E marte, 15.10.2024, 11:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: 'Zili do ta kisha dhe një murg'

E hene, 30.10.2017, 08:17 PM


Libri dhe Ilirian Zhiti janë me fat, pasi kuvendi për përurimin e librit, po mblidhet sot në Durrës, më, 19, të vjeshtës së dytë, në ditën e lumturimit të Nënë Terezës, Shenjtores shqiptare.

Fjala në takim

MENDIME TË LIRA NË LIBRIN, “ZILI DO TA KISHA DHE NJË MURG”

Autor Ilirian Zhiti

Nga Kadri Tarelli

Të nderuar pjesmarrës dhe punërorë të letrave, në këtë kuvend të mbledhur për librin e Ilirian Zhitit. Jam i nderuar dy fish, së pari që po flas nga kjo foltore, ku në vazhdimësi i këndohet librit dhe fjalës shqipe dhe së dyti, sepse që herët, rrethanat më kanë mundësuar të njoh pjestarët e familjes së nderuar Zhit. Sot flasim dhe kuvendojmë mbi librin “Zili do ta kisha edhe një murg”, të autorit Ilirian Zhiti. Unë, si dhe shumë të tjerë, që munda të lexoj këtë libër të bukur dhe më vlerë, dëshiroj të shpreh disa mendime, rreth tematikës, stilit letrar, bukurisë së fjalës dhe origjinalitetin e mendimit

Që në faqen e brendshme të kapakut, më tërhoqi një poezi e shkurtër “Zinxhir i pa këputur”, e artistit të skenës, Hekuran Xhiti, babai i Ilirianit.

“S’u ftoh vatra, një tjetër bir, la pas dy të tjerë.

I gjallë prej mishi ky zinxhir, që s’këputet asnjëherë.

Ky është mesazhi më i bukur, më jetësor, do të thosha hyjnor, që ati u le trashëgim bijve të vet. Një porosi, apo amanet, për t’u çuar më tej, për të ndezur e ushqyer zjarrin e jetës dhe të poezisë. Me librin që kemi në dorë, po ndjejmë ngohtësinë e prushit, që vazhdon të digjet në vatrën e familjes Zhiti.

Nuk marr përsipër të analizoj çdo poezi, apo copëz shkrimi, pasi është e padobishme, për lexuesin e theshtë apo të kënduar. Secili le të përpiqet të hyjë në brendësi të temës që shtrohet, duke ndjerë e shijuar bukurinë e artit të fjalës e të mendimit.

Të fut në mendime, vetë titulli i librit, “Zili do ta kisha edhe një murg”. Jo thjesht si gjetje artistike, që është vërtet e qëlluar, por më së shumti në metaforën dhe përmbajtjen që ka. Murgu vetëburgoset, por është i lirë të mendojë e të shprehet, ndërsa shoqëria jonë në periudhën e diktaturës, ndonse dukej e lirë, dënohej po të shprehte qoftë edhe një pakënaqësi të vogël. Mos të themi marrëzinë tjetër: i burgosuri ynë, në diktaturë burgosej se ishte kundër saj, dhe riburgosej se e shante atë. Dikush i mençur na thotë: “Diktaturën e urrejnë dy grupe njerëzish, ata që e kanë provuar ndëshkimin e saj dhe ata që kanë dy pare mend në kokë”. Iliriani ynë i ka të dyja: edhe persekutimin edhe mençurinë. Ja si shprehet ai shumë vite më parë: “Diktatura e egër, e verbër,/rëndë kish gabuar./ne qënkeshim “racë” tjetër. Më tej vazhdon: Kasollja më dukej burg,/peisazhi i lodhshëm, ç’mërzi! Zili do ta kisha edhe një murg,/që vetmuar larg botës rri.

