Kulturë
Vjollca Pasku: Bora e parë
E marte, 10.01.2017, 07:40 PM
Vjollca Tiku Pasku
BORA E PARË
Legjionet e borës pushtuan gjithë bukurinë e qytetit.
flenë të gjitha ngjyrat vjeshtore në kanavacën e bardhë.
flenë çatitë e shtëpive në kristalet e këputura të qiellit,
flenë pemët në ëndrrën e projektimit të sythave të artë.
Zgjohet mëngjesi me parzmoren e helmetën e ftohtë,
zgjohen ëndrrat në fytyrat e shpirtrave, për fluturim të ri,
zgjohet një këngë që lind nga zemra e një zogu të fortë,
zgjohet puthja nga buzët e çiftit, që mbrëmë bëri dashuri.
Eci rrugëve të akullta me frikë dhe vështroj lart shpresën e diellit,
sytë dhe supet më mbushen me trëndafilat e ftohtë të altarit dimëror,
mes fëshfëritjes, zëri i ftohtë thotë; Ec pa frikë e sigurt prej qiellit,
në çdo udhë të rrezikshme, të shtruar nga diellit pranveror...