Kulturë
Milazim Kadriu: Jehona e betejës së Tabeve
E hene, 09.01.2017, 02:20 PM
JEHONA E BETEJËS SË TABEVE TË LLAPASHTICËS ISHTE JEHONË E LIRISË
Dashamir Alliu “Beteja në Tabet e Llapashticës”, Prishtinë 2013
Nga Milazim F. KADRIU
Betejat e dhjetorit të zhvilluara në Llap e që nuk pushuan për pesë ditë me radhë, njihen si Beteja e Tabeve të Llapashticës që është një vend strategjik dhe që filluan aty më 24 dhjetor 1998. Kjo ishte njëra ndër betejat më të rëndësishme të luftës së lavdishme të UÇK-së në ZOLL. Beteja e 24 dhjetorit 1998, e zhvilluar në vendin e quajtur Tabet e Llapashticës , afër Besianës ka vazhduar edhe në ditët në vazhdim në Vendenis, Kastrat e fshatra tjera. Kjo betejë në historinë më të re të luftës sonë për liri, njihet edhe si beteja e "Tabeve të Llapashticës". Ky vend, gjithmonë është konsideruar një vend shumë strategjik për luftë. I tillë ishte edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku sidomos më 24 dhjetor 1998 u zhvillua edhe njëra nga betejat më të lavdishme të UÇK-së në ZOLL kundër hordhive pushtuese serbe.
Në librin e tij “Beteja në Tabet e Llapashticës”, vullnetari nga Hotolishti i Librazhdit,Dashamir Alliu, përshkruan qartë e saktë zhvillimet që kanë ndodhur në mbrojtje të atdheut,pa zbukurime por ashtu si kanë ndodh dhe si i ka parë ai si pjesëmarrës në këto beteja.
Libri i Alliut ndahet në dy pjesë ,ku në pjesën e parë përshkruan rrugëtimin e tij nga Selaniku ku ishte duke punuar,vështirësitë që pati gjatë rrugëtimit herë duke kaluar në Maqedoni e herë në Shqipëri, vetëm e vetëm që të arrij sa më parë në vatrat e luftës dhe tu bashkëngjitet luftëtarëve të lirisë në Luftën çlirimtare. Pas shumë përpjekjesh dhe këmbëngulësisë së tij ia arrin që të arrij deri në frontet e luftës dhe ate në ZOLL, në afërsi të kufirit më Serbinë. Ndërkaq në pjesën e dytë përshkruan në hollësi luftimet e zhvilluara në ato ditë në betejat e atyre ditëve në dhjetorin e acartë.
Ishte 24 dhjetori i vitit 1989 kur filluan betejat e pareshtura në ZOLL-it, ndërsa Llapashtica ishte shndërruar në një kala të pathyeshme për tre muaj me radhë. Muret e saj ishin çelikosur nga luftëtarët e lirisë që u bënë gur kalaje dhe nuk mundej ti rrënonte e tërë ajo makineri luftarake e pushtuesve sllav. Luftëtarët e lirisë u hidhnin si luaj mbi tank dhe nuk lëshonin pozicionet.
Në këtë fshat ishte e vendosur edhe komanda e UÇK-së për ZOLL-in. Forcat pushtuese serbe, të pajisura me gjithë arsenalin ushtarak ia patën mësyrë atë ditë Llapashticës sigurisht me qëllimin e vetëm për të asgjësuar komandën e UÇK-së së ZOLL-it, por nuk ia arritën dot këtij qëllimi, pasi para se të arrinin në këtë fshat u ndeshën në Tabe me forcat e UÇK-së, me ç’ rast qe zhvilluar një betejë e ashpër. Ai vend i njohur ishte fole dhe fortifikatë e UÇK-së ,ku prej 15 shtatorit 1998 deri më 24 mars 1999 u thyen me dhjetëra ofensiva serbe ,që mësyn pozicionet e UÇK-së.
Edhe redaktori i librit, ushtaraku i lartë i UÇK-së Dilaver Goxhaj ndër tjera thotë “Si shumë përshkrues të tjerë të asaj lufte, Dashamir Alliu ka krijuar në librin e tij një botë të vetën. Kjo botë ka shtrirjen e saj në një kohë disa ditore, megjithatë ka historinë dhe gjeografinë e sajë. E gjithë drama për të cilën dëshmon Dashamir Alliu, kap një aspekt të vetëm të asaj lufte çlirimtare. Mirëpo skena, në të cilën ajo luftë shpaloset, është e tërë UÇK-ja e viteve 1997 - 1998, në mos krejt, pjesa më dramatike e saj, në radhë të parë strategjia e UÇK-së e asaj periudhe”.
Në këtë betejë u mposhtë fryma e pushtuesit njëherë e përgjithmonë, u shua miti se ushtria serbe është e pamposhtur. U tregua se UÇK-ja ishte bërë faktori kryesor i cili do të shpinte drejtë realizimit të synimeve tona shekullore.
Ndonëse betejat e dhjetorit të vitit 1998 filluan në Tabet e Llapashticës, vazhduan edhe në fshatrat tjera të Llapit ku djemtë e lirisë luftuan në mbrojtje të vendit si në Vendenis, Kastrat, Bradash e fshatra tjera. Në vijën e parë të frontit në Tabe patën rënë heroikisht dëshmorët : Isë Havolli, Ismet Dërguti, Miftar Zejnullahu, Lulëzim Jashari, Skënder Zejnullahu, Bajram Murati, ndërsa në Vendenis, Avni e Fatmir Selmani, kurse tri ditë më vonë në Kastrat, arsimtari Remzi Demolli dhe ish nxënësi i tij Jetulalh Kastrati.
Në Betejën e Tabeve të Llapashticës luftëtarët e UÇK-së me heroizmin e tyre shpërndan anekënd botës mesazhin domethënës se do të luftohet deri në ushtarin e fundit për lirinë e këtij vendi. Isë Havolli edhe atë ditë ringjalli edhe një herë trimërinë dhe qëndresën e Mic Sokolit, ngase u hodh mbi takun serb. Në këtë betejë luftohej duke u kënduar këngë trimërie e lavdie këndoheshin trimat shkuar trimave Zahir Pajazitit, legjendarit Adem Jasharit e trimave të tjerë .
Libri “Beteja në Tabet e Llapashticës’ është e ilustruar edhe me shumë fotografi të dëshmorëve, bashkëluftëtarëve të autorit të librit në frontet e luftës. Po ashtu në libër janë të prezantuara disa poezi të Rajmonda Maleçkës kushtuar dëshmorëve të UÇK-së si dhe në fund janë emrat e dëshmorëve të UÇK-së të ZOLL,të rënë gjatë viteve 1997 - 1999.
Andaj ky libër i vullnetarit nga Hotolishti i Librazhdit, Dashamir Alliu bashkë me librat tjerë të historisë së UÇK-së është një thesar i Luftës Çlirimtare të Kosovës.