Kulturë
Kristaq Turtulli: Litari i mallit
E marte, 10.01.2017, 12:53 PM
KRISTAQ TURTULLI
LITARI I MALLIT
Tregim
Klementi mbështet dorën në dorezën metalike të derës dhe s’i bëhet të ikë. Era e këndshme e kuzhinës, kurmi i ngrohtë i gruas e pështjellojnë. Jona, qëndron në mes të dhomës, me pizhamet e pambukta te natës. Zambaku i bardhë, i mrekullueshëm i gjoksit është kundërmues. I duket sikur s’ ka kohë të mjaftueshme të ngopet me aromën dehëse të gruas. E cyti mendimi ndërkryer, t’ i turrej Jonës, të zhytë kokën si i panginjur mes sisëve të mrekullueshme. E vështron butë. Ndoshta gruas i kotet syri për gjumë. I ngjau si një kotele bardhoshe, edhe pse s’ e shfaq, ka nevojë për përkëdheli. Provoi dridhje si elektroshok dhe joshje të ëmbël pupëlore. Doreza e derës iu duk tmerrësisht e ftohtë.
Cili qe ai pusht që shpiku turnin e natës!
Përfshiu me vështrim të shpejtë kuzhinën. Çrregullimi i prag mesnatës; teshat, lodrat e fëmijëve të flakura rrëmujshëm, iu dukën çuditërisht të pranueshme dhe familjare. Parapëlqente disiplinën dhe vendosjen e gjithçkaje në vendin e vet. Doreza e derës e pickoi. E tërhoqi dorën gati me vrull.
Një ndjesi e çuditshme e shtynte të zgjaste më shumë qëndrimin në ngrohtësinë marramendëse të shtëpisë dhe afshin përvëlues te gruas. Pas disa bredhjesh nëpër botë, më në fund u ngul në kontinentin e largët dhe krijoi diçka të veten, një fole të ngrohtë. Edhe pse i vajti një djall e gjysmë. Çmimet e shtëpive kanë shkuar në stratosfere. Do ti duhen njëzet ose tridhjetë vjet ta shlyejë. Ngushëllimi, ishte si të gjithë qytetarët e tjerë, me borxhe në banka. Kjo e bënte ta flakte nga mendja marrëzinë e gjithëpushtetshme, monedhë. E cila po e përziente botën si lesh arapi.
- Jona, s’ po dëgjoj zhurmë nga dhomat e fëmijëve, duhet ti ketë zënë gjumi, - foli ultas.
Gruaja hapi pakës gojën e vogël dhe të bukur, i flihej.
- Më fal, - tha ajo pakës e hutuar: - Fëmijët flenë. Luajnë gjithë ditën, lodhen. Mezi i mbaj kur ti fle.
- Ashtu! Shumë mirë,- ia bëri Klementi. Ju ngjit hapja e gojës dhe atij.
Gruaja luajti kokën ngadalë dhe fshiu me shpejtësi një lot gjumi qe befas i mbiu në cepin e syrit te majtë. Me shumë vështirësi përmbajti hapjen përsëdyti të gojës.
Kishte qenë vërtet një ditë e ngarkuar me punë, me plane dhe shifra. Jonës orët iu dukën sikur ishin varur pakujdesshëm në çengelin e stresit. Para një muaji ju prezantua një menaxher i ri, rreth të dyzetave, ngjyrë ezmere të errët, të zbehtë. Me aksent të bezdisshëm aziatik dhe mbiemër tmerrësisht të gjatë; Maragaharanathan. Kur i shqiptuan mbiemrin, u duk dikur thyheshin qelqe.
Menaxheri ri ka një buzëqeshje standarde, si të ngjitur me zamkë në fytyrë. Por shikimin e ka të mugët, si kohë të vranët dhe tejet gërmues. Vështrimi i tij të mbërthehet papritmas mbi trup, sikur të shpon mishin dhe të shkakton dhembje të brendshme. Menaxheri Maragaharanathan ka një vetëkënaqësi të habitur dhe asnjëherë s ‘të vështron në sy. Shikimi i ngrirë, metalik, bredh lart, përtej, në hapësirën boshe të sallës, shumë pranë tavanit, si të presë me thikë ajrin e ftohtë të krijuar nga freskuesja, pastaj vështrimi i ndehet ngadalë, si perde e rëndë mbi kokat e punonjësve. Të gjithëve u hyri frika e ruajtjes së vendit të punës. Flitet se do bëheshin lëvizje cilësore sipas mençurisë dhe traditës aziatike.
