E hene, 14.10.2024, 12:35 PM (GMT+1)

Kulturë

Meri Lalaj: Gëzuar ditëlindjen, Dritëro!

E merkure, 12.10.2016, 09:40 PM


Gëzuar ditëlindjen, Dritëro!

Nga Meri Lalaj

Kur ishim gjimnaziste, ne lexonim poetët e asaj kohe, që sapo kishin dalë me vëllimet e tyre të para poetike si për shembull Dritëro Agolli me “Hapat e mia në asfalt”, Ismail Kadare me "Frymëzimet djaloshare", Dhori Qiriazi me vëllimin “Në rrugë dola”. Ne i mësonim përmendësh poezitë e tyre dhe i adhuronim ata, sepse na dukeshin sikur i përkisnin një bote tjetër, sikur e ngjyenin penën për të shkruar vargje atje lart në qiell dhe na dërgonin kumte neve këtu në tokë.

Ata u afruan më pranë nesh kur Elena ra në dashuri me Ismailin dhe Sadija me Dritëroin. Shkuan vite. Kur unë fillova të merresha me shkrime, Sadija më ndihmonte për të botuar tek gazeta "Mësuesi", në të cilën ajo punonte. Më vonë Dritëroi më ndihmoi për të botuar tek gazeta "Drita", madje edhe sot e kësaj dite e ruaj një tregim në dorëshkrim të redaktuar prej dorës së tij.

Kur shkoja nga Pogradeci në Tiranë, shpesh unë rrija tek Sadija dhe Dritëroi. Në ato vite të vështira, ne uleshim për të ngrënë nga një pjatë me trahana apo "petulla të fshira", (që  gatuhen me pak harxhe: miell i përzier me ujë dhe fare pak vaj sa për të lyer tiganin).

Të ulur në tryezë ne recitonim vargje të poetëve të ndryshëm. Unë isha pranuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe merrja lejë krijuese. Kur shkoja në Tiranë i shpija Dritëroit ndonjë shishe me verë ku kisha ngjitur edhe një copë letër me vargjet e Robert Bërnsit: "Ja shishja dhe një mik dhe pi, / ç'kërkon ti më njeri i shkretë? / Përpara vdekjes kushedi se ç'brengë do të kesh në jetë. / Përdore grimën, o njeri, shijoje para se të vdesësh / se kokëforta lumturi nuk vjen gjithnjë kur ta thërresësh."

Në ato vite, Dritëroi përktheu një vëllim me poezi të poetit skocez Robert Burns nga gjuha ruse. Unë i recitoja dy a tri poezi, që dija përmendësh, të këtij poeti sepse Dritëroi donte të dëgjonte sesi tingëllonin në origjinal. Siç e ka shkruar edhe në parathënien e librit të përkthyer, Dritëroi nuk e shqipëroi poezinë "Meri Morison" sepse Lasgushi thuajse e ka krijuar atë.

Kur më dhuroi librin “Nënë Shqipëri”, në faqen e parë Dritëroi më ka shkruar: “Merit tonë të dashur, që na vjen edhe në mes të natës me një shishe me verë a me raki dhe na troket në derë si Findlej: “Po kush me shkop në xham troket? / ‘S’do mend që jam Findlej!’ / ‘Shtëpia fle dhe s’ka lezet!’ /’ Nuk fle!’ – i tha Findlej (R. Bërns)  (dhe më poshtë)

“Për kujtim të mirë në ditët 7 e 8 mars. Dritëroi e Sadija. Tiranë, 7. 3. 1985.

Në shtëpinë e Dritëroit nuk hyja vetëm unë me "cen në biografi", por edhe piktorja Lumturi Blloshmi, së cilës ia kishin pushkatuar babain, po kështu vinte edhe këngëtarja Justina Aliaj e dënuar pas Festivalit të 11-të të Këngës në Radiotelevizion. Madje, qëllonte kur vinte Dritëroi në Pogradec, unë i thoja me shaka: "Le të bëjmë një copë rrugë bashkë që të më shohin me Dritëroin e të më lenë rehat nja dy muaj." Njëherë ndërsa po pinim kafe në Pogradec tek Turizmi "Guri i Kuq", ishim me Sadijen dhe Nikon. Dritëroi më pyeti me zë të ulët: "Po Qani Çollaku a punon tani arsimtar?" "Jo," i thashë "vazhdon punëtor tek magazina e çimentos dhe e gurëve të ndërtimit". "Po, ai e ka mbaruar dënimin e burgut, tani duhet të punojë arsimtar se është i zoti."

Një ditë vere u ndodhëm në Pogradec dhe ndenjëm tek shtëpia ime, Dritëroi më shkruajti tek libri i tij poetik "Udhëtoj i menduar" këto fjalë: “Merit, për kujtim këtë libër, duke lexuar Robert Bërnsin, më 3 gusht 1985. Në këtë mbrëmje të gushtit, unë, Nikua dhe Sadija jemi në shtëpinë e Merit. Meri na ka shtruar tryezën me peshk dhe me verë. Peshkun ia ka gjetur Tomi Mato, që kot është marrë me artin. Duhej të merrej me tregtinë. Nejse, Tomi na gjeti vetëm një troftë. Niko Nikolla, unë e të tjerë e hëngrëm peshkun e Tomit dhe i bëmë disa lavdërime. Pastaj duke ngrënë këtë troftë gjysmë të verdhë, Meri lexonte vjershat e Robert Bërnsit të përkthyera nga unë. Lavdërime paç, Meri lalaj! Ne mbajmë anën e lavdërimeve! Dritëro Agolli, 3. 8. 85”

Unë merresha me "talentet e reja letrare" në Pogradec, kështu Dritëroi e ndihmoi Dhimitër Pojanakun që të botonte një cikël me poezi tek gazeta "Drita". Pastaj tok me Dritëroin firmosëm për një vajzë nga Mëmëlishti që të vazhdonte për letërsi në Elbasan. Po atë verë, kur dolën të drejtat e studimit, ime bijë ishte hequr nga lista. U sorollata zyrë më zyrë për ditë të tëra pa mbarim dhe si përfundim Dritëroi më ndihmoi që të hyja në zyrën e Skënder Gjinushit, (Ministër i Arsimit) në atë kohë dhe brenda pak minutash gjithçka u rregullua. Jo vetëm kaq, Sadija dhe Dritëroi e mbajtën time bijë, Manjolën, një muaj në shtëpinë e tyre derisa ajo u vendos në konvikt, ndërsa unë isha e sëmurë e shtruar në spital. Dhe sot Manjola, në sajë të njohurive që ka marrë në Fakultetin Filologjik vijon një punë të mirë në Gjermani dhe i është mirënjohëse Dritëroit.

Njëherë, në Pogradec, përktheva një material nga anglishtja për rritjen e peshkut, si shpërblim më dhanë një troftë të madhe nja dy kilogramë dhe e dërgova tek Sadija në Tiranë duke shkruar një letër "këtë troftën e kam fituar me punë të ndershme duke përkthyer ihtiologji". Ata e hëngrën për 8 Marsin tok me Xhanfisenë dhe Endrin.

Në vitin 1995, përktheva librin “Esenini – një jetë”, Dritëroi e redaktoi këtë libër dhe shkroi fjalë lavdëruese për mua duke më krahasuar me përkthyesit tanë më të mirë. Tek ky libër disa strofa  të origjinalit të Eseninit janë të përkthyera prej Dritëroit.

Në 10 qershor 1990, ndërsa zhvillohej Kongresi i 10-të i PPSH, unë tok me Manjolën ishim tek Sadija, në ato çaste Dritëroi u ngjit të fliste në tribunën e këtij Kongresi dhe e kritikoi Enver Hoxhën nën thirrjet e militantëve, që e ndërprisnin fjalën e tij duke brohoritur "E. Hoxha! E. Hoxha!" Dritëroi i lexoi deri në fund ato fletë që kish shkruar dhe i tha të vërtetat për regjimin komunist si askush tjetër më parë apo më pas. Në gjithë këto vite pas '90-tës, Dritëroi gjithnjë e ka thënë fjalën e tij të mençur në të mirë të Shqipërisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora