Kulturë
Mehmetali Rexhepi: Zgorreve të mendimit
E diele, 08.01.2017, 10:20 AM
Zgorreve të mendimit
Mehmetali Rexhepi
gurrave të mendimit
koha kodoi motin
hyri shiu i vakët
i mallëngjimit
*
zgorreve të mendimit
gëlojnë grerëzat e bezdisë
*
nga thika e frikës
lakoju si toreadori
bishës së dykëmbëshit
*
godinës së dashurisë
i ngeli murana
nga epshi i zilisë
*
zgorreve të mendimit
arkeologët gërmuan
lashtësinë e korubes
dhe koruben e lashtësisë
*
zgotit të lisit
bezdiste
fija e merimangës
qëndiste
strategjinë e grackës
*
vëri pikë të zezë
mëshirës së flluskuar
zgorreve të popëve
asnjë anatemë
e shqiptuar mbi lëkurë
të mos (sh)kruhet
të mos vishet
as si këmishë
as si lutje në kishë
pos oxhaku
i mbeti shtëpisë
*
mos të ta dyllos
mos të ta vulos
dorë e mendjes
letrën që zgjebos
*
gurrë e fijeve të lidhura
nuk do të ndërrosh udhë
se intuita
shpie drejt pikës
së bardhë të lajthitjes
*
le t`i këputen kumtimit
gjymtyrët e territ
në shenjat e bardha
të pikësimit