E shtune, 22.06.2024, 01:30 PM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: E pa epura lirikë e dashurisë

E shtune, 24.12.2016, 08:29 AM


E pa epura lirikë e dashurisë

Shefqet Bylykbashi “Ditët që nuk më njohin më”; Prishtinë, 2016

Nga Mehmetali Rexhepi

Shefqet Bylykbashi në vëllimin e ri poetik “Ditët që nuk më njohin më”, sjell përsiatje dhe gjakime poetike, për mospërmbushjen e përmasës jetësore e kohore të dashurisë, atëbotë kur ajo varfëroi kuptimin e bukurisë së jetës.

Bukuria pa dashuri është si bora. E bardhë, e bukur, por e ftohtë, pohon diskursi lirik i këtij poeti. Epiqendra e kësaj dridhjeje lirike është subjekti i lënduar i poetit , çiltërsia e skajshme deri në marrëzi. Kjo është lënda thelbësore, cila i ngashënjeu e vazhdon t`i josh poetët e të gjitha periudhave, rrymave dhe formacioneve stilistike-letrare për ndërtimin e superstrukturës së poezisë.

Dy përmasa jetësore: koha e papërmbushur ose pengu i dashurisë dhe  lajthitja e saj, e mbështjellin hapësirën e shtrirjes poetike të këtij autori, të kësaj poezie.

Autori, Shefqet Bylykbashi nuk dorëzohet në mësymjen e tij... Pse? Sepse  mësymja  që ndërmerr nuk është vardisje false, as epsh i rastit të dhënë. Është një brumosje tejet e thellë, e një gjerësie dhe ndjeshmërie lirike deri në qenësinë e qenies shpirtërore të njeriut. Andaj, kjo dashuri e përmasës  së këtillë nuk  e meriton lajthitjen.

Megjithatë, stili i të shprehurit lirik i poetit Shefqet Bylykbashi, ndërtohet përmes antonimive të forta të lajthitjes së dashurisë.

Lajthitja lirike e dashurisë shpërfaqet përmes një tisi mallëngjyes, me doza dyshimi e dëshpërimi, por assesi dorëzimi. Poeti është i lidhur  fuqishëm me konceptin jetësor e shkrimor të dashurisë. Ku mungon dashuria e jetës, mëton të futet parësorja  e një lirike të çiltër për bërjen dhe (zh)bërjen e dashurisë së tillë. Nga këndvështrimi i ndjeshmërisë së kësaj lirike, kemi një qasje me tipare  të veçanta për dashuri  me hijeshinë epike” të saj.

Në qoftë se iku vasha me dashurinë e lajthitur, zbrazëtisë së Asaj hyjnë metaforat e mungesës, si ofshamë e sinqertë, e cila  ndjell nëmë poetike:

Lëkurën të mos e terësh

Nën rrezet e dashurisë sime...”

Përsiatja lirike për mungesën e çiltërisë gjatë shtjellimit të saj, ecejakeve, ngrit-rënieve të tyre, solli shkak-pasojat e shpirjes në sprova temperaturash, gjendjesh shpirtërore të tendosura:

Është pak më e ëmbël se vdekja

Pak më e hidhur se burgimi i përjetshëm

Magneti i lektisjeve lirike

Të gjitha lektisjet lirike, metaforat dhe epitetet metaforike, kontrastet shpirtërore, në vëllimin poetik “Ditët që nuk më njohin më”, i tërheq e i mban pezull  një magnet i  padukshëm, që shtrihet mes të ndodhurës, mungesës e pritjes...

Kumti refuzues dhe kuptimi lëndues kanë  një lidhje paradoksale të pakëputur. Ngase, ende asgjë nuk ka përfunduar. Drama e përsiatjeve lirike për kthimin e mungesës  së dashurisë vazhdon!

Në këtë diskurs lirik,  mungesa e dashurisë është e njëanshme. Për poetin nuk kanë pushuar dhimbjet e ëndjet e bukura, edhe pse  të përdhosura. Kësaj rrjedhe logjike të ndodhive poetike, mos  është duke u përplasur poeti me vetveten?  Intuita e tij e dashurisë nuk njeh, as përfillë parime tjera për dashurinë, pos zërit të pashmangshëm të natyrës saj! Kjo lirikë dashurie e ngërthen dhimbjen. Dhimbja është prodhimtare  ndjesish, përfytyrimesh të pa rezistuara, pamjesh e kujtimesh drithëruese, etjesh të pashuara për të këndshmen përballë të pakëndshmes, të cilat i ngërthen jeta... Ndërsa mëton t`i zbërthejë,  për aq sa e kanë forcën zbërthyese akëcili poet, akëcila nga penat  e artit të vargut poetik. Gjithsesi, këtu shpalohet  dhe mënyra e zbërthimit lirik të Shefqet  Bylykbashit.

Kush humbi nga shmangia e objektivit të dashurisë: dashnori, e dashura a poeti?

Nga kjo  mungesë përmbushjeje mes objektit dhe subjektit lirik, do të ketë trazira të dhimbshme, sepse ndjenjat  e jonizuara do të ziejnë deri në vlimin e tyre; por do të përfitojnë variacionet e pa prajshme të gjakimit për përmbushje të shumëçkaje, që lidhet  me mungesën si kategori  jetësore, dhe i jepet  estetikës së shkrimit për t`i pleksur kategoritë e së bukurës.

Poezia e këtij poeti nuk shmanget nga objektivi parësor i saj: rikthimi i objektit të humbur të një dashurie të pa baraspeshuar, me gjithë huqet e lajthitjet e saja. Pra, le të nënvizojmë këtu pa epshmërinë a konsistencën e vijueshme (po)etike, për rikthimin e diçkaje thelbësore, për  t`ua dhënë jetës e artit përmbajtjen e lumturisë.

Këtu shfaqet lirika e cila mëton realizim të natyrës njerëzore, diçka e qenë, shije-ëmbël, më tej e athtësuar nga prerja e lëndimi shpirtëror, tashmë e ikur, e munguar, e mërguar për ndjenjat, për shpirtin thellësisht të zhytur në dashurinë e Saj. Mësymja lirike, për  mos ndalje të ecejakeve rrafshit e kodrave të antonimeve të shpirtit të trazuar nga lajthitja, nuk ka  prajtur:

“As dimër që fle nuk je

As akull që shkrihet”

Me gjithë atë, magneti i dashurisë për poetin e lexuesin është çudibërës, madje deri në shkallë  të skajshme  ngarendjesh,  duke u sjellë  orbitës   prekshme të saj:

“Ti, vazhdimisht

ikën e vjen

Si kënaqësi bushtre

( as pa këso kënaqësie tënden

nuk mund të rri)”

Diskursi dhe lektisjet poetike për t`u përmbushur tërësisht, si duket, pos pashmangshmërisë, ndjejnë dhe pasiguri e luhatje, deri në atë pikë të gufimit, të derdhjes e shkrumbit të  tëmblit të dashurisë. Por, kjo lloj lirike, assesi nuk mund të heq dorë nga diçka e thadruar thellë në brendinë e poetit:

“Lexoje edhe këtë letër

Se jam duke i shqyer thasët e vjetër në zemër

Të mbushur me pritje”

* * *

Si e këtillë, kjo poezi mund të përkufizohet  si një lirikë e paepur dhe konsistence për dashurinë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora