E shtune, 05.10.2024, 07:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Shefik Metalla: Miku dhe shoku i mirë Hytbi Tarelli

E marte, 10.01.2017, 11:03 AM


Shefik Metalla dhe Hytbi Tarelli (majtas)

MIKU DHE SHOKU IM I MIRË HYTBI TARELLI, ISHTE MIKU E SHOKU I  TË GJITHËVE

Dy muaj që mungon mes nesh

Nga Shefik Metalla

Fillimi i transmetimit të “Pasqyra Shqiptare”, të emisionit televiziv këtu në Toronto, në gjuhën shqipe, gjysëm ore çdo të shtune, tërhoqi menjëherë vëmendjen e të gjithë shqiptarëve të të gjitha viseve.

Të shkëputur nga atdheu, të etur për të dëgjuar shqip, për Shqipërinë dhe shqiptarët këtu, mezi prisnim të vinte e shtuna. Shumë shpejt filluam të njohim bashkëatdhetarë të shquar, biznesmenë të suksesshëm, shoqatat e krijuara dhe aktivitetet e organizuara.

Një mbiemër shumë i njohur, tërhoqi menjëherë vëmendjen time; “Tarelli”. Pashë me kujdes ekranin dhe shpejt dallova dikë që më kujtonte mikun tim të mirë dhe të nderuar, durrsakun z. Kadri Tarelli. Besova dhe mendova se, me siguri do të ishte vëllai ose kushëri i Kadriut. Telefonova z. Ilir Lena të televizionit për një numër telefoni. Ai më tha, se shpejt mund ta takosh në një nga veprimtaritë më të afërta të komunitetit tonë.

Ishte darkë për festimin e Bajramit. Unë bashkë me time shoqe shkuam për vizitë dhe urim feste. Në korridorin e pritjes, (hollin), pashë të ekspozuara skulptura e piktura dhe pranë tyre autorin z. Hytbi Tarelli.

U afrova, përshëndeta dhe i thashë: - A mund të bëj një pyetjeë? - Pse jo dy! - Më tha me një buzëqeshje miqësore, të ngrohtë dhe të çiltër. - Çfar e ke Kadriun?- e pyeta me shpejtësi, pa i dhënë kohë të vazhdonte me tej.

- Ohh man! – tha. - You are killing me! (“Ti po më merr shpirtin! - Në këtë rast përdoret kjo shprehje habitore në anglisht, për të treguar gëzim të papritur). - Është vëllai im i madh, më i miri dhe më i dashuri. – vazhdoi dhe më kapi në qafë.

Dolëm jashtë dhe biseduam fillimisht për njëri–tjetrin, familjen dhe sistemimin si mërgimtarë në Kanada. Gjatë gjithë kohës ndërpriteshim nga ata që vinin, na përshëndetnin, pastaj me shumë dashamirësi dhe respekt ndaj tij, largoheshin për t’u kthyer sërish me shpresë se do ta gjenin të lirë. Nuk e mbajta shumë, por i thashë se më vonë do të vij të vazhdojmë bisedën. Ishte shumë lehtë të flisje me Hytbiun, ndjeheshe i lirë i barabartë dhe i nderuar. Bashkë me gruan time Zelin, shkuam disa herë dhe biseduam për fëmijët, të ardhmen dhe kuptohet për atë që lamë prapa në vendin tonë. Gjithmonë gjuha shkon aty ku na ka dhembur “dhëmbi” dhe vuajtur shpirti, te çfar hoqëm ne dhe njerëzit tanë të mirë, në  vitet që lamë pas.

I tregova se me Kadriun, në ato vite kur po çthurrej sistemi, kemi folur e diskutuar shumë, shumë, për atë sistem kriminal dhe për atë kriminelin komunist nga Gjirokastra, (që unë nuk e fëlliq gojën t’ia përmend emrin), me historinë në varrëzat e Korçës dhe se si ia mbylli ndyrëbëmat e tij, prefekti gjirokastrit në Korçë.

Folëm e folëm dhe, pothuaj e kaluam të gjithë kohën bashkë, sikur ishim miq të njohur prej shumë vitesh. Kjo ishte njohja ime me Hytbiun, njohje që do të vazhdonte për shumë vite, deri në 04 Nëntor 2016, kur unë mora lajmin e hidhur, kur u ktheva nga puna.

