Kulturë
Tahir Bezhani: Dashuroj terrin e natës
E hene, 30.10.2017, 01:13 PM
TAHIR BEZHANI
DASHUROJ TERRIN E NATES
MUZË E ÇMENDUR
E kalltë vrapon majave
Bukurive të çmendura ,stinëve
Djersët i fshin luginave
Nëpër flokë pishnajash fërkohesh
Më sjell pamjen e vendlindjes
Pastaj ikën si era gjithësisë
Përplasesh valëve të detit
E shëtit gjithë Shqipërinë
Në luginën e Valbonës shuan etjen
Me afsh e thith gjithë bukurinë
Pi tërë ujin e saj
Kthen e dehur në shpirtin tim
Më kall ngadalë thellësitë
E prapë ikën muza ime
Pa pushuar gjithësisë
Krater zjarri plot mall....
muza ime!...
IMAZH VJESHTOR
( Bogë)
Shtëpinë time në shpat bjeshke
Një erë e shpejtë e rreh
Dy kapakë dritaresh përplasen
Shikimi ngulur majave të murrëta
Nga atje rrezonte një cukël bore
Gjelbërimi ishte tretur
Pishat luanin shtatin kur i rrihte era
Qetësia shponte kujtimet e ikura
Ahet ngjyrë limoni vezullonin
Fletët binin për toke qetësisht
Me sy shikoja jetën time ngjashëm
Ne zemër ndieja heshtjen
Më shpirt shijoja qetësinë e ndrydhur
Asnjë blegërimë nuk dëgjohej
Madje as kënga rinore:
“Moj e mira n’ato maje...”
Nga dritarja hedh shikimin
Një shqiponjë shkon lartësive
Sa bukur sillet qiellit të kaltër!...
Si balerinë dredhon trupin
Ajo ruan folenë e vet
Unë thitha imazhin e ditës
Të ftohtit e mbrëmjes më ndjek
E mbylla klithjen në kujtime
Por diçka e pathënë do mbetët
Mes rreshtave.
16.10.2017
Bogë
AHISHTË E ZVERDHUR
Erë vjeshte fryn
Dita ka mjegull
Rrezet e diellit shpojnë dendësinë
Fletët e ahishtës luajnë të zverdhura
Puthin tokën qetë,qetë...
Ngjyrë melankolike vesh natyra
Bukuria të pushton pamenduar
Befas rrokotelen dy pika lot
Nuk di nga më erdhi me vrapim
Ajo kënaqësi e tërbuar malli....
Një dridhërimë zëri
Kalonte rrugëve paparë
Shpirti mbeti i shqetësuar
Sytë hapur e të ngrirë shpateve
Më kallen ngjyrat e Van Gogut
Në pikturë vjeshte u shndërrova
Bukuri e moshës sime
Brushë piktori për natyrën
Pamje që t’i mërdhin sytë...
BOGE-Gjakove
NË SHKREL
Tungjatjeta Azem Shkreli!
Të erdha sot në konak
Në vendlindjen e bardhë
Malli më solli
Duhma e vargut plasës
Varur pishave dhimbshëm
Plot bukuri drithëruese
Lidhur atyre rrënjëve,shkëmb
Rugovasit krenarë
Me shall të bardhë në kokë
Tirqit me gajtanë “mirë se ke ardhë,
Hajde brenda, Azemi këndej asht
Nuk vonon e vjen....” më thanë
Ballit djersët u dolën
Lot malli faqeve rrodhen
Lartë majave rrezonte vargu
Piskamë shekujsh poezia jote
O Azem Shkreli!....
Rrugëve me leqe shkëmbore ecja
Çdo gjurmë në tokë e
Majave të larta,
Me dukej pjesë e jotja
Vrapoje ti takosh “Sytë e Evës”...
Symbyllas larave të borës
Gjithë ditën në Shkrel
Nata më ndoqi me terrin e ditës
Pakës ftoftë u bë Azem,e
Ashti plakut nuk e duron
Ushtimë vargjesh mbështjellë në lot
Më përcollën nga Shkreli
Si e keni pas adet Azem
Këngë në fyll mbete
Gurëzuar në zemrën time
Dje e sot,gjithmonë
Azem Shkreli...
Shkrel-Rugovë,
16 tetorë 2017
IKJE NGA NEVERIA E DITËS
Mendimet përlahen ashpër
Në ngujimin e dhomës nevrike
Zhurmë kafkash mashtruese
Nga koshere mizash të çmendura
Lavde të thata,helm
Rrugëve të nxira me foto mjeranësh
Kishin fëlliqur dritat e neoneve
Mizat e çmendura
Pickonin kalimtarët e uritur
Iknin brenda dhomave të tyre
Neveria shfaqej ekraneve të tv-ve
Ndryshe nga rrugët,
Me një buzëqeshje laviresh moderne
Prostituta të ikura afatesh....
Me ndonjë parfum të prishur joshnin
Të uriturit e mbetur pastrehë
Fukara të mendimeve....
Këto zhurmë mizash të çmendura
Më neveritin gjithmonë
Ika lart e larg në qetësinë time
Aty ku terri i ditës nuk arrin
Dashuroj terrin e natës plot shpresë
Maleve me shpella të thella
Pa miza,pa ekranin e tv-së
Egërsirat janë më besnike
Nuk të kafshojnë si njeriu për karrige...
U mbylla në bukuri të natyrës
Thellë,
Ku nuk arrin dot zhurmë mizash
Të çmendura....
17.10.2017
Boge-Gjakove