Ngandonjëherë Jonës i krijohet përshtypja sikur vendasit e hershëm, të ardhur prej Evrope kanë një naivitet gati fëmijëror...
Koha këtu vrapon dhe vrapon pa ndërprerë. Shumë më shpejt nga sa ndodh në vendlindje. Ikën një vit pa u ndjerë dhe befas shfaqet viti tjetër, i njëjtë, i ftohtë. Me telashe, borxhe të vazhdueshme dhe strese të pafundme. Jona shpesh provon një frikë të padukshme kur hap kutinë e vogël të postës, sepse pothuajse gjithmonë detyrime për të paguar do gjejë në të. Rroga zhduket sa hap e mbyll sytë. Me njerëzit e dashur te familjes, në atdheun e largët zakonisht bisedonin në telefon ose në skajp. Vrapimin marramendës të kohës e percepton krejt ndryshe, qëndrimi pranë familjes sipas saj zgjat pothuajse një minutë. Ndërsa rrëmeti i ditës së punës, një shekull. Me praninë torturuese të menaxherit të ri, me mbiemrin gërryes Maragaharanathan. Një ditë shikimi i tij i akullt u mbërthye papritmas mbi gjoksin e saj. U hutua dhe mbërtheu me nxitim kopsën deri në grykë...
- Do doja ti puthja fëmijët, - dëgjoi zërin e butë të shoqit.
- Të lutem Klement, mos i zgjo,- iu përgjërua Jona:-Ç’të ka hipur sot kështu?!
-Nuk e di. S’më ikët në punë,- u përgjigj Klementi.
Jona mblodhi supet. Një muaj të mos punosh do t’u duhet të lidhësh kokën me shami. Sa e lodhur që ndjehej. Nuk mundi të ndalte hapjen e pavullnetshme të gojës. Fshiu me nxitim me shpinën e dorës dy bulëza loti në cepat e syve. Menaxheri i ri i ngarkoi dhe detyrën e një punonjëse që u pushua nga puna një ditë më parë. Bukën drekës e hëngri me nxitim, gllomka-gllomka pa lëvizur nga vendi i punës, duke vështruar përreth me frikë mos e shihte kush.
Jona foli zë të ulët gati si pëshpërimë:
-Gjumi fëmijët i rit.
Donte të shtonte dhe mua gjumi më çlodh kockat. Dreq o gërryes fytyrëzbehtë Maragaharanathan.
- Mirë, nuk i zgjoj, - mërmëriti Klementi dhe fërkoi ballin. Vështroi sërish dhomën dhe shtoi gjithashtu me zë të ulët: - Gjumi është i mrekullueshëm për fëmijët.
- Vajza nesër ka konkursin në klasën e baletit, besoj s’ do harrosh,- e kujtoi Jona.
- Jo, s’do harroj, - tha ai dhe tundi kokën me vrull.
- Vajza ka besim të fitojë, ndaj duhet t’i blemë disa lule si dhuratë,- tha ajo.
- Sigurisht do fitojë, - ia bëri Klementi i ngazëllyer dhe shtoi: - Do ble lule të bukura për të.
Vajza është shejtane e vogël e mrekullueshme. Ajo bën te gjithë zallahinë në familje, pastaj se nga gjen ca marifete dhe del gjithmonë pa lagur. Djemtë janë më ndryshe, më të rritur, më seriozë, por edhe atyre u pëlqen te lodrojnë me motrën e vogël, e cila ëndërron te behet yll baleti.
Në muajt e parë të mbërritjes në qytetin e madh te kontinentit të ftohtë, gruaja ishte e mendimit të nisnin të flisnin në shtëpi vetëm anglisht, në mënyrë ta përvetësonin sa më shpejt gjuhen e huaj. Ai e vështroi një copë herë pa folur, pastaj i tha me zë të ulët por të vendosur:
“Jona, më duket vetja i pavërtete, të flas në gjuhë të huaj në familjen time. Ambienti ynë familjar është një cope mëmëdhe.”
Buzëqeshi lehtë dhe ngriti krahun të shtronte flokët, por ndjeu një sëmbim në gjoks. Majat e gishtërinjve depërtuan në hapësirën e ngushtë midis dy kopsave të këmishës dhe fërkoi butë anën e majtë të gjoksit të leshtë. Iu duk sikur një grerë e padukshme kërceu papritmas dhe i nguli thumbin e nxehtë në gjoks. Si ti largonte përfundimisht gjumin.
Fëmijët le të flinin. Gjumi i rit. Le të shihnin ëndrra të bukura. Fëmijët gjithmonë shikojnë ëndrra të trëndafilta. Nesër do blejë lule shumëngjyrëshe për lepurushën e vogël. Dëshiron me gjithë shpirt të bëhet yll baleti. U përpoq të risillte ndër mend ëndrrat e fëmijërisë së tij. Ato ishin jashtëzakonisht larg, si copëra ishuj të vetmuar në përhimë. Kishte qenë vërtet një fëmijëri e vështirë, dhe ëndrrat thërrmoheshin si rërë.
Rrotulloi qafën, u ndesh me vështrimin gjurmues së gruas së tij. U përpoq të buzëqeshte sërish dhe bëri një lëvizje të shkujdesur me dorë.
- Sot dukesh i çuditshëm, - i foli gruaja dhe tundi shpejtazi kokën. Kaçurrelat e arta i përkëdhelën ballin e bukur dhe Klementi ndjeu një marramendje.
- Jam mirë, - foli ultazi. Përshkënditja e dëshirës e tundonte, por s ‘ishte koha për kësi gjërash. Pavetëdijshëm vështroi orën. Akrepi i madh vraponte pamëshirshëm, i duhej të largohej. Thumbi e grerës u largua prej gjoksit, ndjehej më i qetë.
- Ndoshta s’ fjete mirë gjatë ditës, - dëgjoi zërin e Jonës.
- Jo. Jam mirë. Jam shumë mirë. Jam shkëlqyeshëm, - foli pa pasur mendjen aty.
Vështroi buzët e plota si dy kokrra qershie të gruas. Nuk mund të mposhte dëshirën t’i puthte. Futi dorën në xhepin e djathtë dhe kërkoi çelësat e makinës. Ngrohtësia e ambientit i shkaktonte përgjumje të lehtë, të ëmbël, çlodhës dhe mbi të gjitha kurmi gruas së tij...
Përshkundi kokën, s’ është koha të hallakatet, lëshuar veten në krahët provokuese dhe djallëzore të plogështisë. Akrepi i madh i orës vrapon çuditërisht shumë shpejt, gati në çmenduri. Vetëtimthi rrëmbeu kokën e bukur të gruas e puthi fort, nxehtësisht si kurrë më parë dhe eci me hap të madh drejt derës.
- Ua!- ia bëri Jona e pushpuritur dhe vuri pëllëmbën mbi buzë.
-Ta kyç derën nga jashtë, - foli Kelmendi.
- Mirë, - tha gruaja,- mbylle derën me çelës nga jashtë.
Kelmendi zakonisht kthehet në shtëpi kur ajo ka braktisur teshat e shtratit. Gruaja nuk e ka marrë akoma veten nga puthja gjithë afsh. Ç’ ishte kjo dëshirë e nxehtë, e pazakonshme në prag të nisjes në punë. I erdhi mirë. Donte ta pyeste, pse jo ti kthente puthjen, por i shoqi tërhoqi derën mbas vetes dhe rrotulloi çelësin në bravë.
