Kulturë
Bedri Tahiri: Kthimi në vendlindje
E hene, 30.10.2017, 07:25 PM
Bedri TAHIRI
KTHIMI NË VENDLINDJE
(Hasan Prishtinës që në bronz u kthye në Vushtrri)
Herët e pate lënë vendlindjen,
Vicianën me kalldrëm të gurtë
Erdhe burrë katërqind dërhemë
Hero e diplomat i fjalës së urtë
Drenicën tënde kurrë s’e harrove
Aty u betove për luftë e për liri
Drejtove kryengritjet shqiptare
Në Selanik të vranë në pabesi
Shkrive pasuri, djersë dhe gjak
S’të nënshtruan dot ari e menitë
I sfidove dënimet me vdekje
Sa i urreve vëllavrasjet e dredhitë
Në Vushtrri me Azem Galicën
Kuvenduat për besë e për dituri
Hapët shkollën e parë shqipe
Që sot e rikujtojmë me krenari
U ktheve n’bronz, eshtrat i lë pas
Si Shotë Galica, atje tej në Arbëri
Gjaku Juaj- shkriu kufijtë e mjerë
Andej e këndej është veç Shqipëri!
Vushtrri, 19 tetor 2017