Jemi takuar dy-tre herë në vit, (zakonisht në festat fetare në xhami) dhe kemi folur çdo muaj në telefon, përherë gjatë e gjatë. Unë tregohesha gjithmonë i kujdesshëm të mos i merrja kohë, por Hytbiu me ëmbëlsinë dhe fisnikërinë e tij më qetësonte dhe me thoshte, se është koha më e mirë për t’u çlodhur dhe frymëzuar. Këtu në mërgim, kohën ne e kemi të ngjeshur dhe na mbetet shumë pak për argëtim, por kur mbas një bisede me miq të mirë dhe shokë të nderuar ndjen kënaqësi dhe çlodhje, koha s’ ka pse kërkohet, gjendet.

Artistët në veçanti kanë atë çka ne nuk e kemi, talentin e dhuruar nga perëndia. Shumë prej tyre janë të thjeshtë e të shoqërueshëm, një pjesë mbahen lart dhe nuk para i përfillin të tjerët, kërkojnë t’i vleresosh pa të vlerësuar dhe t’ i respektosh pa të respektuar.

Miku dhe shoku im Hytbi, miku dhe shoku i të gjithëve, përmbi talentin kishte thjeshtësinë, mirësjelljen, urtësinë, respektin, shpirtin e madh dhe fisnikërinë. Të dëgjonte me kujdes pa të ndërprerë, me shikim aq të butë e të qetë, duke të dhënë mundësi të ndjehesh i barabartë edhe pse nuk ishe, të flisje edhe pse duhej të dëgjoje. Në çdo fjalë kishte diçka të bukur që të bënte të mendoje, të qeshje, të gëzoje dhe të mësoje.

Më kujtohet një rast kur erdhi Rexhepi, një besimtar i moshuar, bashkëshorti i kushërës së Hytbiut), i mbajtur për krahu nga e bija dhe dhëndërri, të cilët unë i njihja, mbasi i kisha pasur komshinj në Weston Road. Ai na pershendeti, ndërsa Hytbiu e shoqëroi për krahu deri në tavolinën e tij, në sallën e mbrëmjes.

Unë kam qënë i dhënë mbas leximit, si të thuash i dashuruar me letërsinë, dhe për të qeshur tregoja nga ato barcaletat e rrugës të mësuara në punë, ato intelektuale të hasura nëpër libra e revista, ashtu edhe ato vulgare e banale, me të cilat qeshte pa pushim, duke më thënë, se: “Unë kam nevojë për të qeshur, por këto më shkëlyejnë fare”.

Në natyrën njerëzore, mbizoteron “mburrja” për bëmat dhe zotësitë që kemi edhe pse s’ kemi asgjë për t’ u mburrur, por Hytbiu kurrë nuk foli për zotësinë e tij, për atë që e dallonte nga ne, për talentin e artistit të mishëruar në modestinë dhe barazinë me të tjerët, për shpirtin e tij të ndjeshëm, delikat, të brishtë dhe të prekshëm për bamirësitë e bëra, për punën e palodhur, vullnetin. këmbënguljen dhe dashurinë për të tjerët.

Me shumë kujdes anashkalonte mbivlerësimin, duke ndërruar temën e bisedes në mënyrë artistike, në diçka tjetër, në të cilën ti ose dikush tjetër ishe i vlerësuar njësoj. Ishte kënaqësi të takoheshe me të, privilegj të bisedoje dhe në çlodhje të shihje ato punime arti të bëra me aq kujdes e pasion.

- Kemi shumë dashuri në jetë, - I thashë një herë, - Me disa jetojmë çdo ditë, me disa jetojmë disa herë në jetë dhe me disa jetojmë përgjithmonë, por ti  ke disa më shumë se ne,  je në gjendje t’ i shprehesh ato pa folur, t’ i bësh të jetojnë më shumë se ne dhe t’ i japësh të tjerëve mundësinë për t’ i dashuruar,  dashuritë tuaja.

- Kjo është shumë e vërtetë, - më tha. -  Dashuritë e mia do të jetojnë më shumë se unë. Këtyre dashurive unë i kam kushtuar pothuaj gjithë kohën dhe jetën, si në rini dhe tashti që po plakemi, - vazhdoi si i përmalluar për kohën që ikën e s’ kthehet më dhe nuk e ndjekim dot.

Ai kishte të drejtë. Është e vërtetë që dashuritë e Hytbiut do të jetojnë më shumë se ne edhe për shumë e shume vite, disa nga ato do të përcjellin breza të tërë dhe do të jenë tregues të talentit, bukurisë së shpirtit, mjeshtërisë dhe pasionit të artistit. Jeta dhe mendimi i tij është shkrirë në gjyrat, tek pikturat e shumëllojshme të natyrës, portreteve, ngjarjeve dhe veprimtarive të shënuara, ca më shumë në skulpturat që sot mbushin e hijeshojnë mjediset e bizneseve, të shtëpive, shkollave dhe parqeve në Kanada, Shqipëri e Kosovë.

