E shtune, 27.04.2024, 12:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Istref Haxhillari: Njollat

E merkure, 05.10.2016, 06:24 PM


Istref Haxhillari

Njollat

Ajo i thoshte shpesh:

- Me burrin, njëmbëdhjetë vjet, me ty trembëdhjetë.

Ai e dëgjonte dhe s’bëzante.

Aksidenti vinte, herë i trishtuar me lot e keqardhje, herë i ftohtë e i largët si diçka që i pati ndodhur tjetërkujt. Plarenti kishte krijuar së fundi versionin e përafërt të ngjarjes së trishtuar...

Atë natë Rubina e gdhiu me vështrim mbi rrugën nga do të vinte ai. Një shi i shtruar, agresiv godiste pa reshtur xhamat e dritareve, ia turbullonte pamjen. I shoqi u kthye në agim, i lodhur, i zverdhur. Si zakonisht, rrobat ishin rrëmujë e plotë.

- Patëm ngarkesë, - justifikoi vonesën, pastaj kërkoi t’i përgatiste dushin.

- Mund të telefonoje, - i tha ajo, - mbeta tërë natën duke soditur shiun, - dridhja e lehtë e zërit u luhat midis normales dhe fillimit të ngashërimit.

- Sa bëhesha gati të merrja, shpifej diçka urgjente, më pengonte, - i shpjegoi shpejt e shpejt arsyen, si një formulë e mësuar përmendësh.

Gruaja e re u mbush me frymë, mëria u davarit aty për aty.

‘Dhe ti, - i tha vetes, - mendja vetëm për keq të shkon’.

I shoqi u shtendos, rrëshqiti shikimin mbi portretin e saj, duke lejuar një hije të vogël buzëqeshjeje t’i endej sipër buzëve, po kjo nuk ia ndryshoi pamjen, fytyra pa shprehje si fund pellgu i tharë, e kishte humbur gazmendin e dikurshëm. Hyri në banjë me këmishën krahëve, pa kthyer kokën pas, derën e mbylli me çelës.

Rubi regjistroi me saktësi të gjitha veprimet, buzëqeshjen false, vështrimin e trembur prej fajtori, lëvizjet e kujdesshme, si të fshihte diçka të turpshme, kërcitjen e mezi dëgjueshme të bravës dhe iu ngrit mendja.

Gjithçka u rikthye më e pagabueshme se kurrë.

Përflitej se shkonte me nusen e vëllait. I dukej e pamundur të mbërrinte deri aty, po komshinjtë s’linin rast pa hedhur romuze. Sa e shihnin të afrohej në oborr, i thoshin me ca buzëqeshje të shpifura:

- Po të vjen burri, Rubi.

Të qe tjetër, gjysma e së keqes, po me kunatën! Jo të gjitha gratë kishin shansin e hidhur për të pasur një burrë enigmatik si ai. Nuk e dinte të vërtetën, ishte e turbullt, po s’i ndahej dyshimi se diçka anormale, shumë më e thellë nga sa dukej, ndodhte larg syve të saj. Jeta e kishte mësuar se njeriu që kridhet në punë përtej cakut të zakonshëm, përpiqet t’i shkasë do farë brenge, si mënyrë për të humbur mendjen. Skenat e përfytyrimit pervers parakalonin me shpejtësi. Dyshimet i dhanë dhimbje të thekët koke si paralajmërim dhe ndenji në këmbë pas kanatit së mbyllur.

Zhurma e currilave të ujit u ndërpre, i shoqi doli i shkujdesur, duke fishkëllyer një melodi  të njohur. Vuri re gruan aty ku e la dhe u vrenjt, ndërpreu fishkëllimën, u kthye në anën tjetër, po dëmi u bë: mbi gjoks feksi një njollë e madhe si hartë e vizatuar pa kujdes me bojëra të zeza e të kuqe. Zgjatimi në trajtë pikë loti zbriste nën sisën e djathtë.

Si të donte të sfidonte veten, apo të injoronte të vërtetën, ai u mbush me heshtje, e puthi  lehtë në faqe, pa guxuar ta vështronte drejtpërdrejt. Nuk ishte prekje intime e të dashurit, as përkëdhelje rutinë e burrit, sytë dredharakë e patën të pamundur të fshiheshin. Rubina u ndje e poshtëruar si kurrë ndonjëherë, i erdhi të bërtiste, ta çirrte, t’ia përplaste në sy.

Nuk bëri asnjërën.

As kur e puthi në faqe.

U dha mëngjes fëmijëve, i mori për dore, e la djalin në kopsht, vajzën te dera e shkollës, i ndoqi me sy, derisa hynë secili në klasën e vet dhe u nis në punë. Rrugën për te kopshti numër  pesë në anën tjetër të qytetit e përshkoi me nxitim për të shmangur të njohurit. Hyri në hullinë e rutinës së përditshme, pa qetësinë e ditëve të mëparshme. Nga mëngjesi ora i ngeli në një vend, hamendje të hidhura i trokisnin në kokë si ogur i keq.

‘Atje ka qenë, ku tjetër? Pse dreqin u ngatërrua me kunatën? Nëse e kishte kaq të domosdoshme, përse zgjodhi atë, nuk kishte të tjera? Se mos qe e bukura e dheut! Sa turp!’

E kishte dashur, sigurisht, asgjë nuk mund të harronte. Ëndrrat e adoleshentes së paformuar ende si femër fluturuan te ai burrë. Priste me padurim mbrëmjen të përvidhej nga shtëpia, ta adhuronte larg syve të botës. Rrethinat buzë lumit u bënë streha e lumturisë; aty humbi virgjërinë, njohu kënaqësitë e seksit, ëndërroi të ardhmen. Priti tre vjet e gjysmë të gjente paqen e martesës si ajo e prindërve.

Jeta paskej qenë tjetër gjë, ndryshe nga sa e përfytyroi atëherë...

Kur mbaroi pushimi i madh dhe të vegjlit rifilluan mësim, te dera e kopshtit u shfaq befas i vëllai. Hera e parë që vinte aty dhe u habit, pandehma të turbullta ia errësuan vetëdijen. E kurseu veten, zbriti shkallët buzagaz. E shkathët, e imët, me flokë të gjatë, gjinj të mëdhenj, linja të pa cenuara nga dy lindje radhazi, hynte në sërën e femrave që dinë ta mbajnë veten dhe t’u përshtaten situatave. Me t’u gjendur pranë tij, iu prenë këmbët: një çehre e zbehtë vdekjeje i zaptonte tiparet, fytyra i ngjante armës të zbrazur para kohe që pret të mbushet për qitjen e radhës. Rrallë e pati hasur në atë gjendje të mjerueshme.

‘ Plasi, e paska marrë vesh,’ - kishte mbërritur ajo që i trembej, e papritura dhe e pritura.

E dinte se i vëllai me atë karakter të rrëmbyer dhe temperament të dhunshëm, do të shpërthente. Fundja kishte të drejtë, e shoqja shkonte me burrin e saj, s’bëhej më keq. Nuk e deshi atë martesë, u përpoq ta ndalonte, madje të gjithë i dolën kundër, po Rubi s’u tund. Dashuria në moshën e adoleshenteve nuk njeh kufi, çdo logjikë bëhet e pavlefshme.

U bë gati të dëgjonte, por ai vazhdoi të heshtte si t’i kishte ikur goja. Diçka nuk funksiononte, a thua fatkeqësia i kishte bllokuar receptorët e inatit. Sekonda të tëra vështruan njëri-tjetrin, derisa artikuloi tri fjalët fatale.

- Ka bërë aksident, - e njoftoi me sytë në askund.

Rubi shtangu, fytyra i ndryshoi.

- Kush? - zëri tingëlloi i çjerrë.

- Yt shoq.

Pandehma të hidhura zunë ta shpojnë si gjilpëra të helmatisur, harroi gjithçka nuk shkonte si duhej mes tyre, sytë pis të zinj ia mbuluan lotët.

- Shpëtoi? - e pyeti me një fill shprese që u fashit menjëherë.

- Ishte me shpejtësi...

Gjithçka u vesh me ngjyrën e zezë, fundi, bluza, çorapet. Edhe rripi i mesit, i zi, çdo ditë e saj u bojatis me të zezë. Brenda javës një nishan fëmijërie, i fjetur prapa veshit të majtë, u bë gjëndër e shëmtuar, e frikshme. Në fytyrë, qafë, përreth buzëve u shfaqën rrudha të imëta si vija hartash fotografuar nga ajri. Ajo i kapërdinte të gjitha me indiferencë, sikur gjurmët e rrënimit të mos ndodhnin në trupin e saj, po gjetkë, shumë larg prej aty.

Iu nënshtrua gjendjes së re sipas mënyrës së vet. Kudo ndodhej, kujdesej ta bënte sa më  të padukshme praninë, hante pak, ngrihej herët, punonte shumë. Edhe të zgjuarit nga gjumi u bë i dhimbshëm, ideja se niste një ditë të re fillikat i jepte dhimbje në kraharor. Trupin e burrit të sakatuar prej përplasjes fatale, sytë e ftohtë gjysmë të mbyllur si dy prerje tërthore, fëmijët që ulërinin, njerëzit që e ngushëllonin, kujtesa ia sillte të deformuara përmes mjegullnajës së viteve, vetëm njolla kobzezë me pikën e lotit përfund mbeti e pacenuar.

Tridhjetë e shtatë vjet dhe vejushë.

Nuk qe e vështirë ta shtije në dorë: kur një grua e ve e sheh veten të përjashtuar nga festa e jetës, çdo gjë ndodh. I erdhën rrotull disa burra, po marrëdhëniet me ta qenë të sipërfaqshme, të mërzitshme e të shkurtra, asnjëri nuk arriti t’i mbushte boshllëkun e përhershëm që zgjerohej pas çdo takimi romantik.

Kur Plarenti i kërkoi të takoheshin, pranoi pa bërë naze, madje me një lloj kënaqësie të egër. I kishte pëlqyer gjithnjë pamja e tij: ndonëse në moshë, dukej i ri, i freskët, sikur linte pas vitet i pa prekur prej tyre. Mendoi se do të zgjaste aq sa të tjerët, ndoshta më pak, përvojat e shkuara e bënin skeptike, po trembëdhjetë vjet kaluan shpejt.

E kërkonte mbrëmjeve, ditën, mëngjeseve, si të qëllonte. Takimet qenë të zjarrta, të shpejta dhe mbresëlënëse, shkrirjen e trupave në atë harbim të çuditshëm e pati përjetuar shumë  rrallë. Pa kaluar viti iu bë i domosdoshëm, mezi priste orën e takimit, si dikur në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, kur vraponte bregut të lumit. Në se ndodhte të mos takoheshin, humbiste qetësinë, bëhej keq fizikisht dhe habitej pse lumturia shkaktonte kaq shumë vuajtje!

Plarenti i ngjante ujkut të lënduar që lëpin plagët pas një beteje të gjatë. I pasigurt në se ra në dashuri me të, më tepër i dukej marrëveshje e heshtur, ku secili kryente punën dhe merrte hakun e vet. Asnjëherë nuk i tha se e dashuronte, as çastet e pasionit të zjarrtë, kur gulçonte dhe djersinte.  Rubi nuk e zëvendësoi Serenën, po arriti të ruante një pozicion fantastik që e ndizte.

Derisa erdhi një ditë që shkatërroi gjithçka...

***

Mbrëmja vjeshtore spërkaste me gri të thellë parkun e liqenit, një hënë e madhe, e zbërdhulur peshonte në qiell, sfidonte retë. Edlin Minolli recitoi me zë të zvargur poezinë e thurur enkas, duke e këqyrur pandarë në një mënyrë që nuk donte shumë mundim të deshifrohej. Rubi i kthente në shaka vështrimet me dy kuptime të shokut më të ngushtë të Plarentit dhe ai tërhiqej i mundur, po këtë radhë s’u ndal.

- Nuk ka për ta marrë vesh, - guxoi më tej. Hera e dhjetë që e gjuante dhe e para që ia tha direkt, pa nënkuptime.

Vështrimi i gruas ngeci poshtë belit të tij, aty ku strehohej e fshehta e atij takimi, e vetmja  që e pengonte të ikte. Vetë burri ishte pa rëndësi.

