Kulturë
Kapiti: Misioni i kombit në rrugën e përjetësisë
E hene, 09.01.2017, 11:13 AM
Misioni i kombit në rrugën e përjetësisë
Nga Skënder S. KAPITI
Misioni i njeriut është të krijojë familje dhe të lejë pasardhën që të vazhdojë jeta pandërprerje. Njerëzit dhe familjet bashkëjetojnë në shoqëri, si një fis i madh me tradita, zakone, kulturë dhe gjuhë të njëjtë; jetojnë në atë bashkësi që quhet Komb dhe në një territor të përbashkët që quhet Atdhe, pra në një shtetkomb.
Kombi dhe shtetkombi i tij ka për mision atë: se ai duhet të lëvizë si një trup i shëndoshë ku të sundojë liria, drejtësia, morali, mirëqënia dhe humaniteti drejt lumturisë për të gjithë. Egoizmi, tradhëtia dhe korrupsioni janë sëmundjet më të rënda që e kërcënojnë si individin ashtu edhe kombin dhe sovranitetin kombëtar.Për njeriun: familja, kombi dhe atdheu janë të shënjtë.
Nuk ka pse t’i lutemi BE-së që të na hapë rrugë e të heqë pengesat për t’u bërë antare e saj Shqipëria dhe Kosova, sepse Shqipëria etnike është Europë dhe kombi shqiptar është europian më herët, është autokton europian më shumë se të gjitha shtetet dhe kombet e tjera të Europës. Për këtë fakt: njerëzisht , kulturalisht, historikisht dhe moralisht Europës i takon të na respektojë e të na jetë mirënjohëse.
Popujt e kombet më të hershëm të Europës janë zhdukur dhe asimiluar prej atyre që erdhën dhe i zëvëndësuan ata, apo u hibridizuan me njëri-tjetrin, dhe këta, sot janë ata që paturpësisht na pengojnë integrimin, sepse shqiptarët nuk e pranuan dhe qëndruan dhe e përballuan asimilimin dhe sfiduan në shekuj intrigat, dhunën dhe genocidin e atyre që u dyndën në trojet tona.
Shqiptarët nuk u bënë më herët as latinë, as gjermanikë dhe as sllavë dhe më vonë as turq, as grekë dhe as serbë e as bullgarë.Kombi shqiptar egziston vetëm në sajë të shqiptarizmit të pastër. Na duhet vullneti, respekti, dashuria dhe uniteti ndërveti, që fatkeqësisht nuk e kemi pasur dhe nuk e kemi akoma sa duhet që të bashkohemi, sepse bashkimin e kemi shumë pranë. Ky është qëllimi dhe kjo është detyra jonë e madhe.
Ta lëmë të kaluarën e largët në të shkuarën e saj dhe të mos harxhojmë kot energji në përpjekje për ta ndrequr politikisht dhe fetarisht atë, e që në fakt vetëm sa po na ngatërron dhe përderisa një gjë e tillë nuk po na sjell dobi.
Por, të mos harrojmë vuajtjet dhe sakrificat e brezave të së shkuarës, të frymëzohemi prej tyre, por kryesore është ajo se cfarë po bëjmë Ne sot, për kombin dhe për krenarinë tonë kombëtare, për shqiptarizmin, në mënyrë që të krenohen brezat që do të vijnë pas nesh me atë se cfarë do t’ua lëmë ne sot si trashëgimi të vyer atyre.
Ta ndërtojmë të tashmen e cila t’u shërbejë brezave të ardhshëm. Ky është misioni njerëzor e kombetar edhe i brezit tonë.
Të shohim përpara duke e dashur veten tonë së pari si dhe t’i duam dhe t’i respektojmë ata që nuk janë rracë e komb si ne, ata që na duan dhe na respektojnë sot, aq dhe ashtu apo sa e si na duan dhe na respektojnë edhe ata neve.
Ajo se cfarë bëjmë e ndërtojmë sot përcakton dhe orienton edhe per të ardhmen.
Aktualisht i bëj thirrje klasës politike shqiptare të dështuar që të largohet, pasi ajo nuk ka mision, vision dhe qëllim tjetër përvec atij për ta marrë dhe për të qëndruar në pushtet.
Klasa politike shqiptare sot po i shkakton dëmin më të madh kombit me papërgjegjshmërinë, krimin e organizuar, tradhëtinë, padrejtësinë, pandjesinë sociale dhe me korrupsionin e saj.
Politika e sotme nuk ka strategji dhe as vision kombëtar.
Vizioni i politikës aktuale kudoshqiptare nuk është aspak në dobi të kombit; politikë e cila vetëm sa bllokon dhe pengon; e cila është një politikë jashtë mode dhe në kundërkohë.
Dhe nëse ajo nuk vetëlargohet atëhere kombi duhet ta ndëshkojë atë me votë dhe ta largojë si nga politika dhe nga pushteti.
Kombi gjithnjë duhet të lëvizë e të veprojë dhe asnjëherë nuk duhet të ndalojë sepse ndalesa është prapambetje që rrënon; është pajtim dhe nënshtrim ndaj të keqes politike; ndalesa apo lëvizja e ngadaltë, inercia, është humbje kohe në rrugën e konsolidimit, zhvillimit dhe të forcimit të kombit dhe të zhvillimit e të progresit të tij.