Autori i përdor bukur kontrastet në mendim e gjykim: kur njerëzit e punës njoha,/ nga afër si ishin në jetë,/ Eh, atëherë mësova,/ ç’ishin njerëzit e vërtetë… Autori me llogjikë të ftohtë, diku nxjerr mësime dhe bën përgjithësim: Pa punën e të “rendomteve”,/ ku jemi edhe ne pa dyshim,. gjenijtë e mëdhenj të botës,/ do vdisnin pa tjetër, për ushqim. “I u mburra tim eti”. Duke qëndruar këmbëkryq në arat e mendimit të lirë, Napoloni dikur pat thënë: “Mendimet s’mund të lidhen me litar”, ndërsa poeti ynë shprehet: Asnjë diktaturë në botë,/ lirinë e shpirtit dot s’ta marrka./ Kurdoherë u gjetka një portë/ edhe kur je zhytur në ferrzinjtë rrathë. “Zili do ta kisha edhe një murg”. 1985

U zgjata pak te titulli, pasi shpesh ai, në mënyrë lakonike, shpreh përmbajtjen e qindra faqeve. Libri fillon me një poezi fare të shkurtër: A isha unë një ëndërr?/ A zoti pa një ëndër,/ që ishte jeta ime?, duke na dhënë që në krye, idenë e reales dhe mistkës së panjohur. Një ide dhe botkuptim i shpalosur më gjërë edhe në poezi të tjera që ndodhen në brendësi dhe që meritojnë meditim në qetësi.

Nuk ka poet që nuk i këndon dashurisë, aqsa dikush na thotë, se dashuria u shpik nga poetët, dhe ne të tjerët këndojmë bashkë me ta. Edhe Iliriani ynë, si të gjithë të tjerët, i kushtohet asaj, megjithse nuk i le shumë vend. Kam përshtypjen se, shqetësime e tjera janë ato, që i ngushtojnë hapsirat. Megjithatë, në to ndjehet frymëzimi, bukuria dhe magjia e fjalës. Po përmend pak vargje: Si u bëra kështu skllav,/ i burgosur pa zinxhirë?!/ Dashuria e vetmja robëri,/ që e zgjodha më deshirë. “Hakmarrje”. S’jam i pasur ashtu ndjehem,/ kur shëtis buzët e tua…/Në kodrat e bukura prehem./ Gusha: aromë, mollë e ftua. “Çdo gjë e jotja më mahnit”.

Lexuesi nuk do çuditet, që autori përpiqet që edhe dashurinë ta fusë në hambarët e filozofisë, duke u shprehur: A jemi orendi? …… apo jemi dashuri?! Mos jemi pak dashuri e pak orendi! “A jemi orendi”. Në një cast tjetër përzjehen materia me ndërgjegjen: Dashuria si uji,/ pa të dyja s’ka jetë./ Pa dshuri dhe ujë,/ njeriu mbetet skelet. “Dashuria si uji”

“Vetëm kush ndjen dhimbjen e tjetrit është njeri, por për ta përjetuar e vuan vetëm ai që ka dhimbje”. E përdora  këtë shprehje të autorit, nga pjesa “Mendime të lira”, për ta sjellë lexuesin më pranë të vërtetës së hidhur, që përjeton njeriu dhe familja, kur biri i saj dergjet në burg, aq më tepër kur nuk ka faj. Shikoni sa thjesht e shpreh brengën e madhe: Vetëm ajo familje që ka njeri në burg,/ e di se ç’do të thotë trishtim./ të gjithë rrinë të heshtur, pranë sobës që digjet,/ tepër të mërzitur, sa s’mund të ngrohen.. …. Fytra e djalit atje larg….. të gjithëve u duket, sikur po vjen! “Sikur po vjen…”

Në këtë siklet të madh, më shumë vuan zemra e nënës. Një temë e rrahur që kur ka lindur bota, ndaj autori me plot dhimbje shkruan: Po zemra e nënës, plakë e sëmurë,/ si e duron vallë gjith’ këtë torturë?/ Oh, vetëm zemra e nënës e brishtë,/ mund të thyejë ligjet e egra në diktaturë. “Zemra e nënës”. Më pas, në poezinë tjetër “Kthimi”, autori shprehet me fjalët e nënës: Të pashë. Dhe ishe dhe s’ishe ti,/Mos po më ikën fiqiri,/ s’po mbaj mend fytyrën e tim biri…!”.

