Kulturë
Fran Gjoka: Gjuha shqipe, shqetësim mbarë kombëtar
E hene, 10.10.2016, 08:11 PM
Gjuha shqipe, shqetësim mbarë kombëtar
Nga Fran Gjoka
Punët e shqipes, nga sa duket do vijojnë, edhe do kohë të mbeten temë zbavitëse në biseda kafenesh ndonëse, kush dëshiron, e sheh që tash nuk ka mbetur dorëzanë tjetër veç gjuhës (në evolucionin e së cilës ndeshen gegërishtja me toskërishten.) Ndaj punët e shqipes lypin ngutshëm vëmendjen e institucioneve dhe të krejt shoqërisë. Lypin ngutshëm kryesisht një vëmendje të azhornuar, gjithë sipas praktikave frytdhënëse në vendet përreth nesh. Lidhur me procesin e gjatë dhe objektiv të rritjes së kulturës gjuhësore të një kombi, A. Xhuvani që në vitet 50 të shekullit të kaluar shkruante: “solecizmat janë gabime të pafalshme, të cilave duhet t’u reshtemi aq sa edhe gabimeve të tjera. E për t’ju reshtur këtyre duhet një studim i thellë e i plotë i gramatikës së përdorimeve … duhet të ndiqet edhe përdorimi i gjallë i popullit, edhe autoriteti i shkrimtarëve klasikë. Ta kufizosh gjuhën në një cak të ngushtë shkrimi kjo veç se e bën gjuhën të hollshme e pedantore, po është edhe një punë kundër natyrës së saj pasi gjuha hyn në ligjet e evolucionit e nuk mund të shkarkohet pas dëshirës së një palëve”. Europa e ka ndërruar me kohë formulën e didaktikës së gjuhës duke përcaktuar drejtimet e reja në fushën e emancipimit gjuhësor këtij fakti i mëshoi edhe T. De Mauro në takimin e Tiranës kur tha se, “në punë të gjuhës problemet më delikate e më të mprehta zënë fill që tek inserimi i fëmijëve në shkollë. Duhet të tregohemi vërtet të kujdesshëm për të njohur mirë dhe realisht pasurinë gjuhësore me të cilën ata nisin shkollën. Vetëm kështu mësues dhe nxënës mund të përshkojnë së bashku udhën drejt gjuhës amtare dhe drejt gjuhëve të mëdha të kulturës”.
“Mjaft më me kritika të paadresuara: Shqipja vijon të jetë nën trysninë e shkruesve dhe folësve të pakujdesshëm. Ka ardhur koha që normëshkelësit të përgjigjen për dëmin që i shkaktojnë gjuhës shqipe. “Malli” për fjalët e panevojshme është bërë ndër ne si një sëmundje ngjitëse që po merr përmasat e një epidemie gjuhëvrasëse”
Kështu tha vite më parë profesori i nderuar i gjuhësisë shqiptare dhe i diasporës Gjovalin Shkurtaj.
Është me vend që t’u drejtohemi strukturave të gjuhësisë së sotme me pyetjen “Ku ka ngelur zbatimi i shqipes ndër ne? Vetë pyetja e shtruar për reflektim flet për një studim madhor të kësaj fushe ndër ne, që do përsëri kohë dhe hapësirë në shumë rrafshe të jetës së përditshme. Gjuha standarde nuk është një Parlament, ku secila krahinë nga lëvruesit e saj në rrethana të caktuara dhe formohet nga gjuhëtarët, duke përzgjedhur nga tërësia e formave ekzistuese, ato që prestigji i lëvruesve i ka përhapur më shumë gjuhën e shkrimit dhe që pajtohet më mirë me vetë ecurinë e zhvillimit historik të asaj gjuhe. Kjo fushë e gjuhës standarde do përgatitje dhe impenjim më të madh nga intelektualët në përgjithësi dhe mësuesit e gjuhës dhe të letërsisë në veçanti. Pra ndjenjë e pasion për të moral e dashuri të lartë dhe mbi të gjitha respekt e vlera të mëdha për këtë thesar ndër të parës dëshmues të dallimit kombëtar.
E parë në këto faktorë, të cilat duhet të njihen mirë, ngase kjo fushë e dijes është shenja e parë dalluese e veçantisë kombëtare, ka ecur tepër ngadalë në rrjedhë të historisë sonë, qoftë në fushën e konsolidimit të alfabetit, qoftë në rrafshin e njehsimit të gjuhës gjithëkombëtare. Kemi kapërcyer shumë shekuj përpjekjesh të këtij kombi, për t’i vënë këto në themelet e duhura e të shëndosha, të cilat qëndrojnë në ditët e sotme. Por për këto piketa ndërtimesh, të këtyre fushave gjuhësore është derdhur shumë gjak dhe është paguar shumë shtrenjtë nga stërgjyshërit e gjyshërit tanë.
Këtu e njëqind vjet më parë, Xhuvani hapur thoshte, për daljen në dritë të një gjuhe letrare të njësuar, pra të krijuara mbi baza të shëndosha letrare. Ai mbetet burrë i madh, i këtij kombi me zë e me nam të madh në fushë të dijes gjuhësore. Por puna e këtij dhe shumë Xhuvanëve të tjerë të gjuhësisë shqiptare i kanë dhënë i japin kombit në fushën e dijes dhe të urtësisë, por ç’e do nami dhe këshillat e tyre nuk janë të kapshme dhe të rrokshme tek disa intelektual, politikan mësues të gjuhës, punonjës të medias së folur dhe të shkruar, të cilët po i fusin brirë gjuhës sotme të njehsuar.
Prof. Xhuvanit nuk i vinte fare rëndë që t’i shtrijë dorën për punën e madhe që kishin bërë në gjuhë e për gjuhën dy vëllezërit, Naimi dhe Saimi. Edhe Noli me urtësinë që e karakterizonte për vlerat njohëse të gjuhës e të kombit pati thënë : “Lëvizja për të ngritur gjuhën shqipe në shkallë kombëtare nisi në toskëri”. Shih F. Agollin në “gjuhën e Nolit” Tiranë 1999. Këta dy dijetarë të mëdhenj, Xhuvani, siç dihet i takonte të folmes veriore, ndërsa Noli i përkiste të folmes jugore, por këta nuk vuanin nga bajraktarizmi as nga fise e klane shqiptarësh, të cilat nuk i kapërcyen për tu mbajtur kombi i patundur vetëm në saj të gjuhës së njësuar për të cilën edhe ballafaqohemi sot aty këtu edhe me telashe dhe shpesh herë edhe me synime ndarëse. Duke lexuar mediat e sotme, revista e tekste të fushave të ndryshme “njeriut të ndershëm i bëhet sikur gjuha e sotme letrare standarde e përcaktuar këtu e 40 – vjet më parë ka mbetur vetëm në letër, nuk ka arritur ngritje të duhur cilësore siç duhet të kishte”. Kërkojmë të sjellim ndihmesën tonë të çmueshme edhe në kritikën e gabimeve e lajthitjeve e shkronjave vulgare gjuhësore që manifestohen tek disa prej folësve, gazetarëve dhe politikanëve.
Ajo, që të shqetëson janë shkresat zyrtare që përgatiten çdo ditë me mijëra nëpër administratat publike e jopublike, në institucionet arsimore shkencore e kulturore, ku shumë prej tyre paraqiten me plot gabime gjuhësore. Mendojmë që brenda çdo ministrie, dikasteri të punësohet një specialist i gjuhës apo redaktor letrar, i cili do të korrektojë apo redaktojë shkresat zyrtare. Lexuesit tanë duhet të jenë të bindur, se gjuha shqipe është një institucion dhe mosrespektimi i këtij institucioni duhet të shoqërohet me masa penalizuese. Por ana tjetër e këtij shqetësimi duhet të shoqërohet gjithnjë me një propagandë dinamike, ku vetë gjuha amtare të vlerësohet me maksimumin e kërkuar, ku studimet mbi shqipen letrare të zënë vendin e merituar. Si ia bëri Naimi i madh që si gjen dot asnjë barbarizëm në veprën e vet. Po Noli, që mori guximin dhe solli në shqip edhe Servantesin, edhe Shekspirin, edhe Khajamin? Po Konica, Kuteli, Poradeci, Xoxe, Agolli e Kadareja etj. Këta mjeshtra të fjalës e gjetën të patharruar arën e fjalës, ama fjala u ndrit në fjali, në prozë e në poezi. Shëndoshje e mbrojtje mund të bëhet me masë të prekshme energjike prej mendjesh që mendojnë tamam shqip e prej zemrash që rrahin shqip. Gjuhën shqipe e kemi ndër më të vjetrat e më të mëdhatë e kontinentit, për të mos përmendur një vlerësim të madhit Kadare që e rendit ndër dhjetë gjuhët më të rëndësishme të rruzullit. Në Shqipëri gjuhësia krahasimtare ka pasur arritje me vlera të mirëfillta shkencore dhe gjithnjë gjuhëtarët tanë të nderuar kanë hedhur dritë në raportet e shqipes me gjuhët e tjera. Studimi i shqipes, përveç interesit shkencor është lidhur ngushtë me interesat tona kombëtare. Qëndrojmë para një fakti shumë të bukur, shumë interesant, që jo vetëm gegërishtja, por edhe e diasporës, sidomos ajo e arbëreshëve të Italisë, tek e cila në mes shumë barbarizmave latine dhe greke gjenden thesare të vërtetë, format më të vjetra të shqipes, të cilat duhet të rigjejnë vendin e tyre në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, nga ku janë zbuar me dhunë tridhjetë e ca vjet më parë, në mënyrë që të rizënë vendin e merituar në gjuhën e kultivuar shqipe. Por krahas interesimit maksimal, që po bëjnë gjuhëtarët tanë në përgjithësi, kemi tek disa të tjerë mungesë të predispozimit, ku ka arsye të njohura të vjetra politike, por nuk duhet harruar dhe nënvlerësuar dhe ndikimi që ka pasur dhe do të kishte një afrim më i madh i rolit të gjuhës tonë dhe vendit, dhe në aspektin më preferik të asaj, atë komercial, pasi një afrim i tillë do të thoshte një kthim të vëmendjes së botës mbarë drejt shqiptarëve dhe Shqipërisë. Këtu të vijnë ndër mend perifrazimi i të madhit, Konica: “O Zot ruaje gjuhën shqipe nga shqiptarët!” Amen!
Të shqetëson fakti tepër shokues në njoftimet apo përshëndetjet televizive që bëhen. Shumë prej këtyre njoftimeve paraqiten me gabime drejtshkrimore. Pra: kemi të bëjmë me një shqipe të shpartalluar. Shikon materialet e llojeve të seminareve, janë të mbytura nga fjalët Curricul, cv, verb, arketip, cllaster, brainstorming, insert etj. Duket sikur bëjnë çdo sforcim për të gjetur një fjalë të huaj në vend të shqipes. Pse? Nuk ka mundësi shqipja e sotme për dijet e tyre të pafundta? Të vijmë pastaj tek politikanët. Edhe më i pakulturuari edhe më dallkauku nga deputetët e këtyre 26 vjetëve do të gërmojë e do të gjejë ca fjalë që nuk i ka fjalori i shqipes dhe do ti zbrazë në forume e mbledhje.
S’jam për xhelozinë dhe mospërdorimin e fjalës së huaj, kur ajo është më përfaqësuese se sa fjala shqipe, as kundër përdorimit të fjalorit teknik ndërkombëtar, ku shpesh përdoren në sesione e konferenca shkencore. Duhet të mbizotërojë mirëdashja. Vallë kemi kujt ti drejtohemi?! Kemi armatën e madhe intelektuale dhe jo pseintelektuale (pasi këta të fundit janë ata që po vrasin çdo ditë gjuhën dhe kulturën tonë të folur dhe të shkruar) . Ka krijues të rinj, ku vihet re prirje për të eksperimentuar poezi. Po përdorin një gjuhë të kamufluar për të qenë sa më modernë, ku në fakt nuk po sjellin asgjë të re përveç hermetizimit të saj, si shmangie flagrante një norme të njësuar letrare, ndërtime sintaksoreje jashtë natyrës së shqipes dhe mbi të gjitha përzierje amorfe të stileve të saj etj. Kujtojmë këtu ligjin francez, i cili është një ndër më të rreptit në këtë fushë. Por nuk mbetet pas as ligji rumun, dëshirojmë një kohë të shpejtë të gjejë zbatim edhe një ligj shqiptar. Kushtetuta ka garantuar respektimin e gjuhës shqipe, por fatkeqësisht, kjo ide deri tani nuk është mbështetur në ligje, masa të rrepta administrative. Është përfolur këtu e dy vjet më parë për një ligj që parashikonte të gjitha llojet e penalizimeve.
Gabimet drejtshkrimore, më shumë se sa snobizmit, po i adresohet një pragmatizmi të patolerueshëm, që po bëhet në shkolla dhe në institucionet shtetërore dhe private.
Të gjitha këto, po bëhen në kurriz të gjuhës letrare kombëtare shqipe. Gjuha shqipe me institucionin e saj të gjuhësisë është një institucion nga qytetarët shqiptarë me ligjet e saj përkatëse detyrimisht kërkohet të shoqërohet me masa të rrepta penalizuese që duhet të nisin me gjoba në shkollë e deri në ecje licenciale në administratat publike e shqiptare, duke kërkuar zbatimin me rreptësi shkencore atdhetare të normës së njësuar letrare shqipe, si një vlerë shënuese dhe kualifikuese, duke filluar nga nxënësit, studentët, mësuesit e pedagogët, media e shkruar dhe elektronike, në administratën qendrore e lokale etj.
Secili sipas mundësive dhe vendit ku punon e jeton të japë, ndihmesën e tij, pra me gojë e me shkrim, me protesta të kulturuara. Veç të japë. Dhe atëherë institucionet tona shkencore e gjuhësore dhe bashkë me ta edhe shteti mund të tundet. Dhe krenaria e një kombi, gjuha dhe kultura e saj mund të shpëtojë pa u asfiksuar.
Po mësimdhënia e gjuhës shqipe në shkollat tona, ka nevojë për një trajtim të ri?
Mendojmë se ka probleme emergjente në kuadrin e përdorimit të metodave, strategjive dhe teknikave që kërkojnë ta shoqërojnë atë. Kësaj lënde, i ka ardhur koha për përparësi për gjetjen dhe përdorimin sa më efikas të mësimdhënies dhe mësimnxënies së saj në shkolla. Lënda e gjuhës kërkon ndryshime kurrikulore, studim dhe thellim të mëtejshëm në mësimdhënien e gjuhës në shkollat e mesme e shoqëruar me një formim sa më shkencor e gjuhësor të mësuesve të ardhshëm në universitete dhe ajo që shqetëson sot është ngritja e kulturës gjuhësore te nxënësit në shkolla, që me keqardhje të lënë për të dëshiruar. Shpresojmë se edhe autorët e teksteve e programeve të gjuhës shqipe do të jenë partizanë të progresit, gjithnjë për përmirësim dhe ndryshim të pandërprerë. Shkurt për lëndën e gjuhës shqipe presim gjithnjë ndryshime të pritshme dhe brenda kornizave kurrikulare.