Kulturë
Vladimir Muça: Një guidë poetike
E shtune, 24.12.2016, 09:30 AM
Një guidë poetike
(Disa vëzhgime në librin “ Trandafilat e Janarit” të Kujtim Stanës)
Nga Vladimir Muça
Mbasi e lexon librin me poezi ” Trandafilat e Janarit” të poetit Kujtim Stana, të kthjellohet gjykimi se paradigma e thelbit në produktin poetik është poezia “Mend e Muza”, një poezi e thjeshtë, që përmbledh thagmën poetike, të cilën lexuesi do ta zbulojë gjatë leximit sepse: “ Njerëz të mirë për zemër pata,/ vargut tim hynin pa leje,/ mbi krahë muzash, netëve të gjata/ m’a shpërblenin gjer në dehje.”
Si me një guidë turistike në duar, lexuesi bën nëpër rrugnajat e vargjeve e strofave një udhëtim nëpër Shqipëri, por dhe jashtë saj. Në këtë guidë poetike të shfaqet një kaleidoskop, duke zbërthyer poetikisht ngjyrat dhe fenomenet, nga më të ndryshme të jetës.
Kujtimi e ndan librin në pesë cikle të cilët kanë përbashkësi ndjenjën që përçon origjinalitetin e thjeshtësisë të formës, stilit, mjeshtërisë në përdorimin e figurës artistike, ngopjen e saj me maja sa më jetësore e përjetësuese.
Ciklet si drurë të shumëllojshëm të një pylli poetik, me degët e rrënjët, japin e marrin tek njera tjetra frymë poetike, pa të cilët poeti nuk do të ishte ngritur në nivele artistike për të dhënë një “ Ditar dashurie” pa “”Kushtrime shpirti” dhe “Peisazhe dehëse’’ sepse në fund të fundit njeriu duhert t’i gëzojë këto mirësi, se si çdo gjë, në këtë botë jemi natyrorë”, ”Shkrirë në natyrë” “Jemi të kalbshëm porsi gjethja” .
Njeriu, është vetë natyra në konceptin estetik të poetit Stana, ndaj si i tillë, ai është pjesë integrale e kësaj natyre. Në këtë kontekst poeti vjen nëpërmjet këtyre tituj ciklesh, si një metaforist universal, një simbolist i natyrshëm shqiptar, si një alegorist i shoqërisë, me të mirat dhe të këqiat e saj.
Me anë të këtyre figurave madhore në artin e të shkruarit, autori arrin të na performojë me art poetik karakterin e thjeshtësisë poetike në ambjentet dhe skenat e përditshmërisë të jetës qytetare dhe fshatare.
Trajtimi i alegorisë, groteskut të veshur me rroben e metaforës dhe të simbolit, si aranzhim poetik, si stil dhe performancë, vjen dhe si një miklim, si një bashkëudhëtare e mendimeve të fshehura në intertekste,me fantazi herë- herë dhe kozmike, të “shthurur” prej një poeti të ndjeshëm.
Vrojtimet e Kujtim Stanës në këtë kontekst janë të holla, të menduar mire, duke nxjerrë në pah thelbin e problemeve erotike në raport të ndërsjelltë, harmonike dhe me ato dramacitete shoqërore, në raportet e papajtueshmërisë.
Elementi natyrë vjen në këto poezi si distributor e katalizator i dashurive. Kjo ka rritur ndjeshëm natyralitetin poetik të lirikës së dashurisë, një traditë e bukur, trashëguar e ruajtur me fanatizëm nga poeti, marrë nga më e mira e traditës tonë poetike, etalon i të cilës është poezia “ E kush tha?”
Poezia “Peisazh vere” vjen në ciklin “”Peisazhe dehëse” si një konstelacion sa baritor aq dhe i futur në ato skuta ku mrizojnë muzat e poetit, me mallin e dashurinë për vendin. Një pikturim poetik, ku brusha e ndjenjave dhe konstelacioni i mendimit ecin në partiturat e ngjyrave, ku natyralizmi bëhet njësh me impresionizmin.
Autori më ngjan me këto peisazhe poetike me një Van Gog që përcjell ndjesitë më të larta njerëzore.
Në këtë kavaletë poetike, impresionizmi vjen bukur dhe me kontraversin natyror, tek poezia ”Natë e egër” ku çdo gjë të përshfaqet si në tabllotë e Françisko Gojës, me zjarrmëninë e vetëtimave ku dhe: ” Egërsohen vetëtimat/ therin qiellin copa – copa,/ netët grisin ëndërrimet/ vetë Shekspiri, grindet, ndoshta!”
Në të shumti, raporti i ndjenjës dhe mendimit, kalon në një të mesme të artë, të barazpeshuar, cilësi kjo që evidenton një dukuri thelbësore në estetikën dhe stilin poetik të poetit Stana. Poeti, përdorimin e figurës dhe raportet e ndjenjës me mendimin i kalon në peshoren e farmacistit, duke u prirur nga thjeshtësia, e zakonshmja artistike, e cila e ngritur në art, bëhet më lehtë pjesë e lexuesit të të gjithë kategorive.
Siç na shpërfaqet dhe në ciklin ” Ditar dashurie “ sinqeriteti e thjeshtësia shprehëse është arti estetik i të shprehurit të ndjenjës poetike, pa kozmogonira e kamuflazh artistik, cilësi këto që e bëjnë poezinë e Kujtim Stanës të pëlqyeshme e shumë komunikuese poet- lexues.
Gjithashtu kjo ka bërë që lirika e dashurisë dhe lirika sociale të gjallojnë elementë që ndërthuren tek njera tjetra në pëlqyeshmëri. Kjo ndërlidhje përmbys pa mëshirë e droje “ gardhet e kalbura/ të fateve të trishta” fateve të mbytura në pellgje të fjetura e “ frymë jete, do t’i japë,/ shpresë jete për bijtë”.
Një universialitet dashuror që për autorin është apotheoza e jetës, në perspektivë, në mirësi dhe në harmoni.
Në konceptin metaforik, poezia “Vargu im, dashuria ime” jep sintezën e estetikës dhe stilistikës, të një poezie të frymës, të sinqertë, të një social- poezie e cila përthithet që në leximin e parë. Do doja që kjo poezi të ishte si një preambul poetike në hyrje të librit, e jo në faqen 144.
Në ciklin “Jemi të kalbshëm porsi gjethet” vërehet dhe një veçori dalluese e poezisë të poetit Stana. Të bukurën poetike autori e gjen më të shumti tek ata elementë të imtë natyrorë, në ato faktorë shoqërorë të “parëndësishëm” për shumë poetë të tjerë. Por Kujtimi, si një zenbudist, tek këto imtësira, gjen të madhërishmen poetike, e gjen tek klorofila e një gjethi, tek një kokërr gruri të fsheur nën një rrasë guri, tek puthja që bashkon dy trupa, apo tek cigarja mes gishtave të njomë e delikatë.
Ai “ largon trishtimin “ tek ngjyrat që lodrojnë të çmendura në krahët e “ fluturave, por të bukurën e gjen dhe tek e keqja” në një udhëkryq mërzie”, ku gjen kthjelltësi, nga burimi i krojeve që vjen nga një copë qiell i të dashurës.
Poeti Stana me “Trandafilat e Janarit”, si një poet bohem, i rregullt ndaj fenoimeneve e raporteve të jetës, të biodiversitetit ku i ka shkelur këmba, na shëtit në vendet më të bukura shqiptare, në vende me bukuri të rallë, por që dora e keqbërësve i ka shpërfytëruar.
Ai na ushqern me dhimbjen, keqardhjen, me një antagonizëm permanent duke ushqyer më të shumti vlerat e ndjenjës ekologjike e ambjentaliste.
Libri “Trandafilat e Janarit” do të qëndrojë në biblotekat e lexuesve si një buqetë e freskët me lule natyrale fshati dhe mali, pse jo dhe si një buqetë e freskët e përvjetorëve të poetit, e cila përmbledh lulet kujtimore më të bukura të jetës, gjithnjë të freskëta në sallonin e shtëpive, për të mikluar me ngjyrat dhe aromat poetike, gjithë dashamirësit e poezisë.
Vladimir Muça
Shkrimtar Kritik