- Ku i dihet? - largoi sytë, po një ngrohtësi e çmendur i përfshiu gjithë trupin, gjoksi i fryrë rrekej të shpërthente kopsat e përparëses.

Nuk ishte grua e pastër, as pati qenë ndonjëherë e tillë.

- Për mua nuk do ta besonte, - tha Edlini i emocionuar. E kuptoi me intuitë se nuk kishte veshur asgjë poshtë. Nga aroma e lehtë e grave

- Se si më duket!

- Këto punë mbeten të mbyllura, ti e di.

- Jo për një kohë të gjatë, - pëshpëriti dhe ndjeu ngrohtësinë midis kofshëve t’i kthehej në lagështi. Sido që u mundua të ruante qetësinë, pamja e vajtueshme dhe zëri i tkurrur nuk ia fshehën tronditjen.

Edlini e kuptoi se tensioni i gruas kishte rënë, siç bien kështjellat e rrethuara për një kohë të gjatë dhe nuk ngurroi t’i ledhatonte leshrat me duart që i dridheshin. Rubi nuk e largoi kokën, as buzët që u hapën vetiu kur e puthi dhe zuri ta zhveshë. Diçka filloi t’i lëvizte poshtë, sikur qendra e rëndesës të kishte ndërruar vend dhe kaloi nga pasiviteti fals në psherëtima të vërteta.

Iu dha me oreksin e lavires së panginjur, bërtiti dhe e çori sa mundi.

Kur u ftohën gjakrat e pa se e kishte pësuar edhe vetë: njëri gji qe skuqur flakë, tjetri varej poshtë i sakatuar. E kafshuara zinte fill te thitha e djathtë, përfundonte me një rrethore të kuqërremtë në formë loti poshtë gjirit.

‘Njëlloj si atëherë... çuditërisht njëlloj, a thua fati i lig deshi t’i bashkojë dy botët që i ndanin me burrin e ndjerë.’

Kaloi nëpër mendje çastet kur i kërkonte këshilla për fëmijët, ekonominë e rrënuar, marrëdhëniet e vështira me vëllezërit dhe sytë pa dritë që e qortonin, apo inkurajonin sipas rastit. Edhe nëse druhej ta kujtonte, apo rrekej ta shmangte, figura e burrit të vdekur i dilte përpara në mënyrë të dhunshme, për t’i bërë të ditur praninë e përjetshme. Si të kthjellohej nga një dritë hyjnore, për herë të parë zbuloi se kishte qenë vazhdimisht e lidhur me të përmes një filli heshtjeje që kapërcente murin ndarës të atyre botëve.

Edlini u përkul t’i jepte puthjen post dashuri dhe shijoi kripën e lotëve të saj. Ajo gjëja e veçantë që e shtyu vejushën e re në takim qe zhdukur, sikur papritur një erë e fortë ta kishte marrë me vete. U mbështet në bërryl, fshiu bulat e djersës afër hundës, priti të largohej imazhi i përtejmë, për të të rifituar kontrollin mbi këmbët e veta.

- Ç ’më bëre! - i tha me zërin ende të ndrydhur, - duhen të paktën dy javë të largohet dhe ne takohemi çdo tre-katër ditë.

- Gjej ndonjë pretekst, - i sugjeroi ai.

- Më mbaruan ato dreq periodash!

- Sajo diçka! - Edlini e ruajti veten nga angazhimi i mëtejshëm.

Rubi iu shmang takimeve me të dashurin dy javë rresht. Çdo herë sajonte diçka të ndryshme, për të mos ngjallur dyshime. Kur vajti, mori pamje të qetë e të shpenguar si të mos kishte bërë asnjë faj.

- Gjithë ato ngatërresa, - i kërkoi ndjesë. Sytë e vegjël, të zinj, xixëlluan prej mallit. Nuk shtirej, kur ishte me të.

Plarenti i besonte, s’i shkoi mendja për keq, qe bindje e fituar prej një kohe të gjatë.

- U shqetësova, - i tha me sinqeritet.

- Nuk ishin për t’u bërë merak.

- Hera e parë që u vonove kaq shumë.

Ajo preferoi të mos flisnin më për gjëra të tilla, pa rëndësi.

- Jam e rraskapitur, nuk e di a do të kënaq? - e joshi, duke pulitur sytë djallëzisht.

- Ka ndodhur ndonjëherë? - i lëmoi flokët sterrë të zinj.

Gishtërinjtë e mëdhenj rrëshqitën lehtë mbi harkun e gjoksit, për ta zhveshur ngadalë, sipas një riti të tyren: në fillim bluza, pastaj sutjenat, fundi. Vijoi t’i hiqte të poshtmet, kur sytë u ngulën mbi gjirin e djathtë... aty vështrimi ngriu, një vello e trashë misteri i mbështolli trupin. Largoi duart që i dridheshin nga inati, po nuk i lejoi vetes të shfaqte asnjë gjurmë agresiviteti, përveç sigurisë së brendshme të palëkundur.

Gruaja e shtrirë nuk e kuptoi pse ndërpreu gjithçka dhe filloi të vishej. Sytë ku mungonte sinqeriteti, si dritaret e një dhome të boshatisur, u fiksuan mbi fytyrën e zverdhur.

- Ç’të ndodhi? - e pyeti me zë të egër.

Plarenti iu përgjigj atij shikimi si një i huaj i largët. Duke injoruar femrën e lakuriqtë si të mos ekzistonte iu afrua tavolinës, ngriti gotën e përgjysmuar të verës. Gllënjka e parë ruante shijen e puthjeve dhe pështyu me neveri. Pjesën e mbetur e ktheu përnjëherë.

- Çohu! - i tha pa ngritur tonin.

Fjala e vetme tingëlloi e egër, ngaqë fytyra dhe zëri mbetën të qetë. Rubina shkoi me mendje dy javë pas dhe diçka si ngushtim i zvogëloi stomakun. U vesh ngadalë pa ia hequr sytë, derisa u bind se nuk kishte kthim prapa. Në shtëpi u mbyll në dhomën e gjumit, i hoqi të gjitha rrobat para pasqyrës. Shenja ishte aty, kryeneçe, e shpëlarë, sikur t’ia kishin bërë atë çast. Patën kaluar dy javë, pothuaj u fashit, si dreqin ndodhi të freskohej në atë mënyrë?

Edlini i paskej helm ata dreq dhëmbësh!

U mbështet te lavamani, i hodhi radhë disa grusht ujë fytyrës. Piklat e imëta rrëshqitën nën mjekër, përshkuan njollën, duke u zvogëluar, derisa firuan mbi lëkurën e nxehur. Ende s’i besohej ajo që ndodhi. Si zajet e lumit të fryrë nga shtrëngata, mizëri mënyrash shfajësimi nisën të përplaseshin, pa u fokusuar asnjëra, e besueshme.

E ktheu në realitetin e njëmendët sinjali i telefonit.

Dy herë radhazi.

- E pamundur t’i kapërdij, - i shkruante Plarenti, - ato shenja nuk t’i kam bërë unë, as do t’i bëja kurrë, e dimë të dy. Shpresoja fund të bukur, siç qe lidhja jonë, po nuk ishte në dorën time. Faleminderit për gjithçka më dhurove tërë këto vite, sikundër edhe unë të dhashë çdo gjë që mund të jepja. Shpresoj të mbetemi miq për hir të asaj dashurie që ti e vrave pabesisht. Lamtumirë!

Edhe pas leximit të dhjetë, i mbeti në mendje fjala e fundit, më e gjata. Plarenti e kishte lënë. Pa kthim pas. Rrjedha e ndjenjave të tij ishte ndalur. Befas kujtime me dendësi mizore, si shkulmat e fundit të gjakut të një kafshe të therur, gulfuan me presionin e ujit që shpërthen nga nëntoka: trembëdhjetë vjet më pas, dashuria funksiononte ende...

Lotët nuk i ishin tharë, kur vendosi t’i përgjigjej Edlin Minollit.

‘Dil te RaiffesenBank, sa të të shoh pak!’

Në fillim u habit pse i postoi pikërisht atë fjali, pastaj u kthjellua: ishte mesazhi që dinte të shkruante më mirë.

Ia dërgonte çdo ditë Plarentit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora