Kulturë
Dy poezi nga Tahir Bezhani
E diele, 15.01.2017, 10:10 AM
Tahir Bezhani
MALL I ÇMENDUR
Kur vi në Valbonë
Gurgullima miklon flokët e bardha
Rrudhat qeshin fushës së ballit
Lotët çmenden vallëzimeve
Sa të valëta buzëqeshjet
Avull del nga zemra
Ngjishet shpateve si mjegull
Sytë i zë ngërçi lartësive
E mendimet më torturojnë:
“Vallë sa here mund të vi
Te ky uji që bukur këndon,
E shuan jetën tim....”
Gjunjëzohem shkrumbit të djegur
Mbush grushtet uji në gurra
Shuaj etjen e pashuar
Me radhë puthi të dy shpatet
Si dy faqet e nënës
Fort shtrëngoj gur e dhe
Në lëvore pishe e ahu
Buzët i çava
Kujtime lash e kurrë nuk u çmalla
Flakë e syve më del para
Gjithë më bëhet se më përkund nëna....
ÇFARE TI THEM VARGUT SONTE....
-Në ndrrim motesh-
Çfarë t’i them vargut sonte
Në këtë natë të acartë
Kur ngrica ngul gjilpëra
E shpirti dridhet fushës së mallit?!
Pi lagështinë e syve mërzitshëm
Nga brenda plas në vaji
Së jashtmi rrezon si diell me dhëmbë
Si buzëqeshje e rreme...
E di syrin tënd kur mbushet lot
Sa dhimbshëm ndihet ofshama
Buzët tua në vaj shkrehur
Shpirtin ta di kur nuk ke qetësi
Hesht edhe kur tymi të del
Në vetmi përplasesh kujtimeve
Në mos qofsh në lartësi
E dehur pritjeve tona....
Kjo ditë dimri shkoi e mërdhirë
Më la mbështjellë me germat e emrit tënd
Të largoj ngrirjen para vdekjes
Pëlhura bie syve si terri
E unë nuk di
Çfarë t’i them vargut sonte
Kur shpirti vlon nga malli
Zjarr e akull në një shtrat flenë
Nën kokë ëndrrat!....
Më thuaj;
Çfarë t’i them vargut sonte
Brenda nuk më le
Jashtë nuk mund të qëndroj
Ku t’i shkrij buzët,zemrën,shpirtin
Diell tjetër a vjen
Fol moj!...
1 Janar 2017
Gjakovë