Kulturë
Qazim Shehu: Drita jote
E shtune, 24.12.2016, 09:38 AM
QAZIM D. SHEHU
DRITA JOTE
Dita jote kurrë nuk vonon
Edhe pse në mijëra kilometra largësi,
Ajo nuk është yll ,me yllin ngjason
Drita jote jep energji…
E thith zemra ime ngadalë
Trupi ,mendja, duart dhe gjoksi,
Vjen përmes kujtimesh valë valë
Dhe ikën si në ujë kur guri hidhet së koti.
Ajo më ngre nga thellësitë
Ku bie shpesh, dhe boshësitë
Më turren me marritë
Që kurthojnë e bien ndesh
Me etjen time për dritë…
Atëhere drita jote nuk vonon
Gardhin e viteve çan e vjen,
Si një i hapur horizont
Më rrëmben…
Ndoshta pse ndriçoi ca kohë
Në plotërinë e saj dashurore
Ajo vjen ,dhe të vonojë
Nuk harron viteve tërthore…
DUART…
Duart e mia, duart e tua kapin
Shpresh mashën e dëshirës.
Si masha që kap thëngjillin
Të ndez cigaren e pikëllimës.
Duart e mia, duart e tua,
Trokasin mbi dyer të mbyllura
Mbi pritjre të ndrydhura
Dhe shpalosin kënde të forta.
U mburren për dashuri
U mburren për sa e sa koketëri,
Duart shpesh shndrruar në vizatime,
Kur gishtat çanë pëlhurën e ajrit,
Ato kapin shpesh dëshira i rrëmbejnë
Dhe në xhepa pa astar i hedhin.
Që bien rrugëve dhe kthesave
Për t`i mbledhur të tjerët
Për t`i shkelur ndoshta.
Duart e mia duart e tua,
Nuk u bënë kurrë armë
Të shkrepnin mbi kurrize të ulta
zemërimesh dhe dhe puthjesh
Të gabuara…
Nuk e di kush e meritonte
Duart e mia apo duart e tua?
ANKTH I DITËS
Gishta vetëtmash qepin
Jo gjithnjë një këmishë fati,
Ato i hapin shtupin qiellit ,derdhin
Një shi inati.
Që bie mbi kokat tona dhe shkund
Pikëllimin e qiejve pa peshë
Kur ky pikëllim botën tund,
Dhe dridh ëndrra resh.
Kur fryhet gjoksi nga dëshirat
Nga timbret e buta pëlcet pika,
Tek qielli suprem ngjitet
Ankthi i ditës…
URAT E AJRIT
Kur trup i lumit u hollua
Nga puthjet që u jepte brigjeve
Në këtë hollim një radhë gurësh u shtrua
Kaloi vau mikpritës
Për hapat e mi
Hapat e tua…
Dhe kur puthjet i mbaroi,
I velur nga to,nga moskthimi,
Gurët me valë mbuloi,
I zgjuar nga tërbimi.
Tani dëshirat kalëronin
Në ujëra ajri prej fillimi..
PORTA
Fjalët e librave më dynden
Gjithnjë tek portë e shpirtit
Si një tufë delesh të uritura
Tek vathë e bariut.
Nga mendja marr udhëzime
Kë të rendis më parë,
Veç nuk ua tregoj portën intime
Ku fjalët hyjnë me radhë…
DIÇKA QË NUK SHIHET PARA YJEVE
… mali si një kokë kali
Yjeve u hingëllin,
Diçka që nuk shihet para yjeve
Aty ,me sa duket ,mbërrin.
Hija e jetës që nuk do të zverdhet
Dhe penjtë e dëshirave që këputen nga
Tmerret…
SHKËMB I NUSES
Legjendat e moçme e kanë mbyllur gojën
Në shkëmbinj,
Ndonjë ujëvarë bukuroshe
Nën diell teshtin..
Pse u mbyllën këtu, ku ta besosh
Ndoshta se forcën e gurit kërkuan,
Çka natyra për vete krijoi
Njerëzit ia besuan…
Ja,në atë shkëmb një nuse
A ngjan krejt është ajo,
Kur vajti dhe kërkoi puse
Për burrin që nuk e desh dhe s`e do,
Pasi puse s`gjeti, kishin tharë
Nga dhimbja për të mos e mbytur
Erdh dhe në shkëmb u var,
E ra në greminën gojulëritur…
E ajo s`e dinte se shkëmbi
Fytyrën do ia ruante, hijeshin,
Gurëzimin e moçmë që dhembi
Sa herë përdhosën dashurinë…
Eh,shkëmbi i nuses në Lunik,
Me fytyrë gruaje nëpër trup,
Nuk të thotë dot ik,
Po ndalu,dhe më shih, ti hut,
Që dashurinë kujton se e ke,
Kur zemër e vluar nuk të do,
Legjenda me gojën sa gremina e rrëfe
Por harrohet shpesh çfarë thotë ajo…
ATJE NË MAL…
E dua Bërnsin sa Agollin,
Nganjëherë Bernsin më tepër,
Një varg më sëkëlldis pa zori:
“Zemra ime është në mal”,
Dhe asgjë tjetër…
Atje në mal ku ajri ndal,
Ku fërshëllen bari përmes tij,
Ikën mendja pa skandal,
Në romantikë e arrati.
Poetët shkruajnë vargje
Po pak i mbajmë mend,
Se metaforat hutaqe,
Me gracka i mbërthejnë…
Po kush e thotë fjalën e duhur
Që frymën pezull ta ndal,
Ajo është thëllezë që s`ngre pluhur;
Zemra ime është në mal…
ALEPO
Kur theret ylli i paqes,
Gjaku i perëndive derdhet
Në Alepo perënditë bëjnë vetvrasje
Për lotë fëmijësh që nuk shteren…
KONTRAST
Ti ma zbraz zemrën nga rëndomtësia,
Po nuk e di ç`është dashuria.
Po ti e di,dashuria sa ka fuqi
Të djeg vështrimi, të bën hi.
Ti e di dhe nuk e di,një mister
Që hidhesh para meje pa kujdes,
Në lojë të vetes tek e ndez…
Ka mjaft pyetje që dua të them,
Ja, përse zemrën nuk e ndez,
Unë dridhem bëhem ujem
Më iku zëri dhe fjala u ngërthez.
Dhe e kuptoj,
Dashuria humbi
Si njeriu më i dashur në kthesë
Për të mos shkuar asgjëkundi..
Po ti ma zbraz zemrën nga rëndomtësia.
A thua mjafton?
Një të mirë na bën dashuria
Edhe kur nuk kthehet,
Nga ditët bosh na largon…
+++
Për t`i dhënë shpirtit pak rini
Veten për të gënjyer
Flokët mund të lyhen me bojë.
Po rrudhave,po vrullit në gji,
Gjunjëve të thyer
Çfarë mund t`u jepet…
Këtu të dhurojë diçka
Koha stepet…