Përnjëmend burri iu duk tmerrësisht i brishtë me dëshira të pa shprehura. Klemendi iku në punë turn i tretë. Le ngrohtësinë e trupit të tij në shtroje dhe ajo rrotullohet në shtrat, të thithë erën mashkullore që lë pas burri i saj. Ngandonjëherë Jonën e tremb vetmia në netët e gjata, të ftohta dhe nuk gjen të ngrohtë. Klemendi ka vite që punon turn i tretë dhe shpesh here takimet bëhen gati telegrafike. Me puthje në cepat e buzëve, të nxituara, të lehta, si kartolina poste të varura në pragun e derës. U duhet të sakrifikojnë për ardhmërinë e fëmijëve.
Burri zbriti shkallët me nxitim, hapi derën e garazhit dhe me hapa të shpejtë u drejtua nga makina. Është një makinë ngjyrë portokalli e tipit të vjetër, motorin e ka të fortë veçse i harxhon shumë gaz. Kur të gjejë kohë të lirë duhet të shikojë për një makinë disi më të mirë, mbasi gazi po shtrenjtohet dita ditës.
Ndezi makinën, doli në rrugën e madhe. Përmes xhamit të përparmë vështroi qiellin e përmbytur nga yjet dhe hënën të zvogëluar që qëndron diku në cep të qiellit si një fëmijë i vogël i trembur, i hutuar. Ka përshtypje të mirë për hënën në muajin pranveror të prillit. Por këtë herë hëna akoma nuk ka shkundur nga supet dimërimin e gjatë dhe dëborën e madhe që u derdh pa ndërprerje mbi qytetin e madh. Nuk mbahej mend prej vitesh një dëborë e tillë, por çuditërisht pa reflekse mbasi përlyhej në çast nga vrapimi i harbuar i makinave. Edhe në qytetin e tij të lindjes bie çdo vit dëborë, por dëbora atje është krejt ndryshe, e butë, miqësore, lozonjare, e mrekullueshme, gjithë reflekse, që mund të luash i shkujdesur, si në një përrallë dimri...
Në çastin që do të merrte kthesën të hynte në rrugën e madhe, ndjeu së dyti thumbin e hidhur të grerës në gjoks. Piu disa gllënjka uji nga shishja plastike. Ku dreqin është kjo grerë që nuk e sheh. Tejet i bezdisur ngadalësoi shpejtësinë dhe u fut në rrugën dytësore. Mendoi një çast të kthehej në farmacinë më të afërt, të blinte aspirinë.
Mbasi e fërkoi gjoksin një copë herë, me lëvizje rrethore, ndjeu një farë lehtësimi. Gjatë ditës fëmijët bënë zhurmë ndoshta më shumë se zakonisht, a mbase iu duk atij, sepse nuk mundi të plotësonte gjumin. Me kalimin e viteve duke punuar turn i tretë, iu redaktua gjumi deri në tre orë. Mund të vërtitej në shtrat në kërkim të gjumit, por kjo nuk do të thoshte qe flinte.
Rruga dytësore ishte e qetë, pa shumë lëvizje, dhe shtëpitë në të dy anët e rrugës ishin të zhytura në gjysmë errësirë. Ngandonjëherë shtëpitë i duken si shtëpi kukulle prej kartoni, të brishta, dhe të vendosura njëra pranë tjetrës me rregullsi gati lodhëse.
Vite më parë ai provoi magjinë dhe joshjen e qytetit të madh. Qyteti i kontinentit te largët befasisht të robëron, të mbërthen dhe të gozhdon me mijëra fije. Ndaj jo rrallë i duket vetja sikur ndodhet midis dy skajeve të një litari të tendosur dhe të padukshëm, por që ndjehet edhe në këto dy skaje diçka i huaj. Shumë gjëra e lidhin me vendlindjen e largët, dhe mbi të gjitha, flokëargjënda, e mira, e ëmbla, e palodhura, nëna. Po mplaket dhe rrëgjohet nga dita në ditë. Ai ka pesë vjet që nuk ka mundur të shkojë të vizitojë nënën, të ndjejë mbi flokë si dikur dorën e rrudhosur dhe të dëgjojë urimin drithërues të nënës.
Dreqi ta hajë sa shpejt shkasin vitet, si të kesh hipur në një ski metalike dimërore, e cila zhurmë ndjellëse, shket dhe shket pa u ndalur, mbi ditët, muajt dhe vitet. Punon pa u lodhur dhe pa ndërprerje duke kursyer të holla për të një folesë të ngrohtë në kontinentin e ftohtë. Ndërkohë zëri i nënës dëgjohet së largu, më përgjërues, përcëllues, që përcillet vetëtimthi nëpër hapësirat e pafundme, por që befas humb nga zhurma dhe rrëmeti i qytetit të madh verior...
Vëllai theu këmbën në një aksident automobilistik, mbasi atje sinjalet rrugore janë të tepërta, të pavlera dhe e shoqja e papunë. Sigurisht shtëpia e madhe me shumë dhoma ka filluar të rrënohet, dhe ata vërtiten vetëm me pensionin simbolik të plakës.
Djali i komshiut rrëzoi murin ndarës midis dy shtëpive për të futur makinën e re.
Ishte hera e tretë që ndodh prishja i murit. Shkatërrimi i parë i murit ndarës ndodhi në vitet e para mbas luftës së dytë botërore. Atëherë i ati ndërtoi mur të madh të trashë guri, por familjes se tij i ndalohej të mbante mure ndarës dhe aq më shumë të lartë. Duhej të ishin vazhdimisht nën vëzhgimin e komshinjve të rinj, gjithashtu nuk u lejohej të varnin në dritare perde të rënda tyli si dikur. Kohët ndryshuan dhe shtëpia e tyre e madhe u përmbyt nga qiraxhinjtë provokues dhe rrëmujaxhinj. Të cilët hynin befasisht nëpër dhoma rrëmonin nëpër sirtarë e dollapë duke buzëqeshur pa teklif sikur te mos kish ndodhur gjë. Asgjë nuk ishte pronë e tyre. Në mesin e viteve gjashtëdhjetë i ati ndërtoi një mur të hollë tulle, por u shemb në mëngjesin e ditës së nesërme me urdhër të këshillit të lagjes. Gjithashtu familja u dënua me gjobë të rëndë dhe me paralajmërim me internim afat gjatë. Atëherë mbas rrafshimit te murit, bashkëmoshatari i tij vërtitej mes pluhurit, bythëjashtë dhe bërtiste në kupë të qiellit:
“ O borgjez, o qymez, i ke brekët me pekmez.”
Klementi nuk kishte asnjë kuptim të saktë mbi fjalën e tmerrshme “borgjez”, që adresohej kundër familjes së tij. Atakohej aq shpesh nga komshinjtë dhe pushteti. Duke zgurdulluar sytë, ngërdheshur fytyrën, dhe përdredhur trupin, si të kishin përpara një shpirt te vjetër, të frikshëm. Atëherë ishte tepër i brishtë, drithërohej dhe shpeshherë i dukej se qenia “borgjez” e ardhur aksidentalit nga thellësia e viteve, i ngjante një sfinksi të tmerrshëm që i ndiqte ngado e pamëshirshëm, hap pas hapi, sa i merrte frymën. Ndaj donte të përleshej dhe ta ndëshkonte bashkëmoshatarin, por i ati ia ndaloi kategorikisht, mbasi të tjerët kërkonin marana për trahana.
E mbante mend fort mirë atë adoleshent sherrxhi, djalin e bashkëmoshatarit; ishte ndër të parët që theu depot dhe, së bashku me të atin vodhën armë dhe thasë me miell, në ditët e mjegullta të pranverës së hidhur. Ditë më vonë shisnin miell duke shëtitur me karrocë nëpër rrugët e ngushta te qytetit.
Ka plot gjëra për të bërë në shtëpinë e vendlindjes. Të zbutë dhembjen e nënës. Të ngrejë sërish murin ndarës, të bllokokë sykeqin, djalin e komshiut, i cili pi me shokë dhe dehet majë makinës, ngacmon gruan e vëllait edhe pse ajo është shumë vjet më e madhe dhe i ka fshirë qyret kur qe i vogël.
“ Ç’e do sakatin, hajde me mua në makinë të shohësh botë, do mplakesh, do mbetesh shushkë.”
Gruaja e vëllait qan fshehurazi në kuzhinë. Është grua namusqare, çfarë ka bërë që malukati i thotë ato fjalë. I vëllai tërbohet duke tërhequr këmbën zvarrë. Vëllai është tip i vrullshëm dhe nëna trembet mos ndodhë ndonjë hata. Ajo qëndron mes dy shtëpive, në vendin e prishjes së tretë të murit, merak madhe, ashtu e imët, flokët e bardhë shpupurishur, si në mesin e dy skajeve te një litari te padukshëm, të tendosur në vite.
Dërgoi disa të holla, por u tretën si kripa në ujë. U blenë drutë e dimrit. Plakës iu hollua gjaku, sepse ka shumë erëra dhe shtëpia e madhe qëndron përherë akull. Dikur babanë e arrakatit e bëri shok, flaku mërinë. Di vetëm të falë, bile e ndihmoi te gjejë punë kur u ngeli i papunë, në fillim te viteve nëntëdhjetë.
Më në fund mundi të mbledhë disa të holla dhe bleu biletat për gjithë familjen, të shkojë në vendlindje në muajin qershor. Ndoshta mund të shkonte vetëm më parë, por nëna i lutet vazhdimisht, me zërin drithërues:
“ Biro eja së bashku me fëmijët, të çmallem me ta. Fëmijët e tu të mos harrojnë gurët e vendlindjes. Guri rëndon në vendin e vet.”
Por nëna e mirë nuk mund ta kuptojë se rëndesa gurit në lëvizje nuk është si më parë.
Ndezi cigaren, e thithi disa herë me vrull. Ka menduar ta lerë duhanin, i behet goja shafran, e pështyn here mbas here. Cigaret janë shtrenjtuar mjaft, dhe ai është i detyruar të blejë duhan të lirë të futur pa doganë. Shitësi, një indian i imët me çallmë blu i jep paketën me cigare kur s’ ka njeri. Gruaja nuk e duron erën e rëndë te duhanit, detyrohet ta pijë jashtë në ballkon. Në vendlindje asnjëherë nuk bëhet zhurme dhe potere për pirjen e duhanit, do te jetë surprize për ndonjë që nuk e pi duhan. Kudo tymosej dhe është kënaqësi e hatashme.
Mori kthesën nga e krahu i majte dhe rrotat fërkuan me shpejtësi asfaltin e rrugës së gjere. U mbështet tërësisht në ndenjëse dhe riti shpejtësinë.
Në krahun e djathte të autostradës, në mesin e fushës të rënduar nga errësira vezullojnë dritat e fabrikës së plastikës. Uli shpejtësinë dhe hyri në daljen e djathte të autostradës. Ka pesë vjet që punon në fabrikën e plastikës. Fillimi i vështire, mbasi ndryshon kryekëput me punën qe kryente ne vendlindje, por me kalimin e viteve u fut në rrjedhën e zakonshme. Mendoi të fillonte ndonjë shkollë ose kurs, por puna e natës dhe kujdesi ndaj fëmijëve e lodhnin dhe fillimin e shkollës e shtyn nga dita në ditë. Klementi ka tre fëmijë zhurmëtarë, të mrekullueshëm dhe ndjen një adhurim te jashtëzakonshëm për ta. Vajza e vogël është magjia e familjes.
Hyri ngadalë në oborrin e gjerë te fabrikës, ndjeu sikur dikush e goditi befasisht me çekan mbas shpine, mu në mesin e shpatullave, aq sa i shkaktoi dhembje të padurueshme. U drodh i theri, shtrëngoi me gjithë forcën timonin dhe rëndoi ashpër në pedalin e frenit, makina u shkund dhe kërceu përpara.
Pas shpine dëgjoi burinë nervoze të një makine. Me ngadalësi hapi sytë, uli xhamin anësor dhe zgjati kokën jashtë. Dalloi fytyrën ezmere të pakistanezit, kolegu i punës, kushëriri i pare i përgjegjësit të repartit.