Pas ardhjes në Kanada, shumë shpejt punimet e tij artistike tërhoqën interesin dhe vlerësimin  e specialisteve  dhe artistëve kanadez. Ata e antarsuan në shoqatat e tyre, duke i krijuar vend të veçantë në ekspozitat e hapura me artistët më të mirë të Torontos. Këtu shpërfaqeshin punimete e tyre më të mira, ku në veçanti vizitorët ishin të befasuar nga shqiptari që pikturonte dhe njëkohësisht bënte skulptura, si diçka e rrallë për ta.

Talentin, kur e vlerësojnë të talentuarit, është më shumë se talent. Hytbiun e nderuan dy herë me çmimin “Don Valley Art Club”, artistët dhe specialistët kanadez, pa përmendur vlerësimet e vizitorëve të shumtë, që kërkonin të takonin dhe të flisnin me autorin, të bënin foto dhe të merrnin autografe.

Ishte anëtar prej 15 vjetësh në shoqatën e piktorëve dhe skulptorëve kanadez. Me punimet e tij, ai i hapi rrugë njohjes të shpirtit dhe artit shqiptar, njohje të Shqipërisë, por edhe të gjithë artistëve bashkëkombas të mërguar e të vendosur në Kanada, njëkohësisht njohje edhe të talenteve të reja, për t’u pranuar me punimet e tyre nëpër ekspozitat që hapen herë pas here.

Më kujtohet fare mirë viti 2012, kur ai organizoi një ekspozitë me punime dhe pjesëmarrje gjithëshqiptare, në një nga sallat më të njohura të Torontos, pikërisht aty ku veprat e tij ishin paraqitur krahas artistëve më të mirë kanadez. Të tjera ekspozita të suksesshme vazhduan në rrjedhën e viteve, të organizuara, të reklamuara dhe të paraqitura nga tashmë i mirënjohuri dhe i shumëvlerësuari artisti ynë shqiptar, Hytbi Tarelli.

Gjithmon me qëllimin dhe dëshirën e jashtzakonshme, për të bërë të njohur vendin tonë, ai ishte i përfshirë në të gjitha aktivitetet e organizuara nga komuniteti shqiptar, në të gjitha tubimet mbarëshqiptare, festat për pavarësinë e Shqipërisë e Kosovës, mbrëmjet e vitit të ri, festat fetare, si një nga anëtarët e bordit drejtues të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze, që me emrin e tij tërhiqte menjëherë vëmendjen e gazetarëve dhe reporterëve kanadez e shqiptar. Përveç çmimeve të ndryshme të merituara për punimet artistike, Hytbiut, mjeshtrit të daltës dhe penelit, i’ u dha edhe çmimi “Canadian Albanian Excellence”, për kontributin artistik, për veprimtarinë patriotike, atdhetare dhe shoqërore, në organizimin, njohjen  dhe zhillimin e komunitetit shqiptar në Kanada.

Cilido nga ne, apo vizitor i rastit, e vë re shpejt se, në të gjithë veprimtarinë e tij artistike, ai kërkonte: Shqipëria dhe shqiptarët të ishin në to, që çdo bashkëkombas të gjente në to veten e tij, historinë dhe një copëz nga vendi i tij, me dëshirat, ëndrrat, të tashmen e të ardhmen, shtëpitë e tyre, malet, fushat, detin, liqenet, lumenjtë, lulet, poezitë dhe këngët e shpirtit e të zemrës. Të gjitha këto, fare lehtë i gjen dhe i perk në pikturat e skulpturat që mbajnë aromë shqiptarie. Nuk ke nevojë të lodhesh e t’i kerkosh gjatë, ato të vinë menjëherë para syve dhe të mbushin me mall, dëshirë, krenari, shpresë e gëzim.

Në darkat festive të Pavarësisë së Shqipërisë e të Kosovës, në ato të Vitit të Ri, organizohen dhënie dhuratash për pjesëmarrësit me llotari. Në to do të kishte gjithmonë dhurata të punimeve më të mira të tij. Po kështu dhurata edhe për njerëz të panjohur, që mbase nuk e dinin se kush ishte Hytbiu, për shqiptarët me mundesinë për ta patur një copëz atdheun sa me pranë, për t’ u krenuar e për t’ ia treguar fëmijëve, që të mos e harrojnë vendin e tyre të bukur e të dashur.

Për të gjithë ne, Hytbiu do të mbetet simbol i atdhetarit të përkushtuar, sepse solli në jetën tonë heronjtë dhe figurat e shquara të kombit shqiptar. Shenjtorja Nënë Tereza (larë me ar), Skënderbeu (larë me ar), mbreti i  ilirëve Gent, Naim Frashëri (larë me ar), Hasan Prishtina, shtatorja e Adem Jasharit, që u çua në Prekaz, në Kosovë, Ded Gjo Luli (larë me ar) e sa e sa të tjerë, që mbushin një listë të gjatë.

Fatkeqësisht, ndarja nga jeta nuk e la të plotësonte dëshirën për t’i përjetësuar me punën e tij, edhe kollosët e letrave shqipe, Fishtën, Mjeden, Nolin, Konicën, Çajupin, Asdrenin e Poradecin, si dhe sa e sa dëshira e projekte të tjera, ku më i spikaturi do të ishte monumenti për 150-vjetorin e Kanadasë, si shenjë mirënjohje për vendin që na priti aq bujarisht.

Herën e fundit që takova Hytbiun, më 09. Korrik. 2016, në “Capital Banquet Centre”, Missisauga, unë zbulova edhe një dashuri tjetër të tij, si pa dashje, duke shijuar punimet e ekspozuara, mbasi  qëndrova disi më shumë te Naim Frasheri. - Po Çajupin dhe Fan Nolin, - i thashë, - kur do t’ i bësh?”

- Ku të shkoi mendja te Fan Noli e Çajupi? – m’ u përgjigj.

- Mbase i ke lexuar, por unë di mjaft nga vjershat e tyre, sidomos nja dy janë për t’u shkrirë gazit. – i thashë duke qeshur. – “Kënga e kandarit” e Çajupit dhe “Merr e zgjidh” e Nolit.

- Jo, - me tha, - s’ i kam lexuar.

- T’ i thotë vllai jot, - i thashë dhe fillova me Çajupin. Qeshëm shumë, aq shumë sa dolëm jashtë akoma duke qeshur.

- Të lutem m’i dërgo me E-mail, - më tha, - se do t’i mësoj edhe unë.

- Po ka dhe të tjera, - i thashë unë, - sidomos më pëlqen “Elegjia” e Çajupit për të shoqen, të cilën me shumë ndjenjë dhe melankoni e ka qarë fare.

Folëm për rilindasit, Nolin, Konicën, Fishtën, dhe në veçanti unë qëndrova te Lasgushi, si një nga më të preferuarit e mi.  Kur recitova “Anës Lumenjve” të Nolit, Hytbiu mori një pamje të menduar dhe më tha: - Duket sikur e ka shkruar sot dhe veçanërisht për ne! – Sytë i’ u përlotën dhe të dy ndjemë mall e trishtim në zemër.

- E mjera Shqiperi, nuk e meriton çfar po heq! Ne nuk ikëm, - thashë unë, - neve na përzunë dhe na coptuan shpirtin.

- Eh, e shkreta Shqipëri dhe ai popull fatkeq, ku ne kemi zemrën, njerëzit dhe ku kaluam më shumë se treçerekun e jetës! -  Vazhdoi, - Na dhemb shpirti kur dëgjojmë se ç’ bëhet atje.

Ne të gjithë përmallohemi në zemër për mëmëdheun, por artisti me shpirtin e tij të brishtë e ndjen më shumë se kushdo dhe e përjeton më shumë se kushdo.

Sapo arrita në shtëpi ia dërgova vjershat menjëherë. Më mori në telefon të nesërmen, më falënderoi dhe në bisedë e sipër më tregoi për një hartim në shkollën e mesme, ku në mënyrë imagjinare kishte shkruar për një takim dashurie për herë të parë me një vajzë. - Filluan mësuesit të më shihnin ndryshe. E kishin lexuar dhe e kishin pëlqyer pa masë, sidomos sepse ishte diçka e ndaluar, dhe unë në një kohë të ndaluar pata kurajon ta shpreh, duke qënë akoma i parritur. Duke ju kushtuar artit, pikturës dhe skulpturës, kam patur pak kohë për të lexuar, edhe pse e kam dashur letërsinë njësoj si ato. Nëse ke kohë, po deshe më dërgo të tjera.  – Në bisedë e sipër me tregoi për një shkrim të Kadriut në një gazetë online, shkrim të cilin unë e kërkova, por nuk e gjeta dot.

