Kulturë
Besim Zymberi: Dhembje e protestë
E diele, 09.10.2016, 09:08 AM
DHEMBJE
E PROTESTË
Mbi poezinë e Sabit Abdylit
Nga Besim M. Zymberi
Poezia
e Sabit Abdylit, prek skajet më të ndjeshme të natyrshmërisë. Një gjuhë e
hapur, me një kod poetik lehtë të deshifrueshëm, poezinë e Sabit Abdylit, e
vendosin në piedestalin e një niveli shumë frymëzues dhe emotiv, të përshkrimit
të një mesazhi. Zhanri i poezisë prozaike shqipe, gjithnjë është i kërcënuar me
një hermetizëm letrar. Jemi dëshmitarë që në dekadat e fundit, një hermetizëm i
tillë pothuaj ishte bërë edhe vetë identiteti i një zhanri të tillë! Sabit
Abdyli, duke bërë poezinë e mirëfilltë, lirisht mund të konsiderohet edhe si
një luftëtar i dinjitetshëm kundër hermetizmit, si kolonë e pestë në poezinë e
stilit prozaik. Sabiti, është prej poetëve që e ka kuptuar më së miri
hermetizmin si një grackë që të shpie pashmangshëm drejt improvizimit qesharak
letrar-poetik. Edhe metafora ka një kuptim adekuat në poezinë e Sabit Abdylit.
Është një metaforë që nuk të lë të përpëlitesh t’ia qëllosh idesë së autorit.
Është një metaforë që autorit ia ndalon luksin të pranojë pohime interpretuese
që i shkojnë për shtati vetëm pritjeve të tija artistike. Është një metaforë,
që nuk e lejon autorin të ndjehet mire në një improvizim letrar. Metafora e
Sabit Abdylit, në poezinë e tij është vetë mesazhi. Sa emotiv, aq edhe i
prekshëm; sa i hapur, aq edhe i thellë; sa i butë dhe elegant, aq edhe agresiv,
shpotitës dhe kundërshtues; sa harmonik, aq edhe protestues… Poezisë së Sabit
Abdylit, nuk të duhet të derdhësh tru që t’ia gjesh një amfiteatër të veçantë,
për ndonjë kategori të veçantë të lexuesit. Poezia e tij, mund të lexohet
njëkohësisht dhe me të njëjtën lehtësi të të kuptuarit të mesazhit, nga një
doktor letërsie, apo një bujk që di vetëm shkrim lexim! Cikli i fundit prej 20
poezish, i quajtur “Xhamat e avullt” e bën Sabit Abdylin dëshmitar të besueshëm
të një tronditjeje njerëzore e kombëtare. Vetëm se, kjo dëshmi nuk është në
formë të një ditari të tipit administrativ, po është një dëshmi artistike, që
një periudhë historike përcaktuese, e shndërron në thellësi emotiviteti.
Nëpërmjet kësaj thellësie, Sabit Abdyli nuk shpërfaqet vetëm si dëshmitar i
ngjarjeve, por si një lexues që ka depërtuar perfekt në shpirtin e atyre
ngjarjeve e përjetimeve. Tiparin misionar hyjnor të nënës, Sabit Abdyli e
shpërfaq me natyrshmëri dhe plot ndjesi nëpërmjet poezisë “Nëna Rabë”, kushtuar
nënës së vet. Nëpërmjet vargut “…Ngrohte mëngjeset e ftohta…” Sabit Abdyli
personifikon shenjtërinë e nënës shqiptare në misionin e saj të mbijetesës sonë
kulturore. Malli, në poezitë “Bregu”, “Itaka”, “Fjalë e fjalë” dhe “Emigrant”,
të japin ndjesinë e lëvizjes në një vorbull përpirëse, nga e cila mund të
dalësh vetëm nëpërmjet dashurisë për Atdheun, vendlindjen…Duke qenë një
emigrant në Zelandë të Re, malli në poezinë e Sabit Abdylit, synon të përmbysë
largësinë që fizikisht e bën më të vështirë vizitën në vendlindje. Malli, në
gjuhën poetike të Sabit Abdylit, të bën të ndjehesh pjesë e tij, ndërsa vetë
Sabitin, të bën ta ndjesh afër teje, duke e ndarë me të edhe kafenë e mëngjesit
madje… Një muhabet bashkë me kafenë, ndjehesh se je duke e bërë me Sabitin, në
oborrin e shtëpisë së tij në Kabash, edhe nëpërmjet poezive, “Mësuar”,
“Biagrafi II”, “Njëherë e mire”, “Atë ditë kur po nisesha ushtar”, “Prurje
kohe”, “Ku mbeti”, “Eulex”, “Mendësi”, “Teshtitje kohe”, “Vendçe”, “Kënga e
pare”, “Shterpëri e gjelave”, “Gjuha shqipe” dhe “Mbase”. Është Atdheu këmbë e
kryq në këto poezi. Është atdheu me shpirtin e tij të bardhë, por i kërcënuar
nga vese të këqija. Është malli për atdheun, jo vetëm nga prizmi i një
mërgimtari. Është kujdesi, dhembja dhe protesta kundër devijimeve, të palosura
në formë elegante nëpërmjet poezive, për një atdhe të dinjitetshëm, sipas
shembullit të një populli të dinjitetshëm, ndonëse me një histori të trishtë e
tragjike. Sabit Abdyli, shkruan poezinë si një mësues, çfarë ka qenë gjatë
gjithë karrierës së tij misionare. Shkruan si një mësues, që qorton rëndë për
gabimet dhe dështimet, por që nuk beson që ndëshkimi, mund të japë më shumë
fryt se ndërgjegjësimi! Cikli poetik “Xhamat e avullt”, e bën Sabit Abdylin një
krijues të arrirë të letërsisë poetike shqipe. Dhe, nuk është vetëm ky cikël që
i jep një epitet të tillë. Ta lexosh Sabit Abdylin, poezinë e tij veçanërisht,
nuk mund të mos i ndjesh, e pse jo edhe t’i mësosh, tri gjëra esenciale: të
marrësh mesazhin emotiv që mund të ta japë vetëm poezia, të mos mbetesh vetëm
një vrojtues gjakftohtë i mënyrës se si ke jetuar, por të jesh pjesë e dëshmisë
edhe vetë, dhe, mësimi i tretë, sipas meje është: mund të mësosh se si bëhet
një poezi e vërtetë! Poezia e Sabit Abdylit, shkrin largësinë, lëviz në epoka,
shtrohet në sofrën mikpritëse, bëhet ngrohtësi nëne në një të ftohtë të acarët,
bëhet një shkronjë në emrin e atdheut, prehet si një ofshamë e ëmbël në peshën
e mallit, shpotit kryeneçësinë, thërret ndërgjegjësimin, vlerëson traditën, ka
në esencë të mesazhit- njerëzoren! Mbi të gjitha, gjuha poetike e hapur,
poezinë e Sabit Abdylit e bën pjesë reflektuese të mendimeve e ideve të secilit
prej nesh. Nga prizmi personal, them me plot bindje se poezia e Sabit Abdylit,
nuk të lë të mos bëhesh pjesë e saj dhe të mos ndërgjegjësohesh më shumë, kur e
ndjen si thirrje të tillë!