Kulturë
Përparim Hysi: Një ditë pas Krishtlindjes
E marte, 27.12.2016, 09:55 AM
Një ditë pas KRSHTLINDJES
(triptik)
Nga Përparim Hysi
Një ditë, pas Krishtlindjes, u nisa nga Tirana për në Fier. Ora 6 e mëngjesit më zuri në klub ku , si zakonisht, pi ekspresin e zakonshëm. Sado që e"ndërrova" klubin, pashë që hyri një zonjë aty nga gjashtëdhjetat,e pushtuar nga koka tek këmbët me një llush të bardhë dhe të ngjante sikur kish vënë poshtë një ari polar dhe, pasi ia kish zhveshur lëkurën, e kish bërë pronë të saj. E njoh. Është nga një trevë e Veriut, banon diku, në një lagje të Tiranës dhe, sa herë hyn në klub, pa u ulur mirë, lëshon një "uf" si pasthirmë që tregon lodhje apo një "sfilitje" të mundimshme dhe, për ta ndarë me ne "sfilitjen" e saj, pa ia kërkuar njeri, cicëron:- Na hangri hallku!!! Po shkoj me la duerët se asht shumë pisllak në autobuz!!! Shkon tek banja dhe, sa ulet, nga çanta e shtrenjtë, nxjerr telefonin e markës së fundit ( burri ka biznes të mbarë dhe, siç kumton me atë që merr në telefon, e quan "Bosi jem!!!"), dhe, sa merr vesh që dikush i përgjigjet ( këtë radhë qenka femër), flet:
- Mori Martë, a ndjeve? M'i laj mirë nji ato enë dhe lavamanin. Atje në banjë... ça di veta, se kam marakun bash atje.
Dhe... ça desha me thanë tjetër:- Ha, e kam gjet!!! Nji at' mbulesë të krevatit ku flej me "Bosin", ma hidh mu në koshin e plehnave se du me e tret. Se sot po vjen "njiaj" ( o vdeksha vet për ta!!!) prej Taljeje ( Italie) dhe po ma sjell të tiilë që mos me e pas kushi.
I ban këto porosi e,mandej, zë e gjerb me nge ekspresin që, tashmë, është ftohur dhe është bërë, kur i thonë në Myzeqe, si "buzëgjysheje".
* * *
Jam duke e pirë ekspresin tim dhe, ndërkaq, hyn dikush që, po ta vështrosh mirë, has në një barbon që kushedi për ç'arsye e ka humbur pusullën. Është i gjatë,aty tek 1.80 m, më flokë të shpupurizura ku ka kohë që nuk ka rënë krëhëri dhe, pa thënë mirëmëngjes, shkoi e zuri vend përbri meje. Sa hyri ky, pashë që pronari ( të të ruajë Zoti nga "zengjinët" e rinj!!!), vrap e doli jashtë, sikur ky, që hyri, të mbartte me vete kolerën. Jo vetëm doli me shpejtësi jashtë (sikur po hidhej me katapultë me parashutë), por edhe i bëri me gisht një shenjë mohuese banakieres (kjo bën dhe punën e kamerieres) për barbonin në fjalë. Tek priste shërbimin si të gjithë, banakierja i tha:- Ty nuk të shërbej asgjë.
-Po pse vetëm mua?- u ankua barboni. Po unë njëherë në vit vij.
Kur ndjeva këtë bisedë kaq"vrasëse", ç'më kish mbetur në filxhan m'u bë farmak dhe e lashë, të pambaruar. U revoltova, me këtë "palozengjin" të ri dhe, kur pashë barbonin që u largua si "qen i rrahur", dola dhe vet pas tij. Kur, për fat, ballë për ballë me "zengjinin e ri", tashmë pronar.
- Ore,- i thashë,- pse e përzure atë,fatkeqin, pa i dhënë asgjë? Ia paguaja unë atë që kërkonte!
Aha,- më tha,- ai nuk luan më nga klubi dhe më largon klientët.
Eh, -thashë unë,- kushedi se si e ka hallin e ziu dhe e ka vënë jeta poshtë.
- Po unë e njoh prej kohësh. E kam në pallat,- tha zengjini i ri. Ka qenë inxhinier shumë i zoti, por tani gruaja dhe çupat e kanë ndarë dhe bredh si kot.
E ke njohur prej kohësh dhe u solle ashtu?- gati bërtita.
Është tjetër njohja,- më tha,- dhe tjetër biznesi.
Tani kafja m'u duk më e hidhur se kurrë dhe më nuk shkel tek ky klub.
Erdhi makina dhe tërë rrugës veç meditoja dhe hamendësoja për jetën e këtij barboni dhe "këtyre zengjinëve të rinj" që janë kthyer në minzatropë që mos u shohësh surratin, jo fytyrën, se fytyrë kanë njerëzit e ndershëm, vetëm!!! E, ndërsa merresha me "barbonin" dhe fatin e tij aq të mjerueshëm, m'u kujtua MIGJENI që me vargje kapitale e ka lënë si aksiomë me vargjet e tij: "Mjerimi s'don mëshirë, por të drejtë". Unë duke sjell në kujtesë shembuj të tjerë të gjashëm, kam arritur në konkuzionin e mëposhtëm:- Mjerimi është ndërkombëtar! Ka"lincencë" që nuk ka nevojë për kufij kombesh apo shtetesh. Kur them kështu,e kam hasur atë dhe në Amerikë (unë kam qenë atje 12-vjet) dhe, pothuajse, të"mjerët" kanë një emërues të përbashkët: të vrarë nga jeta! I'm are hungry!- shkruanin në parrullat prej kartoni që mbanin në dorë apo në qafë që shqip,do të thoshte:- Unë jam i uritur!!! Nuk di pse kjo"unë jam i uritur", targjikisht rimon me "bërtitur". Është për të bërtitur, kur pas dymijë e ca vjetësh, pas Krishtit, të fanepsen njerëz të uritur. Pra, tablloja e shoqërisë është e polarizuar: një tufë "derra të kënaqur" që kanë vetëm "surrat" dhe, nga ana tjetër, ata "Sokratët e vuajtur" që kanë fytyrë, si barboni që njoha unë.
Por... Kur qeshë në Amerikë, lexova për një moment nga jeta e POETIT të madh amerikan,ALAN GINSBERG. Poeti i madh ish futur në klub për të ngrënë apo për të pirë diçka. Kish katandisur, më keq se ky "barboni im". Bosi ( një derr i kënaqur), i bërtet kamerierit:
- Ma nxirrni jashtë këtë "laskarone" ( leckaman.Duket bosi ish me origjinë italian)
- Sir (sër), nuk mund ta nxjerrim se ai është P O E T!
- Më plasi trapi(lexues më fal që jam i drejtpërdrejtë me një nga "derrat e kënaqur"), - ulëriti bossi.
Dhe POETIN e madh e nxorën përjashta. Ka ndodhur në MASAÇUSEST në vitin 1964!
Eh,- e mbylla medtimin tim,- siç kanë "derrat e kënaqur" në botë, surrat, kështu, po në botë, kanë vetëm fytyrë "Sokratët e vuajtur".
Po a nuk është për të bërtitur me zërin revoltues të Migjenit të pavdekshëm:- Deri kur kështu, ma?!!!
* * *
Mbarova punë në Fier dhe me shoferin e kisha lënë takimin tek "Vila e Palit". Kjo që tashmë njihet si e tillë, dikur ka qenë e një fieraku me emër: e doktor Kallogjerit. E shtetëzuan dhe për nja 30-vjet qe komiteti i partisë. Më vonë u bë pronë e përkohshme e Pali Miskës dhe, pas tij, e Lenka Çukos. Të dy qenë anëtarë të Byros Plolitike, por Pali Miska në Fier ka lënë emër të mirë dhe mbeti me këtë emër, sado që tani e ka blerë një biznesmen. Prisja në trotuar, ngjitur me murin e vilës dhe pashë një të moshuar, që pasi doli nga arka postare ku ndaheshin shpërblimet, të më kalonte përbri duke pedaluar me shpejtësi. Kur tak, nga xhepi, i ranë paratë dhe qe gati t'i përhapte era. Zbrita nga trotuari dhe i bërtita "çiklistit":- Kthehu se të ranë paratë! Kur e pashë që nuk dëgjoi, e rrita dhe ca "oktavë" zërin dhe lëshova si "majëkrahi":-Të ranë paratë, more zotëriiiii!
Duket se ia arrita qëllimit,se, sa dëgjoi, mori kthesë me kujdes (makinat venë e vinë me dy kalime, në një rrugë të ngushtë) dhe arriti aty ku "dergjeshin paratë" me gjithë një dokument. Pasi i mblodhi një e nga një, mallkoi xhepin (harroj të mallkonte veten nga pakujdesia), dhe m'u drejtua mua:
- More kush je ti që shpëtove paratë e mia?
- Po jam një i "humbur" që qëllova këtu.
- Më shikoi me vëmendje dhe tha:- Aha, vetëm u humbur nuk je ti. Por të them njëherë si kot unë sekush je.
- Po thuaje,- e inkurajova unë.
- Ti më duket se je Përparim Hysi,- tha ai.
- I befasuar, i them:- Ore, mos e kam të shkruar në ballë emrin unë?
- Jo,- më tha, nuk e ke në ballë, po e ke mu këtu në zemrën time, se ti, je profesor Papi dhe unë kam qenë ai Gjergji Gjergo, nxënësi yt që, për të mësuar, aha, nuk ia thosha, po për futbooll të grija.
U përqafa me ish- nxënësin tim të vitit 1959 dhe më erdhi mirë nga ky moment aq mbresëlënës.
Kaq mbresa në një ditë dhe me kaq "ngjyrime" të ndryshme nuk janë pak dhe, si për t'u lehtësuar shpirtërisht, mendova t'i ndaja me lexuesit.