Në mbrëmjen e 13 shtatorit 2016, më mori në telefon, më uroi gëzuar “Festën e Bajramit” dhe njëkohësisht më tha: “Është pak vonë, por tashti të erdhi radha në listen e telefonave, s’ kam ç’ të bëj se emri yt është nga fundi i alfabetit edhe pse ti je nga miqtë dhe shokët e parë”. Si gjithmonë ai dinte aq ëmbël dhe bukur të bënte të ndjeheshe i vlerësuar dhe i respektuar. Nuk folëm gjatë sepse kishte akoma shumë telefonata për të bërë, duke mos harruar kërkënd, miq, shokë e dashamirës.

Për fat të keq, unë pata problem me operatorin “Rogers” dhe ndërrova dy herë numrin e telefonit brenda një muaji dhe të tretën herë bëra kontratën me emrin e Zelit, kështu më pengoi lidhjen dhe bisedat.

Edhe pse askush nuk e di se kur vjen momenti i largimit nga jeta, gjëja e fundit që do të mund të më shkonte ndër mend, do të ishte humbja e Hytbiut, kaq e papritur dhe në një moshë kaq të papërshtshme. Të shtunën më 05. Nëntor, rreth orës 13:30, kur kthehem nga puna, më thotë Zeli: - Do të them një lajm të hidhur që nuk do të mundesh ta besosh. Në facebook, “Pasqyra Shqiptare”,  ka postuar lajmin për largimin nga jeta të Hytbi Tarellit.

- Nuk ka mundësi, - i thashë, - mbase është ndonjë “prank”!. - Mora në telefon dhe fatkeqsisht Teuta me tha se ishte e vërtetë. E ngushëllova sinqerisht dhe me shumë keqardhje pyeta për ceremoninë. Teuta më tha se akoma s’ e kemi përcaktuar datën, por do të lajmërojmë në TV.

Në mbrëmjen e të mërkurës shkuam në “Shtëpinë funerale”, ku ishte vendosur trupi i pajetë i mikut tonë Hytbiut. Kërkuam vend për parkim dhe erdhëm rreth e qark, duke pritur të lirohej ndonjë vend. Ishte ngjarje e pazakontë në një vend të tillë si Toronto, me hapsira dhe parkime pa fund. Ishte komuniteti shqiptar dhe ai kanadez, i ardhur për t’ i dhënë lamtumirën e fundit shokut, mikut dhe artistit Hytbi Tarelli. Salla ishte e mbushur plot dhe korridoret gjithashtu. Njerëzit përkuleshin me nderim, qëndronin disa momente, sikur prisnin që ai t’i përshëndeste e t’i përqafonte dhe largoheshin me dhimbje.

Qendrova, prita edhe unë që të më përshëndeste, të flisnim e të qeshnim si dikur, prita edhe pak, thashë një lutje për shpirtin e tij, ngushëllova Teutën, Elisin, Erjonën dhe u ulëm për të ndenjur pak e për t’ i lënë radhë edhe të tjereve. Qendronim si të shushatur, pa ditur ç’ të thonim dhe nuk fliste njeri. Pashë miq e shokë që kishin ardhur nga larg Torontos, kishim vite pa u takuar dhe nuk u takuam, nuk këmbyem as vështrime, por të përfshirë në pikëllim ishim si  të mpirë. Shihja trupin e pajetë dhe nëpër mend me kalonin të gjitha ato momente, biseda e takime me Hytbiun. Është një dhimbje për të gjithë, për Teutën, fëmijet, familjen, miqtë, shokët, komunitetin shqiptar në Kanada, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Kanadanë, për humbjen e bashkëshortit, babait, vëllait, mikut, shokut, artistit të njohur, atdhetarit, patriotit dhe qytetarit të nderuar.

Të prehesh në paqe Hytbi! Zoti e pastë marrë në mbrojtjen e tij të madhërishme trupin dhe shpirtin tënd! U paç lënë uratë e mbarësi fëmijëve!

Do të na mungosh! Me veprat e tua, do të mbetesh përherë i dashur, i gjallë dhe i kujtuar në mendjet dhe zemrat tona.

Virgjili, poeti dhe filozofi i lashtësisë, diku shprehet: “Gjithkush ka kohën e vet për të jetuar. Jeta për të gjithë është e shkurtër dhe e papërsëritëshme: Të ngresh lart emrin tënd me vepra, vetëm kjo është arritja e virtutit”.

Shefik Metalla

Toronto. Kanada, 07. 12. 2016



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora