Kulturë
Rrustem Geci: Gjuha, jetëgjatësia e kombit
E marte, 10.01.2017, 02:05 PM
GJUHA, JETËGJATËSIA E KOMBIT
“Shqiptarët janë krijuesit dhe bartësit e një prej gjuhëve themelore të njerëzimit. Gjuha jonë vazhdon ta ketë vendin e saj të paluajtshëm midis dhjetë gjuhëve më kryesore të botës” (Ismail Kadare).
Ese nga Rrustem Geci
Me 31 dhjetor të vitit të kaluar, doli nga shtypi libri me disa studime, bibliografinë, disa dokumente – që nga Mbretëria shqiptare dhe mendime të filologëve tanë dhe të huaj për kolosin e shkencave albanologjike dhe ballkanologjike, Idriz Ajetin, me titull “Rrapi shekullor – Akadmeik Idriz Ajeti“, nga bashkautorët: Prof. dr. Bahtijar Kryeziu dhe Prof. dr. Begzad Baliu. Në këtë libër me mbi 300 faqe, shpaloset një pjesë e jetës dhe e veprimtarisë studimore dhe shkencore e Profesor Ajetit. Veprimtaria shkencore gati 80 vjeçare e Profesor Idriz Ajetit, është e begatë, e nduarduarshme dhe e thellë shkencërisht. Ai me studimet e tij madhore lirisht mund të quhet: Nder i gjuhës, Nder i artit, Nder i kombit. Në të gjitha betejat për gjuhën, po edhe për letërsinë shqipe, profesor Ajeti ishte i palëkundur. Ai, jo rrallë shprehej: “Gjuha shqipe është harta e kombit tonë“. Në udhën e gjuhës së nënës, shqiptarët duhet të punojnë, i thoshte një mikut të tij, mjek dhe albanalog. Profesor Idriz Ajeti nuk i trembej betejave me nacionalistët serbë, malazezë, maqedonas apo të një soji tjetër. Veprimtaria studimore dhe shkencore e profesor Ajetit, është e gjerë, e thellë në thellësi dhe në kohë.
Idriz Ajeti u lind në fshatin Tupallë të komunës së Medvegjës, është thënë më 26 qershor të vitit 1917, porse, sipas të dhënave të gjetura, del te ketë lindur më 27 janar 1917, dite ne të cilën, siç kemi disa informacione, do te shënohet si ngjarje e veçantë edhe nga ASHAK-u.Ajeti shkencëtar - akademik shqiptar.
Idriz Ajeti shkollën fillore e kreu në Banjë të Sijarinës në vitin 1930, ndërsa të mesmen - medresenë në Shkup, në vitin 1938. Profesor Ajeti ishte largpamës në lexim të kohës së tij. Ai në vitin 1938 regjistrohet në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit – Dega e romanistikës. Për shkak të rrethanave të luftës, Profesor Ajeti diplomohet (pas lufte), në vitin 1949, në Fakultetin e Filozofisë në Beograd. Pas mbarimit të studimeve, nga viti 1949 – 1953, Profesor Idriz Ajeti emërohet profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Prishtinës. Ndërsa midis viteve 1953 dhe 1960, në cilësinë e lektorit, mban ligjërata në Degën e Albanologjisë në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Interesimet e Profesor Ajetit për studime më të thella në gjuhën shqipe nuk përfundojnë me aq. Arushani i Shkencave Albanologjike, Prof Idriz Ajetin, siç e cilëson albanologu i shquar, akademik Gjovalin Shkurtaj, në recensionin e tij për librin “Rrapi shekullor – Akademik Idriz Ajeti“, për të konstatuar se Pprofesor Ajeti mbetet i veçantë në studimet gjuhësore. Ai veprimtarinë për gjuhën dhe gjuhësinë shqiptare e bëri me shumë pasion. Në vitin 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: “Istorijski razvitak gegijskog govora Arbanasa kod Zadra” (“Zhvillimi historik i së folmes gege te shqiptarët e Zarës) në Dalmaci. Libri “Rrapi shekullor – Akademik Idriz Ajeti“, sipas bashkautorëve: Profesor Bahtijar Kryeziut dhe Profesor Begzad Baliu, ndriçon edhe më tej në mënyrë të natyrshme figurën më madhore të kombit, krahas Çabejit, S. Rizë, A. Budës dhe Sh. Demirajt. Njëshekullori Idriz Ajeti mbetet ikonë e albanologjisë, jo vetëm ndër shqiptarët e Kosovës, por në mbarë shqiptarinë.
Mosha dhe aftësia krijuese e shkencore, profesor Ajetit i lejon të bëjë karrierë. Në vitin 1960, profesori zgjidhet docent, më pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar dhe e gjejmë të mbajë mësim në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filozofisë të Prishtinës. Në punën e tij shumëvjeçare, kontributi i Profesor Idriz Ajetit është, përveç shkencor, është edhe atdhetar. Për veprën e tij madhore Prof. dr. Idriz Ajeti u nderua me disa shpërblime dhe dekorata. Presidenti Ibrahim Rugova atë e dekoroi me ‘Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit”, ndërsa me rastin e 90-vjetorit të lindjes, Presidenti Fatmir Sejdiu e dekoroi me “Çmimin Presidencial për Studiues”.
Libri i bashkauroëve Kryeziu - Baliu “Rrapi shekullor – Akademik Idriz Ajeti“ shpalos para opinionit shkencor dhe letrar, veprën madhore të Arushanit - Idriz Ajeti, gjuhën si jetëgjatësi të kombit.
Profesor Ajeti shquhet për studime të dialekteve nga pikëpamja diakronike e sinkronik, për trajtim të dokumenteve të moçme gjuhësore të shkruara me alfabetin arabo-turk dhe për studimin në marrëdhënie të “shojshoqme” shqiptare-serbe. Profesor Idriz Ajeti, qe iniciator i shumë konsultave dhe bashkëmarrëveshjeve gjuhësore ku u kërkuan shtigje të reja për njësimin e gjuhës shqipe dhe të drejtshkrimit të saj. Hartoi tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme dhe për studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit të Prishtinës (1960), u nxor revista shkencore “Gjurmime albanologjike” (1962), e më 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj. Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-‘73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, ndërkaq në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Pas zgjedhjeve paralele të vitit 1998 për Kuvendin e Republikës së Kosovës, zgjidhet kryetar i parë i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në vitin 1997, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i ka botuar veprën e plotë në pesë vëllime.
Për profesor Idriz Ajetin kanë shkruar studiues vendorë e të huaj (Rexhep Qosja, Jup Kastrati, Rexhep Ismaili, Besim Bokshi, Shaban Demiraj, Kolec Topalli, Emil Lafe, Gjovalin Shkurtaj, Seit Mansaku, Mehmet Halimi, Murat Blaku, Shefkije Islamaj, Bahtijar Kryeziu, Ragip Mulaku, Qemal Murati, Begzad Baliu etj.) dhe studiues të huaj (Vaclac Cimohovski, Ivan Popoviq, Milan Budimir, Henrik Bariq, Glisha Elezoviq etj.) dhe falë punës së tij, në të gjitha rastet vlerësimet për të janë identifikuar me arritjet më të larta në fushë të albanologjisë, ballkanistikës dhe marrëdhënieve shqiptaro-sllave. Mesazhet e tij, intervistat, studimet, vëllimet shkencore dhe monografitë albanologjike, dekada me radhë janë bërë objekt vlerësimi e diskutimi në konferenca shkencore dhe në përmbledhje studimesh.
Në Recensionin e librit “Rrapi shekullor – Akademkik Idriz Ajeti“, akademik Gjovalin Shkurtaj, shkruan: “Edhe pak javë, bota shkencore dhe dashamirësit e gjuhës shqipe e të gjuhësisë shqiptare, do të kenë rastin të kremtojnë 100-vjetorin e ditëlindjes së Idriz Ajetit, akademikut tashmë mitik, harushanit të studimeve albanologjike në Kosovë, figurë e dalluar dhe e nderuar e studiuesit të përkushtuar e prodhimtar, të quajtur me të drejtë si Klasiku i fundit i gjuhësisë shqiptare. Në pritje të këtij jubileu të bukur, së bashku me tubën e luleve dhe me urimet për ditëlindjen, dy ish-studentë të Tij, prof. Bahtijar Kryeziu e prof. Begzad Baliu, do t’i dhurojnë prof. Idrizit dhe botës shkencore albanologjike librin e tyre “Rrapi shekullor - Akademik Idriz Ajeti”, një vepër nderimi me titullin kuptimplotë, ideuar dhe hartuar në prag të 100-vjetorit të Tij. Libri i “Rrapi shekullor - Akademik Idriz Ajeti”, duke qenë se shkruhet pikërisht në kohën kur ai e ka mbyllur ciklin e vet krijues, u jep studiuesve një pamje shumë të plotë dhe, ndoshta, shteruese të krejt veprimtarisë së realizuar nga prof. Idriz Ajeti në jetën e tij fatlumturisht edhe të gjatë prej plot një shekulli.
Libri është shkruar me dashuri e nderim meritor për Idriz Ajetin, sikundër e thonë bukur në libër autorët: Kryeziu e Baliu. “Në historinë gati shekullore të punës së tij prej mësimdhënësi, profesor Ajeti mund të quhet Mentori i albanologëve dhe albanologjisë përgjithësisht”. Bashkohem plotësisht më këtë vlerësim të qëlluar e kuptimplotë të autorëve, duke shtuar se, për vlerat dhe rëndësinë e madhe që kanë pasur e kanë studimet e akademikut Idriz Ajeti, edhe unë, ndonëse nuk kam qenë student i tij, kam përfituar aq shumë dhe u jam referuar shumë shpesh ndihmesave të tij në lëmin e dialektologjisë, të onomastikes dhe të kulturës së gjuhës, saqë, në një farë mënyre, do ta quaja veten, në mos nxënës, së paku, një ithtar modest të tij .
Në mbyllje, do të thosha shkurt: “Rrapi shekullor...” është një libër me shumë vlerë, duke shtuar me gjithë zemër edhe urimin: Pastë jetë e shëndet edhe më tej profesori ynë i nderuar që t'i shijojë miradijen e mirënjohjen që i blatojnë në mënyrë meritore ish-studentët e ithtarët e tij të mirë: prof. dr. Bahtijar Kryeziu dhe prof. dr. Begzad Baliu, duke ia rreshtuar, pohuar e vlerësuar krejt ndihmesat e tij të vyera për gjuhësinë shqiptare dhe për albanologjinë. Përgëzime të dy autorëve dhe urime për pleqëri të bardhë Klasikut tonë të madh të albanologjisë, akademikut Idriz Ajeti, përfundon vlerësimin e tij, akademik Gjovalin Shkurtaj. Po e mbylli këtë ese me një mendim të Njëshekullorit, Ajeti; Gjuha është pasqyra më e qartë e kombit dhe kulturës. Kulturimi gjuhësor e shkrimor i gjuhës është i ngadaltë, dhe jo aq i lehtë. Edhe në gjuhë ka ferrishte që duhen pastruar. Ky do ishte mesazhi im për studiuesit e ri, shprehet, Rrapi shekullor - Akademik Idriz Ajeti.