Iliriani, nga përvoja në jetën tonë të përditëshme, si një vëzhgues i hollë i shpirtit të dyzuar, na sjell “Maskat”, si një përjetim e përfundim të lidhjeve dhe të ndërtimit të marrëdhënieve të shoqërisë, sa të hershëm, aq edhe të çastit. Të gjithë e dimë, por shpesh nuk e vemë re, ose s’duam ta pranojmë, mbase nuk na pëlqen, mbase dridhemi prej saj, ose ndjejmë poshtërim të idhujve që u kemi besuar dhe u besojmë ende. Ja si shprehet: Çdokush ka rolin dhe maskën e tij./ I shtypuri ka vënë maskën e kënaqsisë,/të bindjes dhe përuljes./ Imorali, maskën e ndershmërisë./ keqdshësi, masëkn e mikut./ Mashtruesi ka maskën e pafajsisë./ udhëheqësi maskën e profetit,/ shpëtimtarit të njerëzisë,/ mbytur në fund të detit. Çdo lexues, kur ka lexuar vargjet më sipër, kam dëshirë ta pyes: Çfarë ndjen nga sinqeriteti i poetit, për të qënë në një mendje me Rusoin, kur ai thotë? - “Shkalla e vlerës së një libri, varet jo vetëm nga fakti se sa të emocionon, por edhe sa të bën të mendohesh”.

Në libër është interesante tema e luftës dhe e paqes, sa e njohur aq dhe e përdorur nga politika dhe historia, tashmë e risjellë nga autori, me një frymë kritike dhe pajtimi: E si të ketë paqe në këtë botë,/ Kur një zoti të përbashkët i falemi të ndarë,/ në kisha, xhami, tyrbe, sinagogë?! Habi, pse qënkemi kaq të marrë..! Janë vargje, që edhe sot na duhen më së shumti ne shqiptarëve, për të mos harruar thirrjen e rilindasve: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Autori me shumë mençuri vazhdon më tej, duke na sjellë një mësim të mirë për brezat: A do të ishte më mirë, që popujt të viheshin në garë,/ kush t’i shërbejë më shumë shtëpisë së përbashkët,/ e jo të mburren, sa shumë kanë vrarë “Bisedë me tim at, për paqen në botë”

Autori, si bir i një famileje fisnike e atdhetare, nuk mund të rrijë pa u shqetsuar, nga  ngjarjet e hidhura të historisë sonë të trazuar, si në të shkuarën, po aq edhe në të sotmen. Ndaj shprehet në poezinë: “Fantazma e Papa Kristo Negovani”: “Se kurrë s’të kam harruar,/ fantazmë po vij përsëri!/ Shqipëri atdhe i uruar,/ atje tek ty, mendja më rri”. Ndërsa vazhdon në poezinë: “Bisedë me flamurin kombëtar në Prishtinë”: “Shqipja donte të më fliste: - Ku je bir! Ke munguar!/ Këtij vendi i duhemi të gjithë,/ historia e lirisë, porsa ka filluar,/ rreziku ende s’ka mbaruar”.

Një vlerë e shtuar e këtij libri, janë disa shprehje, që unë i quaj dhe po i përdor si aforizma, shtoj këtu edhe disa faqe me “Mendime të lira”. Është një përpjekje serioze e autorit, të cilit i uroj, ta vazhdojë e ta pasurojë më tej këtë gjini letrare. Lexuesi do të më japë të drejtë, kur t’i lexojë më nge: Ja disa prej tyre:

-S’jam kundër interesit, por jo sa të drejtën të mbysë.

-Dashuroje dashurinë, por jo sa të tjerët të urresh.

-Me idenë e vdekjes jam pajtuar, por pasi jeta të jetë shijuar.

-Të falësh është fisnikëri, të falësh vrasësit, dobësi.

-Të gjithë në këtë botë, guximin çmojnë, Vlerë ka, kur të pafajshmit mbrojnë.

-Kult kam miqësinë që s’vdes, por jo kur është vetëm interes. “Monolog”

Mendime të lira:

Ndryshoji si të duash akrepat e orës, koha njëlloj do të rrëshqasë.

Shpesh njeriu, është i lumtur ose jo, vetëm se ashtu e kupton ai.

Njeriu është qënia më e çuditshme në botë. Mëndon se ka të drejtë edhe kur vret.

Shumë vese të këqia që kemi, nuk do të na bënin përshtypje, po të mos na i vinin në dukje të tjerët.

Çdo lexues, kur të mbrijë në fund të librit, do të jetë në një mendje me të diturin Pol Sartri, që thotë: “Çdo libër është riprodhim i jetës tënde, por që ka si burim lirinë e njeriut”.

Urime autorit Ilirian Zhiti, për libra të tjerë po kaq të bukur e me vlerë! 

Kadri Tarelli

Durrës më: 19, të vjeshtës së dytë, 2017. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora