Kulturë
Nuhi Veselaj: Fjalë-termi spirt sajesë e trilltë në shqipe
E merkure, 12.10.2016, 08:33 PM
Fjalë-termi spirt sajesë e trilltë në shqipe
Nga Dr. Nuhi Veselaj
Në veprën Filozofia e Gjuhës (Prishtinë 1998), në kapitullin VIII, nën titullin e veçantë: "Mendime dhe propozime rreth përkthimit të termit gjerman Geist", autori, Dr. Avni Presheva, meqenëse, nuk del i kënaqur, me traditën e përkthimit të deriatëhershëm që i është bërë fjalë-termit Geist të gjermanishtes në shqipe, qoftë me barasvlerësin frymë (në botimet e Prishtinës), qoftë me atë shpirt (në botimet e Tiranës), ai, për konceptin në fjalë, në mbështetje të etimonit të fjalës spiritus të latinishtes, e "krijon" trajtën spirt. Në të vërtetë, gjithnjë sipas arsyetimit të tij, edhe pse Geist-i i gjermanishtes "në gjuhën latine e ka kuptimin e dy fjalëve spiritus dhe animus"(shpirt e frymë), ai megjithatë, mjaftohet vetëm me trajtën spirt (në biçim të fjalës së parë të latinishtes, spiritus), të cilën (trajtën spirt) edhe e ka të futur në përdorim në veprën e tij, ngase ashtu qenka vepruar (!) edhe në gjuhën frënge: “ l'esprit”, it. spirito, edhe në atë angleze spirit".
"Të përdoret fjala spirt, - ngulmon autori, - derisa të krijohet termi
adekuat",-
duke e shtuar alergjikisht edhe këtë:
"në fund të fundit, nëse patjetër duhet të jetë fjala shqipe, le ta përdorin ose fjalën shpirt ose fjalën frymë, me gjithë përgjegjësinë dhe akuzën që u takon atyre që e përdorin"(!).
Kështu, ndonëse në paraqitje autori nuk del fort i qartë dhe bindës në kërkesën e tij, madje raportin “fjalë shqipe/akuzë” e përdor fort pa vend, megjithatë, mendoj se ai ka arritur të shtrojë për diskutim aktualisht një çështje jo pa interes gjuhësor fjalëformues e terminologjik në përgjithësi dhe për fushën e filozofisë në veçanti. Meqë nga ana filozofike nuk kemi tagër me u pëzie, qëndrueshmërinë fjalëformuese të fjalës së tillë spirt gjuhësisht do ta vënerojmë nga këto tri këndvështrime:
E para, sajesa spirt, sipas kritereve përkatëse a mund të konsiderohet si fjalë e huazuar mirëfilli në shqipe dhe nga cila gjuhë?
E dyta, meqë fjalët përkatëse frymë dhe shpirt, i sheh të ngatërruara, për konceptin në fjalë, madje edhe pse nuk e mohon mundësinë e zgjidhjes me njërën nga to, nuk përpiqet t’i zhngatërrojë, po kërkon që atë konfuzion terminologjik ta zgjidhin të tjerët me ose ose dhe kështu çështja e specifikimit të fjalë-termave të tillë mbetet hapur dhe
E treta, po shtojmë ne, pasi autori nuk deklarohet për asnjërën nga trajtat sinonimike, shpirt ose frymë, dhe zgjidhjen me spirt e quan të përkohshme, atëherë vetvetiu nga logjika imponohet nevoja që duhet vrarë mendjen, për të provuar rrugë-zgjidhje të re pikërisht në konsultimin e sistemit fjalëformues të shqipes dhe së andejmi, nga brumi i saj, duhet me dalë farkëtimi adekuat, apo jo?!
Sidoqoftë, ne do të përpiqemi që në vijim të përgjigjemi në tri pyetjet e sipërshtruara, vështuar më tepër nga aspekti logjiko-fjalëformues, për çka kërkojmë mirëkuptim.
I
Në të vërtetë, ne fillimisht, duke u ndihmuar nga konsultimi që u bëmë disa burimeve përkatëse dhe nga materiali që sjell vetë autori, po japim tabelën e sajuar prej nesh në dy kolona në mënyrë që sadopak të njihemi me barasvlerësit paralelë sinonimikë të shqipes shpirt /frymë ngjitangjitas pas atyre të latinishtes spiritus, përkatësisht animus (jo aq të saktësuar) që cek autori dhe në varg shënojmë përgjegjësit (paksa të qëndrueshëm) të disa gjuhëve të njohura:
Krahaso:
lat. 1. spiritus 2. animus(!) -
(shpirt, frymë!) ( frymë, shpirt!)
----------------------------------------------------------------------------
hebr. rauh nephsh
gr. psyhe pneuma
gjer. Geist Seele
angl. spirit seul
fr. esprit ame
it. spirito anima
sp. espirita alma
sll. dusha duh
ar. ruh nefs
turq. can tin
---------------------------------------------------------
shq. shpirt (spirt!) frymë (spirt?)
Nga tabela shohim se tek asnjë gjuhë si rrënjë teme nuk del trajta spirt, prandaj qëndrueshmëria e një trilli të tillë del fort e diskutueshme, sepse s'mund të quhet as fjalë e huazuar e as përftim i drejtpërdrejt nga asnjëra gjuhë. Ajo, në të vërtetë, pretendohet të jetë modifikim i trajtës spiritus të latinishtes, po nga konstrukti, siç po shihet, më së miri, ngjason me trajtën shpirt të shqipes, me ndryshim vetëm në bashkëtingëlloren nistore!
Ç'është e drejta, edhe fjala shpirt e shqipes është pikërisht interferencë e lashtë e trajtës spiritus të latinishtes. Madje ka mendime që mbase që të dyja, mund të kenë trashëgimi të përbashkët nga protoshqipja, apo jo?!
Por, sido që të ketë qenë, shkenca jonë e ka të njohur fare mirë procesin fonetik të ndërshndërrimit të bashkëtingëlloreve S e SH në raportin latinisht / shqip. Lidhur me këtë është me interes të dihet fakti se edhe në gjermanishte përdoret trajta Spiritus (Sprit), jo vetëm si emërtim alkooli, por figurativisht, në ndonjë rast, edhe si sinonim i fjalës Geist (e cila ka disa kuptime), mirëpo edhe në atë gjuhë si edhe në kroatishte, ashtu si në shqipe, s-ja nistore shqiptohet sh (Krahaso: spiritus (*shprit) - shqip: shpirt).
Edhe diçka duhet pasur parasysh në këtë kontekst.Tashti, ç'është e vërteta, nuk del e nevojshme të merret peshore mbështetëse koncepti, nëse mund të themi kështu, i fjalës latine spirit/us, me kuptimin paralogjik që kishte ajo dikur, po pikërisht, nëse del i domosdoshëm kuptimi i fjalës gjermane Geist (shqipto: gaist) si filozofemë në shqipe, duhet huazuar po ajo fjalë me nocionin e vet, apo jo?!
Është krejt gjë tjetër nëse sqarimi ose krahasimi bëhet me barasvlerësin spirit të anglishtes (me etimon latin) apo të ndonjë gjuhe tjetër (romane) momentalisht ndikuese nga frëngjishtja esprit apo, pse jo, edhe nga italishtja spirito, analogjikisht siç është vepruar b.f. me ndërkombëtarizmën spiritizëm, spiritualizëm (spiritual/e), që ka për bazë etimoni po fjalë-temën latine spirit/us, por tashti me kuptimin aktual të italishtes spiritualismo (spirituale) që përdoret edhe në shqipe. Kështu autori me trillin spirt jo vetëm nuk e ndrit po e errëson edhe më tej konfuzionin terminologjik që ekzistuaka në gjuhën shqipe në raportin frymë/shpirt, apo jo?!
II
Sidoqoftë, është e vërtetë se në latinishte (tashtimë gjuhë e vdekur) kuptimi i animus-it, po sidomos ai spiritus-it që i takonte fazës paralogjike as për së afërmi nuk mund ta ketë pasur nocionin që e kanë sot gjuhët e tjera mbi atë etimon, qoftë si term feje, qoftë si term filozofeme, siç e ndeshim sot në këto gjuhë:
anglisht (spirit), frengjisht (esprit), spanjisht (espiritu), italisht (spirito) dhe shqip (shpirt),
por prejardhja e përbashkët latine e tyre nuk mund të mohohet dot, madje edhe nocioni i sotëm, varësisht nga rrethanat në kohë-hapësirë që kanë përjetuar gjuhët (kombet) përkatëse, nuk mund të jetë dhe aq identik, apo jo?
Së këtejmi, duke pasur parasysh konstatimin e mësipërm, lexuesi i vëmendshëm menjëherë mund të ketë vënë re që në kolonën e parë e vendosëm fjalën shpirt, edhe pse ne si arsye parësore patëm etimonin e përbashkët me katër gjuhët euro-perëndimore (anglisht, italisht, frëngjisht, spanjisht), pa u thelluar në anën përmbajtësore fillimishte, ngase, siç dihet, shqipja, duke qenë në bashkëjetesë me gjuhët sllave, greke e turko-arabe nocionin i fjalës shpirt ligjërimisht e fetarisht mund ta ketë pasur ndoshta më të afrueshëm me ato gjuhë se me gjuhët romane (frengjishten b.f. etj.), mirëpo ne kemi bindjen se kur është fjala te terminologjia shkencore filozofike-psikologjike konsolidimi ose hamonizimi i saj me nocionin që ka termi përkatës në gjuhët perëndimore (anglisht etj.), kur është fjala për stilin shkencor, arbitrariteti ynë mbase mund të arsyetohet, apo jo? Gjithsesi, përcaktimi dhe arsyetimi i specifikimit të tillë varet zakonisht nga kuadrot e specializuar aktualisht të gjuhës shqipe, ku duhet të ketë hise edhe autori, kur kemi parasysh profilin e përgatitjes së tij profesionale, apo jo?!
Sido që të jetë, për ne del i drejtë gjykimi se në kohë-hapësirën që i duhet autorit para se të kërkojë një term të ri është dashur së paku ta provojë specifikimin kuptimor nga trajtat shpirt ose frymë si barasvlerës të trajtës Geist dhe Seele (zele). Andaj ne pikërisht lidhur me këtë, gjithnjë në mbështetje të gjuhës, do të përpiqemi me dhënë një ndihmesë të tillë. Në të vërtetë, pas qëmtimit që bëmë në burime të caktuara që patëm mundësi t’i konsultonim, po japim edhe këto konstatime tona.
1) Është interesant se në Fjalorin e Frang Bardhit raporti latinisht / shqip i fjalëve në shqyrtim del kështu: spiritus – frymë; anima – shpirt, pra i kundërt me atë që vendosëm ne kolonat përkatëse. Edhe në Fjalorin e Bashkimit si barasvlerësi i parë i fjalës shpirt del anima e italishtes. Po ashtu në Fjalorit latinisht - shqip (Lacaj - Fishta), rib. Prishtinë 1980, si barasvlerës i parë në shqipe për spiritus-in, pra, sipas kuptimit të konservuar të latinishtes letrare, del fjala frymë e shqipes, ndërsa për animus del shpirt, përkatësisht për anima –nën 2. del: frymëmarrje, shpirt, ndërsa për spiritus del nën 1. të frymët (asnjanës), erë, jetë dhe nën 4. shpirt, jetë. Ndërkaq, aktualisht sipas Fjalorit shqip-italisht e anasjelltas të F.Toçit (Tiranë 1993) dhe të tjerëve del e kundërta nga sa pamë më sipër. Tashti për shpirt si barasvlerës i parë del spirito, ndërsa për frymë anima, ashtu siç qëndrojnë baravlerësit në të dyja kolonat që e paraqitëm më sipër.
2. Mirëpo, ashtu siç ndodh edhe në gjuhë të tjera të gjalla, sinonimet e tillë, pos ndërkëmbimeve semantike të ndërsjella, kanë pësuar dhe pësojnë edhe zhvillime të brendshme kuptimore polisemike, secila veç e veç. Kështu në shqipen e sotme me fjalën frymë, pos tjerash, kuptohet jo vetëm koncepti i ajrit, frymëmarrjes etj, por fig. edhe ai i "ndërdijes dhe vetëdijes” individuale që është produkt i frymës së tërësisë", d.m.th. në një farë dore del edhe koncepti i Geist-it. Krahaso thëniet: in Geist der Freundschaf = në frymën e miqësisë ose der Geist der Zeit = në frymën e kohës etj. Është interesant fakti se K. Kristoforidhi në Fjalorin e tij fjalën frymë e shënon në dy skeda, d.m.th. e shënon, pra, si dy fjalë të veçanta homonime: a) frymë-a - me kuptim frymëmarrjeje dhe me kuptime të tjera si: Frymë e Shenjtëruar (= Shpirti Shenjtë) etj. dhe b) frymë-a - erë-a. (Aty f. 108.) Po ashtu fjala shpirt, e cila në fazën e zhvillimit paralogjik të mendimit njerëzor shprehte mbase gjendjen deri sa qenia e caktuar merrte frymë, ngase frymëmarrja ishte shenja më e dalluar e jetës, sot shpreh edhe aso konceptesh abstrakte ku përfshihet edhe koncepti i Geist-it të gjuhës gjermane, apo jo, siç janë fjalë-konceptet mendim, jetë dhe më gjerë, madje edhe emri Geist polisemantikisht në gjermanishte, me sa pamë, kishte disa sinonime. Kështu që në shqipen e sotme letrare, me fjalë-termin shpirt "emërtohen edhe forma të ndryshme përmbajtjesh mendore", nga të cilat dallohen: përmbajtja substanciale, ajo hyjnore, vitaliste si dhe përmbajtja mekaniste, ndërkaq me frymë si shenjë jete – kuptohet një sitërësi që mbisundon mendimin… ndjenjat, motivet te njeriu… Kjo, në fakt, përbën pjesën kuptimore të psikës… të ndërdijes dhe vetëdijes (universale, kombëtare, individuale) si produkt i frymës tërësore…(Shih: Fjalori i Psikologjisë i P. Nushit, Prishtinë 1987, f. 289). Edhe në FGJSSH (1980) kuptimi i nënzërit të parë të fjalës shpirt jepet po me konceptin e Geist-it, d.m.th. të arsyes, të të menduarit apo të mendjes, siç e shpjegon autori, përkufizim ky që, në fund të nënzërit, përmblidhet me togfjalëshin: botë mendore. (Shih aty f. 1904.) Ashtu ndodh edhe në Fjalorin e gjuhës shqipe (2006), madje me përkufizime edhe më të qarta specifikuese. (Aty, f. 293, 1041.) Së këtëjmi, del se fjalë-termat përkatësisht: frymë dhe shpirt, gjatë zhvillimit kuptimor të tyre, në mënyrë të përligjur funksionalisht janë formëzuar në shqipe si fjalë e terma edhe të disiplinave të tjera të veçanta fetare-shkencore ashtu edhe si filozofema. Ta kemi të qartë, se procesi i formëzimit të fjalës së caktuar si term, siç dihet, mund të bëhet parësorisht edhe pa e ndryshuar formën shkrimore e shqiptimore të saj, edhe pse semantikisht pajiset edhe me një kuptim të ri të specifikuar plus. Është e vërtetë se përveç trajtave frymë e shpirt ekzistojnë edhe sinonime njëfjalësha e togfjalësha të tjerë përkatës, si psikë a psikikë, arsye, gjeni (*genius), botë mendore (mendje), botëkuptim, botë shpirtërore e ndonjë tjetër, me të cilat ka mundësi që në kontekste të caktuara, pothuajse normalisht, të shprehen nocione që kanë të bëjnë edhe me përcaktimin e konceptit të Geist-it (ashtu mbase siç i duhen autorit apo jo?!), mirëpo hëpërhë funksionin e barasvlerësit të parë për nocionin në shqyrtim në shqipen letrare të ditëve tona, me sa shohim ne, mjaft e mbulon gjithsesi fjalë-termi shpirt, që del më i specifikuar edhe kundrejt fjalës frymë. Sidoqoftë, harmonizimi terminologjik (Tiranë-Prishtinë) në gjuhën shqipe, mund të arrihet me një ballafaqim argumentash nga ekspertët, pa pasur nevojë për kurrfarë akuze, apo jo?
3. Por, me thënë të vërtetën, ngatërresë kuptimore rreth nënfushave të caktuara në mes të këtyre dy fjalë-termave me karakter filozofeme, jo vetëm në gjuhën tonë, për çka ankohet jo vetëm autori, A, Presheva po edhe të tjerë si akademik Ekrem Murterzai. (Shih, Prof. dr. Ekrem Murtezai, Fjalor i feve, Rilindja, Prishtinë 2000.), por ndeshim edhe në gjuhë të tjera, madje, paqartësi të tilla interpretimi, sipas Bibles (hebr. rauh, greq. pneuma - frymë ndaj po hebr. Nephsh, gr. psiche - shpirt si dhe arabishtes kuranore (ruh – frymë, nefsi - shpirt ), dalin që nga zanafilla, ngase konsiderohen si fjalë-ide perëndie ose fjalë-simbole hyjnore, si fjalë të Zotit, dometheniet e të cilave i di vetëm Krijuesi, mendja e njeriu, nga domeni fetar, nuk mund ta përthekojë aq lehtë një reflektim të tillë joqartësues. Dhe kështu po këtë paqartësi e ndeshim të bartur edhe në sferën e terminologjisë filozo-psikologjike, pra, jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhë të tjera. Pra le të krahasohen sadokudo edhe me konceptin e tretë plus një sinonim tjetër i diskutueshëm:
Krahaso:
arab. gjerm. boshnjak. anglisht turqisht shqip
----------------------------------------------------------------------------------------
nefs Geist dusha spirit can shpirt
ruh Seele duh soul tin frymë
rih Atem? dah breath? nefes? frymim? (‘ah!)
Edhe pse që të dy termat: frymë e shpirt i takojnë fushës së lartë të abstraksionit, megjithatë, si në gjuhë të huaja edhe në shqipe, bëhet ose mund të bëhet njëfarë dallimi. Kështu jo pse unë guxoj të propozoj ndonjëfarë ixhtihadi, po në shqipe te fryma parësorisht imponohet konkretja ajri - lëndë e gazte, por duke pasur në nënvetëdije karakterin vëllimor në llojshmërinë e saj dhe nënfushën semantike që zë në kontekste të caktuara paskëtaj figurativisht shfaqet edhe si filozofemë ose si term fetar hyjnor me karakter jolëndor pa limit të caktuar (që mbase sot konceptin e tillë në shqip më mire e mbulon trajta prejfoljore frymim), në njërën anë, si dhe duke pasur parasysh fjalën shpirt, në anën tjetër, e cila drejtpëdrejt vjen si koncept jolëndor, atëherë vetevetiu imponohet njëfarë dallimi se kjo fjalë del paksa më e specifikuar në fushën e abstraksionit të lartë, kundrejt fjalëtermit frymë, e cila mbetet më e afërt me nocion universal, kombëtar e individual në raport frymë kombëtare, frymë miqësie, frymë vëllazërie etj.
Në të vërtetë, fryma konsiderohet edhe një sishpallje (emrun, revelatë e parapërcaktuar, si jetë, frymim, forcë gjallimi në tokë të një trupi (njeriu, kafshe apo bime), ndërkaq edhe shpirti, nuk qëndron larg kuptimisht, kur kemi parasyash zbërthimin: shpirt njeriu, shpirt kafshe, shpirt bime dhe pastaj profilimin funksional vetëm brenda njeriut, si: shpirt i qetë, shpirt qortues e shpirt me prirje nga e mira, nga e keqja, ku fjala shpirt në këto raste nuk mund të zëvendësohet me fjalën frymë dhe ku, sadokudo kuptimisht shfaqen shkëndija lëvizjeje konkretësie që i përthekohen tek vetë koncepti i frymës hyjnore, përkatësisht te frymimi njerëzor, po gjithnjë brenda botës subjektive të vetë njeriut, apo shpirtit të tij. Me fjalë të tjera në raport njeriu/shpirti dallohen tri periudha të ekzistimit të shpirtit, dy në trupin e njeriut, e para vjen me frymën gjalluese që nga mosha 120 ditëshe(!) deri në moshën e vetëdijësimit, e cila jep jetë po nuk e obligon bartësin me përgjegjësi dhe e dyta, kur trupi pajiset me botën subjektive të njeriut normal, kur fizikisht e mentarisht udhëheq me vetitë më të larta hyjnore, siç janë: vullneti, kujtesa historike dhe vetëdija, të cilat njëherazi i mundësojnë njeriut pavarësi relative jete, por edhe e obligojnë ndërlidhshmërisht me përgjegjësi kryesisht morale që ai duhet të veprojë sipas urdhrave ose udhëzimeve të Krijuesit, sepse nga veprat e tij varet edhe mirëqenia e shqirtit për periudhën e tretë, kur ndahet nga trupi dhe kalon në amshim, si të themi nën patronatin e Krijuesit, apo jo?!
Së këtejmi pra, shpirti edhe pse inorganik si edhe fryma gjithsesi paraqitet me shkëndi vepruese dalluese në kuadër të frymisë, aq më tepër kur ka raste që fryma identifikohet me vetë Krijuesin dhe shpirti konsiderohet si entitet, njëri nga mjetet e tij (!), së këtejmi, shpirti ndërlidhet me unin, me mendje, me intelekt, i cili frymon e frymëzon inventivisht në mbështetje të shtratit burimor të Krijuesit, ku duhet ta gëzojë atributin e amshueshmërisë: mire ose kaq, varësisht nga veprat e individit, apo jo?!
Andaj, ç’është e vërteta, specifikimi i cilësdo trajtë shpirt ose frymë (apo frymim), me arsyetimin përkatës gjuhësisht mund të qëndronte mbase si barasvlerës i Geist-it, apo jo, por më tepër, sipas asaj që doli nga kjo analizë, qëndron trajtë-emri shpirt, shpirt i mirë shpirti i keq, siç del edhe te nocioni i Geistit në atë gjuhë ?! Megjithatë, dallimi, përkimi dhe ndërlidhja në mes të këtyre dy termave mbetet konfuz, andaj detyrë e njeriut është që të kërkojë zgjidhje a mundësi plotësuese gjuhësore e mendore në kuadër të sistemit të gjuhës së vet.
III
Pra, meqë edhe pas analizës së mësipërme, ku besoj se u argumentua qindpërqind se trilli spirt dilte, si lindje e parakohshme, jetën e së cilës nuk mund ta ndihmojë kurrfarë inkubatori manipulues gjuhësor, ngase nuk i qëndron kuptimisht asnjë rrezeje përdorimi kontekstor, por në njëfarëdore, në anën tjetër, pasi as nga analiza jonë rreth zhngatërrimit të përmbajtjes së fjalë-termave sinonimikë frymë/shpirt apo frymim nuk doli gjithçka e qartë, atëherë, siç e kemi parashikuar, normalisht imponohet meditimi për të gjetur zgjidhje të reja me fjalë të reja, pa u larguar nga fjalëtermat në shqyrtim, apo jo?! Sidoqoftë, kështu ofrohet mundësia me kërkue dhe me marrë ndihmë në sistemin fjalëformues po të gjuhës sonë amtare.
Në të vërtetë, ne duke e respektuar dhe vlerësuar autorin si kuadër deficitar në profilimin e profesionit të tij rreth gjuhës e filozofisë ose rreth filozofisë e gjuhës, me ambicje të fortë pozitive që të kontribuojë më me lehtësi në këtë fushë në të mirë të shkencës dhe të gjuhës shqipe, edhe pse ne nuk e ndjejmë veten aq të përgatitur, sepse nuk jemi pjesë e ndonjë institucioni zyrtar destinuar për të ndihmuar kuadrot e tillë, megjithatë mbështetur në nevojën dhe përvojën e fituar aktualisht në fushë të përkthimit dhe si autodidakt, mësues-studiues i gjuhës shqipe, do të përpiqemi me e shprehë mendimin tone, qoftë edhe guximtarisht, rreth disa gjedheve ose mënyrave të njohura emërformuese të gjuhës sonë, që do t’i shtjellojmë paksa në pikën vijuese, të cilat besojmë se kanë me i ndihmue autorit e shokëve si ai, të cilët pa fajin e tyre nuk kanë pasur mundësi të pajisen me njohuri rreth emërformimit të gjuhës shqipe, sidomos në fushën e abstraksionit. Kështu qëllimi ynë është që së paku orientimisht t’i ndihmojmë kuadrot e tillë që ta kenë më lehtë të gjenden ose të thellohen më tej në avancimin e stilit përkatës shkencor duke u mbështetur në mundësitë që jep vetë sistemi fjalëformues i gjuhës shqipe. Lidhur me këtë ne të dyja fjalët: shpirt. dhe frymë, po i shfrytëzojmë si tema fjalëformuese, dhe kështu siç do të shohim, si janë formuar ose mund të formohen po emra abstraktë mbi bazë të këtyre dy fjalëtemave:
a) Fjala shpirt si temë prodhuese
Për fjalën shpirt vlen konstatimi se përveç mënyrës polisemike kjo fjalë mund të sherbejë si temë prodhuese fjalëformuese. Tash fill po konstatojmë zhvillimin e dy foljeve ekzistuese mbi këtë bazë, si:
1) shpirtëroj (shpirtëri shpirtërim), dhe
2) shpirtëzoj (shpirtëzim).
Edhe pse prejfoljorët e tillë në kllapa, për rastin në shqyrtim mbase nuk mund të shfrytëzohen, sepse dalin të konsumuar ose të zënë për koncepte të tjera, i rëndësishëm duhet të jetë fakti për lexuesin vetë modeli strukturor fjalëformues që qëndron si i tillë, nga i cili shembëllisht mund të na ofrohen trajta të tjera të mundshme, si: shpirtim (shpirtoj) shpirtni, shpirtnim (shpirtnoj), shpirtësi (shpirtësoj ose edhe trajtat: sishpirt, përshpirt etj.
b) Fjala frymë si temë fjalëformuese
Edhe për fjalën frymë, vlen konstatimi i mësipërm që përveç mënyrës së polisemisë, mund të shfrytëzohen prejfoljorët tashmë të përftuar, nga foljet përkatëse, siç janë:
1) fryj, b.f. në FGJSH 2006 (fryjë-a),
2) frymëtoj (frymëtim-i),
3) frymëzoj (frymëzim-i),
4) frymoj (frymi-a, frymim-i).
Përveç këtyre, nga pjesorja (ose paskajorja përkatëse me + pjesore) mund të përftohen normalisht fjalë të reja, si:: me fry, me frymë (*frymë-a, frymzë-a), me frynën, (nga *frynë fryr fryrje, pastaj modeli ofron edhe paralelet: (me) frymos frymosje, me u frymavë (frymavje!), fryjim (fryjoj) fryjimsi, frymësi frymësim (frymësoj); e fryra, të fryrët etj.
Së këtejmi, pa hyrë në hollësi të tjera, të vihen re shembuj ekzistues që ofrohen mbi bazë të temave përkatëse prodhuese, si p.sh.:
a) nga shpirt- doli edhe trajta, shpirtësi, e formuar me prapashtesën –SI, e cila del më prodhimtare dhe ndonjëherë paksa më speciale, kundrejt sishoqeve të veta: -i, -ri, -shmëri e të tjera si: -ni, -ti, shpirtni, pastaj me –JE: shpirtje, shpirte ose–IM: shpirtim (shpirti+im);
b) nga frymë- siç na ofron modeli, normalisht mund të shërbejnë për destinim abstraksioni me ndajshtesat përkatëse -I, -NI, -TI, -RI,–SHMËRI, e pse jo edhe nga –JE dalin shembujt: frymje, me –IM: frymim, trajtë të cilën, siç mund të shihet, ne e përzgjodhëm si mundësi sinonimi për konceptin në shqyrtim, po i lamë si pjesë rezerve trajtat: frymni, frymëti, madje edhe frymësi, që mund të aktivizohen në rast nevoje.
Ndër të tjera tërheqim vëmendjen me prapashtesën –SI, si: shpirtësi, frymësi, emrat e rij fitojnë përshkallëzim cilësor të ri kuptimor të specifikuar akstrakt. Krahaso, modelin fjalëformues të termave tashmë të përqafuar, të cilat përdoren me sukses edhe nga vetë autori, si: kuptim - kuptimësi, njëkuptimësi, shumëkuptimësi; mend - mendësi, njëmendësi; ligj - ligjësi; (e) vërtetë – vërtetësi , të vëretësuarit; (i) zot(i) - zotësi; konkret - konkretësi; veprim – veprimësi, të veprimsuarit; (e) mbarë - mbarësi etj.
Prandaj si barasvlerës për ndonjë pjesë të Geist-it nga fjalë-tema shpirt-mund të dalë normalisht ndonjëra nga: trajta shpirtësi a shpirtni, ose edhe më mire, nga fjala frymë-: frymësi (a frymësim, të frymësuarit) ose edhe frymim, ngase kjo e fundit sotpërsot mund të konsiderohet më e kapshme.
Por, s’ duhet harruar se përveç formimeve me prapashtesën –SI, është i lejueshëm, sipas modelit edhe zgjerimi i të njëjtës fjalë me prapashtesën –IM, p.sh. shpirtësim a shpirtnim (ku nënkuptohet edhe folja shpirtësoj a shpirtnoj), pastaj, frymi, frymim, po nëse duam të futemi edhe më thellë në përshkallëzime kuptimore, natyrisht nëse paraqitet nevoja. E kemin fjalën edhe për raste të tjera, nocioni përkatës do të mund të mbulohej, qoftë pjesërisht, qoftë tërërësisht, përveç me togfjalëshin si botë shpirtërore, botë (e brendshme) subjektive e ndonjë tjetër edhe me kompozitën, si: shpirtmendësi (tip i lejueshëm) etj., ngase duke e futur në përdorim emrin e përbërë ashtu si edhe togfjalëshin mund t'i nënkuptojmë të ngërthyera kuptimisht të dyja konceptet: edhe botë shpirtërore edhe botë mendore të njeriut, por edhe shpirt e mend, apo jo?
Sidoqoftë, të gjithë shembujt si p.sh.: frymësi, të frymësuarit, frymësim frymëshejtëri, frymëshejtni; shpirtësi - shpirtësim - shpirtmendësi etj., ashtu edhe ata, në formë asnjanësi me të + ... –uarët?uarit) apo me –I–, NI e -IM, si: frymi, frymim shpirtni, shpirtnim etj., varësisht nga konteksti, sigurisht kuptimisht si terma janë shumë më të pranueshëm dhe më të motivueshëm nga ajo sajesa e përkohshme spirt, pjellë e çastit pa model, spirt, ndërkaq trajtat që dolën nga analiza jonë mund të konsiderohen si neologjizma të mundshëm të lejueshëm, të cilët sotpërsot qëndrojnë të pashfrytëzuar në gjuhën tonë, por janë krijime të ligjshme dhe të kapshme, andaj çdo studiues një mënyrë të tillë fjalëformuese duhet ta ketë parasysh dhe ta shfrytëzojë.
Sido që ta marrësh, qëllimi ynë në këtë diskutim është, siç e thamë, t'ia kujtojmë jo vetëm autorit, por të gjithë krijuesve tanë të nderuar të fushave përkatëse shkencore, që s’kanë pasur mundësi të kryejnë shkolla të larta e specializime në gjuhën shqipe që si rrugë më e mirë orientuese për zgjidhjen e problemeve terminologjike (mbase edhe të përkohshme) si tema në shqyrtim duhet mbështetur parësorisht në mënyrat tashmë të verifikuara të emërformimit të shqipes.
Siç po shihet, shqipja aspak nuk është gjuhë e varfër. Në sistem ofron shumë zgjidhje potenciale të pashfrytëzuara edhe për terminologjinë filozofike, por po vuan nga mosnjohja ose nga mosshfrytëzimi i modeleve të tilla fjalëformuese nga kuadrot tanë përkatës. Mjerisht disa mësimdhënës edhe të punësuar në institucione me gjuhë mësimore shqipe më mirë po i njohin pasuritë fjalëformuese të gjuhëve të huaja se ato të gjuhës së vet amtare.
Me sa jemi në dijeni, gëzon fakti se pikërisht prof. dr. A. Presheva, pasi i ka tejkaluar ato shtërzimet fillestare gjuhësore-terminologjike, po hapëron bindshëm drejt majave më të larta shkencore të profilit që posedon dhe për këtë ne e përshëndesim dhe përzemërsisht i urojmë suksese dhe së këtejmi, mbase ky shkrim që për ne më tepër ka karakter dokumentues, më shumë do t’u ndihmojë të tjerëve dhe atij do t’i japë zemër për suksese të reja, prandaj edhe kërkojmë mirëkuptim.
Është e vërtetë se në vetë paraqitjen e autorit lidhur me fjalën spirt si dhe në tërë veprën Filozofia e gjuhës dalin edhe mjaft çështje të tjera të përgjithshme e të veçanta tejet të vlefshme, por edhe të diskutueshme, jo vetëm të natyrës gjuhësore, por edhe më gjerë, vlerësimi dhe diskutimi me kompetencë i të cilave nuk do t'i sillte asnjë të keqe autorit, përkundrazi përsiatjet filozofike rreth "filozofisë së gjuhës" në përgjithësi dhe rreth terminologjisë filozofike e linguistike shqipe në veçanti, gjuha jonë dhe autori dhe vetë shkenca jonë do të kishim vetëm dobi dhe shtysë për veprimtari e suksese të reja.
Nga sa u tha më sipër mund të nxjerrim këto përfundime:
a) Sajesa spirt, si rast i vetmuar, për konceptin e Geist-it të gjermanishtes nuk del e mbështetur as sipas mënyrës së huazimit të mirëfilltë të fjalëve të huaja në shqipe, as si krijim me vlerë, sipas rregullave formëzuese a fjalëformuese të shqipes, prandaj si e tillë do ta ketë pasur vështirë t'i qëndrojë as për një çast frymës së kohës, apo jo?!
b) Fjalë-termi shpirt del si barasvlerësi më i qëndrueshëm ekzistues i fondit aktiv të fjalësit të shqipes për kolonën e parë dhe në bashkëveprim me sinonimet e tjera, frymë, botë mendore, botë shpirtërore etj. gjithsesi me fjal-terma shqipe mund të mbulohet mjaft natyrshëm nocioni në shqyrtim, apo jo?.
c) Sido që të jetë, nëse ngulmohet patjetër në zgjidhje të reja, d.m.th. në trajtë-terma edhe më të specifikuar, atëherë, nga nevoja për qartësim, përthellësim a përshkallëzim të mëtejshëm kuptimor, duhet kërkuar ndihmë e mbështetje në modelet aktive prodhimtare emërformuese të struktures fjalëformuese të shqipes, për çka në këtë punim u dhanë disa shembuj sa për orientim, në mënyrë që lexuesit, po edhe studiuesit i japin sadopak ndihmesë. Kështu, për kolonën e dytë ndaj barasvlerëse përkatës të gjuhëve të huaja fjalëtermi frymë, del i qëndrueshëm, por në raste edhe sinonimi: frymësi, madje edhe ai frymim e ndonjë tjetër që mund të farkëtohet pa e zbehur fare anën shkencore të lëndës në shqyrtim. Edhe për fjalë-termin frymë munden me dale si barasvlerës korrekt sinonimikë ndaj fjalë-termave të gjuhëve të tjera, varësisht nga profilimi i lëndës që trajtohet, apo jo?!
Po përsërisim, gjithsesi duke iu pështatur natyrës së sistemit fjalëformues e formëzues të shqipes, nëse njihet e zotërohet mirë, mund të zgjidhet çdo çështje e diskutueshme, si kjo që u trajtua këtu, apo jo?.