- Hej lëviz, të zuri gjumi. Kam pesë minuta që i bie borisë. - Zëri i pakistanezit ishte i paduruar.
Klemnti me shumë vështirësi drejtoi makinën drejt vendit të parkingut. Pakistanezi zakonisht mban një fustanelle të bardhë, të gjatë deri në fund të këmbëve te zbathura dhe një pale pantofla plastiku, kjo është uniforma e tij e përditshme.
Mendoi të ndizte një cigare të qetësohek, ne çastin po nxirrte çakmakun, ndryshoi mendje, beri cigaren shuk, e thërrmoi neper gishtërinj dhe e flaku jashtë, përtej dritares në asfaltin e errët.
- Hej, - dëgjoi serish zërin lartë të pakistanezit:- Shkoi vonë.
Pakistanezi nisi vrapin në korridorin anësor dhe gjysme te ndriçuar te fabrikës. Dëgjoi trokëllimën nervoze të pantoflave prej plastiku dhe mbas disa sekondash fustanella e bardhë humbi në bërrylin e korridorit. Donte të vraponte, por nuk mundi. U përpoq te shpejtonte hapin, megjithëse ndjeu vështirësi në frymëmarrje. Veshtroi orën, ka dhe plot dhjetë minuta derisa të fillonte koha e punës. Gjithsesi ka mundësi të ndërrohet, pse jo të pijë edhe një cigare, por pakistanezi si zakonisht është shembullor i kushëririt. Shpëlau fytyrën me ujë të freskët dhe indiferent u vështrua në pasqyrë, iu duk vetja i zbehtë. Me siguri është lojë idiote e neonit ngjyrë qumështi të banjës. Nuk mund të hallakatez si kaqol përpara pasqyrës. Piu një aspirinë, spërkati dhe njëherë fytyrën, përnjëmend u ndje mirë. Mendoi që ditën e nesërme të vizitohet tek mjeku i familjes, megjithëse i ka fort për zemër vizitat mjekësore. E bezdis qëndrimi në radhë dhe vështrimi disi gërmues i mjekut, edhe pse mjeku i familjes është një kinez trup vogël i qetë, që buzëqesh vazhdimisht, ngandonjëherë edhe pa shkak.
Përgjegjësi e pret tek dera e repartit, i hedh vetëtimthi një vështrim të pjerrët, nëpërmjet syzeve të trasha si xhama kavanozi dhe i flet me ton disi të zvargur:
- Sot do të mbash dy makina, - dhe shkroi diçka në bllokun e tij të madh.
Klementi e vështroi me mëdyshje. Shpesh ka pranuar të mbajë gjatë punës dy makina, kur mungon dikush. Punonjësit e tjerë përtypen të mbajnë dy makina, por për të kjo ishte më se e zakonshme.
- Do paguhesh si gjithnjë, një pagë e gjysmë, - dëgjoi zërin e paduruar të përgjegjësit.
- E di, - ia ktheu, donte të shtonte që kishte pasur disa shqetësime në zemër, por aspirina i kishte bërë mirë.
Nuk mund të kundërshtojë. Askush s’e pëlqen kundërshtimin, sidomos përgjegjësi me xhama kavanozi, i cili me siguri gjatë gjithë jetës së tij në vendlindje ka qenë një punonjës me bindje shembullore. Përgjegjësi vazhdon të shkruajë në bllokun e madh me mbulesë lëkure të zezë që e mban përherë me vete, pastaj ngre kokën vrulltas dhe flet zë rëndë:
- Hë!
Luajti kryet në shenjë pohimi dhe u drejtua me hapa të ngadalta tek vendi i punës.
Gjatë punës u ndje i plogët, por i duhet të lëvizë pa ndërprerje në dy makina. Herë i thahet fyti, ose i dhemb trupi. Tre herë iku me nxitim në banjë të bënte ujët e hollë. Mezi pret pushimin e parë. Edhe pakistanezi, kushëriri i përgjegjësit, mban dy makina, i cili punon në krahun e majtë.
Nuk i hapet goja të hajë edhe pse pushimin e priti me padurim. Do vetëm të shtrihet ose së paku të mbështetet diku. Është hera e parë që ndjehet kaq i dërmuar. Çfarë të jetë vallë! Gjatë jetës së tij s’ ks ndjerë dhembje të tilla. Në fëmijërinë e largët pati disa aksidente të vogla, gjatë lojërave të ndryshme, kur çau këmbën në fabrikën e qelqit në kërkim të xhamave shumëngjyrëshe, ose kur theu krahun aksidentalisht gjatë një mundje me një bashkëmoshatar.
Ndjeu që pakistanezi me fustanellë e përgjonte me vështrim. U përpoq të lëvizte nga vendi i bezdisur. Pakistanezi iu afrua pranë, në cepat e buzëve ka gjurmë orizi.
- Nuk jeni mirë?- e pyeti pakistanezi. Brenda hapësirës së bardhë së syve të tij sheh si gjithnjë ishuj të vegjël ngjyrë gri.
- Nuk e di, - ia ktheu thatë. Pakistanezi është baba i shumë fëmijëve, ndaj gëzohet kur dikush mungon në punë, një ditë e gjysmë page e kishte të sigurt: -Më duket sikur kam peshë të rendë diku këtu në gjoks.
Sytë e pakistanezit u zgjeruan tej mase, dalloi ishuj të tjerë gri. U pendua që i tregoi dhembjen, edhe pse punon me të prej disa vitesh. Marrëdhëniet në punë janë krejt ndryshe nga miqësitë e vendlindjes. Këtu ka vetëm mirësjellje standarde pune, që treten sa hap e mbyll sytë, në momentin që kapërcen murin e fabrikës.
- Ti them përgjegjësit, - dëgjoi zërin e pakistanezit.
- Jo, - ia preu:- Do të kalojë.
- Unë i them atij, - këmbënguli pakistanezi:- Ose të marrin në telefon 911.
Klementi u ndje nervoz dhe i tha shkurt:
- Jo, faleminderit.
Pakistanezi tundi kokën i preokupuar, pa e shkëputur vështrimin. Gjurmët e orizit i varen ne cepat e buzëve.
Nuk është aq i sëmurë sa të lajmëronte urgjencën. Disa dhembje të panjohura më parë. Është burrë i fortë. Pushimi iu duk tmerrësisht i shkurtër. Mendimi se duhet të pijë cigare e torturon, por gojën e ka të hidhur farmak, por ngandonjëherë shafrani del me shafran. Për t’u shmangur vështrimit të habitur dhe te pandarë të pakistanezit, shkoi në banjë dhe bëri për herë të katërt ujët e hollë. Pas kësaj e ndjeu veten më mirë, pa dhembje. Është vërtet mrekullueshëm të mos kesh dhembje. Përnjëherësh iu kujtua para se të shkojë në shtëpi duhet të kthehet në dyqanin e luleve për bubuleshen e dashur. Gjithë shkujdesje tërhoqi derën e banjës dhe eci me hap të çlirët në korridorin e gjatë të drejtohet tek vendi i punës. Pakistanezi me siguri ka filluar si zakonisht punën pa përfunduar koha e pushimit.
Atëherë kur iu bë sikur dëgjoi zërin e nënës, ndjeu një shkundje të fortë dhe goditje të tmerrshme midis dy shpatullave. I duket sikur hekuri i nxehtë i shponte trupin tej përtej dhe ai gremisej nëpër korridorin e errët. Klementit iu duk sikur diku në mugëtirë, shqoi trupin e imët të nënës ngujuar mes dy shtëpive, në vendin e murit të prishur, si midis dy skajeve të një litari të tendosur. Nëna dukej tmerrësisht e zbehtë, e ligur, e lodhur nga jeta, brengëmadhe. Erërat e forta te halleve e kanë leqendisur. Hallemadhja qe e kruspullosur aty në mes, rreth e rrotull ka dhera, gurë, pluhur dhe litari i gjatë i mallit ishte mbështjellë rreth saj.
Zgjati krahët ta prekë. Do ti flisë nënës, ta qetësojë por vorbulla e rrëmbeu sakaq. Humbi nëpër terr...