuhën greke), “Albán éjszaka”/ “Natë shqiptare”(në gjuhën hungareze), “La ?tono de la amo”/”Guri i dashurisë”( në gjuhën Esperanto), “Ego”( shqip-english-français), etj.

Poezia e Sali Bashotës është përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit, ndërkaq veprat e tij janë promovuar në Paris, Sète, Bukuresht, Sofie, Basel, Malmö, etj., si dhe në festivale të ndryshme ndërkombëtare të poezisë. Bashota është nderuar me çmimet të larta letrare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, siç janë: “Pjetër Bogdani” (1999), “Pena e Artë”(1990 dhe 2000), “Menada”(2004) Çmimi i Mitingut të Poezisë në Gjakovë (2006 dhe 2012), “Serembe” (2010), Çmimi i Ministrisë së Kulturës (2012) e të tjerë. “Në fillim ishte Drita”, është libri i tridhjetë e pestë i shkrimtarit Sali Bashota.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora