Kulturë
Keka: Kastrioti një nga figurat më të shkëlqyera
E diele, 08.01.2017, 01:03 PM
Gjergj Kastrioti një nga figurat më të shkëlqyera heroike
Nga Gjon KEKA
Se figura, heroizmi e talenti i Gjergj Kastriotit është parë me syrin e lavdisë së madhe të shkrimtarëve dhe kronistëve europian, këtë e dëshmojnë shumë cilësime që i kanë dhënë ata këtij gjeniu jo vetëm të kombit tonë arbnor europian, por edhe të familjes europiane në përgjithësi. Ky personalitet mbikohor i kombit tonë jetoi dhe veproi si një mbrojtës i madh jo vetëm i lirisë së atdheut të tij, por edhe i vlerave të përbashkëta të familjes sonë europiane. Ai u bë referenca e përjetshme, u bë ylli që shëndriti epokën e tij dhe tani na tregon rrugën se kah duhet të ecim dhe si duhet punuar për të mirën e atdheut tonë europian.
Prandaj edhe madhështinë që shumë autorë e panë tek ai tregon se ai nuk ishte një hero i thjeshtë, as një trim i zakonshëm, por një nga figurat dhe heronjët më të mëdhenj jo vetëm në rangun e heronjëve europian, por edhe atë botëror.
Dhe tani meqë jemi në janarin e largimit fizik të tij, ai është edhe më gjallë në zemrat dhe mendjet e arbnorëve edhe në 548 vjetorin e vdekjes . Ai është i gjallë, ai jeton në venat e arbnorëve të vërtetë dhe Arbënia do të bëhet një ditë sipas vizionit dhe planit të tij, si një Arbëni e fuqishme në kontinentin europian, Arbëni europiane që ruan dhe mbron vlerat e saj dhe të familjes europiane në përgjithësi.
Duke mos e zgjatur më shumë këtu më poshtë po vendos disa cilësime se si e kanë parë dhe vlerësuar disa autorë e kronistë figurën e Gjergj Kastriotit dhe rëndësinë që ai kishte si dje ashtu edhe sot.
• „O, lum atdheu që të nxorri ty, një burrë kaq të madh! O, lum prindërit, që të lindën ty! O, lum paranikët e bashkëluftëtarët që të vinë ty pas dhe të kanë në krye si udhëheqës, drejtonjës prijës dhe kapedan që gëzojnë, që kanë dhe kënaqen me një mbret kaq të madh !... O yll i ndritur dhe i bukur i Arbërisë ! „ - Davidi, shkrimtar raguzinas para senatit tha këto fjalë për Gjergj Kastriotin
• „...o princ i pathyeshëm ,i dërguar nga Zoti dhe i zbritur ,si të thuash nga qielli , me qëllim që të bënje gjithë këto vepra të ndritura dhe të pavdekshme...“
Me këto ti i vetmi në shekullin tonë ,mund të matesh padyshim me tërë lashtësinë.- Mbreti Ferdinand i Napolit për Gjergj Kastriotin
• “Skënderbeu ka qenë një nga heronjtë më të mëdhenj të luftës që historia ka rregjistruar, por ai ishte edhe një trim.“- Karl August Schimmer 1845
• "Gjergj Kastrioti një nga heronjtë e jashtëzakonshëm të Mesjetës."- Karl Tücking, 1858
• „Skënderbeu ishte në kohën e tij një nga figurat më të shkëlqyera heroike, ...“-Die Zeit ,1894
• „Gjergj Kastrioti i njohur si hero i shekullit...“- kronika e vitit 1846